L I G J
Nr.9015, datë 20.2.2003
PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË “KONVENTËN PËR NDIHMË NË RAST AKSIDENTI BËRTHAMOR OSE EMERGJENCE RADIOLOGJIKE”
Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Republika e Shqipërisë aderon në “Konventën për ndihmë në rast aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekret nr.3739, datë 19.3.2003 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Alfred Moisiu
Konventë
PËR NDIHMË NË RAST AKSIDENTI BËRTHAMOR OSE EMERGJENCE RADIOLOGJIKE
Shtetet pjesëmarrës të kësaj konvente:
të ndërgjegjshëm se veprimtaritë bërthamore po zhvillohen në një numër shtetesh;
duke vërejtur se janë marrë dhe po merren masa të gjithanshme për të arritur një nivel të lartë sigurie në veprimtaritë bërthamore, me qëllim që të parandalohen aksidentet bërthamore dhe të pakësohen pasojat e ndonjë aksidenti të tillë, edhe sikur ai të ndodhte;
duke dëshiruar të forcojnë më shumë bashkëpunimin ndërkombëtar për një zhvillim dhe përdorim të sigurt të energjisë bërthamore;
të bindur për nevojën e një sistemi ndërkombëtar, i cili do të lehtësojë dhënien e menjëhershme të ndihmës në rast aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike për të pakësuar pasojat e tyre,
duke vërejtur dobinë e marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe për ndihmë reciproke në këtë fushë;
duke vënë theksin në veprimtaritë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të krijuar udhëzues për marrëveshjet e ndihmës emergjente reciproke në lidhje me një aksident bërthamor ose emergjence radiologjike,
ranë dakord për sa më poshtë:
Neni 1
Kushtet e përgjithshme
1. Shtetet pjesëmarrëse do të bashkëpunojnë ndërmjet tyre dhe me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (që këtej e tutje do të quhet “Agjenci”) në përputhje me kushtet e kësaj Konvente për të lehtësuar ndihmën e menjëhershme në rast aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike për të pakësuar pasojat e tyre dhe për të mbrojtur jetën, pasurinë dhe mjedisin nga efektet e daljeve radioaktive.
2. Për të lehtësuar një bashkëpunim të tillë, shtetet pjesëmarrëse mund të bëjnë marrëveshje dypalëshe ose shumëpalëshe, ose kur është e përshtatshme në marrëveshje të kombinuara për të parandaluar ose minimizuar dëmet dhe dëmtimet.
3. Shtetet pjesëmarrëse i kërkojnë Agjencisë, që duke vepruar në kuadrin e statutit të saj, të bëjë përpjekje maksimale në përputhje me kushtet e kësaj Konvente që të nxisë, të lehtësojë dhe mbështesë bashkëpunimin midis shteteve pjesëmarrëse duke u bazuar në këtë Konventë.
Neni 2
Kushtet e ndihmës
1. Në qoftë se një shtet pjesëmarrës kërkon ndihmë në rast aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike, pavarësisht nëse një aksident ose emergjencë e ka ose jo origjinën brenda territorit, juridiksionit ose kontrollit të tij, ai mund të kërkojë një ndihmë të tillë prej ndonjë shteti tjetër pjesëmarrës, direkt ose nëpërmjet Agjencisë si dhe prej Agjencisë ose kur është e përshtatshme prej organizatave të tjera ndërkombëtare ndërqeveritare (që këtej e tutje do të quhen “organizata ndërkombëtare”).
2. Një shtet pjesëmarrës që kërkon ndihmë do të specifikojë qëllimin dhe llojin e ndihmës, dhe kur është e mundur do t’i sigurojë palës ndihmëse një informacion të tillë të nevojshëm për palën tjetër që të përcaktojë se deri në çfarë shkalle ajo është e aftë t’i përgjigjet kërkesës. Kur shteti pjesëmarrës që kërkon ndihmë nuk është në gjendje të specifikojë qëllimin dhe llojin e ndihmës së kërkuar, shteti pjesëmarrës kërkues dhe pala ndihmuese, nëpërmjet këshillimeve, do të vendosin për qëllimin dhe llojin e ndihmës së kërkuar
3. Çdo shtet pjesëmarrës, të cilit i dërgohet kërkesa për ndihmë, do të vendosë menjëherë dhe do të njoftojë shtetin pjesëmarrës kërkues, direkt ose nëpërmjet Agjencisë, nëse është në gjendje të japë ndihmën e kërkuar, si dhe qëllimin dhe kushtet e ndihmës që mund të japë.
4. Shtetet pjesëmarrëse, brenda kufijve të aftësive të tyre, do të përcaktojnë dhe njoftojnë Agjencinë për ekspertët, pajisjet dhe materialet që do të mund të ishin të disponueshme për dhënien e ndihmës shteteve të tjera pjesëmarrëse në rast aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike, si dhe kushtet, veçanërisht ato financiare, me të cilat kjo ndihmë mund të jepet.
5. Çdo shtet pjesëmarrës mund të kërkojë ndihmë për trajtimin mjekësor ose për qëndrim të përkohshëm në territorin e një shteti tjetër pjesëmarrës, të njerëzve që janë përfshirë në një aksident bërthamor ose emergjencë radiologjike.
6. Agjencia, në përputhje me statusin e saj, si dhe në frymën e kësaj Konvente, do t’i përgjigjet kërkesës së një shteti pjesëmarrës kërkues ose të një shteti anëtar në rast aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike:
a) duke vënë në dispozicion burime të përshtatshme të caktuara për këtë qëllim;
b) duke ua transmetuar kërkesën menjëherë shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat sipas informacioneve që ka Agjencia, mund të disponojnë burimet e nevojshme;
c) duke bashkërenduar ndihmën në nivel ndërkombëtar, që kështu bëhet e përdorshme, nëse këtë e kërkon shteti kërkues.
Neni 3
Drejtimi dhe kontrolli i ndihmës
Nëse nuk është rënë dakord ndryshe:
a) Drejtimi, kontrolli, koordinimi dhe mbikëqyrja e gjithanshme e ndihmës, brenda territorit të vet, do të bëhet nën përgjegjësinë e shtetit kërkues. Kur ndihma përfshin edhe personel, pala që ndihmon në këshillim me shtetin kërkues, duhet të caktojë personin që do të jetë përgjegjës dhe do të kryejë mbikëqyrjen e menjëhershme operacionale për personelin dhe pajisjet e siguruara. Personi i caktuar do ta ushtrojë mbikëqyrjen në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të shtetit kërkues.
b) Shteti kërkues do të sigurojë brenda mundësive të tij shërbime dhe lehtësira lokale për administrimin me efektivitet të ndihmës. Ai do të sigurojë gjithashtu mbrojtjen e personelit, pajisjeve dhe materialeve të sjella në territorin e tij, vetë ose në emër të palës ndihmëse për këtë qëllim.
c) Pronësia e pajisjeve dhe e materialeve që jepen nga secila palë gjatë periudhës së ndihmës, do të mbeten të paprekura dhe do të sigurohet kthimi i tyre.
d) Një shtet pjesëmarrës që jep ndihmë në përgjigje të një kërkese, sipas paragrafit 5 të nenit 2, do të koordinojë këtë ndihmë brenda territorit të tij.
Neni 4
Autoritetet kompetente dhe pikat e kontaktit
1. Çdo shtet pjesëmarrës do t’i bëjë të njohur Agjencisë së shteteve pjesëmarrëse, direkt ose nëpërmjet Agjencisë, autoritetet kompetente dhe pikat e kontaktit të autorizura për të bërë dhe për të marrë kërkesat, si dhe për të pranuar ofertat e ndihmës. Këto pika kontakti, si dhe një pikë qendrore brenda Agjencisë, do të jenë të disponueshme në mënyrë të vazhdueshme.
2. Çdo shtet pjesëmarrës do të informojë menjëherë Agjencinë për çdo ndryshim që mund të ndodhë në informacionin sipas paragrafit 1.
3. Agjencia do t’u japë shteteve pjesëmarrëse, shteteve anëtare dhe organizatave përkatëse ndërkombëtare në mënyrë të rregullt dhe të menjëhershme informacionin sipas paragrafit 1.
Neni 5
Funksionet e Agjencisë
Shtetet pjesëmarrëse i kërkojnë Agjencisë, në përputhje me paragrafin 3 të nenit 1 dhe pa paragjykim për dispozitat e tjera të kësaj Konvente që:
a) Të mbledhë dhe t’u shpërndajë shteteve pjesëmarrëse dhe shteteve anëtare informacion në lidhje me:
i) ekspertët, pajisjet dhe materialet që do të vihen në dispozicion në rast aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike;
ii) metodologjitë, teknikat dhe rezultatet e kërkimeve të disponueshme, në lidhje me masat që duhet të merren ndaj një aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike.
b) Të ndihmojë një shtet pjesëmarrës ose një shtet anëtar, kur ndihma kërkohet për secilën nga çështjet e mëposhtme ose të ngjashme:
i) në përgatitjen e planeve të emergjencave në rast aksidenti bërthamor dhe emergjence radiologjike, si dhe të legjislacionit të përshtatshëm;
ii) në zhvillimin e programeve të përshtatshme kualifikuese për personelin që do të trajtojë aksidentet bërthamore dhe emergjencat radiologjike;
iii) në transmetimin e kërkesave për ndihma dhe informacione përkatëse në rastin e një aksidenti bërthamor ose të emergjencës radiologjike;
iv) në zhvillimin e programeve, procedurave dhe standardeve të përshtatshme për monitorimin e rrezatimeve;
v) në kryerjen e studimeve për mundësinë e vendosjes së sistemeve të përshtatshme për monitorimin e rrezatimeve;
c) Do t’i verë në dispozicion një shteti pjesëmarrës ose një shteti anëtar, që kërkon ndihmë në rast të një aksidenti bërthamor ose të një emergjence radiologjike, burimet e përshtatshme, të caktuara për të bërë një vlerësim fillestar të shkallës së aksidentit dhe të emergjencës radiologjike.
d) Do t’u ofrojë shërbimet e saj shteteve pjesëmarrëse dhe shteteve anëtare në rast të një aksidenti bërthamor ose të një emergjence radiologjike.
e) Do të vendosë dhe do të mbajë lidhje me organizatat përkatëse ndërkombëtare me qëllim që të marrë dhe të shkëmbejë informacione dhe të dhëna përkatëse, si dhe do të bëjë një listë të organizatave, që do të jetë në dispozicion të shteteve pjesëmarrëse, shteteve anëtare dhe organizatave të lartpërmendura.
Neni 6
Sekreti dhe deklaratat publike
1. Shteti kërkues dhe shteti që ndihmon do të ruajnë sekretin e çfarëdolloj informacioni sekret që i jepet secilës palë në lidhje me ndihmën në rast aksidenti bërthamor ose emergjence radiologjike. Një informacion i tillë do të përdoret ekskluzivisht për ndihmën që është dhënë në lidhje me një aksident bërthamor ose emergjence radiologjike.
2. Pala që ndihmon do të bëjë të gjitha përpjekjet për të koordinuar me shtetin kërkues, para dhënies së informacionit në publik, për ndihmën që ëshë dhënë në lidhje me aksidentin bërthamor ose emergjencën radiologjike.
Neni 7
Pagimi i shpenzimeve
1. Një palë ndihmëse mund të ofrojë ndihma pa pagesë për shtetin kërkues. Kur shqyrtohet mundësia e dhënies së një ndihme në këto kushte, pala ndihmuese duhet të ketë parasysh:
a) natyrën e aksidentit bërthamor ose të emergjencës radiologjike;
b) vendndodhjen e aksidentit bërthamor ose të emergjencës radiologjike;
c) nevojat e vendeve në zhvillim;
d) nevojat e veçanta të vendeve që nuk kanë impiante bërthamore;
e) çfarëdolloj faktori tjetër.
2. Kur ndihma jepet plotësisht ose pjesërisht mbi bazën e pagesës, shteti kërkues do t’i paguajë palës që ndihmon shpenzimet e bëra për shërbimet e kryera nga persona ose organizata që veprojnë në emër të saj, si dhe të gjitha shpenzimet e tjera që lidhen me ndihmën dhe që nuk janë paguar direkt nga shteti kërkues. Në rast se nuk është rënë dakord ndryshe, pagesa do të jepet menjëherë mbasi pala që ndihmon i ka paraqitur kërkesën e saj për pagim shtetit kërkues dhe përsa i përkes shpenzimeve të tjera, përveç shpenzimeve lokale, ato do të jenë të transferueshme lirisht.
3. Pavarësisht nga paragrafi 2, pala që ndihmon mundet që në çdo kohë të mos ngulë këmbë ose të bjerë dakord për shtyrjen e pagesës plotësisht ose pjesërisht. Duke mos ngulur këmbë ose duke bërë shtyrje, palët që japin ndihmë do të marrin parasysh nevojat e vendeve në zhvillim.
Neni 8
Privilegjet, imunitetet dhe lehtësirat
1. Shteti kërkues do t’i akordojë personelit të shtetit që ndihmon dhe personelit që vepron në emër të tij, privilegjet, imunitetet dhe lehtësirat e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tyre të ndihmës.
2. Shteti kërkues do t’i akordojë privilegjet dhe imunitetet e mëposhtme personelit të palës që ndihmon ose personelit që vepron në emër të tij dhe për të cilin është njoftuar sipas rregullave dhe është pranuar nga shteti kërkues:
a) imunitet nga ndalimi, burgosja dhe procesi ligjor duke përfshirë juridiksionin kriminal, civil, administrativ dhe atë për krime të shtetit kërkues, përsa i përket kryerjes ose moskryerjes së detyrave të tyre;
b) përjashtim nga taksat, detyrimet dhe tarifat e tjera, përveç atyre që inkuadrohen normalisht në çmimin e mallrave ose që paguhen për shërbimet e kryera lidhur me kryerjen e funksioneve të tyre të ndihmës.
3. Shteti kërkues:
a) do t’i akordojë shtetit që ndihmon përjashtim nga taksat, detyrimet dhe tarifat e tjera për pajisje dhe pasuri, që sillen në territorin e shtetit kërkues nga shteti që ndihmon, për qëllimin e ndihmës;
b) do t’i akordojë imunitet nga marrja, përvetësimi ose rekuizimi i këtyre pajisjeve dhe pasurive.
4. Shteti kërkues do të sigurojë kthimin e këtyre pajisjeve dhe pasurive. Në qoftë se kërkohet nga shteti që ndihmon, shteti kërkues do të krijojë kushte, brenda mundësive të tij, për dekontaminimin e nevojshëm të pajisjeve të kthyeshme të përdorura gjatë ndihmës, përpara se ato të kthehen.
5. Shteti kërkues do të lehtësojë hyrjen, qëndrimin dhe largimin nga territori i tij kombëtar, të personelit që përmban paragrafi 2 dhe të pajisjeve dhe pasurive që përfshihen në ndihmë.
6. Në këtë nen nuk kërkohet aspak që shteti kërkues t’u akordojë nënshtetasve të tij ose atyre që janë me qëndrim të përhershëm, privilegjet dhe imunitetet e akorduara në paragrafët e mësipërm.
7. Pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet, të gjithë ata që gëzojnë privilegje dhe imunitete të tilla sipas këtij neni, kanë për detyrë që të respektojnë ligjet dhe rregullat e shtetit kërkues. Ata kanë gjithashtu për detyrë që të mosndërhyjnë në punët e brendshme të shtetit kërkues.
8.Asgjë në këtë nen nuk dëmton të drejtat dhe detyrimet përsa u përket privilegjeve dhe imuniteteve që akordohen në lidhje me marrëveshje të tjera ndërkombëtare ose rregulla të së drejtës ndërkombëtare.
9. Duke firmosur, ratifikuar, pranuar, miratuar ose aderuar në këtë Konventë, një shtet mund të deklarojë se ai nuk e konsideron veten të angazhuar plotësisht ose pjesërisht me paragrafët 2 dhe 3.
10. Një shtet pjesëmarrës që ka bërë një deklaratë, në përputhje me paragrafin 9, mund ta tërheqë atë në çdo kohë duke njoftuar depozituesin.
Neni 9
Kalimi i personave, pajisjeve dhe pasurive
Çdo shtet pjesëmarrës me kërkesën e shtetit kërkues ose të shtetit që ndihmon, do të kërkojë lehtësira për kalimin nëpër territorin e tij, të personelit, pajisjeve dhe pasurive që hyjnë ose dalin nga shteti kërkues dhe që janë të përfshira në ndihmë.
Neni 10
Ankesat dhe kompensimi
1. Shtetet pjesëmarrëse do të bashkëpunojnë ngushtë, me qëllim që të lehtësojnë zgjidhjen e procedurave ligjore dhe ankesave sipas këtij neni.
2. Në qoftë se nuk është rënë dakord ndryshe, lidhur me vdekjen ose dëmtimin e personave, dëmtimin ose humbjen e pasurive, ose dëmtimin e mjedisit brenda territorit të vet ose të një zone tjetër nën juridiksionin ose kontrollin e vet, gjatë dhënies së ndihmës së kërkuar, shteti kërkues:
a) nuk do të kryejë ndonjë procedurë ligjore kundër palës që ndihmon ose personave, ose subjekteve të tjera ligjore, që veprojnë në emër të saj;
b) do të mbajë përgjegjësi për të trajtuar procedurat ligjore dhe ankesat e një pale të tretë kundër palës që ndihmon ose kundër personave ose subjekteve të tjera ligjore që veprojnë në emër të saj;
c) do të mbajë padëmtuar palën që ndihmon ose personat ose subjektet e tjera ligjore që veprojnë në emër të saj përsa u përket procedurave ligjore që parashikohen në nënparagrafin (b);
d) do të kompensojë palën ose subjektet e tjera ligjore që veprojnë në emër të saj:
i) për vdekjen ose dëmtimin e personelit të palës që ndihmon ose të personave që veprojnë në emër të saj;
(ii) për humbjen ose dëmtimin e pajisjeve ose të materialeve të pakonsumueshme që kanë të bëjnë me ndihmën, përveç rasteve të sjelljeve të ulta nga persona që kanë shkaktuar vdekje, dëmtim, humbje ose plagosje.
3. Ky nen nuk do të pengojë kompensimin ose dëmshpërblimin që parashikohet në çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare të zbatueshme ose ligj kombëtar të çdo shteti.
4. Asgjë në këtë nen nuk do të kërkojë që shteti kërkues të zbatojë paragrafin 2 plotësisht ose pjesërisht për nënshtetasit ose banorët e vet të përkohshëm.
5. Kur firmos, ratifikon, pranon ose aderon në këtë Konventë, një shtet mund të deklarojë:
a) se ai nuk e konsideron veten të lidhur plotësisht ose pjesërisht me paragrafin 2;
b) se ai nuk do të zbatojë paragrafin 2 plotësisht ose pjesërisht, në rastet e një neglizhence të madhe nga individë që shkaktojnë vdekje, plagosje, humbje ose dëmtim.
6. Një shtet pjesëmarrës që ka bërë një deklaratë në përputhje me paragrafin 5 mund ta tërheqë atë në çdo kohë duke njoftuar depozituesin.
Neni 11
Përdorimi i ndihmës
Shteti kërkues ose pala që ndihmon, në çdo kohë pas këshillimeve të përshtatshme dhe duke njoftuar me shkrim, mund të kërkojnë dhënien fund të ndihmës së marrë ose të dhënë sipas kësaj Konvente.
Menjëherë sapo bëhet një kërkesë e tillë, palët e përfshira do të këshillohen me njëra- tjetrën për të bërë rregullimet për një përfundim korrekt të dhënies së ndihmës.
Neni 12
Lidhja me marrëveshjet e tjera ndërkombëtare
Kjo Konventë nuk do të ndikojë tek të drejtat dhe detyrimet reciproke të shteteve pjesëmarrëse që rrjedhin nga marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare, të cilat lidhen me çështje që mbulon kjo Konventë ose që rrjedhin nga marrëveshje ndërkombëtare të së ardhmes të parashikuara në përputhje me objektin dhe qëllimin e kësaj Konvente.
Neni 13
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
1. Në rast mosmarrëveshjeje midis shteteve pjesëmarrëse dhe Agjencisë, lidhur me interpretimin ose zbatimin e kësaj Konvente, palët që nuk merren vesh do të këshillohen me qëllim që të zgjidhin mosmarrëveshjen me anë bisedimesh ose me ndonjë mjet paqësor të pranueshëm prej tyre.
2. Nëse një mosmarrëveshje e këtij karakteri midis shteteve pjesëmarrëse nuk do mund të zgjidhet brenda një viti pas kërkesës për këshillim, sipas paragrafit 1, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, çështja i kalohet arbitrazhit ose Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për vendim. Nëse brenda gjashtë muajve, nga data e kërkesës për ta çuar mosmarrëveshjen në arbitrazh, palët janë të paafta të bien dakord për organizimin e arbitrazhit, secila prej palëve mund t’i kërkojë Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare ose Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të caktojë një ose më shumë arbitra. Në rast kërkesash kontradiktore nga palët në mosmarrëveshje, kërkesa drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara do të ketë përparësi.
3. Gjatë nënshkrimit, ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit në këtë Konventë, një shtet mund të deklarojë se nuk e konsideron veten të lidhur nga secila ose të dyja procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të treguara në paragrafin 2 ndaj një shteti pjesëmarrës për të cilin qëndron në fuqi një deklaratë e tillë.
4. Një shtet pjesëmarrës, që ka bërë një deklaratë në përputhje me paragrafin 3, mund ta tërheqë atë në çdo kohë duke njoftuar depozituesin.
Neni 14
Hyrja në fuqi
1. Kjo Konventë do të jetë e hapur për firmosje për të gjitha shtetet dhe Namibinë, të përfaqësuar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për Namibinë, në rezidencën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vjenë dhe në rezidencën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork prej 26 shtatorit 1986 dhe 6 tetorit 1986 përkatësisht, deri në hyrjen në fuqi të saj ose për dymbëdhjetë muaj, duke zgjedhur periudhën më të gjatë.
2. Një shtet dhe Namibia, e përfaqësuar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për Namibinë, mund të shprehin miratimin për t’u bashkuar me këtë Konventë ose duke e firmosur, ose duke depozituar një instrument ratifikimi, pranimi ose miratimi, ose duke depozituar një instrument aderimi. Instrumentet e ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit do të depozitohen tek depozituesi.
3. Kjo Konventë hyn në fuqi tridhjetë ditë, pasi të jetë shprehur pranimi i saj nga tre shtete.
4. Për çdo shtet që shpreh pëlqimin për t’u lidhur me këtë Konventë pas hyrjes së saj në fuqi, kjo Konventë do të hyjë në fuqi për shtetin, tridhjetë ditë pas datës së shprehjes së pëlqimit.
5. a) Kjo Konventë do të jetë e hapur për aderim, sikurse sigurohet nga ky nen, nga organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e integrimit rajonal që formohen nga shtetet sovrane, të cilat kanë kompetencë për të bërë negociata, zbatime dhe përfundime të marrëveshjeve ndërkombëtare për fusha që i mbulon kjo Konventë.
b) Brenda kompetencave të tyre, këto organizata, në emër të tyre, do të ushtrojnë të drejtat dhe plotësojnë detyrimet që kjo Konventë u atribuon shteteve pjesëmarrëse.
c) Kur depoziton instrumentin e vet të aderimit, një organizatë ndërkombëtare do t’i komunikojë depozituesit një deklaratë ku i tregon shtrirjen e kompetencave të saj në lidhje me fushat që mbulon kjo Konventë.
d)Një organizatë e tillë nuk ka të drejtë vote; nuk u shtohet asnjë votë, votave të shteteve pjesëmarrëse.
Neni 15
Zbatimi i përkohshëm
Një shtet, që nga firmosja ose më vonë, por pa hyrë në fuqi Konventa për të, mund të deklarojë se do ta zbatojë këtë Konventë përkohësisht.
Neni 16
Amendamentet
1. Një shtet pjesëmarrës mund të propozojë amendamente për këtë Konventë. Amendamenti i propozuar do t’i dërgohet depozituesit, i cili do ta qarkullojë atë menjëherë në të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
2. Nëse shumica e shteteve pjesëmarrëse i kërkon depozituesit të thërrasë një konferencë për të shqyrtuar amendamentin e propozuar, depozituesi do të ftojë të gjitha shtetet pjesëmarrëse të vijnë në këtë konferencë, që fillon jo më parë se tridhjetë ditë pas dërgimit të ftesave. Çdo amendament që pranohet nga konferenca me dy të tretat e votave të të gjitha shteteve pjesëmarrëse, do të futet në një protokoll, që është i hapur për firmë në Vjenë dhe Nju Jork për të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
3. Protokolli hyn në fuqi tridhjetë ditë pas pëlqimit të shprehur nga tre shtete. Për çdo shtet, që shpreh pëlqimin për të qenë i lidhur me këtë protokoll pas hyrjes së tij në fuqi, protokolli do të hyjë në fuqi tridhjetë ditë pas ditës së shprehjes së pëlqimit.
Neni 17
Denoncimi
1. Një shtet pjesëmarrës mund ta denoncojë këtë Konventë duke njoftuar me shkrim depozituesin.
2. Denoncimi do të marrë efekt një vit pas datës së marrjes të njoftimit nga depozituesi.
Neni 18
Depozituesi
1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë do të jetë depozituesi i kësaj Konvente.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë do të njoftojë menjëherë të gjitha shtetet pjesëmarrëse dhe shtetet e tjera për:
çdo firmosje të kësaj Konvente ose ndonjë protokoll amendamenti;
b) çdo depozitim të një instrumenti ratifikimi, pranimi, miratimi ose aderimi, lidhur me këtë Konventë ose me ndonjë protokoll amendamenti;
c) çdo deklaratë ose tërheqje prej saj në përputhje me nenet 8, 10 dhe 13;
d) çdo deklaratë për zbatim të përkohshëm të kësaj Konvente sipas nenit 15;
e) hyrjen në fuqi të kësaj Konvente ose të ndonjë amendamenti;
f) ndonjë denoncim të bërë sipas nenit 17.
Neni 19
Tekstet origjinale dhe kopjet e vërtetuara
Origjinali i kësaj Konvente, tekstet e të cilës në gjuhët arabe, kineze, frënge, ruse dhe spanjolle janë njëlloj autentike, do të depozitohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili do t’u dërgojë kopje të vërtetuara shteteve pjesëmarrëse dhe të gjitha shteteve të tjera.
Si dëshmi e kësaj, nënshkruesi, duke qenë i autorizuar sipas të gjitha rregullave, ka firmosur këtë Konventë, të hapur për firmosje sipas paragrafit 1 të nenit 14.
Miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vjenë në datën 26 shtator 1986.
Leave a comment