L I G J
Nr.8766, datë 5 .4.2001
PËR MBROJTJEN NGA ZJARRI DHE PËR SHPËTIMIN
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I :
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Misioni
1. Mbrojtja e jetës së njerëzve dhe e pronës nga rreziku i zjarrit dhe i fatkeqësive natyrore e fatkeqësive të tjera në rastet e emergjencave, është detyrë e organeve shtetërore, e ministrive dhe institucioneve qendrore, e organeve të qeverisjes vendore, e organeve të specializuara, e personave juridikë e fizikë vendas ose të huaj.
2. Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit (PMNZSH) ka si qëllim parandalimin dhe shpëtimin e jetës së njerëzve e të pronës nga rreziku i zjarrit, kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë, dhënien e asistencës teknike, si dhe ndërhyrjen në rastet e emergjencave e të fatkeqësive natyrore e fatkeqësive të tjera.
3. Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit (PMNZSH) është pjesë e administratës, në përbërje të strukturës së Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe e strukturave të prefektit. Strukturat e mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit krijohen edhe në organet e qeverisjes vendore, në objektet me rëndësi shtetërore dhe në personat juridikë e fizikë, mbështetur në normat teknike.
4. PMNZSH-ja është organ shtetëror i specializuar i gatishmërisë së përhershme.
5. Veprimtaria e PMNZSH-së bazohet në ligj, në akte nënligjore të nxjerra në bazë dhe në zbatim të tyre dhe në normat teknike ndërkombëtare të pranuara.
KREU II
STRUKTURA E POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRRI
DHE E SHPËTIMIT
Neni 2
Organizimi i strukturave shtetërore
Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit përbëhet nga:
I. Drejtoria e PMNZSH-së.
1. Në Ministrinë e Pushtetit Vendor, brenda Departamentit të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, funksionon Drejtoria e PMNZSH-së.
2. Drejtoria e PMNZSH-së është autoriteti më i lartë teknik dhe profesional për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin. Ajo e përfaqëson këtë polici në marrëdhëniet me organet e tjera të administratës publike, me organizatat joqeveritare, me komunitetin brenda vendit, si dhe në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare, simotra, në kuadër të programeve të përcaktuara nga Departamenti i Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile.
3. Drejtoria e PMNZSH-së përgjigjet për drejtimin dhe kontrollin e veprimtarisë së të gjitha strukturave të PMNZSH-së në shkallë vendi. Ajo organizon kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë, përgjigjet për formimin, trajnimin e personelit dhe planifikon e bën kompletimin materialo-teknik të stacioneve të mbrojtjes nga zjarri e të shpëtimit në varësi të saj.
II. PMNZSH-ja e qarkut.
1. Në qark funksionon PMNZSH-ja e qarkut në varësi të prefektit.
2) Nën drejtimin e drejtpërdrejtë të PMNZSH-së së qarkut janë:
a) stacionet zjarrfikëse të gatishmërisë së përhershme, të vendosura në qendër të qarkut dhe të rretheve;
b) stacionet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit të gatishmërisë së përhershme, të vendosura në objekte me rëndësi në shkallë vendi;
3. PMNZSH-ja e qarkut kontrollon veprimtarinë e të gjithë strukturave të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit që veprojnë në territorin e qarkut.
4. Përbërja e strukturës dhe limiti organik i PMNZSH-së përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 3
Stacionet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit të gatishmërisë së përhershme
1. Në qendrat e qarqeve dhe të rretheve jo qendër qarku, funksionojnë stacionet e gatishmërisë së përhershme të PMNZSH-së.
2. Stacionet e PMNZSH-së së gatishmërisë të përhershme, janë forca të specializuara. Ato kanë për detyrë shpëtimin e jetës së njerëzve dhe shpëtimin e pronës nga zjarri, ndërhyrjen në rastet e emergjencave nga rreziqet teknologjike dhe industriale në rastet e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera.
3. Ato plotësohen me teknikë e pajisje të domosdoshme, që përdoren vetëm për përmbushjen e misionit të tyre.
4. Shpenzimet për ngritjen, mbajtjen e funksionimin e tyre përballohen nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera, që sigurohen sipas përcaktimeve në nenet e veçanta të këtij ligji.
Neni 4
Stacionet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në objektet me rëndësi në shkallë vendi
1. Në veprat me rëndësi ekonomike, ushtarake e strategjike, në shkallë vendi, si porte, aeroporte, qyteza turistike dhe territore me vlera të veçanta historike, kulturore, arkeologjike, muzeale dhe ekonomike, të përcaktuara të tilla nga Këshilli i Ministrave, garantohet infrastruktura e plotë për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, në përputhje me normat teknike dhe ato ndërkombëtare.
2. Në këto objekte vendosen e krijohen stacionet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit të gatishmërisë së përhershme, të cilat janë në përbërje e limit organik i institucioneve që i administrojnë ose që i kanë në pronësi. Veprimtaria e tyre parësore shtrihet brenda territorit të objekteve, për të cilat janë ngritur.
3. Objektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni plotësohen me teknikë e pajisje si me sisteme sinjalizimi, sisteme stacionare të shuarjes së zjarrit, me hidrante zjarrfikëse dhe me mjete e pajisje të tjera shpëtimi.
4. Ky lloj shërbimi ndërhyn edhe për dhënien e ndihmës jashtë territorit ku ata veprojnë për shpëtimin e jetës së njerëzve e për shpëtimin e pronës nga zjarri, për zhdukjen e pasojave nga rreziqet teknologjike e industriale, si dhe në rastet e emergjencave e të fatkeqësive të tjera, kur një gjë e tillë kërkohet nga prefekti ose nga kryetari i bashkisë ose komunës përkatëse.
5. Shpenzimet për ngritjen dhe funksionimin e këtyre stacioneve përballohen nga personat juridikë, që i kanë në pronësi ose në administrim.
6. Drejtimi metodik dhe kualifikimi profesional i personelit të këtyre stacioneve bëhet nga Drejtoria e PMNZSH-së.
Neni 5
Organizimi në nivel vendor
1. Në bashki ose komuna, me vendim të këshillit përkatës, krijohen stacionet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, në bazë të studimeve të përbashkëta, të bëra nga Drejtoria e PMNZSH-së dhe organet e pushtetit vendor, mbështetur në normat teknike dhe në ato ndërkombëtare.
2. Shpenzimet për ngritjen, mbajtjen dhe funksionimin e tyre përballohen nga buxheti i bashkive ose i komunave.
Neni 6
Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit pranë subjekteve të tjera
1. Persona juridikë dhe fizikë, vendas dhe të huaj, organizojnë shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe të objekteve që përfshihen në administrimin e tyre, mbështetur në normat teknike dhe në ato ndërkombëtare.
2. Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në subjektet e mësipërme, drejtimi metodik e kualifikimi profesional bëhet nën drejtimin e PMNZSH-së të qarkut.
Neni 7
Shërbimi vullnetar i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit
1. Shërbimi vullnetar i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit organizohet nga:
a) organet e pushtetit vendor në qytete, qendra urbane dhe objekte e institucione, pronë e tyre.
b) personat juridikë dhe fizikë, vendas e të huaj, për veprimtaritë e tyre ekonomike e shoqërore.
2. Mënyra e organizimit, e përgatitjes dhe e shpërblimit të anëtarëve të shërbimit vullnetar të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, në rastet e ndërhyrjeve për zhdukjen e pasojave të shkaktuara nga zjarri, nga fatkeqësitë natyrore dhe nga fatkeqësitë e tjera, në zbatim të këtij ligji, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor.
Neni 8
Ndarja e personelit
1. Sipas detyrave dhe funksioneve që kryejnë në PMNZSH, punonjësit e shërbimit ndahen në këto nivele: bazë, të mesëm, të lartë dhe madhor.
2. Në punonjësit e nivelit bazë të PMNZSH-së bën pjesë personeli i shërbimit.
3. Në punonjësit e nivelit të mesëm të PMNZSH-së bëjnë pjesë komandanti i stacionit dhe inspektori i parandalimit.
4. Në punonjësit e nivelit të lartë të PMNZSH-së bëjnë pjesë shefi i sektorit të PMNZSH-së pranë prefektit, shefi i sektorit dhe inspektori në Drejtorinë e PMNZSH-së.
5. Në nivelin madhor bën pjesë Drejtori i Drejtorisë së PMNZSH-së.
6. Njesimi i funksioneve të PMNZSH-së me funksionet përkatëse në Policinë e Shtetit bëhet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor.
Neni 9
Gradat në PMNZSH
1. Gradat në PMNZSH fitohen sipas kritereve dhe roleve. Kriteret për fitimin e gradave janë:
a) arsimi;
b) vjetërsia në shërbim;
c) kualifikimi profesional;
ç) karriera në strukturat e PMNZSH-së.
2. Gradimet për rolin e mesëm e të lartë bëhen me urdhër të Ministrit të Pushtetit Vendor, me propozim të Komisionit të Gradave.
3. Gradimet për rolin bazë të PMNZSH-së bëhen me urdhër të Drejtorit të PMNZSH-së, me propozim të Komisionit të Gradave.
4. Përbërja e funksionimi i Komisionit të Gradave përcaktohet me urdhër të Ministrit të Pushtetit Vendor.
Neni 10
Pranimi në PMNZSH
1.Për nivelin bazë:
Për këtë nivel mund të konkurrojnë për punonjës të këtij shërbimi shtetasit shqiptarë, pa dallim, që plotësojnë këto kushte:
a) kanë kryer shkollën e mesme;
b) kanë kryer shërbimin e detyruar ushtarak;
c) janë nën moshën 35 vjeç;
ç) nuk janë dënuar nga gjykata për kryerjen e një vepre penale,
d) gëzojnë shëndet të mirë dhe aftësi fizike për të kryer detyra të veçanta me rrezik të shtuar.
2. Për nivelin e mesëm dhe të lartë:
Në këto nivele konkurrojnë ata persona që kanë kryer Akademinë e Rendit Publik ose Universitetin Politeknik, në bazë të testimit të bërë nga Drejtoria e PMNZSH-së.
Neni 11
Formimi dhe trajnimi
Punonjësit e PMNZSH-së i nënshtrohen formimit dhe trajnimit në kurset pranë Shkollës së Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe në Qendrën e Trajnimit të Emergjencave Civile.
Neni 12
Emërimi dhe lirimi nga detyra
1. Emërimi dhe lirimi nga detyra e Drejtorit të PMNZSH-së bëhet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor.
2. Marrja e titullit oficer i PMNZSH-së dhe heqja e këtij titulli bëhen nga Ministri i Pushtetit Vendor, në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin nr.8643, datë 20.7.2000 “Për gradat në Policinë e Shtetit”.
3. Emërimi dhe lirimi nga detyra e personelit oficer, në përbërje të strukturës së PMNZSH-së bëhet nga Ministri i Pushtetit Vendor.
4. Emërimi dhe lirimi nga detyra i personelit të shërbimit në strukturat e prefektit bëhet nga prefekti me propozim të shefit të PMNZSH-së.
Neni 13
Largimet dhe përjashtimet
1. Punonjësi i PMNZSH-së largohet nga detyra:
a) kur mbush moshën për pension;
b) kur bëhet i paaftë nga ana shëndetësore për 6 muaj ose me vendim të komisionit mjekësor;
c) kur kërkohet nga ai vetë, pasi ka plotësuar kushtet e kontratës së pranimit;
ç) kur shkurtohet funksioni organik.
2. Punonjësi i PMNZSH-së përjashtohet në rastet e mëposhtme:
a) Kur kryen në mënyrë të përsëritur thyerje të rënda të disiplinës.
b) Kur nuk paraqitet në punë pa shkaqe të arsyetuara mbi 7 ditë.
c) Kur është pranuar në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në këtë ligj.
ç) Kur dënohet penalisht me vendim gjykate të formës së prerë.
Neni 14
Qëndrimi ndaj shërbimit
1. Punonjësit të PMNZSH-së i ndalohet, në çdo rast, të largohet nga shërbimi, veçse me urdhër ose leje të eprorit.
2. Punonjësit të PMNZSH-së i ndalohet që gjatë shërbimit të kryejë veprime ose sjellje që bien ndesh me përmbushjen e detyrës.
3. Punonjësit e PMNZSH-së janë të detyruar t’u përgjigjen me korrektësi dhe shpejtësi gjendjes së gatishmërisë në sektorin ose stacionin zjarrfikës, ku ata shërbejnë.
4. Kur e kërkojnë nevojat e shërbimit, punonjësit e PMNZSH-së janë të detyruar të punojnë edhe jashtë orarit të punës, kundrejt shpërblimit.
Neni 15
Paprekshmëria
1. Fyerja, kundërshtimi dhe çdo veprim tjetër i dhunshën ndaj punonjësit të PMNZSH-së dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal.
2. Kur atij, për shkak të shërbimit, i rrezikohet jeta, familja ose i dëmtohet prona, shteti i garanton mbrojtje të veçantë. Kushtet dhe mënyra e përfitimit të saj janë të njëjta me ato të Policisë së Shtetit, të përcaktuara në dispozita të veçanta.
3. Punonjësi i PMNZSH-së nuk mund të ndiqet penalisht nëse gjatë ushtrimit të veprimtarisë për shuarjen e zjarrit dhe të shpëtimit shkakton dëme anësore, përjashtuar rastet kur vërtetohet se ato janë bërë me qëllim.
4. Statusi i punonjësit të PMNZSH-së, i përcaktuar me këtë ligj, nuk ndryshon edhe në kushtet e gjendjes së luftës, të gjendjes së jashtëzakonshme ose të rasteve të emergjencave ose të fatkeqësive të tjera. Ai zbaton masat e jashtëzakonshme në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin përkatës.
Neni 16
Uniforma, stema dhe gradat
1. PMNZSH-ja ka uniformë të veçantë me shenja dalluese përkatëse, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Sistemi i gradave funksionon sipas përcaktimeve në ligjin nr.8643, datë 20.7.200 “Për gradat në Policinë e Shtetit”.
KREU III
BUXHETI DHE MARRËDHËNIET ME ADMINISTRATËN PUBLIKE
Neni 17
Buxheti
1. Buxheti i strukturës shtetërore të PMNZSH-së është pjesë e Buxhetit të Shtetit, miratuar për Ministrinë e Pushtetit Vendor, me titull dhe kre të veçantë.
2. Buxheti i strukturës shtetërore të PMNZSH-së përbëhet dhe nga të ardhurat që krijohen nga:
a) taksat e sigurimit nga zjarri, sipas përcaktimit me ligj;
b) tarifat e shërbimeve që kryhen ndaj të tretëve;
c) gjobat;
ç) dhurues të ndryshëm;
d) forma të tjera të njohura me ligj.
3. Pasqyrimi, administrimi dhe mënyra e përdorimit të të ardhurave të përkufizuara në pikën 2 të këtij neni, në interes të Drejtorisë së PMNZSH-së, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 18
Marrëdhëniet me shoqëritë e sigurimeve
1. PMNZSH-ja dhe shoqëritë e sigurimeve, bashkëpunimin e tyre e realizojnë nëpërmjet kontratave që lidhin për caktimin e kushteve teknike për objektet që sigurohen nga zjarri dhe në rastet e ekspertizës teknike të zjarreve të rëna në to.
2. Specialisti i PMNZSH-së, në rast zjarri në objektin e siguruar bën sipas kërkesës së shoqërisë të sigurimit, aktin e ekspertizës teknike dhe i vë në dispozicion kësaj shoqërie dokumentacionin teknik që zotëron.
Neni 19
Marrëdhëniet me administratën publike
Në përmbushjen e detyrave, PMNZSH-ja bashkëpunon me të gjitha strukturat e administatës publike, si dhe me personat juridikë e fizikë vendas ose të huaj, nëpërmjet akteve nënligjore e normative, duke lidhur marrëveshje e kontrata me detyrim të ndërsjelltë.
Neni 20
Lidhja e kontratës dhe tarifat
1. Personat juridikë ose fizikë, vendas ose të huaj, lidhin kontratë me PMNZSH-në për dhënien e asistencës teknike dhe vënien në dispozicion të personelit e të teknikës zjarrfikëse.
2. Tarifat për llojet e shërbimeve që kryhen ndaj të tretëve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 21
Marrëdhëniet me njësitë e qeverisjes vendore
1. Organet e PMNZSH-së së qarkut bashkëpunojnë me njësitë e qeverisjes vendore për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, si dhe për zbatimin e dispozitave të këtij ligji e të dispozitave të tjera të veçanta.
2. Aktet e organeve të qeverisjes vendore janë të detyrueshme për PMNZSH-në e qarkut, derisa ato përputhen me detyrat e saj të parashikuara në këtë ligj dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore.
KREU IV
DETYRAT E ORGANEVE QENDRORE DHE VENDORE
Neni 22
Ministri i Pushtetit Vendor
1. Ministri i Pushtetit Vendor përgjigjet përpara Këshillit të Ministrave dhe drejton shërbimin e PMNZSH-së në shkallë vendi.
2. Ministri i Pushtetit Vendor nxjerr urdhra dhe udhëzime me karakter të përgjithshëm për shërbimin e PMNZSH-së, të detyrueshme për ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, për organet e qeverisjes vendore dhe për subjektet e tjera.
Neni 23
Ministritë dhe institucionet qendrore
Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, ministritë dhe institucionet qendrore, në objektet e linjës së tyre, kanë këto detyra:
a) Organizojnë punën dhe marrin masa për zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe të rregulloreve për mbrojtjen nga zjarri.
b) Planifikojnë fonde financiare për përmirësimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit.
c) Nxjerrin urdhra e udhëzime për caktimin e rregullave për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin.
ç) Në studimet urbanistike dhe në projektet e veprave që miratohen prej tyre kanë edhe studimin për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, si dhe parashikojnë fondet financiare për këtë qëllim.
d) Organizojnë, në bashkëveprim me specialistët e PMNZSH-së, kontrolle të specializuara, për caktimin e masave për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në objektet e linjës së tyre.
dh) Planifikojnë dhe dërgojnë në kurse kualifikimi për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin specialistë e punonjës të subjekteve të tyre. Shpenzimet për kualifikimin e tyre përballohen nga vetë subjektet.
e) Marrin në analizë gjendjen e masave të sigurisë nga zjarri në objektet e linjës së tyre.
ë) Zhvillojnë në sistemin e arsimit të mesëm programin për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin dhe në arsimin 8-vjeçar të japin njohuri për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin në lëndën e edukatës qytetare.
Neni 24
Organet e pushtetit vendor
Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, organet e pushtetit vendor kanë këto detyra kryesore:
a) Sigurojnë zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe marrin masa për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin në objektet që kanë në administrim ose në pronësi.
b) Financojnë ngritjen, mbajtjen dhe funksionimin e stacioneve të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, sipas përcaktimeve në dispozita të veçanta.
c) Planifikojnë dhe japin fonde për përmirësimin e infrastrukturës për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin në bashki e komuna.
ç) Nxjerrin vendime, urdhra dhe urdhëresa të detyrueshme për zbatim nga personat juridikë dhe fizikë vendas ose të huaj, që kryejnë veprimtari në juridiksionin e tyre.
d) Vendosin lidhje dhe bashkëpunojnë me partnerë ose dhurues të shteteve të tjera, për të siguruar asistencë teknike, kualifikime e specializime për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, si dhe për furnizimin materialo-teknik të zjarrfikësve.
dh) Në studimet urbanistike dhe në projektet e veprave që hartohen dhe miratohen nga ana e tyre, të parashikojnë masat organizative e teknike dhe fondet financiare për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin.
e) Marrin në analizë gjendjen e masave të sigurisë nga zjarri dhe të shpëtimit dhe përcaktojnë detyra për përmirësimin e tyre në njësinë administrative.
ë) Kontrollojnë organizimin, funksionimin dhe zbatimin e detyrave të stacioneve të mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit, që kanë në varësi.
f) Kërkojnë dhe japin në raste zjarresh masive, emergjencash e fatkeqësish të tjera,ndihmë me automjete, pajisje e personel nga stacionet zjarrfikëse në bashkitë dhe komunat fqinje.
Neni 25
Detyrat e personave juridikë e fizikë, vendas ose të huaj
Personat juridikë dhe fizikë, vendas ose të huaj, detyrohen:
a) të zbatojnë dispozitat e parashikuara nga ky ligj, rregulloret dhe aktet e tjera normative për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin të nxjerra në zbatim të këtij ligji, si dhe normat ndërkombëtare teknike të pranuara;
b) të kontrollojnë gjendjen e masave për sigurimin nga zjarri dhe shpëtimin;
c) të planifikojnë fonde financiare për ndërtimin e infrastrukturës për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, si dhe për përmirësimin e kësaj infrastrukture;
ç) të pajisin objektet e tyre me sisteme sinjalizimi, sisteme ndërlidhjeje, sisteme stacionare automatike me hidrante zjarrfikëse për shuarjen e zjarreve dhe për shpëtimin, në përputhje me normat teknike, si dhe t’i mbajnë ato në gatishmëri;
d) të hartojnë rregullat e brendshme për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, në përputhje me rrezikshmërinë e proceseve teknologjike dhe të kërkojnë zbatimin e tyre;
dh) të shoqërojnë me certifikatë prodhimet e kimikateve e të lëndëve me rrezik të theksuar zjarri dhe shpërthimi, ku të përshkruhen karakteristikat fiziko-kimike, mënyrat e ruajtjes, transportimit dhe përdorimit të tyre.
KREU V
MASAT PËR MBROJTJEN NGA ZJARRI DHE PËR SHPËTIMIN
NË PROJEKTIMIN DHE NDËRTIMIN E VEPRAVE
Neni 26
Studimet urbanistike
Studimi për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin është pjesë përbërëse e studimeve urbanistike. Në to parashikohet zbatimi i dispozitave të këtij ligji, normave, rregulloreve teknike për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, si dhe i normave ndërkombëtare të pranuara.
Neni 27
Projektimi, ndërtimi dhe vënia në shfrytëzim e veprave
1. Projektimi, ndërtimi, rikonstruksioni dhe vënia në shfrytëzim e veprave dhe e objekteve të ndryshme, ndërtesave, rrjetit rrugor elektrik, ujësjellës-kanalizimeve etj. bëhen në përputhje edhe me kërkesat e këtij ligji, me normat dhe rregulloret për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, me rregullat dhe normat ndërkombëtare teknike, si dhe me rregullat e përcaktuara në dispozita të veçanta.
2. Projektet, për të gjitha llojet e ndërtimeve, përfshijnë edhe projektin e mbrojtjes nga zjarri dhe për shpëtimin.
Neni 28
Moszbatimi i detyrave në projekt
Objektet që paraqesin rrezik, me pasojë për jetën e njerëzve dhe të pasurisë, nga mosriparimi ose mosrikonstruktimi nga personat juridikë e fizikë, që i kanë në pronësi e administrim ose nga moszbatimi i akteve, ligjore e nënligjore, për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin, brenda afatit të përcaktuar nga raportet teknike të specialistëve të mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit bllokohen ose shemben, në përputhje me dispozitat e veçanta të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”.
Neni 29
Ndryshimi i destinacionit
Çdo ndryshim i destinacionit të objekteve në përgjithësi, bërja e ndryshimeve funksionale, ndërtimore, teknologjike etj., të cilat nuk janë në përputhje me destinacionin e miratuar në Këshillin e Rregullimit të Territorit, bëhet vetëm pasi të merret leje edhe në PMNZSH.
Neni 30
Nënshkrimi nga PMNZSH-ja i lejeve të ndërtimit
1. PMNZSH-ja kundërfirmos në çdo rast, studimet urbanistike, planet rregulluese, projektet e zbatimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”.
2. Drejtori i PMNZSH-së nënshkruan projektet të cilat janë hartuar nga institucionet qendrore të projektimit, të përcaktuara në dispozita të veçanta dhe që miratohen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit .
3. Shefi i sektorit të PMNZSH-së së qarkut nënshkruan projektet e dala nga institucionet e projektimit dhe nga zyrat e urbanistikës së qarqeve e të bashkive dhe që miratohen nga Këshilli i Rregullimit të Teritorit të qarkut dhe të bashkisë.
Neni 31
Kontrolli teknik pas përfundimit të punimeve
PMNZSH-ja, me përfundimin e punimeve të veprës ose të objektit, kontrollon zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe të detyrave të lëna për mbrojtjen nga zjarri e për shpëtimin. Në rast se vë re shkelje të normave ose moszbatim të detyrave të lëna, merr masat sipas përcaktimeve në këtë ligj. Ajo ndalon vënien në funksionim të objektit deri në plotësimin e kërkesave dhe gjobit investitorin ose shoqërinë ndërtuese.
Neni 32
Përgjegjësia e PMNZSH-së
1. Shefi i PMNZSH-së së qarkut mban përgjegjësi për dhënien e pëlqimit dhe për nënshkrimin e lejeve për sheshe ndërtimi, vepra e objekte, kur në to nuk respektohen dispozitat e këtij ligji.
2. Drejtoria e PMNZSH-së zgjidh konfliktet e personelit të saj vendor të mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit me personat juridikë ose fizikë, vendas ose të huaj.
KREU VI
DETYRAT DHE TË DREJTAT E PMNZSH-së
Neni 33
Detyrat
PMNZSH-ja ka këto detyra kryesore:
a) Organizon dhe drejton punën për zbatimin e ligjshmërisë, të normave e të rregulloreve për mbrojtjen e jetës së njerëzve e të pronës nga rreziku i zjarrit dhe jep asistencë teknike në këtë fushë.
b) Organizon punën për shuarjen e zjarreve dhe për shpëtimin në raste emergjencash dhe fatkeqësish të tjera.
c) Bashkëpunon me institucionet e tjera qendrore të administratës publike dhe me njësitë e qeverisjes vendore në fushën e mbrojtjes nga zjarri e të shpëtimit.
ç) Bën studime në fushën e mbrojtjes nga zjarri e të shpëtimit dhe bashkëpunon me institucionet studimore, shkencore, projektuese e me organizma simotra ndërkombëtare.
d) Ndihmon organet e hetimit, me kërkesën e tyre, në cilësinë e ekspertit, për sqarimin e rrethanave dhe të shkaqeve të rënies së zjarrit dhe bën aktin e ekspertizës teknike.
dh) Bashkëpunon me sektorë të tjerë të Policisë së Shtetit, me policinë bashkiake e policitë e tjera, me shërbimin e urgjencës shëndetësore etj. për shpëtimin e jetës së njerëzve e të pronës nga zjarri, nga rreziqet teknologjike, nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.
e) Bashkëvepron me Policinë e Shtetit, policitë e tjera, shërbimin shëndetësor dhe shërbime të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
ë) Njofton rregullisht publikun për detyrat dhe masat në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit për rreziqet që vijnë në rast zjarresh, fatkeqësish natyrore, teknologjike etj., si dhe për mënyrën e dhënies së ndihmës në këto raste.
Neni 34
Të drejtat
1. PMNZSH-ja ka këto të drejta:
a) Jep pëlqimin dhe nënshkruan dokumentacionin teknik që hartohet për sheshe ndërtimi e ndërtim veprash, objektesh, institucionesh, banesash etj., sipas dispozitave të veçanta.
b) Jep aktin teknik të plotësimit të normave të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, për të gjitha objektet para vënies së tyre në shfrytëzim.
c) Ndërpret veprimtarinë në të gjitha kategoritë e proceseve teknologjike të veprave, e objekteve dhe institucioneve, kur ato paraqesin rrezik për jetën e njerëzve, të pronës dhe kur në to nuk janë zbatuar dispozitat e këtij ligji, deri në plotësimin e tyre.
ç) Bllokon mjete transporti tokësor, detar dhe ajror kur ato paraqesin rrezik zjarri dhe shpërthimi e kur në to nuk janë respektuar normat dhe rregulloret e mbrojtjes nga zjarri e të shpëtimit.
d) Bllokon të gjitha mjediset ku ka rënë zjarr, për të ruajtur të paprekur vendin e ngjarjes.
dh) Urdhëron largimin e menjëhershëm nga mjediset publike të pajisjeve, të materialeve e të lëndëve të rrezikshme, që sjellin pasoja për jetën e njerëzve e të pronës, si të lëndëve plasëse, të municioneve, të helmeve të forta, të lëngjeve lehtësisht të ndezshme e të djegshme, të lëndëve radioaktive etj.
e) Merr masa administrative ndaj kundërvajtësve sipas dispozitave të veçanta të këtij ligji.
2. Drejtoria e PMNZSH-së, në bazë të kërkesës dhe në përputhje me kriteret e miratuara, pajis shtetas me leje për ushtrimin e profesionit ekspert në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit. Kriteret profesionale dhe objekti konkret i veprimtarisë përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Pushtetit Vendor.
3. Drejtoria e PMNZSH-së, në përputhje me kushtet teknike të përcaktuara në kontratë, u jep personave fizikë e juridikë vendas ose të huaj lejen për prodhimin, mirëmbajtjen dhe tregtimin e teknikës, të pajisjeve dhe të lëndëve që nevojiten për shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin. Kriteret e dhënies së këtyre lejeve përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Pushtetit Vendor.
KREU VII
TRAJTIMI I PUNONJËSVE TË PMNZSH-së
Neni 35
Rregullimi i pagave, përfitimet shtesë, koha e punës, koha e pushimit dhe pensioni
Pagat, përfitimet shtesë, koha e punës dhe e pushimit, si dhe dhënia e pensionit për punonjësin e PMNZSH-së, njehsohen me ato të Policisë së Shtetit.
KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
Neni 36
Përqendrimi i forcave dhe i mjeteve
Me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor, Këshilli i Ministrave bën përqendrimin e forcave dhe të mjeteve të PMNZSH-së për përballimin e emergjencave dhe të fatkeqësive të tjera.
Neni 37
Përdorimi në nevojë
1. Prefekti, për nevoja emergjente, të cilat nuk përballohen nga strukturat e PMNZSH-së që veprojnë në territorin e qarkut, urdhëron dhe mjetet e personave fizikë e juridikë që ushtrojnë veprimtari në territorin përkatës.
2. PMNZSH-ja përdor, për nevoja të ngutshme të kryerjes së detyrës, mjete transporti e ndërlidhjeje të personave fizikë e juridikë, që ndihmojnë në shpëtimin e jetës së njerëzve e të pronës dhe në shuarjen e zjarrit, kundrejt shpërblimit.
Neni 38
Veprimi administrativ
1. Kur oficeri i PMNZSH-së vëren shkelje administrative, për të cilat dispozitat e këtij ligji e ngarkojnë me këto detyra, ai vendos masa administrative dhe masa të tjera të parashikuara në ligj, si gjobë, procedim administrativ, bllokim ose ndërprerje të veprimtarisë.
2. Për shkeljet e parashikuara në nenin 25, oficeri i PMNZSH-së ka të drejtë të japë gjobë të menjëhershme nga 500 deri në 5 000 lekë.
3. Për shkeljet e parashikuara në nenet 25, 27, 29 e 31 oficeri i PMNZSH-së jep gjobë, me vendim nga 5 000 deri në 100 000 lekë.
Ai jep po këtë gjobë në rastet kur:
a) nuk janë zbatuar detyrat e lëna me aktkontroll;
b) ka rënë zjarr për shkak të shkeljeve të rregullave teknike të mbrojtjes nga zjarri e të shpëtimit;
c) janë bllokuar rrugët e kalimit si rezultat i kryerjes së punimeve të ndërtimit.
4. Oficeri i PMNZSH-së bën bllokimin e çdo kategorie objekti, kur ai paraqet rrrezik të theksuar për rënie zjarri e shpërthimi dhe kur nuk janë zbatuar detyrat e lëna që përbëjnë shkelje sipas neneve 26, 27, 28, 29, 31 dhe 37 pika 2 të këtij ligji.
5. PMNZSH-ja bën kallzim penal për shkeljet e parashikuara në nenet 28, 31 dhe 38 të këtij ligji.
6. Të drejtën e vënies së gjobës të menjëhershme dhe të mbajtjes së procesverbalit e kanë shefat e PMNZSH-së, inspektorët e parandalimit dhe komandantët e stacioneve.
Neni 39
Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative
Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative bëhet nga shefi i sektorit të PMNZSH-së së qarkut, i cili vendos masën e gjobës sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ekzekutimi i këtyre gjobave bëhet sipas ligjit nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.
Neni 40
Apelimi
1. Kundër vendimit të marrë nga shefi i sektorit të PMNZSH-së të qarkut bëhet ankim brenda 10 ditëve nga data e komunikimit në Drejtorinë e PMNZSH-së në Ministrinë e Pushtetit Vendor.
2. Kundër vendimit të marrë nga drejtori i PMNZSH-së në Ministrinë e Pushtetit Vendor, kundërvajtësi ka të drejtën e ankimit në gjykatën e rrethit gjyqësor.
Neni 41
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohen Këshilli i Ministrave, Ministria e Pushtetit Vendor, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, prefektët dhe kryetarët e bashkive e të komunave të nxjerrin akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji.
Neni 42
Shfuqizime
Ligji nr.7707, datë 17.5.1993 “Për mbrojtjen nga zjarri” shfuqizohet.
Neni 43
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.2971, datë 18.4.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani
Leave a comment