L I G J
Nr. 9495, datë 20.3.2006
PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN NDËRKOMBËTARE PËR SHPËTIMIN, LONDËR, 28 PRILL 1989
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Republika e Shqipërisë aderon në Konventën Ndërkombëtare për Shpëtimin, Londër, 28 prill 1989.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4823, datë 28.3.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu
KONVENTA NDËRKOMBËTARE PËR SHPËTIMIN
(Londër, 28 prill 1989)
Shtetet Palë në këtë Konventë,
duke njohur dobinë e caktimit me marrëveshje të rregullave uniforme ndërkombëtare në lidhje me operacionet e shpëtimit;
duke vënë re se zhvillimet thelbësore, sidomos shqetësimi në rritje për ruajtjen e ambientit, kanë demonstruar nevojën për rishikimin e rregullave ndërkombëtare që janë momentalisht në Konventën për unifikimin e disa rregullave ligjore në lidhje me asistencën dhe shpëtimin në det, bërë në Bruksel, më 23 shtator 1910;
të ndërgjegjshme për kontributin madhor që mund të japin veprimet e efektshme dhe në kohë të shpëtimit për sigurinë e mjeteve të lundrimit dhe çdo pasurie në rrezik dhe për mbrojtjen e ambientit;
të bindura për nevojën për të siguruar që personave që ndërmarrin operacione shpëtimi në lidhje me mjetet e lundrimit dhe çdo pasuri tjetër në rrezik t’u jepen stimuj të përshtatshëm,
kanë rënë dakord si më poshtë:
KAPITULLI I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Përkufizime
Për qëllimet e kësaj Konvente:
a) “Operacion shpëtimi” është çdo akt ose veprimtari e ndërmarrë për të ndihmuar një mjet lundrimi ose çdo pasuri tjetër në rrezik në ujëra të lundrueshme ose në çfarëdolloj ujërash të tjera qofshin.
b) “Mjet lundrimi” është çdo anije apo barkë ose çdo strukturë që është e aftë për të lundruar.
c) “Pasuri” është çdo pasuri që nuk është e bashkëngjitur në mënyrë të përhershme dhe të qëllimshme me bregun e detit, duke përfshirë ngarkesën në rrezik.
d) “Dëmtim në ambient” është dëmtim i konsiderueshëm fizik për shëndetin njerëzor ose jetën detare ose burimet në ujërat bregdetare ose të brendshme, ose zonat e ngjitura me to, të shkaktuara nga ndotja, kontaminimi, zjarri, shpërthimi ose incidente të tjera të ngjashme.
e) “Pagesë“ është çdo shpërblim, pagesë ose kompensim në bazë të kësaj Konvente.
f) “Organizatë“ është Organizata Ndërkombëtare Detare.
g) “Sekretar i Përgjithshëm” është Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës.
Neni 2
Zbatimi i Konventës
Kjo Konventë zbatohet kurdoherë që në një Shtet Palë fillojnë procese gjyqësore ose arbitrazhi për çështje që trajtohen në këtë Konventë.
Neni 3
Platformat dhe njësitë e kërkimit
Kjo Konventë nuk zbatohet për platformat e stacionuara ose të lëvizshme apo për njësitë kërkuese në brendësi të detit, nëse këto platforma apo njësi të tilla janë përfshirë në vendndodhjen e tyre në kërkimin, shfrytëzimin ose prodhimin e burimeve minerale në shtratin e detit.
Neni 4
Mjetet e lundrimit në pronësi të shtetit
1. Pa cenuar nenin 5, kjo Konventë nuk zbatohet për luftanijet ose mjetet e tjera jotregtare të lundrimit në pronësi ose operuar nga një shtet dhe që, në momentin e operacioneve të shpëtimit, kanë të drejtën e imunitetit si pasojë e sovranitetit në bazë të rregullave përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, përveç kur ky shtet vendos ndryshe.
2. Nëse një Shtet Palë vendos ta zbatojë këtë Konventë për luftanijet dhe mjetet e tjera të lundrimit të përshkruara në paragrafin 1, ai njofton për këtë Sekretarin e Përgjithshëm duke saktësuar rrethanat dhe kushtet për një zbatim të tillë.
Neni 5
Operacionet e shpëtimit të kontrolluara nga organet publike
1. Kjo Konventë nuk cenon asnjë dispozitë të ligjit të brendshëm apo të ndonjë konvente ndërkombëtare në lidhje me operacionet e shpëtimit nga ose nën kontrollin e organeve publike.
2. Megjithatë, shpëtuesit që kryejnë operacione shpëtimi kanë të drejtën e ushtrimit të të drejtave dhe garancive të parashikuara në këtë Konventë në lidhje me operacionet e shpëtimit.
3. Masa në të cilën një organ publik që është me detyrën e kryerjes së operacioneve të shpëtimit mund të ushtrojë të drejtat dhe garancitë e parashikuara në këtë Konventë caktohet me ligjin e shtetit ku ndodhet ky organ.
Neni 6
Kontratat e shpëtimit
1. Kjo Konventë zbatohet për çdo operacion shpëtimi deri në masën që një kontratë nuk parashikon ndryshe, shprehimisht ose në mënyrë të nënkuptuar.
2. Kapiteni ka të drejtën të lidhë kontrata për operacione shpëtimi në emër të pronarit të mjetit lundrues. Kapiteni ose pronari i mjetit lundrues ka të drejtën të lidhë kontrata të tilla në emër të pronarit të pronës në bordin e anijes.
3. Asgjë në këtë nen nuk cenon zbatimin e nenit 7 as edhe detyrën për të parandaluar ose minimizuar dëmtimin e ambientit.
Neni 7
Anulimi dhe modifikimi i kontratave
Një kontratë ose çdo kusht i saj mund të anulohet ose ndryshohet nëse:
a) kontrata është lidhur në bazë të influencës së papërshtatshme ose të efektit të rrezikut dhe kushtet e saj janë të padrejta;
b) pagesa në bazë të kontratës është në një shkallë tepër të lartë ose tepër të ulët për shërbimet që jepen aktualisht.
KAPITULLI II
KRYERJA E OPERACIONEVE TË SHPËTIMIT
Neni 8
Detyrat e shpëtuesit dhe të pronarit dhe kapitenit
1. Shpëtuesi ka detyrimin kundrejt pronarit të mjetit lundrues ose të një pasurie tjetër në rrezik:
a) të kryejë operacionet e shpëtimit me kujdesin e duhur;
b) gjatë kryerjes së detyrës së përcaktuar në nënparagrafin (a), të tregojë kujdesin e duhur për të parandalur ose minimizuar dëmtimin e ambientit;
c) kurdoherë, që në mënyrë të arsyeshme kërkohet nga rrethanat, të kërkojë ndihmën e shpëtuesve të tjerë;
d) të pranojë ndërhyrjen e shpëtuesve të tjerë kur kjo kërkohet të bëhet në mënyrë të arsyeshme nga pronari ose kapiteni i mjetit lundrues ose i pasurisë tjetër në rrezik, me kusht që shuma e shpërblimit nuk do të cenohet edhe nëse konstatohet se një kërkesë e tillë ishte e paarsyeshme.
2. Pronari dhe kapiteni i mjetit të lundrimit ose pronari i pasurisë në rrezik ka detyrimin kundrejt shpëtuesit:
a) të bashkëpunojë plotësisht me të gjatë kryerjes së operacioneve të shpëtimit;
b) gjatë këtij procesi, të tregojë kujdesin e nevojshëm për të parandaluar ose minimizuar dëmtimin e ambientit;
c) pasi mjeti lundrues ose pasuria tjetër të jetë sjellë në një vend të sigurt, të pranojë ridorëzimin kur kjo kërkohet në mënyrë të arsyeshme për t’u bërë nga shpëtuesi.
Neni 9
Të drejtat e shteteve bregdetare
Asgjë në këtë Konventë nuk cenon të drejtën e shtetit përkatës bregdetar, të marrë masa konkrete në pajtim me parimet përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare, për të mbrojtur vijën e tij bregdetare ose interesat e tjerë përkatës nga ndotja ose rreziku i ndotjes pas një aksidenti detar ose veprimeve në lidhje me një aksident të tillë që normalisht mund të pritet të rezultojë në pasoja madhore të dëmshme, duke përfshirë të drejtën e shtetit bregdetar të japë udhëzime në lidhje me operacionet e shpëtimit.
Neni 10
Detyra për të dhënë asistencë
1. Çdo kapiten ka detyrë t’i japë asistencë çdo personi të rrezikuar për të humbur në det, nëse ai mund ta bëjë këtë pa dëmtuar seriozisht mjetin e tij të lundrimit dhe personat në të.
2. Shtetet Palë marrin masat e nevojshme për të zbatuar detyrën e caktuar në paragrafin 1.
3. Pronari i mjetit lundrues nuk merr asnjë përgjegjësi për shkak të shkeljes së detyrës nga kapiteni sipas paragrafit 1.
Neni 11
Bashkëpunimi
Gjatë rregullimit ose vendimmarrjes për çështje që kanë të bëjnë me operacionet e shpëtimit, siç është pranimi në porte i mjeteve të lundrimit në emergjencë, ose dhënia e mjeteve shpëtuesve, Shteti Palë merr parasysh nevojën për bashkëpunim ndërmjet shpëtuesve palëve të tjera të interesuara dhe organeve publike, për të siguruar kryerjen e efektshme dhe të suksesshme të operacioneve të shpëtimit me qëllim që të shpëtohen jetë ose pasuri në rrezik, si dhe për të parandaluar dëmtimin e ambientit në përgjithësi.
KAPITULLI III
TË DREJTAT E SHPËTUESVE
Neni 12
Kushtet për shpërblim
1. Operacionet e shpëtimit që kanë pasur një rezultat të dobishëm japin të drejtën për shpërblim.
2. Përveç kur është parashikuar ndryshe, në bazë të kësaj Konvente nuk duhet të bëhet asnjë pagesë, nëse operacionet e shpëtimit nuk kanë pasur rezultat të dobishëm.
3. Ky kapitull zbatohet pavarësisht se mjeti lundrues i shpëtuar dhe mjeti lundrues që ndërmer operacionet e shpëtimit i përkasin të njëjtit pronar.
Neni 13
Kriteret për caktimin e shpërblimit
1.Shpërblimi caktohet duke synuar inkurajimin e operacioneve të shpëtimit, duke marrë parasysh kriteret e mëposhtme, duke mos pasur rëndësi renditja me të cilën janë paraqitur më poshtë:
a) vlera e shpëtuar e mjetit lundrues dhe pasuritë e tjera;
b) zotësinë dhe përpjekjet e shpëtuesve në parandalimin ose minimizimin e dëmtimit në ambient;
c) masën e suksesit të arritur nga shpëtuesi;
d) natyrën dhe shkallën e rrezikut;
e) zotësinë dhe përpjekjet e shpëtuesit për të shpëtuar mjetin lundrues, pasurinë tjetër dhe jetë;
f) kohën e harxhuar dhe shpenzimet dhe humbjet që kanë pësuar shpëtuesit;
g) rrezikun e përgjegjësisë dhe rreziqe të tjera që janë kaluar nga shpëtuesit ose pajisjet e tyre;
h) shpejtësia me të cilën janë dhënë shërbimet;
i) praninë dhe përdorimin e mjeteve të lundrimit ose mjeteve të tjera të destinuara për operacione shpëtimi;
j) gjendjen e gatishmërisë dhe efiçencës së pajisjeve të shpëtuesit dhe vlerën e tyre.
2. Pagesa e shpërblimit të caktuar në pajtim me paragrafin 1, bëhet nga i gjithë mjeti lundrues dhe interesat e tjera pasurore në raport me vlerat e tyre të shpëtuara. Megjithatë, një Shtet Palë në ligjin e tij të brendshëm mund të parashikojë se një pagesë e një shpërblimi mund të bëhet nga njëri prej këtyre interesave, duke iu nënshtruar së drejtës së regresit të këtij interesi kundrejt interesave të tjerë për pjesët e tyre përkatëse. Asgjë në këtë nen nuk pengon çfarëdolloj të drejte mbrojtjeje.
3. Shpërblimet, me përjashtim të ndonjë interesi ose shpenzimeve ligjore të kompensueshme që mund të paguhen për to, nuk e tejkalojnë vlerën e shpëtuar të mjetit të lundrimit dhe të pasurisë tjetër.
Neni 14
Kompensimi i veçantë
1. Nëse shpëtuesi ka kryer operacione shpëtimi në lidhje me një mjet lundrimi që vetë ose ngarkesa e tij ka rrezikuar dëmtimin e ambientit dhe nuk ka mundur të marrë shpërblim në bazë të nenit 13 të paktën të barabartë me kompensimin e veçantë të vlerësueshëm në bazë të këtij neni, ai ka të drejtën e një kompensimi të veçantë nga pronari i atij mjeti lundrimi të barabartë me shpenzimet e përcaktuara atje.
2. Nëse në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1, shpëtuesi, me anë të operacioneve të shpëtimit, ka parandaluar ose minimizuar dëmtimin e ambientit, kompensimi i veçantë që duhet t’i paguhet nga pronari shpëtuesit në bazë të paragrafit 1, mund të rritet në një maksimum prej 30% të shpenzimeve që janë bërë nga shpëtuesi. Megjithatë gjykata, nëse ajo e mendon të drejtë dhe të arsyeshme, duke pasur parasysh kriterin përkatës të parashikuar në nenin 13 paragrafi 1, mund t’a rrisë më tej këtë kompensim të veçantë, por në asnjë rast rritja totale nuk është më e madhe se 100% e shpenzimeve të bëra nga shpëtuesi.
3. Shpenzimet e shpëtuesit për qëllimet e paragrafëve 1 dhe 2 janë shpenzimet e veta të përballuara në mënyrë të arsyeshme nga shpëtuesi në operacionin e shpëtimit dhe një kuotë e arsyeshme për pajisjet dhe personelin e përdorur praktikisht dhe normalisht në operacionin e shpëtimit, duke marrë parasysh kriteret e parashikuara në nenin 13 paragrafi 1(h), (i) dhe (j).
4. Kompensimi i plotë i veçantë në bazë të këtij neni paguhet vetëm nëse dhe në masën që ky kompensim është më i madh se çdo shpërblim që mund të merret nga shpëtuesi në bazë të nenit 13.
5. Nëse shpëtuesi ka qenë neglizhent dhe kështu nuk ka mundur të parandalojë ose minimizojë dëmtimin e ambientit, atij mund t’i hiqet i gjithë ose një pjesë e kompensimit të veçantë që kërkohet në bazë të këtij neni.
6. Asgjë në këtë nen nuk cenon të drejtën e regresit nga ana e pronarit të mjetit të lundrimit.
Neni 15
Pjesëtimi ndërmjet shpëtuesve
1. Pjesëtimi i një shpërblimi në bazë të nenit 13 ndërmjet shpëtuesve bëhet në bazë të kritereve që parashikohen në atë nen.
2. Pjesëtimi ndërmjet pronarit, kapitenit dhe personave të tjerë në shërbim të çdo mjeti lundrimi shpëtimi përcaktohet në bazë të ligjit të flamurit të atij mjeti lundrimi. Nëse shpërblimi nuk është kryer nga një mjet lundrimi, pjesëtimi përcaktohet në bazë të ligjit që rregullon kontratën ndërmjet shpëtuesit dhe shërbyesve të tij.
Neni 16
Shpëtimi i personave
1. Nuk kërkohet asnjë pagesë nga personat të cilëve u është shpëtuar jeta, por asnjë në këtë nen nuk cenon dispozitat e ligjit të brendshëm për këtë çështje.
2. Një shpëtues i një jete njeriu, që ka marrë pjesë në shërbimet e dhëna me rastin e aksidentit që ka shkaktuar shpëtimin, ka të drejtën e një pjese të arsyeshme nga pagesa që i është bërë shpëtuesit për shpëtimin e mjetit lundrues ose të pasurisë tjetër ose për parandalimin ose minimizimin e dëmtimit të ambientit.
Neni 17
Shërbimet e dhëna në bazë të kontratave ekzistuese
Nuk mund të bëhet asnjë pagesë në bazë të dispozitave të kësaj Konvente nëse shpërbimet e dhëna nuk e tejkalojnë atë që quhet zbatim i rregullt i një kontrate që është lidhur para se të lindte rreziku.
Neni 18
Efekti i sjelljes së parregullt të shpëtuesit
Një shpëtuesi mund t’i hiqet e gjithë ose një pjesë e pagesës që bëhet në bazë të kësaj Konvente në masën që operacionet e shpëtimit janë bërë të nevojshme ose vështirësuar për shkak të fajit ose neglizhimit nga ana e tij apo nëse shpëtuesi ngarkohet me faj për mashtrim ose sjellje tjetër të pandershme
Neni 19
Ndalimi i veprimeve të shpëtimit
Për shërbimet e dhëna, megjithëse ato janë ndaluar shprehimisht dhe në mënyrë të arsyeshme nga pronari ose kapitani i anijes ose pronari i çdo pasurie tjetër të rrezikuar që nuk është dhe nuk ka qenë në bordin e mjetit lundrues, nuk bëhet asnjë pagesë në bazë të kësaj Konvente.
KAPITULLI IV
PRETENDIMET DHE PADITË
Neni 20
E drejta e pengut mbi anijen
1. Asgjë në këtë Konventë nuk cenon të drejtën e pengut të shpëtuesit mbi anije në bazë të ndonjë Konvente ndërkombëtare ose ligjit të brendshëm.
2. Shpëtuesi nuk mund të ushtrojë të drejtën e pengut mbi anijen, nëse është ofruar dhe dhënë garanci e përshtatshme për pretendimin e tij, duke përfshirë interesat dhe shpenzimet.
Neni 21
Detyrimi për të dhënë garanci
1. Me kërkesën e shpëtuesit personi që detyrohet të bëjë një pagesë në bazë të kësaj Konvente, jep garanci të përshtatshme për pretendimin, duke përfshirë interesat dhe shpenzimet e shpëtuesit.
2. Pa cenuar paragrafin 1, pronari i mjetit lundrues të shpëtuar bën përpjekje maksimale për të siguruar që pronarët e ngarkesës të japin garancitë e përshtatshme për pretendimet kundrejt tyre, duke përfshirë interesin dhe shpenzimet para se të lirohet ngarkesa.
3. Pa pëlqimin e shpëtuesit, mjeti lundrues dhe pasuria e shpëtuar nuk mund të largohen nga porti ose vendi në të cilin ato arrijnë fillimisht pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit derisa të jepet garanci e përshtatshme për pretendimin e shpëtuesit kundrejt mjetit kundrues ose pasurisë përkatëse.
Neni 22
Pagesa paraprake
1. Gjykata që ka juridiksion mbi pretendimin e shpëtuesit mund të vendosë me vendim të ndërmjetën që shpëtuesit t’i paguhet në llogarinë e tij një shumë e tillë që duket e përshtatshme dhe e arsyeshme, dhe me kushte të tilla, duke përfshirë sipas rastit edhe kushtet për garancinë, që mund të jenë të përshtatshme dhe të arsyeshme në bazë të rrethanave të çështjes.
2. Në rastin e një pagese paraprake në bazë të këtij neni, garancia e dhënë në bazë të nenit 21 zvogëlohet respektivisht.
Neni 23
Kufizimi i padive
1. Çdo padi në lidhje me një pagesë në bazë të kësaj Konvente parashkruhet nëse procedura gjyqësore ose e arbitrazhit nuk kanë filluar brenda një periudhe prej dy vitesh. Afati i parashkrimit fillon në ditën që përfundojnë operacionet e shpëtimit.
2. Personi, kundër të cilit është ngritur një pretendim, mund t’a zgjasë afatin e parashkrimit me anë të një deklarimi drejtuar pretenduesit brenda periudhës së parashkrimit. Ky afat mund të zgjatet më tej në të njëjtën mënyrë.
3. Një padi për çlirimin nga detyrimi nga në person i detyruar mund të ngrihet edhe pas kalimit të afatit të parashkrimit të parashikuara në paragrafët e mësipërm, nëse ajo ngrihet brenda afatit të lejuar nga ligji i shtetit ku ka filluar gjykimi.
Neni 24
Interesat
E drejta e shpëtuesit për interesat mbi pagesën që bëhet në bazë të kësaj Konvente përcaktohet në bazë të ligjit të shtetit, në të cilin ndodhet gjykata që shqyrton çështjen.
Neni 25
Ngarkesat në pronësi të shtetit
Nëse pronari shtetëror nuk jep pëlqimin, asnjë nga dispozitat e kësaj Konvente nuk zbatohet si bazë për bllokimin, arrestimin dhe ndalimin nga një proces gjyqësor dhe as për gjykimet in rem kundër ngarkesave jotregtare në pronësi të një shteti dhe që në momentin e operacioneve të shpëtimit kanë të drejtën e imunitetit në bazë të sovranitetit sipas parimeve përgjithësisht të njohura të së drejtës ndërkombëtare.
Neni 26
Ngarkesat humanitare
Asnjë dispozitë në këtë Konventë nuk përdoret si bazë për bllokimin, arrestimin ose ndalimin e ngarkesave humanitare të dhuruara nga një shtet, nëse ky shtet ka rënë dakord të paguajë për shërbimet e shpëtimit të dhëna në lidhje me këto ngarkesa humanitare.
Neni 27
Botimi i vendimeve të arbitrazhit
Shtetet Palë inkurajojnë, aq sa është e mundur dhe me pëlqimin e palëve, botimin e vendimeve të arbitrazhit të dhëna për çështjet e shpëtimit.
KAPITULLI V
DISPOZITAT E FUNDIT
Neni 28
Nënshkrimi, ratifikimi, pranimi, aprovimi dhe aderimi
1. Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim në Administratën Qendrore të Organizatës nga 1 korriku 1989 deri më 30 qershor 1990 dhe që nga ky moment është e hapur për aderim.
2. Shtetet mund t’a shprehin pëlqimin e tyre për t’iu nënshtruar kësaj Konvente me anë të:
a) nënshkrimit pa rezerva në lidhje me ratifikimin, pranimin dhe aprovimin;
b) nënshkrimit që i nënshtrohet ratifikimit, pranimit ose aprovimit, që pasohet nga ratifikimi, pranimi ose aprovimi;
c) aderimit.
3. Ratifikimi, pranimi, aprovimi ose aderimi realizohen nëpërmjet depozitimit të një instrumenti për këtë qëllim te Sekretari i Përgjithshëm.
Neni 29
Hyrja në fuqi
1. Kjo Konventë hyn në fuqi një vit pas datës në të cilën 15 shtete kanë shprehur pëlqimin e tyre për t’iu nënshtruar asaj.
2. Për një shtet që shpreh pëlqimin e tij për t’iu nënshtruar kësaj Konvente, pasi të jenë përmbushur kushtet për hyrjen e saj në fuqi, ky pëlqim bëhet i efektshëm një vit pas datës së shprehjes së këtij pëlqimi.
Neni 30
Rezervat
1. Çdo shtet, në momentin e nënshkrimit, ratifikimit, pranimit, aprovimit ose aderimit, mund të rezervojë të drejtën të mos i zbatojë dispozitat e kësaj Konvente:
a) kur operacioni i shpëtimit kryhet në ujërat e brendshme dhe të gjitha mjetet e lundrimit të përfshira janë për lundrim të brendshëm;
b) kur operacionet e shpëtimit kryhen në ujërat e brendshme dhe nuk përfshihet asnjë mjet lundrimi;
c) kur të gjitha palët e interesuara janë shtetas të atij shteti;
d) kur pasuria përkatëse është një pasuri detare kulturore me interes parahistorik, arkeologjik ose historik dhe ndodhet në shtratin e detit.
2. Rezervat e bëra në momentin e nënshkrimit i nënshtrohen konfirmimit gjatë ratifikimit, pranimit dhe aprovimit.
3. Çdo shtet që ka bërë një rezervë për këtë Konventë mund ta tërheqë atë në çdo kohë nëpërmjet një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Kjo tërheqje bëhet e efektshme në datën që merret njoftimi. Nëse në njoftim thuhet që tërheqja e një rezerve duhet të hyjë në fuqi në një datë të caktuar atje dhe kjo datë është më e mëvonshme se njoftimi i marrë nga Sekretari i Përgjithshëm, tërheqja hyn në fuqi në këtë datë të mëvonshme.
Neni 31
Denoncimi
1. Kjo Konventë mund të denoncohet nga çdo Shtet Palë në çdo kohë pas kalimit të një viti nga data në të cilën kjo Konventë hyn në fuqi për atë shtet.
2. Denoncimi realizohet nëpërmjet depozitimit të një instrumenti denoncimi tek Sekretari i Përgjithshëm.
3. Denoncimi hyn në fuqi një vit ose në një periudhë më të gjatë, siç është përcaktuar në instrumentin e denoncimit pas marrjes së instrumentit të denoncimit nga Sekretari i Përgjithshëm.
Neni 32
Rishikimi dhe ndryshimi
1. Nga organizata mund të thirret një konferencë për qëllimin e rishikimit ose ndryshimit të kësaj Konvente.
2. Sekretari i Përgjithshëm thërret një konferencë të Shteteve Palë në këtë Konventë për rishikimin ose ndryshimin e Konventës me kërkesën e tetë Shteteve Palë ose të një të katërtës së Shteteve Palë, cilado shifër është më e madhe.
3. Çdo pëlqim për t’iu nënshtruar kësaj Konvente të shprehur pas hyrjes në fuqi të një ndryshimi të kësaj Konvente mendohet se zbatohet për Konventën e ndryshuar.
Neni 33
Depozituesi
1. Kjo Konventë depozitohet te Sekretari i Përgjithshëm.
2. Sekretari i Përgjithshëm:
a) Informon të gjitha shtetet që kanë nënshkruar këtë Konventë apo kanë aderuar në të, dhe të gjithë anëtarët e organizatës, për:
i) çdo nënshkrim ose depozitim të ri të një instrumenti ratifikimi, pranimi, aprovimi ose aderimi së bashku me datën e tij;
ii) datën e hyrjes në fuqi të kësaj Konvente;
iii) depozitimin e çdo instrumenti denoncimi të kësaj Konvente së bashku me datën në të cilën është marrë dhe datën në të cilën denoncimi hyn në fuqi;
iv) çdo ndryshim të miratuar në pajtim me nenin 32;
v) marrjen e çdo rezerve, deklarimi ose njoftimi të bërë në bazë të kësaj Konvente;
b) U dërgon kopje të vërtetuara të kësaj Konvente të gjitha shteteve që e kanë nënshkruar këtë Konventë ose kanë aderuar në të.
3. Menjëherë sapo kjo Konventë të hyjë në fuqi, një kopje e vërtetuar e saj i dërgohet nga depozituesi Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për regjistrim dhe botim në pajtim me nenin 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Neni 34
Gjuhët
Kjo Konventë përpilohet në një kopje origjinale të vetme në gjuhët arabe, kineze, angleze, franceze, ruse dhe spanjolle dhe secili tekst është njëlloj autentik.
Si dëshmi, të poshtëshënuarit duke qenë rregullisht të autorizuar nga qeveritë e tyre përkatëse për këtë qëllim kanë nënshkruar këtë Konventë.
Bërë në Londër, më 29.4.1989.
L I G J
Nr.9056, datë 24.4.2003
PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË “KONVENTËN NDËRKOMBËTARE PËR KËRKIM-SHPËTIMIN NË DET”
Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Republika e Shqipërisë aderon në “Konventën ndërkombëtare për kërkim-shpëtimin në det”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekret nr.3812, datë 8.5.2003 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.
KONVENTA NDËRKOMBËTARE
MBI KËRKIM SHPËTIMIN NË DET, 1979
Vendet anëtare të Konventës:
Duke marrë parasysh rëndësinë e madhe që i është kushtuar në disa prej Konventave dhënies së ndihmës në det ndaj personave që janë në fatkeqësi dhe në lidhje me krijimin nga çdo shtet bregdetar të organizmave përkatëse dhe efektive për vrojtimin dhe shërbimin e shpëtimit;
në mbështetje të rekomandimit nr.40 të adaptuar nga Konferenca Ndërkombëtare mbi Sigurimin e Jetës së Njeriut në Det e vitit 1960, në të cilin shprehet dëshira e koordinimit të aktiviteteve që kanë të bëjnë me sigurinë në det nëpërmjet një sërë organizmash ndërqeveritare;
me dëshirën e zhvillimit dhe nxitjes së këtyre aktiviteteve me anën e krijimit të një plani ndërkombëtar për kërkim-shpëtimin në det, plan ky që i përgjigjet nevojave të trafikut detar për shpëtimin e personave në fatkeqësi në det;
duke dëshiruar nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet organizmave të kërkim-shpëtimit në të gjithë botën dhe atyre të vendeve pjesëmarrëse në operacionet e kërkim-shpëtimit në det;
ranë dakord si më poshtë:
Neni 1
Detyrime të përgjithshme sipas Konventës
Vendet anëtare për t’i dhënë fuqi të plotë zbatimit të Konventës dhe anekseve të saj, të cilat janë pjesë integrale e Konventës janë të detyruara të marrin të gjitha masat ligjore etj.
Në rast se nuk është shprehur ndryshe, referencat ndaj konventës do të kuptojnë në të njëjtën kohë edhe referencat ndaj anekseve të saj.
Neni 2
Traktatet e tjera dhe interpretimi
1. Në këtë Konventë asgjë nuk paragjykon kodifikimin dhe zhvillimin e ligjit të detit të Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi ligjin e detit e mbajtur në zbatim të rezolutës 2750 (XXV) të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si dhe anekseve aktuale dhe të ardhshme ose ndonjë çështje detare ligjore të ndonjë shteti në lidhje me ligjin e detit dhe natyrën e juridiksionit të shtetit bregdetar.
2. Asnjë parashikim i Konventës nuk duhet të ndërtohet në formë të tillë që të paragjykojë detyrimet dhe të drejtat e anijeve, të cilat janë parashikuar në konventat e tjera ndërkombëtare.
Neni 3
Amendamentet
1.Konventës mund t’i bëhen amendamente sipas njërës prej procedurave të specifikuara në paragrafët 2 dhe 3 të shprehura më poshtë.
2.Amendim mbas shqyrtimit brenda organizatës ndërkombëtare detare (që këtu e më poshtë do të referohet si “Organizata”).
a) Çdo amendament i propozuar nga një vend dhe që i është transmetuar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës (që këtu e më poshtë do të quhet Sekretari i Përgjithshëm) ose çdo amendament i menduar si i domosdoshëm nga Sekretari i Përgjithshëm, si rezultat i nje amendamenti të një parashikimi që i përket Aneksit nr. 12 të Konventës mbi Aviacionin Ndërkombëtar Civil, do të qarkullohet në të gjithë antarët e Organizatës dhe të gjithë vëndet të paktën 6 muaj para shqyrtimit të tij nga Komitetit i Sigurisë Detare të Organizatës.
b) Vendet anëtare ose jo të organizatës kanë të drejtë të marrin pjesë në procedurat e Komitetit të Sigurisë Detare për shqyrtimin dhe adaptimin e amendamenteve.
c) Amendamentet do të adaptohen në rastin kur votojnë 2/3 e vendeve anëtare të Komitetit të Sigurisë Detare, që kanë të drejtë votimi, me kusht që të paktën 1/3 e vendeve anëtare, të marrin pjesë në momentin e adaptimit.
d) Amendamentet e adaptuara në përputhje me nënparagrafët (a), (b), (c) i komunikohen nga Sekretari i Përgjithshëm të gjitha vendeve anëtare për pranim në parim.
e) Amendamenti që bëhet ndaj një neni apo paragrafëve 2.1.4, 2.15, 2.17, 2.1.10, 3.1.2 ose 3.13 të aneksit merren si të pranuara në datën në të cilën Sekretari i Përgjithshëm ka marrë instrumentin e pranimit nga 2/3 e vendeve anëtare;
f) Amendamenti që bëhet ndaj një aneksi, përveç paragrafeve 2.1.4, 2.1.5, 2.1.7, 2.1.10, 3.1.2 ose3.1.2 ose 3.1.3 të aneksit do të presupozohen të jenë pranuar në fund të një viti, nga data në të cilin ai i është komunikuar vendeve anëtare për pranim. Megjithatë ai presupozohet se nuk është pranuar, nëse brenda kësaj periudhe kohore më shumë se 1/3 e vendeve anëtare, njoftojnë Sekretarin e Përgjithshëm se ato janë kundra amendamentit.
g) Amendamentet ndaj nenit 2.1.5, 2.1.7, 2.1.10, 3.1.2 ose 3.1.3 të aneksit hyjnë në fuqi:
i. për ato vende që kanë pranuar atë, gjashtë muaj pas datës në të cilën ai presupozohet të jetë pranuar;
ii. për ato vende që e kanë pranuar atë sipas kushteve të përshkruara në nënparagrafin (e) dhe kur këto kushte janë plotësuar, para se amendamenti të hyjë në fuqi, në datën e hyrjes në fuqi të amendamentit.
iii. për ato vende që e kanë pranuar atë pas datës së hyrjes në fuqi të amendamentit, 30 ditë mbas depozitimit të instrumentit të pranimit.
Amendamenti që bëhet ndaj një aneksi përveç paragrafëve 2.14, 2.1.5, 2.1.7, 2.1.10, 3.1.2 ose 3.1.3 hyn në fuqi për të gjitha vendet, përveç atyre vendeve, të cilët e kanë kundërshtuar amendamentin sipas paragrafit f dhe që nuk kanë tërhequr këtë kundërshtim 6 muaj pas datës, në të cilën ai presupozohet i pranuar. Megjithatë para datës së përcaktuar të hyrjes në fuqi çdo vend mund të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm që ai përjashton vetveten nga zbatimi i këtij amendamenti për një periudhe jo më të gjatë se një vit nga data e hyrjes në fuqi të tij ose për një periudhë të tillë të gjatë siç përcaktohet nga 2/3 e vendeve që janë prezent në votim në Komitetin e Sigurisë Detare në kohën e adaptimit të amendamentit.
Amendamenti i bërë nga një konferencë:
Në bazë të kërkesës së një vendi anëtar e mbështetur kjo nga të paktën 1/3 e vendeve anëtare. Organizata është e detyruar të mbledhë një konferencë të vendeve antare për të shqyrtuar amendamentet e Konventës. Amendamentet e propozuara qarkullohen nga Sekretari i Përgjithshëm tek të gjitha vendet anëtare të paktën 6 muaj para shqyrtimit nga Konferenca.
Amendamentet adaptohen nga një konferencë prej 2/3 e vendeve anëtare që janë prezent në votim, me kusht që të paktën 1/3 e të gjithë vendeve anëtare të jetë prezent në momentin e adaptimit të amendamentit. Amendamentet e miratuara në këtë mënyrë i komunikohen të gjitha vendeve anëtare për pranim nga Sekretari i Përgjithshëm.
Në rast se Konferenca nuk vendos ndryshe, amendamenti konsiderohet i pranuar dhe hyn në fuqi, në përputhje me procedurat e përcaktuara respektivisht në paragrafet 2. (e), 2.(f), 2. (g) dhe 2.(h), me kusht që referenca në nënparagrafin 2.(h) e Komitetit të Sigurisë Detare shtrihet në përputhje me nënparagrafin 2.(b) dhe merret si mjet reference për Konferencën.
Çdo deklaratë për pranim ose kundërshtim i një amendamenti ose ndonjë njoftimi i dhënë sipas paragrafit 2.(h) dorëzohet me shkrim tek Sekretari i Përgjithshëm, i cili informon të gjitha vendet anëtare për një njoftim të tillë, si dhe për datën e marrjes së njoftimit.
Sekretari i Përgjithshëm njofton shtetet për amendamentet që hyjnë në fuqi, së bashku me datën në të cilën këto amendamente hyjnë në fuqi.
Neni 4
Nënshkrimi, ratifikimi, pranimi, aprovimi, njohja
1. Konventa mbetet hapur për nënshkrim, në zyrat e organizatës nga data 1 nëntor 1979 deri më 31 tetor 1980 dhe më vonë do të mbetet e hapur për anëtarësim.
Shtetet mund të bëhen anëtare të Konventës me anën e një nga procedurave të mëposhtme:
a) nënshkrimit pa rezerva për ratifikim, pranim ose miratim;
b) nënshkrimit si subjekt i ratifikimit, i pasuar nga ratifikimi, pranimi ose miratimi;
c) pranimi.
2. Ratifikimi, pranimi, miratimi ose anëtarësimi duhet të zbatohen me anën e depozitimit të instrumentit përkatës për këtë qëllim tek Sekretari i Përgjithshëm
3. Sekretari i Përgjithshëm informon shtetet për çdo nënshkrim ose depozitim të një instrumenti ratifikimi, pranimi ose anëtarësimi si dhe për datën e depozitimit.
Neni 5
Hyrja në fuqi
1. Konventa hyn në fuqi 12 muaj pas datës së bërjes anëtare të 15 shteteve në përputhje me procedurat e përmendura në neni IV.
2. Hyrja në fuqi për shtetet të cilët e ratifikojnë, pranojnë, miratojnë ose bëhen anëtarë të Konventës do të bëhet 30 ditë pas datës së depozitimit të instrumentit në përputhje me nenin IV mbas datës së hyrjes së Konventës në fuqi.
3. Hyrja në fuqi, për shtetet që e ratifikojnë, pranojnë ose miratojnë ose bëhen anëtarë në Konventë në përputhje me procedurat në nenin 4 dhe që kanë plotësuar kushtet e përmendura në paragrafin 1 para hyrjes në fuqi të Konventës bëhet në ditën e hyrjes në fuqi të Konventës.
4. Çdo instrument ratifikimi, pranimi, miratimi ose anëtarësimi i depozituar pas datës së hyrjes në fuqi të Konventës në përputhje me nenin 3 zbatohet ndaj Konventës së bashku me amendamentet në momentin e depozitimit dhe hyn në në fuqi për një shtet që ka depozituar instrumentin, 30 ditë pas datës së depozitimit të tij.
5. Sekretari i Përgjithshëm informon për datën e hyrjes në fuqi të Konventës.
Neni 6
Denoncimi
1. Konventa denoncohet nga çdo vend antar në çdo kohë pas kalimit të 5 vjetëve nga data e hyrjes në fuqi të Konventës në atë vend.
2. Denoncimi bëhet me anën e depozitimit të një instrumenti depozitimi tek Sekretari Përgjithshëm, i cili njofton shtetet për instrumentin e denoncimit që është paraqitur, si dhe datën e marrjes së tyre dhe datën e fillimit të zbatimit të denoncimit.
3. Denoncimi zbatohet për një vit ose për një periudhë të tillë siç mund të jetë specifikuar në instrumentin e denoncimit të marrë nga Sekretari i Përgjithshëm.
Neni 7
Depozitimi dhe regjistrimi
1. Konventa depozitohet tek Sekretari i Përgjithshëm, i cili u transmeton kopjet e vërtetuara të gjitha shteteve anëtare.
2. Në momentin e hyrjes në fuqi, Sekretari i Përgjithshëm i transmeton Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara tekstin e konventës për regjistrim dhe publikim në përputhje me nenin 102 të Konventës së Kombeve të Bashkuara.
Neni 8
Gjuhët
Konventa është përgatitur në një kopje të vetme në gjuhën kineze, angleze, franceze, ruse dhe spanjolle. Çdo tekst është autentikisht i barabartë. Përkthimet zyrtare në gjuhët arabe, gjermane dhe italiane do të përgatiten dhe depozitohen me nënshkrimin origjinal.
Bërë në Hamburg ditën e 27 të prillit të vitit 1979.
Në dëshmi të së cilës, duke qënë të autorizuar nga qeveritë respektive për këtë qëllim, kanë firmosur Konventën.
Aneks
KAPITULLI 1
TERMAT DHE PËRKUFIZIMET
1.1 Termi “shall” përdoret në aneks për të treguar që një parashikim, duhet të zbatohet në mënyrë uniforme nga të gjitha shtetet në interes të sigurisë së jetës në det.
1.2 Termi “should” përdoret në aneks për të treguar që një parashikim, rekomandohet të aplikohet në mënyrë uniforme nga të gjithë shtetet në interes të sigurisë së jetës në det.
1.3. Termat e përmendura këtu më poshtë kanë kuptimin që vijojnë:
1.3.1. “Rajoni i kërkim-shpëtimit” nënkuptojmë një zonë me dimensione të përcaktuara brenda së cilës sigurohen shërbimet e kërkim-shpëtimit.
1.3.2. “Qendra të koordinimit të shpëtimit” nënkuptojmë njësinë që ka përgjegjësi për organizimin efikas të kërkim-shpëtimit dhe koordinimin e kryerjes së operacioneve të kërkim-shpëtimit brenda rajonit të kërkim shpëtimit që i përket asaj.
1.3.3. “Nënqendër shpëtimi” nënkuptojmë, njësinë që varet nga një qendër e koordinimit të kërkim-shpëtimit e krijuar për të ndihmuar këtë të fundit brenda një zone të përcaktuar të kërkim-shpëtimit.
1.3.4. “Njësi e vrojtimit bregdetar” nënkupton një njësi tokësore stacionare ose lëvizëse (njësi vrojtuese bregdetare) e specializuar për të kryer vrojtim mbi sigurinë e anijeve në zonat bregdetare.
1.3.5. “Njësi shpëtimi” nënkupton një njësi të përbërë nga një personel i stërvitur dhe i pajisur me pajisjet e përshtatshme për kryerjen e shpejtë të operacioneve të kërkim-shpëtimit.
1.3.6. “Drejtuesi në komandë” nënkupton drejtuesin e një njësie të specializuar për të koordinuar veprimet e kërkim-shpëtimit brenda një zone të specifikuar kërkimi.
1.3.7. “Koordinatorja e sipërfaqes së kërkimit” nënkupton një anije të posaçme e veçantë nga njësia e specializuar për koordinimin e veprimeve të hapësirave të kërkim-shpëtimit brenda një rajoni kërkim shpëtimi.
1.3.8 “Faza e emergjencës” nënkupton një fazë pasigurie, alarmi ose fatkeqësie.
1.3.9. “Faza e pasigurtë” nënkuptojmë një situatë të pasigurtë për sigurinë e anijes dhe personave në bordin e saj.
1.3.10 “Faza e alarmit”, nënkuptojmë një situatë ku ekziston frika për sigurinë e anijes ose personave në bordin e saj.
1.3.11. “Faza e rrezikut”, nënkuptojmë një situatë në të cilën është e sigurtë se një person ose një anije rrezikohet nga një rrezik i menjëhershëm dhe i rëndë dhe kërkon ndihmë të menjëhershme.
1.3.12. “Rrëzim” nënkupton në rastin e një avioni, një ulje të detyruar në sipërfaqen e ujit.
KAPITULLI 2
ORGANIZIMI
Masat për parashikim dhe koordinimin e shërbimeve të kërkim-shpëtimit.
2.1.1 Vendet anëtare duhet të garantojnë se kanë marrë masat e nevojshme për sigurimin e shërbimeve të posaçme të kërkim-shpëtimit për personat në fatkeqësi në det për rreth bregdetit të tyre.
2.1.2. Vendet anëtare janë të detyruara të parashtrojnë tek Sekretari i Përgjithshëm informacionin mbi organizimin e kërkim-shpëtimit dhe ndryshimet që kanë bërë dhe që janë të rëndësishme për këtë organizim duke përfshirë:
2.1.2.1. Shërbimet nacionale të kërkim-shpëtimit në det.
2.1.2.2. Vendodhjen e qendrave të kërkim-shpëtimit, numrin e tyre të telefonit dhe teleksit, si dhe zonat e tyre të përgjegjësisë.
2.1.2.3. Anijet kryesore të shpëtimit në dispozicion të tyre.
2.1.3. Sekretari i Përgjithshëm i transmeton me rrugën më të përshtatshme të gjitha vendeve anëtare informacionin e referuar në paragrafin 2.1.2.
2.1.4. Çdo rajon kërkim-shpëtimi krijohet në marrëveshje ndërmjet vendeve anëtare të përfshira në rajon. Sekretari i Përgjithshëm duhet të njoftohet për marrëveshje të tilla.
2.1.5. Në rastin e mosarritjes së një marrëveshje me dimensione fikse të rajonit të kërkim-shpëtimit ndërmjet vendeve anëtare të rajonit, këto vende duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të arritur marrëveshje mbi bazën e masave të duhura sipas të cilave sigurohet koordinimi i përgjithshëm i kërkim-shpëtimit në një rajon. Për marrëveshje të tilla njoftohet Sekretari i Përgjithshëm.
2.1.6. Sekretari i Përgjithshëm njofton të gjitha vendet për marrëveshjet ose masat e marra sipas paragrafeve 2.1.4 dhe 2.1.5.
2.1.7. Përcaktimi i rajoneve të kërkim-shpëtimit nuk lidhet dhe nuk paragjykon definicionet dhe përcaktimet në lidhje me kufirin shtetëror.
2.1.8. Vendet anëtare duhet të organizojnë shërbimin e tyre të kërkim-shpëtimit në mënyrë të tillë që t’i përgjigjen menjëherë thirrjes së fatkeqësisë.
2.1.9. Autoritetet përgjegjëse të vendit që është anëtar dhe që siguron koordinimin e përgjithshëm të operacioneve të kërkim-shpëtimit me marrjen e informacionit që një person është në fatkeqësi në det, duhet të marrin masa urgjente për të siguruar ndihmën e duhur që kanë në dispozicion.
2.1.10. Vendet anëtare duhet të garantojnë sigurimin e ndihmës ndaj çdo personi në fatkeqësi në det. Ato janë të detyruara të veprojnë në mënyrë të tillë pavarësisht nga nacionaliteti ose statusi i personit ose rrethanat në të cilat ndodhet personi.
Koordinimi i pajisjeve të kërkim shpëtimit
2.2.1. Vendet anëtare janë të detyruara të marrin masa për koordinimin e pajisjeve të kërkuara për të siguruar shërbimin e kërkim shpëtimit gjatë bregdetit të tyre.
2.2.2. Vendet anëtare themelojnë një mekanizëm nacional për koordinimin e përgjithshëm të shërbimeve të kërkim-shpëtimit
Krijimi i qëndrave dhe nënqendrave të koordimit të kërkim shpëtimit
2.3.1. Për të plotësuar kërkesat e paragrafeve 2.2.1 dhe 2.2.2 vendet krijojnë qendrat e koordinimit të shpëtimit për shërbimet e tyre, si dhe nën qëndrat po të shihet e arsyeshme.
2.3.2. Autoritetet kompetente të çdo vendi përcaktojnë zonat për të cilat janë përgjegjëse për nënqendrat.
2.3.3. Çdo qendër koordinimi për kërkim-shpëtimin, si dhe nënqendër e ngritur në përputhje me paragrafin 2.3.1. duhet të ketë mjete të përshtatshme për kapjen e sinjaleve të fatkeqësisë me anën e një radiostacioni bregdetar ose mjete të tjera. Çdo qendër ose nën qendër e tillë duhet të ketë gjithashtu mjete të përshtatshme për të komunikuar me njësitë e saj të shpëtimit, si dhe me qendrat ose nënqendrat e koordinimit të shpëtimit sipas rastit, në zonën fqinjë.
Përcaktimi i njësive të kërkim-shpëtimit
2.4.1. Vendet anëtare duhet të përcaktojnë:
2.4.1.1. njësitë e shpëtimit për shërbimet përkatëse që mund të jenë publike, shtetërore ose private, si dhe pjesë të tyre, të cilat kanë vendodhje dhe pajisje të përshtatshme;
2.4.1.2. elementët e organizimit për shërbime të kërkim-shpëtimit shtetërore, publike ose private, ose pjesë te tyre, jo të përshtatshme për t’u përcaktuar si njësi shpëtimi, por që janë të afta të marrin pjesë në operacione kërkim-shpëtimi, si dhe përcaktojnë funksionet e këtyre elementëve.
Instalimet dhe pajisjet e njësive të shpëtimit
2.5.1. Çdo njësi shpëtimi duhet të pajiset me instalime dhe pajisje të përshtatshme për të kryer detyrën.
2.5.2. Çdo njësi shpëtimi duhet të ketë mjete të shpejta dhe të besueshme komunikimi me njësitë ose elementët e tjerë të angazhuara në të njëjtin operacion shpëtimi.
2.5.3. Konteinerët ose pakot të përmbajnë pajisje shpëtimi për t’u hedhur për të shpëtuar, duhet të kenë pamjen e përgjithshme të përmbajtjes së tyre të treguar nga një kod ngjyrash në përputhje me paragrafin 2.5.4., si dhe nga tregimet e simbolet e shkruara në rast se ato ekzistojnë.
2.5.4. Ngjyra e identifikimit të përmbajtjes së konteinierëve që hidhen dhe pakove që përmbajnë pajisje shpëtimi duhet të ketë formën e valëzuar në përputhje me kodin që vijon:
2.5.4.1. e kuqe – Furnizime mjekësore dhe pajisje të dhënies së ndihmës së parë;
2.5.4.2. blu – ushqim dhe ujë
2.5.4.3. e verdhë – batanije private, si dhe pjesë të tyre të cilat kanë vendodhje dhe pajisje të përshtatshme;
2.5.4.4 e Zezë- Pajisje të ndryshme si soba, sopata, busulla dhe mjete ngrënie e gatimi.
2.5.5. Aty ku pajisjet e përmbajtjes janë të përziera në një pako ose kontenier, kodi i ngjyrave duhet të jetë i kombinuar.
2.5.6. Instruksionet mbi përdorimin e pajisjeve të shpëtimit duhet të jenë të futura në çdo kontenier ose pako që hidhet në det. Ato duhet të jenë të shkruara në anglisht dhe gjithashtu të paktën në 2 gjuhë të tjera.
KAPITULLI 3
BASHKËPUNIMI
Bashkëpunimi ndërmjet shteteve
3.1.1. Vendet duhet të koordinojnë organizmat e tyre të kërkim-shpëtimit dhe kur është e nevojshme dhe operacionet e kërkim-shpëtimit me shtetet fqinjë.
3.1.2. Po të mos jetë rënë dakord ndryshe ndërmjet vendeve të ndryshme të interesuara, secili nga ato duhet të autorizojë mbi bazën e legjislacionit kombëtar, rregullave dhe udhëzimeve, në ujërat territoriale, hapësirën detare dhe rajonet e kërkim-shpëtimit, hyrjen e menjëhershme të njësive të kërkim-shpëtimit të vendeve të tjera me qëllimin e vetëm të kërkimit dhe shpëtimit të mbijetuarëve nga një aksident detar. Në raste të tilla operacionet e kërkim shpëtimit duhet si të jetë më praktike të koordinohen nga qendra e veçantë e koordinimit të kërkimit-shpëtimit të vendit që ka autorizuar hyrjen ose nga autoritete të ngjashme që janë përcaktuar nga ai vend.
3.1.3. Po të mos jetë rënë dakord ndryshe ndërmjet vendeve të interesuara, autoritetet e një vendi që duan të përdorin njësitë e tyre të kërkim-shpëtimit në ujërat territoriale, hapësirat detare dhe rajonet e kërkim-shpëtimit të një vendi tjetër me qëllimin e kërkimit të pozicionit të aksidentit detar dhe për shpëtimin e të mbijetuarëve të këtij aksidenti,duhet të transmetojnë kërkesën, duke dhënë detajet e plota të misionit dhe nevojën për të realizuar atë të qendrës koordinuese të kërkim-shpëtimit të vendit tjetër ose autoriteteve të ngjashme të përcaktuara për këtë qëllim nga ky vend.
3.1.4. Autoritetet koompetente të vendit janë të detyruara:
3.1.4.1. të pranojnë menjëherë marrjen e një kërkese të tillë;
3.1.4.2. që menjëherë të njoftojnë kushtet, nëse ka, për ndërmarrjen e një misioni të tillë.
3.1.5. Vendet anëtare të konventës duhet të lidhin marrëveshje me vendet fqinjë, në të cilat të parashikohen kushtet për hyrjen e njësive të kërkim-shpëtimit në hapësirat detare, ujërat territoriale të vendeve respektive. Marrëveshje të tilla duhet gjithashtu të sigurojnë futjen e shpejtë të këtyre njësive duke kryer formalitete sa më të pakta.
3.1.6. Çdo vend duhet të autorizojë qendrat e tij të koordinimit për kërkim-shpëtimin për sa më poshtë:
3.1.6.1. të kërkojnë nga qendrat e tjera të koordinimit ndihma për anije, avionë, personel ose pajisje sipas nevojës;
3.1.6.2. të garantojë lejen e nevojshme për hyrjen e anijeve, avionëve, personelit dhe pajisjeve në hapësirat detare dhe ujërat territoriale e vendit të tij;
3.1.6.3. të marrë të gjitha masat e nevojshme me autoritetet përkatëse, doganore, policore ose autoritetet e tjera nga pikëpamja e përshpejtimit të veprimit të hyrjes së tyre.
3.1.7. Çdo vend duhet të autorizojë qendrat e tij të koordinimit të sigurojnë, kur kërkohet ndihmë qendrave të tjera të koordinimit duke përfshirë ndihmën me anije, avionë, personel dhe mjete e pajisje të tjera.
3.1.8. Vendet duhet të hyjnë në marrëveshje për kërkim-shpëtimin me vendet e tyre fqinjë në lidhje me kontributin me pajisje, krijimit të procedurave të përbashkëta, kryerjes së stërvitjeve të përbashkëta, kontrolleve të rregullta të kanaleve të komunikimit ndërshtetëror, shkëmbimit të vizitave ndërmjet personelit të qendrave të koordinimit, si dhe shkëmbimit të informacionit.
Koordinimi me shërbimet aeronautike
3.2.1. Vendet janë të detyruara të sigurojnë koordinimin sa më të mirë të mundshëm ndërmjet shërbimit detar dhe aeronautik në mënyrë të tillë që të sigurohet kërkim-shpëtimi sa më efikas mbi dhe brenda rajoneve të tyre të kërkim-shpëtimit.
3.2.2. Kur është e realizueshme, vendet krijojnë qendra dhe nënqendra të përbashkëta të koordinimit të kërkim-shpëtimit për të shërbyer së bashku për qëllime detare dhe aeronautike.
3.2.3. Kur krijohen qendra ose nënqendra të ndara të koordinimit të kërkim-shpëtimit për detin ose ajrin, në të njëjtën zonë, vendi që ka ato duhet të sigurojë bashkëveprimin dhe koordinimin maksimal ndërmjet këtyre qendrave ose nënqendrave.
3.2.4. Të gjitha vendet duhet të sigurojnë brenda mundësive përdorimin e procedurave të përbashkëta për njësitë e krijuara si për qëllime detare, ashtu dhe për qëllime aeronautike.
KAPITULLI 4
MASAT PËRGATITORE
Kërkesat për informacion
4.1.1. Çdo qendër dhe nënqendër e koordinimit të kërkim-shpëtimit duhet të kenë informacionin përkatës sa më aktual në lidhje me operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën e tyre duke përfshirë informacionin që ka të bëjë me:
4.1.1.1. njësitë e shpëtimit dhe njësitë e vrojtimit bregdetar;
4.1.1.2. informacione të tjera në lidhje me shërbime publike ose private, duke përfshirë dhe pajisje të furnizimit me karburant, të cilat janë të dobishme në operacionet e kërkim-shpëtimit;
4.1.1.3. mjetet e komunikimit që përdoren në operacionet e kërkim-shpëtimit;
4.1.1.4. emrat, adresat, nr.telefonit dhe fakseve, si dhe telekseve të agjentëve detarë, autoriteteve konsullore, organizatave ndërkombëtare e agjencive të tjera, të cilat janë në gjendje për të ndihmuar për të marrë informacione mbi anijet;
4.1.1.5. vendodhjen, sinjalin e thirrjes së shërbimeve detare të lëvizshme, orët e shërbimit, frekuencat e të gjitha radiostacioneve bregdetare, të cilët mund të përfshihen në operacionet e kërkim-shpëtimit;
4.1.1.6. vendodhjen, sinjalin e thirrjes së shërbimeve detare të lëvizshme, orët e vrojtimit dhe frekuencat e të gjithë stacioneve bregdetare të cilët transmetojnë buletine meteorologjike dhe lajmërime për rajonin e kërkim-shpëtimit;
4.1.1.7. vendodhjen, si dhe orët e përgjimit në radio së bashku me frekuencat e shërbimit të radios;
4.1.1.8. objektet që mund të ngatërrohen për anije të mbytura të papërcaktuara ose të paraportuara;
4.1.1.9. vendodhjen e magazinave të furnizimit dhe pajisjeve të përdorshme në raste emergjence.
4.1.2. Çdo qendër dhe nënqendër e koordinimit të kërkim shpëtimit duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm në lidhje me pozicionin, kursin, shpejtësinë dhe sinjalin e thirrjes së anijeve ose stacionit të anijes brenda zonës së tij, të cilat mund të jenë në gjendje të sigurojnë asistencë ndaj anijeve ose personave në fatkeqësi në det. Ky informacion mund të ruhet në qendrën e koordinimit të kërkim-shpëtimit ose duhet të sigurohet lehtë kur të jetë e nevojshme.
4.1.3. Në çdo qendër ose nënqendër të koordinimit duhet të ketë një hartë me shkallë të madhe me qëllim të paraqitjes dhe hedhjes së informacionit përkatës në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën e tij.
Planet e operimit ose instruksionet
4.2.1. Çdo qendër ose nënqendër koordinimi kërkim-shpëtimi duhet të përgatisë ose të ketë në dispozicion plane dhe instruksione të detajuara për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit në zonën e tij.
4.2.2. Planet ose instruksionet duhet të specifikojnë masat për shërbimin dhe furnizimin me karburant, me sasinë e plotë, për anijet, avionët, si dhe mjetet e tjera të përfshira në operacionet e kërkim-shpëtimit, duke përfshirë dhe ato të vendeve të tjera.
4.2.3. Planet dhe instruksionet duhet të përmbajnë detaje në lidhje me veprimet që do të ndërmerren nga njësitë që do të përfshihen në operacionet e kërkim-shpëtimit në këtë zonë duke përfshirë:
4.2.3.1. mënyrën në të cilën do të kryhen operacionet e kërkim-shpëtimit;
4.2.3.2. përdorimin e pajisjeve dhe sistemeve të komunikimit në dispozicion;
4.2.3.3. veprimet e përbashkëta që do të kryhen nga qendrat dhe nënqendrat e tjera të koordinimit të kërkim-shpëtimit sipas rastit;
4.2.3.4. metodën e vënies në gadishmëri të anijeve në det dhe avionëve në fluturim e sipër;
4.2.3.5. detyrat dhe përgjegjësitë e personelit të vendosur për operacione të kërkim shpëtimit;
4.2.3.6. zhvendosjen e mundshme të pajisjeve që mund të diktohet nga kushtet meteorologjike ose kushte të tjera;
4.2.3.7. metodat e marrjes së informacionit thelbësor në lidhje me operacionet e duhura të kërkim-shpëtimit, si njoftimet për detarët dhe raporte të tjera, buletinet meteorologjike, si dhe gjendja e valëzimit të detit;
4.2.3.8. metodat e marrjes së asistencës së kërkuar nga qendrat ose nënqendrat e koordinimit të kërkim-shpëtimit duke përfshirë anijet, avionët, personelin dhe pajisjet;
4.2.3.9. Metodat e dhënies së ndihmës nga anijet shpëtuese, ose anije të tjera, për anijet që ndodhen në fatkeqsi; dhe
4.2.3.10. metodat e dhënies së ndihmës nga anijet mbiujëse për avionët në fatkeqësi, të cilët janë raportuar të ulur në sipërfaqe të ujit.
Gadishmëria e mjeteve të shpëtimit
4.3.1. Çdo njësi e përcaktuar si njësi për kërkim-shpëtimin duhet të jetë në gjendje gadishmërie në përputhje me detyrat e saj dhe të informojë për këtë gadishmëri qendrat ose nënqendrat përaktëse të koordinimit të kërkim-shpëtimit.
KAPITULLI 5
PROCEDURAT E OPERIMIT
5.1.Informacioni në lidhje me emergjencat
5.1.1. Vendet duhet të sigurojnë shërbime të tilla radiopërgjimi, të cilat janë praktikisht të nevojshme në frekuencat ndërkombëtare të fatkeqësisë.
Stacioni bregdetar, i cili merr një sinjal ose thirrje fatkeqësie duhet:
5.1.1.1. të njoftojë menjëherë qendrën ose nënqendrën përkatëse të koordinimit për kërkim shpëtimin;
5.1.1.2. të ritransmetojë për aq sa të jetë e nevojshme informacion anijeve një ose më shumë frekuenca ndërkombëtare të fatkeqësisë ose në frekuenca të tjera të përshtatshme;
5.1.1.3. t’i paraprijë këtyre transmetimeve me sinjale të posaçme automatike nëse kjo nuk është bërë;
5.1.1.4. të ndërmarrë veprime të tilla në vijim siç është vendosur nga autoritetet kompetente.
5.1.2. Autoritetet ose elementë të organizimit të kërkim shpëtimit që kanë arsye të besojnë se një anije është gjendje emergjence, duhet të japin sa më shpejt të jete e mundur të gjithë informacionin që kanë në dispozicion të qendrave ose nënqendrave të koordinimit të kërkim shpëtimit.
5.1.3. Qendrat dhe nënqendrat e koordinimit të kërkim-shpëtimit me marrjen e informacionit që ka të bëjë me një anije në fatkeqësi, menjëherë duhet të bëjnë vlerësimin e informacionit të marrë dhe të përcaktojë fazën e emergjencës në përputhje me paragrafin 5.2., si dhe në përputhje me operacionin e kërkuar.
Informacioni në lidhje me emergjencat
5.2.1. Për qëllime operacionale, do të dallojmë fazat e mëposhtme të emergjencës:
5.2.1.1. faza e pasigurisë;
5.2.1.1.1. kur një anije është vonuar më shumë se ç’duhet në destinacion;
5.2.1.1.2. kur një anije nuk arrin në kohë në një pozicion të pritur ose kur nuk bën një raportim sigurie;
5.2.1.2. faza e alarmit;
5.2.1.2.1. kur në vijim të fazës së pasigurisë, përpjekjet për të vendosur kontakt me anijen kanë dështuar, si dhe kërkesat e bëra për të marrë informacion nga burime të tjera të posaçme kanë qenë të pasukseshme;
5.2.1.2.2. kur informacioni i marrë tregon se një anije ka humbur efikasitetin operacional, por jo në atë masë që të ndodhë ndonjë situatë fatkeqësie;
5.2.1.3. faza e fatkeqësisë;
5.2.1.3.1. kur merret një informacion i sigurtë që një anije ose person është në një rrezik të rëndë dhe të dukshëm dhe ka nevojë për ndihmë të menjëhershme;
5.2.1.3.2. kur në vijim të fazës së alarmit përpjekjet e vazhdueshme për të vendosur kontakt me anijen, si dhe kërkesat e shumta për t’u lidhur me anijen, kanë qenë të pasuksesshme dhe çojnë në mendimin se anija mund të jetë në fatkeqësi;
5.2.1.3.3. kur informacioni i marrë tregon se efikasiteti operacional i një anije është në atë masë që mund të ndodhë një situatë fatkeqësie;
Procedurat për qendrat dhe nënqendrat e koordinimit të kërkim-shpëtimit gjatë fazës së emergjencës
5.3.1. Me deklarimin e fazës së pasigurisë, qendra ose nënqendra e koordinimit të kërkim-shpëtimit, sipas rastit duhet të fillojë hetimin në mënyrë që të përcaktojë fazën në të cilën ndodhet anija dhe të japë alarmin.
5.3.2. Me deklarimin e fazës së alarmit qendra ose nënqendra e koordinimit të kërkim-shpëtimit, sipas rastit duhet të vazhdojë të kërkojë për anijen e humbur, të vërë në gadishmëri njësitë e saj përkatëse të kërkim-shpëtimit dhe të fillojë këto veprime siç përshkruhen në paragrafin 5.3.3. në vartësi të rrethanave që varen nga rasti i krijuar.
5.3.3. Me deklarimin e fazës së fatkeqësisë, qendra ose nënqendra e koordinimit të kërkim-shpëtimit sipas rastit duhet:
5.3.3.1. të fillojë veprimet në përputhje me masat e përcaktuara në paragrafin 4.2.
5.3.3.2. sipas rastit përcakton shkallën e pasigurisë së pozicionit të anijes dhe të përcaktojë hapësirën e zonës që do kërkohet;
5.3.3.3. të njoftojë pronarin e anijes ose agjentin e saj nëse është e mundur dhe ta mbajë atë në korent të ngjarjeve;
5.3.3.4. të njoftojë qendrat ose nënqendrat e tjera të koordinimit në lidhje me ndihmën që mund t’u kërkohet këtyre qendrave ose në lidhje me angazhimin e këtyre qendrave ose nënqendrave në operacion;
5.3.3.5. të kërkojë në fazat e para ndonjë ndihmë që mund të jepet nga avionë, anije ose njësi të tjera që nuk janë të përfshira në mënyrë të specifikuar në organizimin e kërkim-shpëtimit, duke marrë në konsideratë se në shumicën e situatave emergjente të krijuara në rajone oqeanike anijet e tjera janë element shumë i rëndësishëm për operacionet e kërkim shpëtimit;
5.3.3.6. të hartojë planin e detajuar të kryerjes së operacioneve të nisur nga informacioni që është marrë dhe t’ua komunikojë këtë plan autoriteteve, të përcaktuara në përputhje me pargrafet 5.7. dhe 5.8. për udhëzim.
5.3.3.7. të përmisojë sipas nevojës, në përputhje me rrethanat, udhëzimin që është përshkruar në paragrafin 5.3.3.6.;
5.3.3.8. të njoftojë autoritetet përkatëse konsullore ose diplomatike dhe nëse incidenti përfshin persona refugjatë ose të shpërngulur, zyrën kompetente të organizmave ndërkombëtare;
5.3.3.9. të njoftojë autoritetet përkatëse të investigimit të aksidenteteve detare sipas rastit;
5.3.3.10. të njoftojë çdo avion, anije ose njësi tjetër të përmendur në paragrafin 5.3.3.5 në konsultim me autoritetet e përcaktuara në paragrafët 5.7. dhe 5.8. sipas rastit, kur ndihma e tyre nuk kërkohet më.
5.3.4. Fillimi i operacioneve të kërkim-shpëtimit për një anije të cilës nuk i dihet pozicioni.
5.3.4.1. Në rastin e deklarimit të një faze emergjence në lidhje me një anije të cilës nuk i dihet pozicioni, duhet vepruar si më poshtë:
5.3.4.1.1. kur një qendër ose nënqendër koordinimi e kërkim-shpëtimit është njoftuar mbi ekzistencën e një faze emergjence dhe nuk ka informacion që qendra ose nënqendra të tjera po ndërmarrin veprimet e duhura, ajo duhet të marrë përgjegjësinë për fillimin e veprimeve përkatëse dhe të komunikojë me qendrat fqinjë me objektivin që një qendër fqinjë të pranojë përgjegjësinë menjëherë;
5.3.4.1.2. po të mos jetë vendosur ndryshe në marrëveshjet ndërmjet qendrave dhe nënqendrave të koordinimit të vendeve të ndryshme që marrin pjesë në operacione, qendra që do të përcaktohet do të jetë qendra përgjegjëse për zonën në të cilën anija ndodhej në pozicionin e fundit të raportuar;
5.3.4.1.3. mbas deklarimit të fazës së fatkeqësisë qendra ose nënqendra e koordinimit që ka përgjegjësinë e operacionit të kërkimit të shpëtimit duhet nëse është e nevojshme të informojë qendrat e tjera përkatëse për të gjitha rrethanat e gjendjes së emergjencës, si dhe zhvillimet e mëvonshme;
5.3.5. Kalimi i informacionit anijeve për të cilat është deklaruar një fazë emergjence.
5.3.5.1. Kurdoherë që është e aplikueshme, qendrat ose nënqendrat e koordinimit të kërkim-shpëtimit janë përgjegjëse për t’i komunikuar anijes mbi të cilën është deklaruar një fazë emergjence infromacionin e fillimit të kërkim të shpëtimit të saj.
Koordinimi i operacioneve kur përfshihen 2 ose më shumë vende
5.4.1. Kur kryerja e operacioneve mbi të gjithë rajonin e kërkim-shpëtimit është nën përgjegjësinë e më shumë se një vendi, çdo vend duhet të ndërmarrë masat e duhura në përputhje me planet operacionale ose instruksionet e referuara në paragrafin 4.2. kur kërkohet që të veprohet në këtë mënyrë nga qendra ose nënqendra e koordinimit të kërkim-shpëtimit të rajonit.
Përfundimi dhe pezullimi i operacioneve të kërkim-shpëtimit
5.5.1. Faza e pasigurisë dhe alarmit.
5.5.1.1. Kur gjatë një faze pasigurie ose alarmi një qendër ose nënqendër e koordinimit të kërkim-shpëtimit, sipas rastit, njoftohet që emergjenca nuk ekziston më, ajo duhet të njoftojë për këtë çdo autoritet ose njësi shërbimi, e cila ka qënë e aktivizuar ose njoftuar.
5.5.2. Faza e fatkeqësisë
5.5.2.1. Kur gjatë një faze fatkeqësie, sipas rastit, është njoftuar nga vetë nje anije në fatkeqësi, një qendër ose nënqendër e koordinimit të kërkim- shpëtimit, se emergjenca nuk ekziston më, atëhere ato duhet të ndërmarrin masat e nevojshme për ndërprerjen e operacioneve të kërkim- shpëtimit dhe të njoftojë çdo autoritet dhe ose njësi që ka qenë e aktivizuar ose e njoftuar.
5.5.2.2. Nëse gjatë një faze fatkeqësie është vendosur që kërkimi duhet të ndërpritet, qendra ose nënqendra e koordinimit të kërkim-shpëtimit, sipas rastit duhet të ndalojë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe të njoftojë për këtë qëllim çdo autoritet dhe njësi kërkim-shpëtimi që ka aktivizuar ose njoftuar. Informacioni që do merret më vonë vlerësohet dhe operacionet e kërkim-shpëtimit rifillojnë kur ai është i justifikueshëm mbi bazat e të dhënave të këtij informacioni.
5.5.2.3. Në qoftë se gjatë një faze fatkeqësie, vendoset që kërkimi i mëtejshëm nuk ka vlerë, qendra ose nënqendra e koordinimit të kërkimi-shpëtimit ndërpret operacionet e kërkim-shpëtimit dhe informon çdo autoritet ose njësi shërbimi që ka qenë njoftuar ose aktivizuar.
Koordinimi direkt i aktiviteteve të kërkim-shpëtimit
5.6.1. Aktivitetet e njësive të përfshira në operacionet e kërkim-shpëtimit, duke përfshirë njesitë e shpëtimit ose njësitë ndihmuese duhet të koordinohen për të siguruar rezultate sa më efektive.
Përcaktimi i drejtuesit direkt të operacionit dhe përgjegjësitë e tij
5.7.1. Kur njësitë e shpëtimit janë gati të angazhohen në operacionet e kërkim-shpëtimit, njëra nga ato duhet të caktohet si anije e drejtimit direkt sa më afër të jetë e mundur dhe mundësisht para mbërritjes në zonat e caktuara të kërkim shpëtimit.
5.7.2. Qendra ose nënqendra përkatëse e koordinimit të shpëtimit duhet të përcaktojë një drejtues direkt. Nëse kjo nuk është mundur praktikisht njësitë e përfshira duhet të përcaktojnë me marrëveshje të përbashkët një drejtues direkt.
5.7.3. Derisa të përcaktohet drejtuesi direkt, njësia e parë e shpëtimit që mbërrin në vendin e ngjarjes, në mënyrë automatike duhet të pranojë detyrat e përgjegjësitë e një drejtimi direkt.
5.7.4. Drejtuesi direkt, sipas rastit, duhet të jetë i përgjegjshëm për detyrat në vazhdim kur këto detyra nuk janë kryer nga qendra ose nënqendra e koordinimit të kërkim-shpëtimit, si vijon:
5.7.4.1. përcaktimin e pozicionit të mundshëm të objektit të kërkimi, kufirin e mundshëm të gabimit në këtë pozicion dhe zonën e kërkimit;
5.7.4.2. marrjen e masave për ndarjen e njësive të angazhuara në kërkim, për qëllime sigurie;
5.7.4.3. përcaktimin e formave të përshtatshme të kërkim-shpëtimit për njësitë që marrin pjesë në kërkimin dhe përcaktimin e zonave të kërkim-shpëtimit të njësive dhe grupeve të njësive;
5.7.4.4. përcaktimin e njësive të posaçme për të kryer shpëtimin kur është përcaktuar pozicioni i objektit;
5.7.4.5. koordinimin direkt të komunikimeve për kërkim-shpëtimin.
5.7.5. Drejtuesi direkt është përgjegjës gjithashtu për:
5.7.5.1. dhënien e informacioneve periodike tek qendra ose nënqendra e koordinimit të kërkim shpëtimit;
5.7.5.2. njoftimin e numrit dhe emrave të të shpëtuarve tek qendra ose nënqendra, e cila po koordinon operacionet e kërkim-shpëtimit duke i njoftuar qendrës emrin dhe destinacionin e njësisë me të shpëtuarit në bord, duke raportuar se cilët të shpëtuar janë në çdo njësi, si dhe duke kërkuar ndihmë nga qendra si psh. ndihmë mjekësore për të shpëtuarit, të cilët kanë pësuar dëmtime serioze.
Përcaktimi i koordinatorit sipërfaqësor dhe përgjegjësitë e tij
5.8.1. Nëse njësia e shpëtimit (duke përfshirë dhe anijet ushtarake) nuk janë të gatshme të pranojnë detyrat e drejtuesit direkt, por në operacionin e kërkim-shpëtimit janë duke marrë pjesë një numër anijesh tregtare ose mjete të tjera njëra prej tyre duhet të përcaktohet me marrëveshje të përbashkët si koordinatore e kërkimit të sipërfaqes detare.
5.8.2. Koordinatori i kërkimit sipërfaqësor duhet të caktohet praktikisht sa më parë të jetë e mundur dhe mundësisht përpara mbërritjes në zonën e veçantë të kërkimit.
5.8.3. Koordinatori i kërkimit sipërfaqësor duhet të jetë përgjegjës për të gjitha detyrat e përmendura në paragrafet 5.7.4 dhe 5.7.5. në vartësi të mundësive të anijes.
Veprimet e fillimit
5. 9.1.Çdo njësi me marrjen e informacionit të një incidenti fatkeqësie do të ndërmarrë çfarëdo veprimi të menjëhershëm për të ndihmuar brenda mundësive të saj ose do të japë alarmin anijeve të tjera, të cilat mund të jenë në gjendje të ndihmojnë dhe do të njoftojnë qendrën apo nënqendrën e koordinimit të shpëtimit në zonën e së cilës ka ndodhur incidenti.
Zonat e kërkimit
5.10.1. Zonat e kërkimit të përcaktuara në përputhje me paragrafin 5.3.3.2, 5.7.4.1 ose 5.8.3, mund të ndryshohen sipas vlerësimit të komandantit direkt ose të koordinatorit të kërkimit sipërfaqësor, i cili duhet të njoftojë qendrën ose nënqendrën e koordinimit të shpëtimit për veprimet e tij dhe arsyet e të vepruarit në këtë mënyrë.
Format e kërkimit
5.11.1. Format e kërkimit të përcaktuara në përputhje me paragrafin 5.3.3.6, 5.7.4.3 ose 5.8.3 mund të ndërrohen ose ndryshohen në forma të tjera, nëse konsiderohet e nevojshme nga drejtuesi direkt ose koordinatori i kërkimit sipërfaqësor, i cili duhet të njoftojë qendrën e koordinimit të kërkim-shpëtimit ose nënqendrën e koordinimit të kërkim-shpëtimit për veprimet e tij dhe arsyet e të vepruarit në këtë mënyrë.
Kërkim i sukseshëm
5.12.1 Kur kërkimi ka qënë i sukseshëm, drejtuesi direkt ose koordinatori i kërkimit sipërfaqësor duhet të drejtojë njësitë që janë më të pajisura me pajisje shpëtimi për të kryer shpëtimin ose të sigurojë ndihmë tjetër të nevojshme.
5.12.2 Kur është e mundur njësitë që kryejnë kërkim-shpëtimin duhet të njoftojnë drejtuesin direkt ose koordinatorin e kërkimit sipërfaqësor mbi numrin dhe emrat e të shpëtuarëve që kanë në bord, nëse i gjithë personeli është i mjaftueshem për kryerjen e operacionit të kërkim-shpëtimit ose kërkohet asistencë suplementare, për evakuimin njerëzor dhe destinacionin e njerëzve.
5.12.3 Drejtuesi direkt ose koordinatori i kërkimit sipërfaqësor menjëherë duhet të njoftojë qendrën apo nënqendrën e koordinimit të shpëtimit kur kërkimi ka qënë i sukseshëm.
Kërkimi i pasukseshëm
5.13.1. Kërkimi duhet të ndërpritet vetëm atëhere kur nuk ka më shpresë për shpëtimin e të mbijetuarëve .
5.13.2. Qendra apo nënqendra e koordinimit të shpëtimit, e cila po bën koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, normalisht duhet të jetë përgjegjëse për përfundimin e kërkim-shpëtimit.
5.13.3. Në zonat e largëta oqeanike, të cilat nuk janë në përgjegjësinë e ndonjë qendre të koordinimit të kërkim-shpëtimit ose kur qendra përgjegjëse nuk është në pozicion të përshtatshëm për koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, drejtuesi direkt ose koordinatori i kërkimit sipërfaqësor mund të marrë përgjegjësinë për përfundimin e kërkim-shpëtimit.
KAPITULLI 6
SISTEMET E RAPORTIMEVE TE ANIJEVE
Të përgjithshme
6.1.1.Vëndet duhet të krijojnë një sistem raportimi të anijeve për zbatim brenda çdo rajoni të kërkim-shpëtimit për të cilat ato janë përgjegjëse, kur kjo konsiderohet e nevojshme për të lehtësuar operacionet e kërkim-shpëtimit dhe mendohet se është e praktikueshme.
6.1.2.Vendet që do të krijojnë një sistem të raportimit të anijeve duhet të marrin në konsideratë rekomandimet e organizatës.
6.1.3. Sistemi i raportimeve të anijeve duhet të bllokojë informacionin e vazhdueshëm mbi lëvizjet e anijeve sipas radhës në rastin e një incidenti dhe fatkeqësie.
6.1.3.1. Të reduktojë intervalin e kohës ndërmjet humbjes së kontaktit me një anije dhe fillimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit në rastet kur nuk merret ndonjë sinjal fatkeqësie.
6.1.3.2. Të lejoje përcaktimin e shpejtë të anijeve, të cilat mund të thirren për të siguruar asistencë.
6.1.3.3. Të lejojë planizimin e një zone kërkimi të një madhësie të kufizuar në rastin e një anije në fatkeqësi pozicioni i së cilës është i panjohur apo i pacaktuar.
6.1.3.3. Të lehtësojë parashikimin e ndihmës urgjente mjekësore për anijet që nuk kanë doktor në bord.
Kërkesat operacionale
6.2.1. Për arritjen e objektivave të vendosura në paragrafin 6.1.2. sistemi i raportimit të anijeve duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme operacionale.
6.2.1.1. Parashikimin e operacionit, duke përfshirë planet e lundrimit dhe raportimin e pozicioneve, të cilat do të mundësojnë në përcaktimin e pozicioneve të ardhshme të anijeve pjesëmarrëse.
6.2.1.2. Mbajtjen e një plansheti të pozicionit të anijeve.
6.2.1.3. Marrjen e raportimeve me materiale të përshtatshme nga anijet pjesmarrëse
6.2.1.4. Thjeshtësia në përcaktimin e sistemit dhe të operacionit, dhe
6.2.1.5. Përdorimi i një forme standart të pranuar në marrëveshje ndërkombëtare, si dhe të procedurave të miratuara me marrëveshje ndërkombëtare.
Llojet e raportimit
6.3.1. Një sistem raportimi i anijeve duhet të përfshijë raportimet e mëposhtme:
6.3.1.1.Plani i lundrimit- duke dhënë emrin, shenjën e thirrjes ose shenjën e identifikimit të stacionit të anijes, datën dhe orën (sipas G.M.T.) e nisjes, detajet e pikës së nisjes së anijes, portin e mbërritjes, kursin e parashikuar, shpejtësinë, datën dhe kohën e mbërritjes (sipas G.M.T), si dhe ndryshimet që duhet të raportohen sa më parë të jetë e mundur
6.3.1.2. Raportimi i pozicionit – duke dhënë emrin, sinjalin e thirrjes ose shenjën e identifikimit të stacionit të anijes, datën dhe kohën (sipas G.M.T), pozicionin, kursin dhe shpejtësinë.
6.3.1.3. Raportimi final- duke dhënë emrin sinjalin e thirrjes ose shenjën e identifikimit të stacionit të anijes, datën dhe kohën (sipas G.M.T) të mbërritjes në destinacion ose të largimit nga zona e mbuluar prej sistemit.
Përdorimi i sistemeve.
6.4.1.Vendet duhet të nxisin të gjitha anijet të raportojnë pozicionet e tyre kur udhëtojnë në zonat për të cilat janë bërë marrëveshje për të grumbulluar informacion mbi pozicionet e anijeve për qëllime të kërkim shpëtimit.
6.4.2. Vendet që regjistrojnë informacione mbi pozicionin e anijeve duhet që të shpërndajnë këtë informacion, për aq sa të jetë e mundur praktikisht tek shtetet e tjera kur kërkohet nga këto shtete për qëllime të kërkim-shpëtimit.
LIGJ
Nr.9213, datë 1.4.2004
PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN NDËRKOMBËTARE DETARE “PËR SHPËTIMIN E JETËS NË DET (SOLAS), 1947”, E NDRYSHUAR DHE NË PROTOKOLLIN E KËSAJ KONVENTE, TË VITIT 1978, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Republika e Shqipërisë aderon në Konventën Ndërkombëtare Detare “Për shpëtimin e jetës në det (SOLAS), 1947”, e ndryshuar.
Neni 2
Republika e Shqipërisë aderon në “Protokollin e vitit 1978, i ndryshuar, të Konventës Ndërkombëtare Detare “Për shpëtimin e jetës në det (SOLAS), 1974”, e ndryshuar.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4210, datë 26.4.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
Leave a comment