LIGJ
Nr. 7643, datë 2.12.1992
PËR INSPEKTORATIN SANITAR SHTETËROR
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
ORGANIZIMI
Neni 1
Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit organizohet dhe funksionon Inspektorati Sanitar Shtetëror si organi më i lartë i kontrollit sanitar.
Inspektorati përbëhet nga kryeinspektori sanitar shtetëror i Republikës dhe inspektorët.
Neni 2
Në rrethe organizohet dhe funksionion Inspektorati Sanitar Shtetëror i rrethit, i cili përbëhet nga kryeinspektori sanitar shtetëror dhe inspektorët e ndihmës inspektorët e rrethit.
Neni 3
Kryeinspektorët, inspektorët dhe ndihmës inspektorët që punojnë në organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, janë persona të specializuar.
Neni 4
Struktura e Inspektoratit Sanitar Shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit dhe në rrethe, si dhe kompetencat për emërimin e kryeinspektorëve, inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve, miratohen nga ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.
E gjithë veprimtaria e Inspektoratit Sanitar Shtetëror në qendër e rrethe drejtohet nga kryeinspektori sanitar shtetëror i Republikës.
Neni 5
Drejtoria e Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, e mbështetur nga Instituti Kërkimor i Higjienës dhe Epidemiologjisë dhe drejtoritë e higjienës e të epidemiologjisë në rrethe, studion, kontrollon dhe evidencon shkencërisht faktorët dëmprurës për shëndetin e njerëzve në fushat e përcaktuara në nenin 13 të këtij ligji dhe pasojat që rrjedhin prej tyre.
Neni 6
Inspektorati Sanitar Shtetëror, për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që i dalin gjatë veprimtarisë së tij, bashkëpunon me organet e rendit, Prokurorinë, Policinë Financiare, organet e shërbimit veterinar dhe organe të tjera.
Neni 7
Aktet normative të ministrit të Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit dhe udhëzimet me karakter orientues të Inspektoratit Sanitar Shtetëror të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit janë të detyrueshme për organet më të ulëta të Inspektoratit.
Neni 8
Drejtoria e Shëndetit Publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit, në bashkëpunim me Institutin Kërkimor të Higjienës dhe Epidemiologjisë, harton normat higjieniko-shëndetësore, të cilat miratohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 9
Ministritë, institucionet qendrore dhe organet e tjera që propozojnë për miratim pranë Këshillit të Ministrave akte normative që lidhen me shëndetin e popullit, duhet të marrin më parë pëlqimin e Drejtorisë së Shëndetit Publik, si dhe të ISSH pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit.
KREU II
KOMPETENCAT E INSPEKTORATIT SANITAR SHTETËROR
Neni 10
Inspektorati Sanitar Shtetëror është organ ekzekutiv i specializuar, që kontrollon zbatimin e ligjeve e të akteve nënligjore sanitare në sektorët shtetërorë, privatë, veprimtaritë e ndryshme të ushtruara nga pesona fizikë e juridikë vendas a të huaj, në objektet e mëposhtme:
– në objektet e prodhimit, të ruajtjes, magazinimit, transportimit e tregtimit të produkteve të të gjitha llojeve dhe në të gjitha kategoritë e punimeve minerare;
– në objektet ku ushtrohen veprimtari socialkulturore, shëndetësore, arsimore dhe kërkimore-shkencore;
– në repartet dhe strukturat në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në ato në vartësi të Ministrisë së Rendit, në pikat kufitare, portet, aeroportet, doganat, si dhe në mjetet e transportit tokësor, hekurudhor, detar e ajror vendas e të huaj.
Neni 11
Inspektorati Sanitar Shtetëror ushtron kontroll sanitar në objektet e caktuara në nenin 10 të këtij ligji gjatë gjithë kohës së funksionimit të tyre.
Kur shihet e nevojshme, kontrolli sanitar ushtrohet edhe jashtë kohës së funksionimit të objektit, në bashkëpunim me Prokurorinë, organet e Ministrisë së Rendit Publik dhe organet e tjera të specializuara.
Neni 12
Ndërmarrjet, institucionet shtetërore e private dhe personat e tjerë fizikë e juridikë, vendas ose të huaj, për ndërtimin ose rikonstruksionin e objekteve të ndryshme janë të detyruara të kërkojnë pëlqimin e Inspektoratit Sanitar Shtetëror. Inspektorati, pasi bën ekspertimin higjieniko-shëndetësor paraprak, jep pëlqimin:
– për miratimin e sheshit të ndërtimit;
– për miratimin e projektit ndërtimor, teknologjik, rindërtimit, rikonstruksionit;
– për vënien në shfrytëzim të objektit.
Kur vërehen shkelje të mësipërme, Inspektorati Sanitar Shtetëror ndalon me vendim fillimin ose vazhdimin e punimeve, duke kërkuar plotësimin e mungesave. Zbatimi i vendimit sigurohet, kur shihet e nevojshme me ndërhyrjen e organeve të parashikuara në nenin 11 të këtij ligji.
Neni 13
Inspektorati Sanitar Shtetëror kontrollon:
a) në objektet e përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji lidhur me mbrojtjen e shëndetit të punonjësve nga ndikimi i kushteve të pafavorshme të punës, si ekspozimi ndaj lëndëve toksike, rrezatimit, zhurmave të pafavorshme të punës, si ekspozimi ndaj lëndëve toksike, rrezatimit, zhurmave, vibracioneve, mikroklimës së pafavorshme, kontrollon nivelin e sëmundjeve profesionale dhe aksidenteve në punë si pasojë e kushteve të pafavorshme të sipërpërmendura;
b) pastërtinë e tokës në qendrat e banuara, të ujërave sipërfaqësore, furnizimin e popullsisë me ujë të mjaftueshëm dhe higjienikisht të pastër, trajtimin e mbeturinave, objektet e shërbimit publik dhe zbatimin e normave sanitare në qendrat e banuara;
c) respektimin e normave të pajisjeve të institucioneve parashkollore, shkollore e universitare, që sigurojnë optimumin shëndetësor të kushteve të mësimit, jetesës e shlodhjes;
ç) respektimin e rregullave sanitare në objektet ku prodhon, ruhen, tregtohen e transportohen produktet ushqimore, kontrollon respektimin e normave higjienike të standardeve shtetërore dhe kushteve teknike të produkteve ushqimore e të artikujve të tjerë, të normave të të ushqyerit të grupeve të veçanta të popullsisë, si dhe miraton destinacionin e produkteve ushqimore me skadencë në limit ose të tejkaluar.
Neni 14
Pronarët ose drejtuesit e objekteve shtetërore a private, në të cilat ushtrohet kontroll sanitar, janë të detyruar të lejojnë kontrollin e të japin të gjithë informacionin e shpjegimet e nevojshme, si dhe të paraqesin materiale e dokumentet që kërkohen nga organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror.
Kur drejtuesit ose pronarët e objekteve shtetërore a private nuk janë të pranishëm, kontrolli sanitar kryhet në prani të personit ose të personave të pranishëm që i zëvendësojnë, të cilët janë të detyruar që, menjëherë me ardhjen e personit përgjegjës ose të pronarit, t’i paraqesin dokumentacionin e lënë nga organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror.
Neni 15
Organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror hyjnë në objektet e ndryshme vetëm për të ushtruar kontroll dhe vrojtim higjieniko-shëndetësor.
Neni 16
Inspektorët sanitarë shtetërorë, me miratimin e prokurorit, hyjnë në çdo kohë në banesa, kur kanë të dhëna e njoftime për ushtrimin e veprimtarive private pa leje shëndetësore dhe për prodhimin e produkteve ushqimore e të artikujve që interesojnë e rrezikojnë shëndetin e njerëzve, dhe marrin masa sipas dispozitave të këtij ligji.
Neni 17
Inspektorët sanitarë shtetërorë i hartojnë vendimet me shkrim dhe ia komunikojnë personit përgjegjës shtetëror ose privat. Në mungesë të personave përgjegjës shtetërorë ose privatë veprohet sipas nenit 14, paragrafi i dytë.
Asnjë vendim për masa administrative nuk mund të merret e të zbatohet, në qoftë se më parë për çdo kundërvajtje sanitare nuk është mbajtur procesverbali përkatës, ku janë të regjistruara provat dhe kundërvajtja e kryer.
Neni 18
Inspektorët sanitarë shtetërorë pezullojnë përkohësisht veprimtarinë e një pjese ose të gjithë objektit ose ta mbyllin plotësisht a pjesërisht atë, kur ai nuk plotëson kërkesat sanitare ose kur rrezikohet shëndeti i punonjësve e konsumatorëve.
Neni 19
Inspektorët sanitarë shtetërorë ndalojnë:
– prodhimin, ruajtjen, transportimin, tregtimin e produkteve ushqimore, pijeve, sapunëve dhe kozmetikës, që bien në kundërshtim me normat sanitare në fuqi, si dhe në ato raste kur tregtohen ambulatorisht produkte ushqimore dhe produkte e nënprodukte blegtorale të përpunuara ose jo që ndalohen me dispozita të veçanta të tregtohen në këtë mënyrë. Këto organe, me propozimin e personit përgjegjës, japin leje për destinacionin e mëtejshëm të tyre. Kur këto produkte do të përdoren si ushqim për kafshë, lejen e japin organet veterinare.
– konsumimin e ujit të pijshëm, në rast se dyshohet për ndotje të tij, ose kur tejkalohen normat sanitare në fuqi.
Neni 20
Inspektorati Sanitar Shtetëror merr mostra të produkteve ushqimore e të pijeve për ekzaminime të detyrueshme para qarkullimit të tyre, si dhe në rastet e quajtura të dyshimta, në sasi të përcaktuara me dispozita të veçanta dhe pa paguar vleftën e tyre.
Personat juridikë e fizikë, vendas ose të huaj, që prodhojnë, tregtojnë dhe importojnë produkte ushqimore e pije për konsum, detyrohen të dërgojnë mostra për vlerësim higjienik, që bën të mundur qarkullimin e tyre.
Neni 21
Organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror kanë për detyrë të pajisin me librezë shëndetësore gjithë personat që punojnë në objektet e prodhimit, të ruajtjes, transportimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore, në ujësjellës, në institucione parashkollore, shkollore e shëndetësore dhe në objektet e shërbimit publik, ku mund të lehtësohet përhapja e sëmundjeve ngjitëse.
Lista e profesioneve dhe kategoritë e punonjësve që pajisen me librezë shëndetësore, përcaktohen nga ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.
Neni 22
Personat që punojnë në objekte ku kryhen punë të rënda ose me faktorë të rrezikshëm për shëndetin, të përcaktuara në nenin 13, shkronja “a”, i nënshtrohen kontrollit mjekësor paraprak e periodik. Mënyra e kontrollit mjekësor përcaktohet nga ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.
Neni 23
Inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve sanitarë shtetërorë u jepen veshje pune sipas normativave të përcaktuara me dispozita të Këshillit të Ministrave.
Neni 24
Kryeinspektori sanitar shtetëror i Republikës pajis me librezë identiteti inspektorët sanitarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit, kryeinspektorin sanitar shtetëror të rrethit dhe persona të tjerë.
Kryeinspektori sanitar shtetëror i rrethit pajis me librezë identiteti inspektorët dhe ndihmës inspektorët sanitarë shtetërorë të rrethit.
Heqja e librezës së identitetit për inspektorët sanitarë shtetërorë të rrethit bëhet me propozimin e kryeinspektoratit sanitar shtetëror të rrethit dhe miratohet nga kryeinspektori sanitar shtetëror i Republikës. Heqja e librezës së identitetit të ndihmës inspektoratit sanitar shtetëror bëhet nga kryeinspektori sanitar shtetëror i rrethit.
Heqja e librezës së identitetit të inspektorëve sanitarë shtetërorë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit, kryeinspektorëve sanitarë shtetërorë të rretheve dhe personave të tjerë të pajisur nga Kryeinspektori Sanitar Shtetëror i Republikës, bëhet nga ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.
Procedura për marrjen e vendimit për heqjen e librezës së identitetit përfundon brenda një muaji nga data e propozimit.
Neni 25
Organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, për kryerjen e detyrave të ngarkuara nga ky ligj, ushtrojnë kontroll në të gjitha objektet e përcaktuara në nenin 10, që ndodhen në juridiksionin e tyre.
Inspektorët sanitarë shtetërorë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit dhe persona të tjerë të pajisur me librezë identiteti nga Drejtoria e Shëndetit Publik e Ministrisë së Shëndetësisë, këtë të drejtë e ushtrojnë në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ndalohet ushtrimi privat i profesionit që bie ndesh me detyrën e inspektoriatit sanitar shtetëror.
KREU III
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE SANITARE
Neni 26
Shkeljet e mëposhtme, kur nuk formojnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative sanitare:
1- shkelja e rregullave të zbuluara gjatë kontrolleve sanitare të ushtruara në objektet e përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji;
2- falsifikimet ose maskimet në teknologjinë e prodhimit, ruajtjes, transportit e tregtimit të produkteve ushqimore;
3- mosrespektimi i kushteve të prodhimit, sipas kërkesave sanitare që përmban standarti shtetëror ose kushti teknik i produktit ushqimor;
4- papastërtitë personale e të mjeteve të punës;
5- tregtimi i produkteve ushqimore jashtë vendeve të lejuara ose pa leje shëndetësore;
6- shkeljet sanitare në mirëmbajtjen e ujësjellësit;
7- mungesa e klorinimit të ujit të pijshëm;
8- mungesa e pastrimit të vendeve të banuara;
9- grumbullimi dhe depozitimi i plehrave në vende që mund të bëhen shkak ose burim i shfaqjes a përhapjes së sëmundjeve ngjitëse;
10- derdhja e ujërave të zeza dhe industriale në mjedise të hapura, në burime uji, derdhja e ujërave të institucioneve të ndryshme pa u dezinfektuar ose dezaktivizuar;
11- hedhja e mbeturinave dhe kafshëve të ngordhura në vende të hapura, jashtë vendeve të lejuara ose të miratuara;
12- përdorimi i ujërave të zeza për ujitjen e zarzavateve që konsumohen pa përpunim termik paraprak;
13- pranimi në institucionet parashkollore e shkollore i fëmijëve, nxënësve dhe studentëve të sëmurë ose të dyshimtë për sëmundje ngjitëse;
14- mosmarrja e miratimit prej organeve të Inspektoriatit Sanitar Shtetëror për ndërtimin dhe funksionimin e objektit;
15- moszbatimi i plotë ose i pjesshëm i detyrave a vendimeve të lëna nga organet e Inspektoriatit Sanitar Shtetëror;
16- mospajisja me librezë shëndetësore dhe mospërditësimi i saj në afatet e caktuara me akte normative;
17- konstatimi i papastërtive dhe i brejtësve e insekteve brenda dhe jashtë mjediseve të të gjitha objekteve të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji.
Neni 27
Për kundërvajtjet administrative sanitare të parashikuara nga neni 27 i këtij ligji jepen dënime me gjobë nga:
1- Kryeinspektori Sanitar Shtetëror i Republikës;
2- Kryeinspektori Sanitar Shtetëror i Rrethit dhe inspektorët sanitarë shtetërorë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit;
3- Inspektorët sanitarë shtetërorë të rrethit; dhe
4- Ndihmës inspektorët sanitarë shtetërorë të rrethit si vijojnë:
– për shkeljet e parashikuara në pikat 1, 2, 3, 6, 7 dhe 14 masa e gjobës është deri në 100000 lekë;
– për shkeljet e parashikuara në pikat 10, 11, 12, 13, 15 masa e gjobës është deri në 50000 lekë;
– për shkeljet e parashikuara në pikat 4, 5, 8 masa e gjobës është deri në 25000 lekë;
– për shkeljet e parashikuara në pikat 16, 17 masa e gjobës është deri 2500 lekë.
Masa më e vogël e dënimit me gjobë është 250 lekë.
Kur gjoba vendoset nga ndihmës inspektori i rrethit, vendimi merr fuqi ligjore në qoftë se miratohet nga inspektori i rrethit.
Për personat e pajisur me librezë shëndetësore, krahas dënimit me gjobë, mund të vendoset edhe heqja e librezës shëndetësore nga 3-12 muaj.
Inspektorët e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, ndaj personave kundërvajtës që ushtrojnë veprimtari private ambulante, mund të vendosin gjoba në vend me një shumë fikse 1000 lekë.
Kur shkeljet administrative sanitare janë me pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve, çështja denoncohet për ndjekje penale në organet e Prokurorisë.
Neni 28
Kundër vendimit të dënimit me gjobë mund të bëhet ankim, brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes së tij, te kryeinspektori sanitar shtetëror i rrethit për vendimet e inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve sanitarë shtetërorë të rrethit dhe te kryeinspektori sanitar shtetëror i Republikës për vendimet e inspektorëve sanitarë shtetërorë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit dhe të kryeinspektorëve sanitarë shtetërorë të rretheve. Aktet e këtyre organeve janë të formës së prerë.
Neni 29
Kur personat fizikë e juridikë, vendas ose të huaj, nuk kanë zbatuar brenda afatit të caktuar detyrat dhe vendimet e lëna me shkrim nga organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, dënimi me gjobë mund të jepet për herë të dytë dhe masa e dënimit është dyfish.
Neni 30
Në rastet kur personat juridikë e fizikë, vendas ose të huaj, përsëritin të njëjtat shkelje sanitare më shumë se dy herë brenda 1 viti, organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror vendosin pezullimin ose mbylljen e përkohshme a të përhershme të objektit, ose të veprimtarisë së personit juridik a fizik.
Neni 31
Inspektorati Sanitar Shtetëror pezullon ose ndalon veprimtarinë në objektet që i nënshtrohen kontrollit të tij në këto raste:
a) kur nuk plotësohen kushtet sanitare të pajtueshme me projektin e miratuar dhe me qëllimin, për të cilin ato janë ngritur;
b) kur në to ka në përdorim materiale ose tregtohen artikuj që nuk përputhen me normat sanitare në fuqi dhe për pasojë paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve.
Për objektet me karakter kombëtar vendimi jepet nga Inspektorati Sanitar Shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit, kurse për objektet me karakter lokal vendimi jepet nga inspektorati sanitar shtetëror i rrethit përkatës. Vendimi për pezullimin ose ndalimin e veprimtarisë së objektit është i formës së prerë.
Rihapja e veprimtarisë bëhet përsëri me vendim nga organet e sipërpërmendura, kur plotësohen kushtet e kërkuara.
Neni 32
Inspektorët sanitarë shtetërorë kanë të drejtë t’ua heqin librezën shëndetësore personave që vuajnë ose janë bartës të mikrobeve të sëmundjeve ngjitëse sipas ligjit “Për sëmundjet ngjitëse” për aq kohë sa këta të mos paraqesin më rrezik si përhapës të infeksionit.
Neni 33
Organet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, për kundërvajtjet administrative sanitare, mbajnë procesverbal dhe japin vendime të dënimit me gjobë, të hartuar në tri kopje. Një kopje i lihet personit të gjobitur, një kopje arkivohet në organin e Inspektoratit Sanitar Shtetëror dhe një kopje e procesverbalit dhe e vendimit të gjobës i dërgohet seksionit të financës përkatës, i cili bën vjeljen e plotë të gjobës. Gjobat derdhen në buxhetin e shtetit, kurse 5 për qind e vlerës së tyre derdhet në llogarinë e Inspektoratit Sanitar Shtetëror përkatës për ta përdorur për nevojat e tij.
Neni 34
Ekzekutimi i vendimit të dënimit me gjobë bëhet vullnetarisht brenda një muaji nga data kur vendimi merr formë të prerë.
Në rastet kur gjoba nuk shlyhet brenda kohës së caktuar, për çdo ditë vonesë, masa e gjobës rritet me 3 për qind të vlerës deri në 30 ditë.
Pas kalimit të këtij afati seksioni përkatës i financës bën ekzekutimin e detyrueshëm të dënimit me gjobë, sipas ligjit për nxjerrjen e të ardhurave shtetërore dhe detyrimeve.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 35
Ekspertimet sanitare dhe kontrollet laboratorike që kërkohen nga personat juridikë e fizikë, vendas a të huaj, bëhen kundrejt tarifave të shërbimit, masa e të cilave përcaktohet nga ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.
Ekzaminimet për pajisjen me librezë shëndetësore të punonjësve bëhen kundrejt tarifave të shërbimit, masa e të cilave përcaktohet nga ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.
Neni 36
Dekreti nr.4396, datë 7.6.1968 “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror”, ndryshuar me dekretin nr.5688, datë 24.2.1978, shkronja “h” e nenit 5 dhe fraza: “si dhe të respektimit të rregullave higjieno-sanitare” në pikën “b” të nenit 3 të dekretit nr.7463, datë 31.1.1991 “Për policinë financiare” dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 37
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.
Shpallur me dekretin nr.385, datë 9.12.1992 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.
L I G J
Nr.7904, datë 8.3.1995
PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7643, DATË 2.12.1992 “PËR INSPEKTORATIN SANITAR SHTETËROR”
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Në ligjin nr.7643, datë 2.12.1992 “Për inspektoratin sanitar shtetëror” bëhen ndryshime si më poshtë:
– Në nenin 3, në fund shtohen fjalët “ose të ngarkuar me këto funksione”.
– Në fund të nenit 8 shtohet paragrafi: “Autorizohet Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit të nxjerrë rregullore higjieno-sanitare, të detyrueshme për zbatim nga ministritë dhe organet e tyre vartëse, si dhe nga personat fizikë e juridikë, vendas e të huaj”.
– Në nenin 26, pika 2, në fund të paragrafit shtohen fjalët: “Kur këto ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut”.
– Në nenin 26, pika 10 ndryshohet si më poshtë:
“Ndotja e burimeve dhe objekteve të tjera të ujit të pijshëm dhe derdhja e ujërave të institucioneve të ndryshme pa u dezinfektuar ose dezaktivizuar”.
– Në nenin 27, në paragrafin e parë, fjalët “neni 27” zëvendësohen me fjalët “neni 26”. Në paragrafin me përmbajtje “Shkeljet e parashikuara në pikat 10, 11, 12, 13, 15” shtohet edhe pika 9. Në paragrafin e parafundit hiqet fjala “ambulante” dhe në këtë paragraf shtohen fjalët “pa të drejtë ankimi”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.
Shpallur me dekretin nr.1043, datë 20.3.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha
LIGJ
Nr.9635, datë 6.11.2006
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7643, DATË 2.12.1992 “PËR INSPEKTORATIN SANITAR SHTETËROR”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr.7643, datë 2.12.1992 “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror”, bëhen këto shtesa e ndryshime:
Neni 1
Titulli i ligjit ndryshohet si më poshtë:
“Për shëndetin publik dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror”.
Neni 2
Neni 1 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 1
Në Ministrinë e Shëndetësisë është organizuar dhe funksionon Inspektorati Sanitar Shtetëror, si organi më i lartë i kontrollit sanitar. Inspektorati përbëhet nga Kryeinspektori Sanitar i Republikës dhe inspektorët.”.
Neni 3
Pas nenit 1 të kreut I shtohet neni 1/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 1/1
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Shëndeti publik” është shkenca dhe arti i parandalimit të sëmundjes, zgjatjes së jetës, promocionit të shëndetit mendor e fizik dhe efiçencës, përmes përpjekjeve të organizuara të shoqërisë.
Shëndeti publik është një koncept shoqëror dhe politik, që synon përmirësimin e shëndetit, zgjatjen e jetës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë popullsinë, përmes promocionit, parandalimit të sëmundjeve dhe formave të tjera të ndërhyrjeve shëndetësore.
2. “Shëndeti mjedisor” përmbledh aspektet e shëndetit publik, që paracaktohen nga mjedisi. Ai përfshin efektet e drejtpërdrejta në shëndet nga faktorët mjedisorë, si agjentët fizikë, kimikë dhe biologjikë dhe efektet e tërthorta në shëndet dhe në mirëqenie nga faktorët psikosocialë, ku përfshihen: strehimi, zhvillimi urban, përdorimi i tokës dhe transporti.
3. “Zinxhiri ushqimor” përfshin të gjithë sistemin e prodhimit ushqimor, duke filluar që nga vendi i prodhimit të produktit ushqimor të papërpunuar deri te konsumatori, përfshirë këtu edhe përpunimin e tij, i cili, me fjalë më të përgjithshme, përshkruhet “nga ferma në tryezë”.
4. “Siguria ushqimore” është funksionimi i një sistemi gjithpërfshirës të aktorëve të ndryshëm dhe marrja e masave për realizimin dhe arritjen e qëllimit, për prodhimin dhe tregtimin e një ushqimi, që është i sigurt dhe i përshtatshëm për konsum.
5. “Hazard/dëmtues” janë të gjitha lëndët e rrezikshme, që mund të gjenden ose të shtohen përgjatë zinxhirit ushqimor, qofshin ato me natyrë fizike, kimike apo biologjike.
6. “AZKPK (HACCP)” është sistemi që përfshin analizën e hazardëve/dëmtuesve dhe kontrollin në pikat kritike, i rekomanduar për të mundësuar sigurinë ushqimore. Në të përfshihen parime të përgjithshme për kontrolle thelbësore, me qëllim sigurimin e ushqimeve të sigurta për konsum.
7. “Mjekësia e punës” përfshin të gjitha masat komplekse që duhet të promovohen, për të mbajtur në një nivel të lartë mirëqenien fizike, mendore dhe sociale të punëmarrësve në të gjitha veprimtaritë prodhuese.
8. “Treguesit e shëndetit mjedisor” janë mbledhja dhe përpunimi në grup i të dhënave të zakonshme nga sektorë të ndryshëm, në ndihmë të vlerësimit të gjendjes së shëndetit, të ndikuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nga faktorët mjedisorë, fizikë, kimikë, biokimikë, biologjikë e psikosocialë.
9. “Vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe shëndet” përmbledh vlerësimin e rrezikut në shëndet nga ekspozimi ndaj ndotësve të ndryshëm dhe përcaktimin e lidhjes që ekziston ndërmjet ekspozimit ndaj agjentit dhe rrezikut që shkakton në shëndet.”.
Neni 4
Në fund të paragrafit të dytë të nenit 4 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Për mbështetjen e veprimtarisë së Inspektoratit Sanitar Shtetëror, në fushën e shëndetit publik, krijohet Komiteti Kombëtar i Shëndetit Publik, si organ këshillimor, në funksion të Ministrit të Shëndetësisë. Në të bëjnë pjesë specialistë me përvojë në fushën e shëndetit publik. Përbërja, kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve, kompetencat, detyrat dhe mënyra e funksionimit të tij përcaktohen me rregullore të miratuar nga Ministri i Shëndetësisë. Mënyra dhe masa e shpërblimit të anëtarëve të Komitetit të Shëndetit Publik caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 5
Neni 5 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 5
Drejtoria e Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, e mbështetur nga Instituti i Shëndetit Publik, strukturat e shëndetit publik në nivel vendor dhe Inspektorati Sanitar Shtetëror në rrethe e qarqe studion, kontrollon dhe evidenton shkencërisht faktorët e dëmshëm për shëndetin e popullatës në fushat e përcaktuara në nenin 13 të këtij ligji dhe pasojat që rrjedhin prej tyre.”.
Neni 6
Neni 6 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 6
Inspektorati Sanitar Shtetëror, për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që dalin gjatë veprimtarisë së tij, bashkëpunon, në mënyrë institucionale, me strukturat e Policisë së Shtetit, prokurorinë, inspektoratet e ushqimit, të veterinarisë, mbrojtjes së bimëve, mjedisit, Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe atë të mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese.”.
Neni 7
Paragrafi i parë i nenit 12 ndryshohet si më poshtë:
“Ndërmarrjet, institucionet shtetërore e private dhe personat e tjerë fizikë e juridikë, vendas ose të huaj, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve të ndryshme duhet të bëjnë vetëdeklarimin për plotësimin e kushteve higjeniko-shëndetësore në Inspektoratin Sanitar Shtetëror.
Inspektorati Sanitar Shtetëror, pasi bën ekspertimin higjeniko-shëndetësor paraprak, jep aktmiratimin:”.
Neni 8
Në nenin 13 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Fjalia e parë ndryshohet si më poshtë:
“Inspektorati Sanitar Shtetëror monitoron dhe kontrollon:”.
2. Në fund të shkronjës “b” shtohen fjalët “edhe treguesit e shëndetit mjedisor, të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”.
3. Në fund të shkronjës “c” shtohen fjalët “si dhe analizën e hazardëve dhe kontrollin në pikat kritike në të gjithë zinxhirin për prodhimin e produkteve ushqimore”.
4. Në fund të shkronjës “ç”, pas fjalës “transportohen” shtohen fjalët “e konsumohen”.
Neni 9
Në fund të pikës 3 të nenit 26 shtohen fjalët “dhe i AZKPK-së (HACCP)”.
Neni 10
Në nenin 27 bëhen këto ndryshime:
Në pikën 4 bëhet ndryshimi si më poshtë:
“- për shkeljet e parashikuara në pikat 1, 2, 3, 6, 7 dhe 14, masa e gjobës është 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
– për shkeljet e parashikuara në pikat 4, 5 e 8, masa e gjobës është 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
– për shkeljet e parashikuara në pikat 10, 11, 12, 13 e 15, masa e gjobës është 200 000 (dyqind mijë) lekë;
– për shkeljet e parashikuara në pikat 9, 16 e 17, masa e gjobës është 10 000 (dhjetë mijë) lekë.”.
Neni 11
Në nenin 34 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në paragrafin e parë hiqet fjala “vullnetarisht”.
2. Në paragrafin e tretë, pas fjalës “financës” shtohen fjalët “njësi e qeverisjes vendore”.
3. Në fund të këtij neni shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative, të parashikuar në dispozitat e mësipërme, bëhet sipas ligjit nr.7679, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.”.
Neni 12
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5121, datë 20.11.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
Leave a comment