LIGJ
Nr. 9537, datë 18.5.2006
PËR ADMINISTRIMIN E MBETJEVE TË RREZIKSHME
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I :
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë normat, që rregullojnë administrimin e sigurt të mbetjeve të rrezikshme, grumbullimin, transportin, ruajtjen e përkohshme, përpunimin, trajtimin, asgjësimin, importimin dhe eksportimin e tyre.
Neni 2
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
1. “Mbetje të rrezikshme” nënkupton çdo substancë apo objekt, i përfshirë në listën e miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 3 të ligjit nr.9010, datë 13.2.2003 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, të cilën zotëruesi e shkarkon, e ka si qëllim apo nevojë ta shkarkojë, që mund të shkaktojë rrezik të veçantë ose dëmtim për shëndetin apo mjedisin, për shkak të vetive kimike ose karakteristikave të tjera, të përcaktuara në aneksin 1 që i bashkëlidhet këtij ligji.
2. “Ministër” është ministri përgjegjës për mjedisin.
3. “Ministria” është ministria përgjegjëse për mjedisin.
4. “Zotërues” është çdo person, fizik apo juridik, që zotëron mbetje të rrezikshme.
5. “Prodhues” është çdo person, fizik apo juridik, veprimtaritë e të cilit gjenerojnë mbetje të rrezikshme dhe/ose që ndërmerr përpunimin paraprak, përzierjen ose operacione të tjera, që çojnë në uljen e vëllimit, ndryshimin e natyrës apo të përbërjes së mbetjeve të rrezikshme.
6. “Administrim” është përpunimi paraprak nga gjeneruesi, ruajtja, grumbullimi, transporti, përpunimi dhe asgjësimi, përfshirë edhe supervizionin e veprimeve të tilla dhe përkujdesjen e mëtejshme për sheshin e mbetjeve të rrezikshme.
7. “Sheshi i mbetjeve të rrezikshme” është sheshi i lejuar, sipas këtij ligji, ku ruhen përfundimisht, trajtohen, përpunohen, digjen, asgjësohen apo groposen mbetjet e rrezikshme.
8. “Asgjësim” është çdo veprim i parashikuar në aneksin II të këtij ligji, që ka si qëllim t’i kthejë mbetjet në të padëmshme dhe/ose t’i depozitojë përfundimisht.
9. “Rikuperim” është çdo veprim i parashikuar në aneksin III të këtij ligji, që ka si qëllim veçimin dhe përdorimin e materialeve apo të energjisë, që përftohet nga mbetjet e rrezikshme.
10. “Trajtim” janë proceset fizike, termike, kimike, biologjike dhe mekanike, përfshirë veçimin, të cilat ndryshojnë karakteristikat e mbetjeve të rrezikshme, me qëllim minimizimin e vëllimit, lehtësimin e manovrimit apo rritjen e mundësive për rikuperimin e tyre.
11. “Grumbullim” është mbledhja, ndarja ose përzierja e mbetjeve të rrezikshme, me qëllim lehtësimin e transportit të tyre.
12. “Transport” është një tërësi veprimesh, përfshirë ngarkimin, transportimin, shkarkimin, si dhe përgatitjen, shërbimin e mirëmbajtjen e mjetit, që përdoret për transportin e mbetjeve të rrezikshme.
13. “Fletë-shoqërimi” është dokumenti, që shoqëron çdo dorëzim të mbetjeve të rrezikshme, sipas nenit 9 të këtij ligji.
14. “Leje mjedisi” ka të njëjtin kuptim siç parashikohet në nenin 3 pika 18 të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
15. “Leje mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme” është leja mjedisore, që autorizon, shprehimisht, rikuperimin apo asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme në një shesh të përcaktuar për mbetjet e rrezikshme.
16. “Magazinim i përkohshëm” është ruajtja e mbetjeve të rrezikshme (në një shesh të miratuar), për një periudhë më pak se 6 muaj, pa kryer veprime, që çojnë në ndryshimin e natyrës apo të përbërjes së tyre.
Neni 3
Objekti
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për administrimin mjedisor të mbetjeve të rrezikshme.
2. Ky ligj nuk zbatohet për mbetjet urbane, të përcaktuara në ligjin nr.9010, datë 13.2.2003 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, përveç rastit kur ato shfaqin ndonjërën nga karakteristikat e mbetjeve të rrezikshme.
Neni 4
Parimet e administrimit të mbetjeve të rrezikshme
Administrimi i mbetjeve të rrezikshme mbështetet në këto parime:
1. Administrimi i mbetjeve të rrezikshme realizohet pa rrezikuar shëndetin e njeriut apo mjedisin dhe pa përdorur procese, që mund të dëmtojnë mjedisin, veçanërisht:
a) nuk paraqesin rrezik për ujin, ajrin, tokën, bimët dhe kafshët;
b) nuk shkaktojnë bezdi, përmes zhurmës apo aromave;
c) nuk ndikojnë negativisht mbi zonën rurale, urbane apo vende të tjera me interes të veçantë.
2. Mbetjet e rrezikshme nuk lejohet të përzihen me mbetje të tjera, përveçse kur përzierja është e dobishme, për përmirësimin e sigurisë gjatë transportit, rikuperimit apo asgjësimit të tyre.
3. Personi, që prodhon mbetje të rrezikshme, paguan kostot e transportit, të rikuperimit dhe asgjësimit.
KREU II
PLANI PËR ADMINISTRIMIN E MBETJEVE TË RREZIKSHME
Neni 5
Përmbajtja e planit kombëtar për administrimin e mbetjeve të rrezikshme
1. Ministri, brenda 3 vjetëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave planin kombëtar për administrimin e mbetjeve të rrezikshme.
2. Plani kombëtar i administrimit të mbetjeve të rrezikshme përfshin:
a) përshkrimin e sasive, llojeve dhe origjinës së mbetjeve të rrezikshme, të krijuara në Republikën e Shqipërisë;
b) përshkrimin e metodave dhe të sistemeve ekzistuese, që përdoren për grumbullimin, transportin, magazinimin, rikuperimin;
c) asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë, përfshirë listën e personave, juridikë dhe fizikë, që kanë leje mjedisore në mbështetje të këtij ligji, si edhe të shesheve të mbetjeve të rrezikshme, së bashku me përshkrimin e mjedisit fizik të tyre;
ç) analizën e nevojave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për kapacitete dhe infrastrukturë shtesë për grumbullimin, transportin, magazinimin, rikuperimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë;
d) objektivat dhe synimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për administrimin e mbetjeve të rrezikshme, si dhe masat e veçanta për minimizimin e gjenerimit të mbetjeve të rrezikshme, nxitjen e reduktimit, ripërdorimit dhe riciklimit të tyre, për arritjen e objektivave dhe të synimeve, brenda periudhës kohore të përcaktuar në këtë plan;
dh) vlerësimin e shpenzimeve të nevojshme për zbatimin e këtij plani.
Neni 6
Miratimi i planit kombëtar për administrimin e mbetjeve të rrezikshme
1. Plani kombëtar për administrimin e mbetjeve të rrezikshme miratohet nga Këshilli i Ministrave, pasi të jetë bërë këshillimi me publikun, që përfshin zhvillimin e seancave dëgjimore dhe takimeve publike me organet e pushtetit vendor, me persona që prodhojnë dhe administrojnë mbetje të rrezikshme, me organizata jofitimprurëse, si dhe me organizata tregtare dhe profesionale.
2. Plani kombëtar për administrimin e mbetjeve të rrezikshme, pas miratimit, publikohet dhe vihet në dispozicion të publikut.
3. Plani kombëtar për administrimin e mbetjeve të rrezikshme rishikohet, të paktën, çdo tre vjet.
KREU III
DETYRIMET PËR GJENERIMIN DHE TRANSPORTIN E MBETJEVE TË RREZIKSHME
Neni 7
Detyrat e prodhuesve dhe të zotëruesve të mbetjeve të rrezikshme
1. Çdo prodhues apo zotërues i mbetjeve të rrezikshme siguron administrimin e tyre në mënyrën e duhur dhe në përputhje me parimet e përmendura në nenin 4 të këtij ligji.
2. Çdo prodhues apo zotërues është drejtpërdrejt përgjegjës për dëmet që shkakton ndaj mjedisit dhe/ose shëndetit të njeriut.
3. Në zbatim të detyrimeve të përgjithshme, sipas pikës 1 të këtij neni, çdo prodhues:
a) brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e planit kombëtar për administrimin e mbetjeve të rrezikshme dhe në përputhje me të, harton dhe zbaton një program të shkruar për uljen e vëllimit, të sasisë dhe toksicitetit të mbetjeve të rrezikshme;
b) paguan shpenzimet e transportit, të rikuperimit apo asgjësimit të mbetjeve të rrezikshme që gjeneron;
c) dorëzon mbetjet e rrezikshme tek të tretët, vetëm në përputhje me nenin 8 të këtij ligji.
ç) nuk përzien mbetjet e rrezikshme me mbetje të tjera;
d) regjistron, sipas formatit të përcaktuar nga ministri, të gjitha mbetjet e rrezikshme që prodhon dhe, në fund të çdo 6-mujori, dorëzon një kopje të tij në agjencinë rajonale të mjedisit në qarkun, ku zhvillohet veprimtaria. Regjistri përmban të dhëna për vëllimin, natyrën, origjinën, mënyrën e transportit, metodat e trajtimit apo të përpunimit të mbetjeve të rrezikshme.
4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton kriteret, mënyrën dhe kohën e ruajtjes së mbetjeve të rrezikshme në sheshin përkatës të prodhuesit për ato veprimtari, për të cilat kërkohet leje mjedisore.
Neni 8
Dorëzimi
1. Zotëruesi dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person tjetër, vetëm pasi të ketë verifikuar se ky ka leje mjedisore të vlefshme:
a) për grumbullimin dhe transportimin, në përputhje me nenin 10 të këtij ligji;
b) për rikuperimin ose asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme në një shesh, për të cilin është dhënë, gjithashtu, leje mjedisore, në përputhje me nenin 12 të këtij ligji.
2. Personi që dorëzon mbetje të rrezikshme te një person tjetër:
a) i ambalazhon dhe i etiketon mbetjet e rrezikshme, në përputhje me pikën 3 të këtij neni;
b) i regjistron mbetjet e rrezikshme, që do të transferohen, në përputhje me pikën 3 të këtij neni;
c) i shoqëron mbetjet e rrezikshme me dokumentacionin e nevojshëm, i cili përmban një përshkrim të mjaftueshëm të mbetjeve të rrezikshme, në mënyrë që pritësi të mund ta zbatojë ligjin, në përputhje me nenin 9 të këtij ligji.
3. Personi, që dorëzon mbetje të rrezikshme, për çdo dorëzim, regjistron këto të dhëna:
a) datën e transferimit;
b) emrin dhe adresën e marrësit;
c) konfirmimin që marrësi zotëron lejen përkatëse të mjedisit;
ç) emërtesën dhe sasinë e mbetjeve të rrezikshme;
d) raportin e analizës kimike të mbetjes, të realizuar nga një organizëm i certifikuar dhe i akredituar, sipas legjislacionit në fuqi;
dh) sheshin ku është kryer dorëzimi dhe mënyrën se si janë paketuar mbetjet e rrezikshme;
e) arsyen pse bëhet dorëzimi i mbetjeve të rrezikshme dhe cili është hapi pasardhës në administrimin e tyre;
ë) destinacionin përfundimtar të mbetjeve të rrezikshme.
4. Personi, që dorëzon mbetjet e rrezikshme, njofton me shkrim agjencinë rajonale të mjedisit brenda 30 ditëve nga dorëzimi i këtyre mbetjeve, sipas formatit të kërkuar prej saj.
5. Personi, që dorëzon mbetjet e rrezikshme, ruan për 3 vjet të dhënat e parashikuara në pikën 3 të këtij neni dhe ia vë në dispozicion agjencisë rajonale të mjedisit, kundrejt kërkesës së saj me shkrim.
Neni 9
Dokumenti shoqërues
Çdo sasi mbetjesh të rrezikshme, që dorëzohet te një person tjetër, shoqërohet me një dokument, sipas formatit të miratuar nga ministri, i cili, minimalisht, përmban këto të dhëna:
a) përshkrimin e mbetjeve të rrezikshme;
b) raportin e analizës kimike të mbetjes, të realizuar nga një organizëm i certifikuar dhe i akredituar, sipas legjislacionit në fuqi;
c) emrin, adresën dhe numrin e telefonit të dorëzuesit;
ç) emrin, adresën dhe numrin e telefonit të çdo transportuesi;
d) emrin, adresën dhe numrin e telefonit të personit në destinacionin e fundit, ku mbetjet e rrezikshme do të dorëzohen përfundimisht;
dh) të gjitha instruksionet e nevojshme për kujdesin që kërkohet për një transportim të sigurt.
Neni 10
Leja për grumbullimin, transportimin dhe magazinimin e përkohshëm
të mbetjeve të rrezikshme
1. Personi, që bën grumbullimin dhe/ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme, pajiset me leje mjedisore për grumbullim dhe/ose transport. Detyrimi për të kërkuar këtë leje mjedisore fillon 1 vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Prodhuesi bën transportimin e mbetjeve të rrezikshme vetëm kur leja mjedisore e autorizon specifikisht për ta bërë një gjë të tillë.
3. Kërkesa për t’u pajisur me leje mjedisore, që autorizon grumbullimin dhe/ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme dhe dokumentacioni shoqërues paraqiten, në përputhje me ligjin nr.8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit” dhe me vendimin e Këshillit të Ministrave në zbatim të tij, si dhe me ligjin nr.8990, datë 23.1.2003 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” dhe sipas formularit të miratuar nga ministri. Përveç këtij dokumentacioni, kërkesa për leje mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme shoqërohet edhe me:
a) të dhëna për çdo leje tjetër mjedisore, që aplikuesi ka në Republikën e Shqipërisë apo në vende të tjera;
b) dokumente, që dëshmojnë për ekspertizën dhe përvojën që ka aplikuesi apo persona të kontraktuar prej tij në administrimin e sheshit të propozuar për mbetjet e rrezikshme;
c) dokumentacionin për burimet dhe gjendjen financiare të aplikuesit.
4. Ministri miraton ose jo kërkesën për leje mjedisore, për grumbullimin dhe/ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme, në bazë të dokumentacionit shoqërues për kualifikimet teknike dhe gjendjen financiare të aplikuesit, si dhe të një raporti të Inspektoratit të Mjedisit, që vërteton respektimin nga aplikuesi të dispozitave të këtij ligji dhe/ose të ligjit nr.9010, datë 13.2.2003 “Për trajtimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”.
5. Transportimi i mbetjeve të rrezikshme kryhet vetëm me mjete:
a) të përshtatshme për llojin dhe sasinë e mbetjeve që do të transportohen, në përputhje me kushtet e lejes mjedisore përkatëse;
b) që plotësojnë standardet e kontrollit teknik;
c) që janë regjistruar më parë, për këtë qëllim, në ministri.
6. Procedura e transportit të mbetjeve të rrezikshme kryhet sipas legjislacionit në fuqi për transportin rrugor të mallrave të rrezikshme.
7. Ministri, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton standardet teknike, që duhet të plotësojë mjeti dhe regjistrimin e mjeteve në ministri. Hartimi i standardeve teknike të mjetit bëhet në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për transportin.
8.Aplikuesi për leje mjedisore për grumbullimin dhe/ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme, që synon edhe magazinimin e përkohshëm para destinacionit përfundimtar të këtyre mbetjeve, kërkon specifikisht që leja mjedisore të mbulojë edhe magazinimin e përkohshëm të këtyre mbetjeve.
9. Kërkesa për leje për magazinimin e përkohshëm të mbetjeve të rrezikshme miratohet vetëm nëse kjo nuk bie në kundërshtim me nenin 4 të këtij ligji dhe nëse specifikon:
a) vëllimin dhe llojet e mbetjeve të rrezikshme, që do të magazinohen përkohësisht;
b) kohëzgjatjen maksimale të këtij magazinimi të përkohshëm, por jo më shumë se 6 muaj;
c) kushtet konkrete, që plotëson sheshi ku do të bëhet magazinimi i përkohshëm.
10. Leja mjedisore për grumbullimin dhe/ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme nuk mund t’i transferohet një personi tjetër.
Neni 11
Agjentët tregtarë dhe ndërmjetësit e mbetjeve të rrezikshme
1. Ministria krijon regjistrin e agjentëve tregtarë dhe të ndërmjetësve që merren me mbetjet e rrezikshme.
2. Personat që merren me mbetjet e rrezikshme, por që aktualisht nuk i zotërojnë këto, apo që shërbejnë si ndërmjetës transanksionesh për administrimin e tyre, paraqesin kërkesën për t’u miratuar dhe regjistruar në regjistrin e ministrisë, si agjent tregtar dhe ndërmjetës për mbetje të rrezikshme.
3. Ministri miraton rregulloren, që përcakton kriteret e përzgjedhjes dhe procedurat e regjistrimit për agjentët tregtarë dhe ndërmjetësit e mbetjeve të rrezikshme, si dhe formatin e regjistrit. Regjistrimi, sipas këtij neni, fillon brenda 6-muajve nga hyrja në fuqi e rregullores.
4. Personat e regjistruar si agjentë tregtarë apo ndërmjetës i paraqesin ministrit një raport vjetor, në formatin e miratuar prej tij.
5. Ministri pezullon ose çregjistron agjentin tregtar apo ndërmjetësin, që nuk zbaton pikën 4 të këtij neni ose dispozita të tjera të këtij ligji.
KREU IV
LEJA MJEDISORE PËR SHESHIN E RIKUPERIMIT DHE ASGJËSIMIT TË MBETJEVE TË RREZIKSHME
Neni 12
Leja mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme
1. Miratimi i lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit bëhet nga KRRTRSH-ja, sipas dispozitave të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar.
2. Rikuperimi apo asgjësimi i mbetjeve të rrezikshme kryhet vetëm në sheshin, për të cilin është dhënë leje mjedisore për këtë qëllim.
Neni 13
Procedura e aplikimit
1. Kërkesa për lejen mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme i bëhet me shkrim ministrisë, në përputhje me ligjin nr.8934, datë 5.9.2002, me vendimin e Këshillit të Ministrave në zbatim të tij dhe me ligjin nr.8990, datë 23.1.2003 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, sipas formularit të miratuar nga ministri. Përveç këtij dokumentacioni, kërkesa për leje mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme shoqërohet edhe me:
a) informacion për çdo leje tjetër mjedisore, që aplikuesi ka në Republikën e Shqipërisë apo në vende të tjera;
b) dokumente, që dëshmojnë për ekspertizën dhe përvojën që ka aplikuesi apo persona të kontraktuar prej tij në administrimin e sheshit të propozuar për mbetjet e rrezikshme;
c) dokumentacion për burimet dhe gjendjen financiare të aplikuesit;
ç) vendimin e këshillit të bashkisë ose komunës për dhënien e lejes mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme.
2. Në miratimin e kërkesës për leje mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme merren parasysh:
a) zbatimi i kërkesave të planit kombëtar të administrimit të mbetjeve të rrezikshme;
b) përmbajtja e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ekspertiza dhe përvoja e dokumentuar e aplikuesit në kryerjen e veprimtarisë së propozuar, mendimi i agjencisë rajonale të mjedisit, që ka në juridiksion sheshin e propozuar për mbetjet e rrezikshme;
c) burimet financiare të aplikuesit, që mbështesin kërkesën e tij;
ç) standardet për rikuperimin dhe/ose asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me nenin 26 të këtij ligji;
d) udhëzimet teknike të dhëna nga ministri, në mbështetje të nenit 27 të këtij ligji.
3. Leja mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme nuk jepet kur aplikuesi nuk paraqet garancinë e duhur financiare, në përputhje me nenin 14 të këtij ligji, si dhe kur nuk dëshmon përmes dokumentacionit:
a) ekspertizë dhe përvojë të mjaftueshme apo akses ndaj një ekspertize ose përvoje të tillë për realizimin e kësaj veprimtarie;
b) disponueshmërinë e burimeve të mjaftueshme financiare për të administruar mbetje të rrezikshme, në përputhje me nenin 4 të këtij ligji;
c) të drejtën ligjore për të përdorur tokën ku ndodhet sheshi i mbetjeve të rrezikshme.
Neni 14
Garancitë financiare
l. Personi, që administron apo synon të administrojë një shesh mbetjesh të rrezikshme, pasi ka marrë lejen e nevojshme për këtë shesh, garanton, paraprakisht, përmes një police sigurimi apo mjeteve të tjera të ngjashme financiare, pagimin e shpenzimeve për mbylljen, ndërhyrje të mëtejshme dhe/ose për rehabilitimin mjedisor të tij.
2. Nëse administruesi i sheshit të mbetjeve të rrezikshme është në të njëjtën kohë edhe garantues, ai njofton ministrinë për shumën e garancisë së paguar.
3. Nëse garantuesi është një palë e tretë, administratori njofton me shkrim ministrin për ekzistencën e garancisë, si edhe për pezullimin apo ndërprerjen e saj. Garancia mund të pezullohet ose anulohet vetëm pas 60 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për pezullim.
4. Me propozimin e përbashkët të Ministrit të Financave dhe të ministrit që mbulon këtë veprimtari, Këshilli i Ministrave miraton rregullat për garancinë financiare për mjedisin, të nevojshme për lejen mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme.
Neni 15
Kushtet e lejes mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme
1. Leja mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme kërkon plotësimin e këtyre kushteve:
a) përcaktimin e saktë të kategorive të këtyre mbetjeve që mund t’i nënshtrohen rikuperimit apo asgjësimit në sheshin përkatës;
b) përcaktimin e projektit teknik, të ndërtimit, të operacioneve të punës dhe të mirëmbajtjes së sheshit;
c) përshkrimin e përdorimit të pajisjeve të veçanta dhe të projektit teknik, të ndërtimit, operacioneve të punës dhe të mirëmbajtjes së këtyre pajisjeve për rikuperimin apo asgjësimin në sheshin përkatës;
ç) regjistrimin dhe identifikimin e të gjitha mbetjeve që vijnë në shesh;
d) ndalimin e përzierjes së kategorive të ndryshme të këtyre mbetjeve apo të përzierjes së tyre me mbetje të parrezikshme, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është autorizuar shprehimisht në leje për të përmirësuar sigurinë e proceseve të rikuperimit apo të asgjësimit;
dh) përshkrimin e proceseve të ndarjes dhe/ose përpunimit, të cilave u nënshtrohen mbetjet e rrezikshme para rikuperimit apo asgjësimit të tyre;
e) ruajtjen, për të paktën 5 vjet, të të dhënave të hollësishme për vëllimin, natyrën, origjinën dhe mënyrën e rikuperimit apo asgjësimit të mbetjeve;
ë) ruajtjen, për të paktën 5 vjet, të të dhënave të hollësishme për natyrën dhe vëllimin e substancave, preparateve dhe produkteve të tjera, të gjeneruara gjatë rikuperimit apo asgjësimit dhe që largohen nga sheshi i mbetjeve;
f) paraqitjen periodike te ministri të informacionit për llojin e përcaktuar në shkronjat “e” dhe “ë” të këtij neni;
g) monitorimin dhe raportimin e veprimtarive të lejuara nga mbajtësi i lejes.
2. Përveç kërkesave të pikës 1 të këtij neni, leja mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme duhet të plotësojë edhe:
a) kushte të tjera të përgjithshme, të përcaktuara në vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave për operacionet e rikuperimit apo të asgjësimit në sheshe të tilla;
b) kushte të tjera të përgjithshme, të përcaktuara në vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave për rikuperimin apo asgjësimin e llojeve të ndryshme të mbetjeve;
c) kushte të tjera të veçanta, të përfshira në leje, që synojnë zbatimin e nenit 4 të këtij ligji.
3. Leja mjedisore për sheshin është në fuqi deri kur dorëzimi i saj pranohet nga ministri, në përputhje me nenin 16 të këtij ligji.
Neni 16
Transferimi dhe dorëzimi i lejes mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme
l. Leja mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme, e lëshuar në bazë të nenit 13 të këtij ligji, transferohet vetëm me miratim të ministrit.
2. Ministri nuk miraton lejen mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme, nëse personi i propozuar, tek i cili do të bëhet transferimi, nuk plotëson kërkesat e përcaktuara në pikën 3 të nenit 13 të këtij ligji.
3. Mbajtësi i lejes mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme nuk mund ta dorëzojë lejen, nëse ministri nuk e pranon dorëzimin e lejes, në përputhje me dispozitat e këtij neni.
4. Kërkesa për dorëzimin e lejes mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme i bëhet me shkrim ministrit.
5. Pas marrjes së kërkesës për dorëzimin e lejes mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme, ministri urdhëron inspektimin e këtij sheshi, për të cilin ishte dhënë leja. Shpenzimet e inspektimit, të urdhëruara nga ministri, mbulohen nga mbajtësi i lejes.
a) Nëse nuk verifikohet asnjë rrezik apo dëm i rëndësishëm për shëndetin e njeriut ose për mjedisin, të shkaktuara në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga asgjësimi i mbetjeve të rrezikshme në shesh, ministri pranon dorëzimin e lejes mjedisore të sheshit të mbetjeve të rrezikshme.
b) Nëse nuk verifikohet rrezik apo dëm i rëndësishëm për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, ministri njofton aplikuesin për masat që duhet të marrë për të shmangur rrezikun apo dëmin. Në këto masa përfshihen përgatitja dhe zbatimi i planit të rehabilitimit të sheshit të mbetjeve të rrezikshme pas mbylljes, gjë që kushtëzon pranimin nga ministri të dorëzimit të lejes mjedisore të sheshit të mbetjeve të rrezikshme.
6. Nëse mbajtësi i lejes mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme nuk merr masat e përcaktuara në shkronjën “a” të pikës 5 të këtij neni, ministri nënkontrakton një person tjetër për kryerjen e punimeve dhe, në përputhje me nenin 14 të këtij ligji, siguron që shpenzimet e rehabilitimit të paguhen nga mbajtësi i lejes.
7. Kur pranohet dorëzimi i lejes mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme, ministri i lëshon aplikuesit një vërtetim, ku tregohet se ky i fundit i ka përmbushur detyrimet e veta, në përputhje me shkronjën “b” të pikës 5 të këtij neni.
8. Leja mjedisore e sheshit të mbetjeve të rrezikshme shfuqizohet njëkohësisht me lëshimin e këtij vërtetimi.
KREU V
DISPOZITA TË PËRBASHKËTA PËR LEJET
Neni 17
Kompetencat për të ndryshuar, pezulluar apo anuluar lejet
1. Ministri mund të ndryshojë, pezullojë apo anulojë lejen për grumbullimin dhe/ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme, në çdo kohë, kur:
a) një gjë e tillë kërkohet nga mbajtësit e lejes;
b) mbajtësi i lejes nuk përmbush kushtet e parashikuara në leje;
c) mbajtësi i lejes është dënuar për një vepër penale lidhur me këtë ligj;
ç) mbajtësi i lejes ka shkelur, në mënyrë të përsëritur, dispozitat e këtij ligji, gjë që ka çuar në vënien e gjobave administrative, në përputhje me nenin 24 të këtij ligji;
d) mbajtësi i lejes nuk ka paguar gjobat administrative, të vëna në bazë të këtij ligji apo të çdo akti tjetër normativ mjedisor.
2. Ministri njofton me shkrim mbajtësin e lejes për ndryshimet e kushteve të lejes së lëshuar në bazë të këtij ligji, nëse një gjë e tilllë parandalon apo zbut dëmin ndaj mjedisit ose shëndetit të njerëzve.
Neni 18
Regjistrimi i lejeve për mbetjet e rrezikshme
1. Ministria krijon regjistrin e lejeve për mbetjet e rrezikshme.
2. Ministri miraton formatin e regjistrit, sipas modeleve të BE-së.
3. Regjistri përfshin, për çdo leje mjedisore, të dhëna të hollësishme, të plota për:
a) grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve të rrezikshme;
b) sheshin e mbetjeve të rrezikshme;
c) eksportin e mbetjeve të rrezikshme.
4. Regjistri i lejeve për mbetjet e rrezikshme është i hapur për publikun.
Neni 19
Rehabilitimi i sheshit të mbetjeve të rrezikshme
1. Kur rikuperimi apo asgjësimi i mbetjeve të rrezikshme bëhet në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji ose nuk përmbush kushtet e lejes mjedisore, kryeinspektori i mjedisit urdhëron subjektin të rehabilitojë sheshin. Në urdhrin e inspektorit kërkohet largimi i mbetjeve dhe/ose rehabilitimi i sheshit, duke e kthyer atë në gjendjen e mëparshme, përmes masave të nevojshme për riparimin apo lehtësimin e dëmit të shkaktuar ndaj mjedisit ose shëndetit të njeriut, apo për uljen e rrezikut të një dëmi të tillë nga prania e mbetjeve të rrezikshme.
2. Urdhri për rehabilitimin e sheshit lëshohet për:
a) personin që ka kryer operacionin përkatës të rikuperimit apo asgjësimit;
b) personin që ka shkaktuar apo lejuar kryerjen e operacionit të rikuperimit ose asgjësimit.
3. Personi që ka marrë një urdhër të tillë mund të ankohet te ministri brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit.
4. Ministri mund ta pranojë ankimin plotësisht, pjesërisht apo ta kundërshtojë atë.
5. Nëse personi nuk zbaton urdhrin për rehabilitimin e sheshit, brenda afatit të përcaktuar në urdhër, ministri nënkontrakton një person tjetër për të zbatuar masat e përcaktuara në urdhër dhe, në përputhje me nenin 14 të këtij ligji, siguron që shpenzimet të paguhen nga personi, kundër të cilit ishte lëshuar urdhri.
KREU VI
IMPORTI DHE EKSPORTI I MBETJEVE TË RREZIKSHME
Neni 20
Importi i mbetjeve të rrezikshme
Ndalohen në të gjitha rrethanat:
a) importi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë;
b) tranziti ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme përmes Republikës së Shqipërisë.
Neni 21
Eksporti i mbetjeve të rrezikshme
1. Eksporti i mbetjeve të rrezikshme lejohet të bëhet vetëm në bazë të lejes mjedisore, të dhënë nga ministri.
2. Leja mjedisore për eksportin e këtyre mbetjeve jepet në përputhje me rregullat dhe kërkesat e Konventës së Bazelit.
3. Kërkesa për lejen për eksportin e mbetjeve të rrezikshme i paraqitet me shkrim ministrit, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr.9010, datë 13.2.2003 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”.
4. Ministri, gjatë shqyrtimit të çdo kërkese për leje për eksport të mbetjeve të rrezikshme, mban parasysh:
a) detyrimet e Republikës së Shqipërisë, të përcaktuara në Konventën e Bazelit;
b) aktet nënligjore të miratuara nga Këshilli i Ministrave në zbatim të këtij ligji.
5. Leja për eksportin e mbetjeve të rrezikshme është e vlefshme për një periudhë kohore prej një viti dhe përfshin:
a) kushtet e përgjithshme, të përcaktuara në aktet nënligjore;
b) kushtet e veçanta, që lidhen me rastin konkret.
6. Në lejen për eksportin e mbetjeve jepen kushtet për:
a) përcaktimin e llojit apo të llojeve të mbetjeve të rrezikshme, për të cilat lëshohet leja;
b) përcaktimin e standardeve për ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve të rrezikshme dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportimit të tyre;
c) monitorimin dhe raportimin e kontingjenteve të eksportuara.
KREU VII
ASPEKTE FINANCIARE TË ADMINISTRIMIT TË MBETJEVE TË RREZIKSHME
Neni 22
Shpenzimet e administrimit, tarifat dhe taksat
1. Marrëdhëniet financiare ndërmjet personave të angazhuar në administrimin e mbetjeve të rrezikshme rregullohen mbi baza kontraktuale, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
2. Niveli i tarifave për lejet mjedisore, që lëshohen në bazë të këtij ligji, përcaktohet në përputhje me nenin 43 të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”.
KREU VIII
KONTROLLI DHE KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 23
Kontrolli
1. Veprimtaritë për administrimin e mbetjeve të rrezikshme i nënshtrohen kontrollit nga Inspektorati i Mjedisit, nëpërmjet inspektimeve të programuara dhe/ose të rastësishme të vendeve të këtyre mbetjeve, të vendeve të magazinimit të përkohshëm të tyre, si dhe të ndërmarrjeve të prodhuesve, mbajtësve, grumbulluesve dhe transportuesve të tyre, sipas standardeve teknike për masat e inspektimit, të parashikuara në shkronjën “d” të nenit 26 të këtij ligji.
2. Inspektorati i Mjedisit bashkëpunon, sipas rastit, me inspektorate të tjera.
Neni 24
Kundërvajtjet administrative
Përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë, në përputhje me nenin 25 të këtij ligji, rastet e mëposhtme:
1. Çdo person, fizik ose juridik, i angazhuar në procesin e administrimit të mbetjeve të rrezikshme, që nuk realizon administrimin e tyre, sipas kërkesave të pikës 1 të nenit 7 të këtij ligji.
2. Çdo prodhues, që nuk zbaton një program të shkruar, në kundërshtim me shkronjën “a” të pikës 3 të nenit 7 të këtij ligji.
3. Çdo prodhues, që dorëzon mbetjet e rrezikshme tek të tretët, në kundërshtim me shkronjën “c” të pikës 3 të nenit 7 të këtij ligji.
4. Çdo prodhues, që përzien mbetjet e rrezikshme me llojet e tjera të mbetjeve, në kundërshtim me shkronjën “ç” të pikës 3 të nenit 7 të këtij ligji.
5. Çdo prodhues, që nuk ruan të dhënat në formatin e caktuar për gjenerimin e mbetjeve të rrezikshme, në kundërshtim me shkronjën “d” të pikës 3 të nenit 7 të këtij ligji.
6. Çdo prodhues, që në përfundim të afatit kohor prej 6 muajsh, nuk i dorëzon agjencisë rajonale të mjedisit një kopje të të dhënave, që duhen mbajtur në përputhje me shkronjën “d” të pikës 3 të nenit 7 të këtij ligji.
7. Çdo zotërues, që dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person që nuk ka leje mjedisore për të grumbulluar dhe transportuar këto mbetje, sipas parashikimeve të nenit 8 të këtij ligji.
8. Çdo zotërues, që dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person, që nuk ka leje të vlefshme mjedisore, për rikuperimin apo asgjësimin e mbetjeve te një shesh, për të cilin nuk ekziston asnjë leje e vlefshme, sipas përcaktimeve të nenit 12 të këtij ligji.
9. Çdo person, që dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person tjetër, pa verifikuar më parë nëse ky i fundit ka leje të vlefshme mjedisore për t’i grumbulluar, transportuar apo magazinuar, përkohësisht, në mbështetje të nenit 10 të këtij ligji.
10. Çdo person, që dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person tjetër, pa marrë masa për shoqërimin e tyre me dokumentacionin shoqërues, sipas parashikimeve të nenit 9 të këtij ligji.
11. Çdo person, që dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person tjetër, pa siguruar ambalazhimin dhe etiketimin, në përputhje me shkronjën “a” të pikës 2 të nenit 8 të këtij ligji.
12. Çdo person, që dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person tjetër, pa regjistruar informacionin e kërkuar për çdo transferim të këtyre mbetjeve, sipas përcaktimeve të shkronjës “b” të pikës 2 të nenit 8 të këtij ligji.
13. Çdo person, që dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person tjetër, pa ruajtur për 3 vjet informacionin e kërkuar, të përcaktuar në pikën 5 të nenit 8 të këtij ligji, për çdo transferim të këtyre mbetjeve, ose që nuk ia vë në dispozicion këtë informacion agjencisë rajonale të mjedisit, sipas kërkesës së saj, apo ashtu siç përcaktohet prej saj.
14. Çdo person, që dorëzon mbetjet e rrezikshme te një person tjetër dhe që nuk njofton agjencinë rajonale të mjedisit me formularin e përcaktuar, brenda 30 ditëve nga data e transferimit, sipas përcaktimeve të pikës 4 të nenit 8 të këtij ligji.
15. Çdo person, që grumbullon dhe/ose transporton mbetje të rrezikshme pa leje mjedisore, sipas përcaktimeve të nenit 10 të këtij ligji.
16. Çdo person, që grumbullon dhe/ose transporton mbetje të rrezikshme, duke mos respektuar kushtet e përcaktuara në lejen e lëshuar, në mbështetje të pikës 1 të nenit 10 të këtij ligji.
17. Çdo person, që transporton mbetje të rrezikshme me mjete të papërshtatshme, në kundërshtim me pikën 5 të nenit 10 të këtij ligji.
18. Çdo person, që nuk është prodhues, i cili magazinon, përkohësisht, këto mbetje në kundërshtim me pikën 8 të nenit 10 të këtij ligji.
19. Çdo person, që ndërmjetëson për marrëveshjet për administrimin e tyre, i cili nuk është regjistruar si agjent tregtar apo ndërmjetës, në përputhje me pikën 2 të nenit 11 të këtij ligji.
20. Një agjent tregtar apo ndërmjetës i regjistruar, i cili, në kundërshtim me pikën 4 të nenit 11 të këtij ligji, nuk paraqet në ministri raportin vjetor.
21. Çdo person, që rikuperon apo asgjëson mbetje të rrezikshme në një mënyrë dhe/ose në një shesh, për të cilat nuk ka leje të vlefshme, sipas nenit 12 të këtij ligji.
22. Çdo person, që nuk u përmbahet kushteve të përcaktuara në lejen mjedisore për sheshin e mbetjeve të rrezikshme, të përcaktuara në nenin 15 të këtij ligji.
23. Çdo person, që nuk zbaton urdhrin për rehabilitimin e sheshit, sipas përcaktimeve të nenit 19 të këtij ligji.
24. Çdo person, që eksporton mbetje të rrezikshme, pa siguruar më parë lejen e nevojshme mjedisore, në përputhje me nenin 21 të këtij ligji.
25. Çdo person, që pengon kontrollin, në përputhje me nenin 23 të këtij ligji.
Kur shkeljet e vëna re përbëjnë vepër penale, strukturat kontrolluese bëjnë kallëzim për ndjekje penale.
Neni 25
Gjobat
1. Për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin 24 të këtij ligji, Inspektorati i Mjedisit jep dënime me gjobë, si më poshtë:
a) për kundërvajtjet e përcaktuara në pikat 1, 4, 7, 8, 15, 21, 22, 23 e 25 nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë;
b) për kundërvajtjet e përcaktuara në pikat 3, 9, 11, 16, 17, 18, 19 e 24 nga 300 000 (treqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
c) për kundërvajtjet e përcaktuara në pikat 2, 5, 6, 10, 12, 13, 14 e 20 nga 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 300 000 (treqind mijë) lekë.
2. Krahas dënimit me gjobë, Inspektorati i Mjedisit vendos edhe sekuestrimin e mjeteve e të lëndëve që shkaktojnë ndotje dhe dëmtim të mjedisit dhe, në varësi nga ndotja dhe dëmtimi i shkaktuar, pezullon deri në 3 muaj ose e mbyll përgjithmonë veprimtarinë, duke i hequr, përkohësisht ose përfundimisht, lejen mjedisore.
KREU IX
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 26
Standardet teknike
Me propozimin e ministrit dhe, sipas rastit, në bashkëpunim me ministrat e linjës, Këshilli i Ministrave miraton standardet teknike për administrimin e mbetjeve të rrezikshme, ku përfshihen:
a) standardet teknike për ndërtimin dhe funksionimin e shesheve të mbetjeve të rrezikshme;
b) proceset që përdoren për rikuperimin apo asgjësimin e kategorive të ndryshme të mbetjeve të rrezikshme;
c) normat e shkarkimit në ajër, ujë dhe tokë në këto sheshe;
ç) kërkesat për grumbullimin dhe transportimin e këtyre mbetjeve, në mënyrë të veçantë për ambalazhimin dhe etiketimin e tyre;
d) monitorimin dhe kontrollin e vendeve të mbetjeve të rrezikshme dhe të kërkesave për raporte shoqëruese;
dh) standardet, procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për ekportimin e këtyre mbetjeve.
Neni 27
Udhëzimet teknike
1. Ministri nxjerr udhëzim për veçimin dhe administrimin mjedisor të mbetjeve të rrezikshme, të gjeneruara nga veprimtaritë, për të cilat nuk kërkohet leje mjedisore.
2. Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton rregullat dhe procedurat e veçanta për grumbullimin veçmas dhe administrimin e tipave të mbetjeve të rrezikshme, që gjenerohen nga sektori urban.
3. Ministri miraton udhëzimet teknike, në funksion të zbatimit të këtij ligji.
Neni 28
Ndryshime
Pika 8 e nenit 3 të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”, shfuqizohet dhe zëvendësohet me përkufizimin e mbetjeve të rrezikshme, sipas parashikimeve të këtij ligji.
Neni 29
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4900, datë 2.6.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
VENDIM
nr. 835, datë 28.12.2005
PËR MIRATIMIN E LISTËS SË MBETJEVE TË RREZIKSHME, MBETJEVE DHE MBETURINAVE TË TJERA, QË NDALOHEN TË IMPORTOHEN, ME QËLLIM RUAJTJEJE, DEPOZITIMI DHE ASGJESIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 22 të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”, me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e listës së mbetjeve të rrezikshme, mbetjeve dhe mbeturinave të tjera, që ndalohen të importohen, me qëllim ruajtjeje, depozitimi dhe asgjësimi, në Republikën e Shqipërisë, sipas përcaktimeve të bëra në Katalogun Shqiptar të Klasifikimit të Mbetjeve.
2. Vendimi nr.26, datë 31.1.1994 i Këshillit të Ministrave “Për mbetjet e rrezikshme dhe mbeturinat”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
Leave a comment