L I G J
Nr. 9424, datë 6.10.2005
PËR RATIFIKIMIN E “PROTOKOLLIT TË VLERËSIMIT STRATEGJIK MJEDISOR”
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikohet “Protokolli i vlerësimit strategjik mjedisor”, hartuar në kuadër të Konventës “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4673, datë 20.10.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu
PROTOKOLLI I VLERËSIMIT STRATEGJIK MJEDISOR
I KONVENTËS SË VLERËSIMIT STRATEGJIK MJEDISOR NË KONTEKSTIN NDËRKUFITAR
Palët e këtij protokolli,
duke njohur rëndësinë e integrimit të problemeve mjedisore dhe të atyre shëndetësore në përgatitjen dhe miratimin e planeve, programeve dhe aty ku është e mundshme në politika dhe legjislacion;
duke u angazhuar në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe si rezultat duke u bazuar në konkluzionet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin (Rio-de-Zhanejro, Brazil, 1992), në veçanti në parimet 4 dhe 10 të Deklaratës së Rios mbi Mjedisin dhe Zhvillimin dhe Axhendës 21, në rezultatet e Konferencës së Tretë Ministrore mbi Mjedisin dhe Shëndetësinë (Londër, 1999) dhe të Samitit Botëror mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm (Johanesburg, Afrika e Jugut, 2002);
duke pasur parasysh Konventën mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis në Kontekst Ndërkufitar, nënshkruar në Espo, Finlandë më 25 shkurt 1991 dhe vendimin II/9 të palëve të saj të marrë në Sofje më 27 shkurt 2001, sipas të cilit është vendosur të përgatitet një protokoll ligjërisht i detyrueshëm mbi vlerësimin strategjik mjedisor;
duke pranuar se vlerësimi strategjik mjedisor duhet të ketë një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe miratimin e planeve, programeve dhe, aty ku është e mundur, në politikat dhe legjislacion, dhe se zbatimi më i gjerë i parimeve të vlerësimit strategjik mjedisor në planet, programet, politikat dhe legjislacion do të forcojë më tej analizën sistematike të pasojave të tyre domethënëse mjedisore;
duke marrë në konsideratë Konventën për akses në informacion, për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje dhe akses në drejtësi për çështjet mjedisore, nënshkruar në Aarhus më 25 qershor 1998 dhe duke njohur paragrafët përkatës të Deklaratës së Lukas, miratuar në takimin e parë të palëve;
të ndërgjegjshme për dhënien rëndësi të pjesëmarrjes së publikut në vlerësimin strategjik mjedisor;
duke njohur përfitimet që do të vijnë në shëndetin dhe mirëqenien e brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm, nëse nevoja për të mbrojtur dhe përmirësuar shëndetin e popullsisë merret parasysh në vlerësimin strategjik mjedisor, dhe duke mirënjohur punën e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për këtë çështje;
duke pasur parasysh nevojën dhe rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar në vlerësimin e efekteve ndërkufitare mjedisore, përfshirë edhe shëndetësore, të planeve, programeve dhe, aty ku gjen shtrirje, të politikave dhe legjislacionit të propozuar;
kanë rënë dakord si më poshtë:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij protokolli është të krijojë kushtet për një nivel më të lartë mbrojtjeje të mjedisit, përfshirë edhe shëndetin:
a) duke siguruar që çështjet mjedisore, përfshirë edhe ato shëndetësore, të merren thellësisht në konsideratë në zhvillimin e planeve dhe programeve;
b) duke kontribuar në marrjen në konsideratë të çështjeve mjedisore dhe shëndetësore në përgatitjen e politikave dhe legjislacionit;
c) duke vendosur procedura të qarta, transparente dhe efektive për vlerësimin strategjik mjedisor;
d) duke siguruar pjesëmarrjen e publikut në vlerësimin strategjik mjedisor; dhe
e) duke integruar me këto mjete çështjet mjedisore dhe shëndetësore në masat dhe instrumentet e përcaktuara për zhvillim të qëndrueshëm.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllimet e këtij protokolli:
1. “Konventë” i referohet Konventës mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar;
2. “Palë” i referohet një pale kontraktuese të këtij protokolli, me përjashtim të rastit kur në tekst ka tjetër indikacion;
3. “Pala e origjinës” i referohet palës ose palëve të këtij protokolli brenda juridiksionit të të cilave parashikohet përgatitja e planit ose programit;
4. “Pala e prekur” i referohet palës ose palëve të këtij protokolli, të cilat mund të preken nga efekte mjedisore ose shëndetësore të planeve ose programeve;
5. “Plane dhe programe” i referohet planeve dhe programeve ose çdo ndryshimi në to, që:
a) janë kërkuar nga dispozita ligjore, rregullatore ose administrative;
b) janë subjekt i përgatitjes dhe/ose aprovimit nga një autoritet, ose përgatitjes nga një autoritet për aprovim nga parlamenti ose qeveria, nëpërmjet një procedure formale;
6. “Vlerësim strategjik mjedisor” i referohet vlerësimit të efekteve të mundshme, mjedisore dhe shëndetësore, të cilat përfshijnë përcaktimin e qëllimit të një raporti mjedisor, përgatitjen e tij, kryerjen e pjesëmarrjes së publikut dhe konsultimeve, marrjen në konsideratë të raporteve mjedisore, të rezultateve të pjesëmarrjes së publikut dhe konsultimeve në një plan ose program;
7. “Efekt mjedisor dhe shëndetësor” i referohet çdo efekti të mjedisit, përfshirë shëndetin e njeriut, florën, faunën, biodiversitetin, tokën, klimën, ajrin, ujin, peizazhin, sitët natyrore, asetet materiale, trashëgiminë kulturore dhe ndërveprimin ndërmjet këtyre faktorëve;
8. “Publiku” i referohet një ose më shumë personave fizikë ose juridikë dhe, në përputhje me legjislacionin dhe praktikën vendase, shoqatat, organizatat ose grupet e tyre.
Neni 3
Dispozita të përgjithshme
1. Secila palë do të ndërmarrë masat e domosdoshme legjislative, rregullatore dhe masa të tjera të nevojshme për të zbatuar dispozitat e këtij protokolli përmes një kuadri të qartë dhe transparent.
2. Secila palë do të përpiqet që zyrtarët dhe autoritetet të ndihmojnë dhe udhëzojnë publikun për çështjet e mbuluara nga ky protokoll.
3. Secila palë do të sigurojë njohjen dhe mbështetjen e këtij protokolli nga shoqata, organizata ose grupe të cilat nxisin mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit në kuadrin e këtij protokolli.
4. Dispozitat e këtij protokolli nuk do të prekin të drejtën e një pale për të mbajtur ose ndërmarrë masa shtesë për çështjet e mbuluara nga ky protokoll.
5. Secila palë do të bëjë të ditur qëllimet e këtij protokolli në proceset përkatëse vendimmarrëse ndërkombëtare dhe në kuadrin e organizatave përkatëse ndërkombëtare.
6. Secila palë do të sigurojë që personat që ushtrojnë të drejtat e tyre në përputhje me dispozitat e këtij protokolli nuk do të ndëshkohen, përndiqen ose shtypen në asnjë mënyrë për përfshirjen e tyre. Kjo dispozitë nuk do të prekë pushtetin e gjykatave vendase për të dhënë gjoba të arsyeshme në proceset gjyqësore.
7. Brenda qëllimit të dispozitave përkatëse të këtij protokolli, publiku duhet të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtat e tij pa u diskriminuar për arsye nënshtetësie, kombësie ose vendbanimi, dhe në rastin e një personi juridik, pa u diskriminuar për arsye të vendit ku është regjistruar ose të qendrës efektive të aktiviteteve të tij.
Neni 4
Fusha e aplikimit për planet dhe programet
1. Secila palë do të sigurojë që vlerësimi strategjik mjedisor do të kryhet për planet dhe programet sipas paragrafëve 2, 3 dhe 4, të cilat mund të kenë pasoja të ndjeshme në mjedis dhe shëndet.
2. Vlerësimi strategjik mjedisor duhet të kryhet për planet dhe programet të cilat përgatiten për bujqësinë, pyjet, peshkimin, energjinë, industrinë, përfshirë minierat, transportin, zhvillimin rajonal, menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e ujërave, telekomunikacionin, turizmin, planet e përdorimit të tokës për qytetin dhe fshatin, të cilat vendosin kuadrin për miratimin e ardhshëm të zhvillimit të projekteve të listuara në aneksin I dhe të çdo projekti të listuar në aneksin II, të cilat kërkojnë një vlerësim strategjik mjedisor nën legjislacionin vendas.
3. Për planet dhe programet e tjera nga ato të paragrafit 2, të cilat vendosin kuadrin për miratimin e ardhshëm të projekteve, vlerësimi strategjik mjedisor do të kryhet aty ku e përcakton një palë, sipas nenit 5 paragrafi 1.
4. Për planet dhe programet e përmendura në paragrafin 2, të cilat përcaktojnë përdorimin e zonave të vogla në nivel lokal dhe për ndryshime të vogla në planet dhe programet e përmendura në paragrafin 2, vlerësimi strategjik mjedisor do të kryhet vetëm ku e përcakton një palë, sipas nenit 5 paragrafi 1.
5. Planet dhe programet e mëposhtme nuk janë subjekt i këtij protokolli:
a) Planet dhe programet, qëllimi i të cilave është t’i shërbejnë mbrojtjes së vendit ose emergjencave civile;
b) Plane dhe programe financiare ose buxhetore.
Neni 5
Shqyrtimi
1. Secila palë do të përcaktojë rastet kur planet dhe programet, e përmendura në nenin 4 paragrafët 3 dhe 4, mund të kenë pasoja domethënëse në mjedis dhe shëndet ose nëpërmjet një ekzaminimi rast pas rasti, ose me specifikim të tipeve të planeve dhe programeve, ose duke kombinuar të dyja përqasjet. Për këtë qëllim, në të gjitha rastet, secila palë do të marrë në konsideratë kriteret e vendosura në aneksin III.
2. Secila palë do të sigurojë që autoritetet mjedisore dhe shëndetësore, siç përmenden në nenin 9 paragrafi 1, do të konsultohen për aplikimin e procedurave të paragafit 1 si më sipër.
3. Aty ku është e mundur, secila palë do të përpiqet të krijojë mundësinë e pjesëmarrjes së publikut të interesuar në ekzaminimin e planeve dhe programeve të këtij neni.
4. Secila palë do të sigurojë që konkluzionet pas procedurave të paragrafit 1, përfshirë edhe arsyet përse nuk kërkohet vlerësim strategjik mjedisor, do të bëhen të ditura në kohë me anë të njoftimeve publike ose dhe me mjete të tjera të përshtatshme, si mediat elektronike.
Neni 6
Shtrirja
1. Secila palë do të krijojë kushtet për përcaktimin e informacionit të rëndësishëm që do të përfshihet në raportin mjedisor në përputhje me nenin 7 paragrafi 2.
2. Secila palë do të sigurojë që autoritetet mjedisore dhe shëndetësore, të përmendura në nenin 9 paragrafi 1, të konsultohen gjatë përcaktimit të informacionit të rëndësishëm që do të përfshihet në raportin mjedisor.
3. Aty ku është e mundur, secila palë do të përpiqet të krijojë mundësitë për pjesëmarrjen e publikut të interesuar në përcaktimin e informacionit që do të përfshihet në raportin mjedisor.
Neni 7
Raporti mjedisor
1. Për planet dhe programet që i nënshtrohen vlerësimit strategjik mjedisor, secila palë do të sigurojë që të përgatitet raporti mjedisor.
2. Raporti mjedisor duhet të identifikojë, përshkruajë dhe vlerësojë pasojat e rëndësishme mjedisore dhe shëndetësore që mund të kenë planet ose programet në zbatim dhe alternativat e tij të arsyeshme, në përputhje me përcaktimet nën nenin 6. Raporti duhet të përmbajë këtë informacion të specifikuar në aneksin IV siç mund të kërkohet në mënyrë të arsyeshme, duke marrë në konsideratë:
a) njohuritë dhe metodat aktuale të vlerësimit;
b) përmbajtjet dhe nivelin e detajeve të planit ose programit dhe shkallën e tij në procesin e vendimmarrjes;
c) interesat e publikut;
d) nevojat për informacion nga organi vendimmarrës.
3. Secila palë do të sigurojë që raportet mjedisore të jenë me cilësinë e mjaftueshme për t’u pranuar nga kërkesat e këtij protokolli.
Neni 8
Pjesëmarrja e publikut
1. Secila palë do të sigurojë mundësi të shpejta, të shpeshta dhe efektive për pjesëmarrjen e publikut në vlerësimin strategjik mjedisor të planeve dhe programeve, atëherë kur të gjitha mundësitë janë të hapura.
2. Secila palë do të sigurojë që projektet e planeve ose programeve dhe raporti mjedisor të jenë të disponueshme për publikun në kohën e duhur, duke përdorur mediat elektronike ose mjete të tjera të përshtatshme.
3. Secila palë do të sigurojë që të identifikohet publiku i interesuar për qëllimet e paragrafit 1 dhe 4, përfshirë këtu organizatat jofitimprurëse të fushës.
4. Secila palë do të sigurojë që publiku, të cilit i referohet paragrafi 3, të ketë mundësinë për të shprehur opinionin mbi projektin e planit ose të programit dhe mbi raportin mjedisor brenda një harku kohor të arsyeshëm.
5. Secila palë do të sigurojë që masat e detajuara për informimin e publikut dhe konsultimin e publikut të interesuar janë përcaktuar dhe shpallur publikisht. Për këtë qëllim, secila palë do të marrë në konsideratë brenda kufijve të mundshëm elementet e listuara në aneksin V.
Neni 9
Konsultimi me autoritetet mjedisore dhe shëndetësore
1. Secila palë do të përcaktojë autoritetet që do të konsultohen, të cilat mund të preken nga pasojat mjedisore ose shëndetësore të zbatimit të planit ose programit, për arsye të përgjegjësive të tyre specifike mjedisore ose shëndetësore.
2. Projekti i planit ose programit dhe raporti mjedisor do të jetë i disponueshëm për autoritetet e përmendura në paragrafin 1.
3. Secila palë do të sigurojë që autoriteteve të përmendura në paragrafin 1 t’u jepet mundësia të shprehin mendimin e tyre mbi projektin e planit ose programit dhe mbi raportin mjedisor, në mënyrë të shpejtë, efektive dhe në kohë.
4. Secila palë do të përcaktojë masat e detajuara për të informuar dhe konsultuar autoritetet mjedisore dhe shëndetësore të përmendura në paragrafin 1.
Neni 10
Konsultimet ndërkufitare
1. Kur pala e origjinës konsideron se zbatimi i një plani ose programi mund të ketë pasoja të rëndësishme ndërkufitare, mjedisore ose shëndetësore, ose kur pala që mund të preket ndjeshëm e kërkon, pala e origjinës duhet të njoftojë palën e prekur sa më shpejt që të jetë e mundur, para zbatimit të planit ose programit.
2. Ky njoftim duhet të përmbajë ndërmjet të tjerash:
a) projektin e planit ose programit dhe raportin mjedisor, ku të përfshihet informacion mbi pasojat e tij ndërkufitare, mjedisore ose shëndetësore;
b) informacion mbi procedurën e vendimmarrjes, ku të përfshihet një afat i arsyeshëm kohor për transmetimin e komenteve.
3. Pala e prekur do t’i tregojë palës së origjinës, brenda kohës së specifikuar në njoftim, se kur dëshiron të bëjë konsultime përpara zbatimit të planit ose programit dhe, nëse ndodh kështu, palët e interesuara do të hyjnë në konsultime për pasojat e mundshme ndërkufitare, mjedisore ose shëndetësore, të zbatimit të planit ose programit dhe masat e menduara për të parandaluar, zvogëluar ose zbutur pasojat negative.
4. Kur ndodhin këto konsultime, palët e interesuara do të bien dakord për masat e detajuara për t’u siguruar që publiku i interesuar dhe autoritetet, e përmendura në nenin 9 paragrafi 1 të palës së prekur, të jenë të informuar dhe t’u jetë dhënë mundësia e shprehjes së mendimit të tyre mbi projektin e planit ose programit dhe mbi raportin mjedisor brenda një harku të arsyeshëm kohor.
Neni 11
Vendimi
1. Secila palë do të sigurojë që, gjatë zbatimit të një plani ose programi, të merren seriozisht në konsideratë:
a) konkluzionet e raportit mjedisor;
b) masat për të parandaluar, zvogëluar ose zbutur pasojat negative të identifikuara në raportin mjedisor dhe
c) komentet e dhëna në përputhje me nenet 8, 9 dhe 10.
2. Secila palë do të sigurojë që, kur miratohet një plan ose program, publiku, autoritetet e përmendura në nenin 9 paragrafi 1 dhe palët e konsultuara sipas nenit 10, të jenë të informuara dhe që u vënë në dispozicion plani ose programi bashkë me një shpallje që përmbledh se si çështjet mjedisore dhe shëndetësore janë përfshirë në të, si janë marrë në konsideratë komentet e marra sipas neneve 8, 9 dhe 10 dhe arsyet për ta miratuar atë, bazuar në marrjen në konsideratë të alternativave të arsyeshme.
Neni 12
Monitorimi
1. Secila palë do të monitorojë pasojat e ndjeshme, mjedisore ose shëndetësore, të zbatimit të planit ose programit, të miratuara në nenin 11, në mënyrë që, ndërmjet të tjerash, të identifikojë në një fazë të hershme pasoja negative të paparashikuara dhe të jetë në gjendje të ndërmarrë masat e nevojshme rregulluese.
2. Rezultatet e monitorimit të kryer do të jenë disponibël, në përputhje me legjislacionin kombëtar, për autoritetet e përmendura në nenin 9 paragrafi 1 dhe për publikun.
Neni 13
Politikat dhe legjislacioni
1. Secila palë do të përpiqet të sigurojë që çështjet mjedisore dhe shëndetësore të merren në konsideratë dhe të integrohen në masën e duhur në përgatitjen e propozimeve të saj për politikat dhe legjislacionin që mund të ketë pasoja të ndjeshme në mjedis dhe në shëndet.
2. Në aplikimin e paragrafit 1, secila palë do të marrë parasysh parimet dhe elementet e duhura të këtij protokolli.
3. Secila palë do të përcaktojë, aty ku është e përshtatshme, masat praktike për marrjen në konsideratë dhe përfshirjen e çështjeve mjedisore dhe shëndetësore në përputhje me paragrafin 1, duke pasur parasysh nevojën për transparencë në vendimmarrje.
4. Secila palë do të raportojë në mbledhjen e palëve të Konventës, që do të jetë edhe mbledhje e palëve të këtij protokolli, për zbatimin e këtij neni.
Neni 14
Mbledhja e palëve të Konventës do të jetë edhe
mbledhje e palëve të këtij protokolli
1. Mbledhja e palëve të Konventës do të shërbejë edhe si mbledhje e palëve të këtij protokolli. Mbledhja e parë e palëve të Konventës, që do të jetë edhe mbledhje e palëve të këtij protokolli, do të mblidhet jo më vonë se një vit pas hyrjes në fuqi të këtij protokolli dhe në kombinim me mbledhjen e palëve të Konventës nëse një mbledhje e kësaj të fundit është planifikuar për atë periudhë. Mbledhjet e mëpasme të palëve të Konventës, që do të jenë edhe mbledhje të palëve të protokollit, do të kombinohen me mbledhjet e palëve të Konventës, me përjashtim të rastit kur vendoset ndryshe nga mbledhja e palëve të Konventës, që do të jetë edhe mbledhje e palëve të këtij protokolli.
2. Palët e kësaj Konvente, që nuk janë palë të këtij protokolli, mund të marrin pjesë si vëzhgues në zhvillimin e çdo sesioni të mbledhjes së palëve të Konventës, që do të jetë edhe mbledhje e palëve të këtij protokolli. Kur mbledhja e palëve të Konventës shërben edhe si mbledhje e palëve të këtij protokolli, vendimet nën këtë protokoll do të merren vetëm nga palët e këtij protokolli.
3. Kur mbledhja e palëve të Konventës është edhe mbledhje e palëve të protokollit, çdo anëtar i Byrosë së mbledhjes së palëve, që përfaqëson një palë në Konventë, që në këtë moment nuk është palë e këtij protokolli, do të zëvendësohet me një anëtar tjetër që do të zgjidhet nga dhe ndërmjet palëve të këtij protokolli.
4. Mbledhja e palëve e Konventës, që do jetë edhe mbledhje e palëve të këtij protokolli, do të rishikojë rregullisht zbatimin e këtij protokolli dhe, për këtë qëllim:
a) do të rishikojë politikat dhe përqasjet metodologjike për vlerësimin strategjik mjedisor, me qëllim përmirësimin e procedurave të përshkruara në këtë protokoll;
b) do të shkëmbejë informacion rreth përvojës së fituar në vlerësimin strategjik mjedisor dhe në zbatimin e këtij protokolli;
c) do të kërkojë, aty ku shihet e përshtatshme, shërbimet dhe bashkëpunimin e organizmave kompetentë që kanë përvojën e duhur për realizimin e qëllimeve të këtij protokolli;
d) do të krijojë organizma të tillë subsidiare, si ta gjykojë të nevojshme, për zbatimin e protokollit;
e) do të marrë në konsideratë dhe të provojë propozime për amendimin e këtij protokolli kur është e domosdoshme; dhe
f) do të marrë në konsideratë dhe të ndërmarrë çdo veprim tjetër, përfshirë veprime për t’u ndërmarrë së bashku nën këtë protokoll dhe nën Konventë, të cilat mund të nevojiten për realizimin e qëllimeve të këtij protokolli.
5. Rregullat e procedurave të mbledhjes së palëve të Konventës do të aplikohen mutatis mutandis për këtë protokoll, me përjashtim të rastit kur vendoset ndryshe me konsensus nga mbledhja e palëve, që shërben si mbledhje e palëve të këtij protokolli.
6. Në takimin e saj të parë, mbledhja e palëve të Konventës, që shërben si mbledhje e palëve të këtij protokolli, do të marrë në konsideratë dhe do të miratojë modalitetet për të aplikuar procedurat për rishikimin e përputhshmërisë me Konventën të këtij protokolli.
7. Secila palë do të raportojë në mbledhjen e palëve të Konventës, që do të jetë edhe mbledhje e palëve të këtij protokolli, për masat që ka marrë për zbatimin e protokollit, në intervale kohe të përcaktuara nga mbledhja e palëve të Konventës, që shërben edhe si mbledhje e palëve të këtij protokolli.
Neni 15
Marrëdhëniet me marrëveshje të tjera ndërkombëtare
Dispozitat e këtij protokolli do të zbatohen pa paragjykim ndaj Konventës për vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar dhe Konventës për akses ndaj informacionit, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe akses në drejtësi për çështjet mjedisore të UNECE-s (Komisioni Ekonomik për Europën i Kombeve të Bashkuara).
Neni 16
E drejta e votës
Përveç rastit të përmendur në paragrafin e mëposhtëm, secila palë e këtij protokolli do të këtë një votë.
1. Organizatat e integrimit ekonomik rajonal do të ushtrojnë të drejtën e votës për çështjet brenda kompetencës së tyre, me një numër votash të barabarta me numrin e shteteve të tyre anëtare, të cilat janë palë e këtij protokolli. Këto organizata nuk do të ushtrojnë të drejtën e votës nëse shtetet e tyre anëtare ushtrojnë të vetën dhe anasjelltas.
Neni 17
Sekretariati
Sekretariati i krijuar sipas nenit 13 të Konventës do të shërbejë si sekretariat i këtij protokolli dhe neni 13 paragrafët (a) deri (c) të Konventës mbi funksionet e sekretariatit do të zbatohet mutatis mutandis për këtë protokoll.
Neni 18
Anekset
Anekset e këtij protokolli janë pjesë integrale e tij.
Neni 19
Amendimet e protokollit
1. Çdo palë mund të propozojë amendime të protokollit.
2. Subjekti i paragrafit 3, procedurat e propozimit, miratimit dhe hyrjes në fuqi të një amendimi të Konventës, të përcaktuara në paragrafët 2 deri 5 të nenit 14 të Konventës, do të zbatohen mutatis mutandis për amendimet e këtij protokolli.
3. Për qëllimet e këtij protokolli, tre të katërtat e domosdoshme të palëve, që e kanë ratifikuar, miratuar ose pranuar atë, për hyrjen në fuqi të një amendimi, do të llogariten në bazë të numrit të palëve në momentin e miratimit të amendimit.
Neni 20
Zgjidhja e konflikteve
Dispozitat mbi zgjidhjen e konflikteve të nenit 15 të Konventës do të aplikohen mutatis mutandis për këtë protokoll.
Neni 21
Nënshkrimi
Ky protokoll do të hapet për nënshkrim në Kiev (Ukrainë) nga 21 deri më 23 maj 2003 dhe më pas në zyrat qendore të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork deri më 31 dhjetor 2003. Protokolli mund të nënshkruhet nga shtetet anëtare të Komisionit Ekonomik për Europën, si dhe shtetet me status konsultativ pranë Komisionit Ekonomik për Europën sipas paragrafëve 8 dhe 11 të Rezolutës së Këshillit Ekonomik dhe Social 36 (IV) të 28 marsit 1947, dhe nga organizatat e integrimit ekonomik të përbëra nga shtete sovrane, anëtare të Komisionit Ekonomik për Europën, te të cilat shtetet anëtare kanë transferuar kompetenca mbi çështjet që mbulon ky protokoll, përfshirë edhe kompetencën për të nënshkruar traktate për këto çështje.
Neni 22
Depozituesi
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të kryejë funksionin e depozituesit të këtij protokolli.
Neni 23
Ratifikimi, pranimi, miratimi dhe aderimi
1. Ky protokoll do të jetë subjekt ratifikimi, pranimi ose miratimi nga shtetet nënshkruese dhe organizatat rajonale të integrimit ekonomik të përmendura në nenin 21.
2. Ky protokoll do të hapet për aderim nga 1 janari 2004 për shtetet dhe organizatat rajonale të integrimit ekonomik të përmendura në nenin 21.
3. Çdo shtet tjetër, i cili nuk është përmendur në paragrafin 2 të mësipërm, që është anëtar i Kombeve të Bashkuara, mund të aderojë në protokoll pas miratimit të mbledhjes së palëve të Konventës, që do të jetë edhe mbledhje e palëve të këtij protokolli.
4. Çdo organizatë rajonale e integrimit ekonomik e përmendur në nenin 21, e cila bëhet palë e këtij protokolli pa asnjë nga shtetet e saj anëtare, përjashtohet nga të gjitha detyrimet e këtij protokolli. Nëse një ose më shumë shtete që janë palë të këtij protokolli janë edhe anëtare të organizatave të tilla, organizata dhe shtetet e saj anëtare do të vendosin për përgjegjësitë përkatëse për përmbushjen e detyrimeve nën këtë protokoll. Në këto raste, organizata dhe shtetet e saj anëtare nuk do të ushtrojnë të drejtat e tyre nën këtë protokoll në të njëjtën kohë.
5. Në instrumentin e tyre të ratifikimit, pranimit, miratimit apo aderimit, organizatat rajonale të integrimit ekonomik të përmendura në nenin 21 do të deklarojnë shtrirjen e kompetencave të tyre mbi çështjet e rregulluara nga ky protokoll. Këto organizata do të informojnë gjithashtu depozituesin për çdo ndryshim të rëndësishëm për shtrirjen e kompetencave të tyre.
Neni 24
Hyrja në fuqi
1. Ky protokoll do të hyjë në fuqi ditën e nëntëdhjetë pas datës së depozitimit të instrumentit të gjashtëmbëdhjetë të ratifikimit, pranimit, miratimit apo aderimit.
2. Për qëllimet e paragrafit 1 më sipër, çdo instrument i depozituar nga një organizatë rajonale e integrimit ekonomik, i përmendur në nenin 21, nuk do të llogaritet si instrument shtesë i atyre të depozituar nga shtetet anëtare të këtyre organizatave.
3. Për çdo shtet ose organizatë rajonale të integrimit ekonomik, të përmendur në nenin 21, i cili ratifikon, pranon ose miraton këtë protokoll ose aderon në të pas depozitimit të instrumentit të gjashtëmbëdhjetë të ratifikimit, pranimit, miratimit apo aderimit, protokolli do të hyjë në fuqi në ditën e nëntëdhjetë pas datës së depozitimit nga ky shtet ose organizatë të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit.
4. Ky protokoll do të zbatohet për plane, programe, politika dhe legjislacion për të cilin akti i parë formal përgatitor është pasardhës i datës në të cilën ky protokoll hyn në fuqi. Kur pala, nën juridiksionin e së cilës është projektuar përgatitja e një plani, programi, politike apo legjislacioni, është njëra për të cilën zbatohet paragrafi 3, ky protokoll do të zbatohet për plane, programe, politika dhe legjislacion për të cilat akti i parë formal përgatitor është pasardhës ndaj datës në të cilën protokolli hyn në fuqi për atë palë.
Neni 25
Tërheqja
Në çdo moment, katër vjet pas datës në të cilën ky protokoll ka hyrë në fuqi për një palë, kjo palë mund të tërhiqet nga protokolli duke njoftuar me shkrim depozituesin. Çdo tërheqje e tillë do të këtë efekt ditën e nëntëdhjetë pas datës së marrjes së tij nga depozituesi. Asnjë tërheqje e tillë nuk do të prekë zbatimin e neneve 5 deri 9, 11 dhe 13 për vlerësimin strategjik mjedisor nën këtë protokoll, i cili ishte tashmë i filluar ose zbatimin e nenit 10 për njoftimin ose kërkesën i cili ishte bërë para se kjo tërheqje të këtë efekt.
Neni 26
Teksti autentik
Origjinali i këtij protokolli, teksti anglisht, frëngjisht dhe rusisht i të cilit është njësoj autentik, do të depozitohet te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Të nënshkruarit, në prani të dëshmitarëve të pranishëm, duke qenë plotësisht të autorizuar për këtë, kanë firmosur këtë protokoll.
Bërë në Kiev (Ukrainë), sot më njëzet e një maj, dy mijë e tre.
ANEKSI I
LISTA E PROJEKTEVE REFERUAR NENIT 4 PARAGRAFI 2
1. Rafineritë e naftës (duke përjashtuar ndërmarrjet që prodhojnë lubrifikantë nga nafta bruto) dhe impiantet e lëngëzimit dhe të përpunimit të 500 metrikë ton qymyr ose rërë bituminoze në ditë;
2. Termocentrale të prodhimit të energjisë dhe impiante të tjera të djegies me prodhim nxehtësie prej 300 MV ose më shumë, dhe stacionet bërthamore, dhe reaktorët e tjerë bërthamorë (duke përjashtuar impiantet kërkimore, fuqia maksimale e të cilave nuk kalon 1 kilovat ngarkesë termike të vazhdueshme);
3. Impiante për prodhimin ose pasurimin e lëndëve djegëse bërthamore, për ripërpunimin e lëndëve djegëse bërthamore të rrezatuara ose për ruajtje, depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve radioaktive;
4. Impiantet e mëdhaja për shkrirjen fillestare të gizës dhe çelikut dhe për prodhimin e metaleve pa përmbajtje hekuri;
5. Impiantet për nxjerrjen e asbestit dhe për përpunimin dhe transformimin e asbestit dhe produkteve që përmbajnë asbest: për produktet e asbest-çimentos, me një prodhim vjetor prej më shumë se 20.000 metrik tonë të produktit përfundimtar; për fraksionimin e materialit, me një prodhim vjetor prej më shumë se 50 metrik tonë të produktit përfundimtar dhe për prodhimin e asbesteve të tjera prej më shumë se 200 metrik tonë në vit;
6. Impiantet e integruara kimike;
7. Ndërtimi i rrugëve automobilistike, rrugëve ekspres [1] dhe linjave të trafikut hekurudhor të distancave të gjata dhe të aeroporteve **, me gjatësi bazë kalueshmërie prej 2100 metra ose më shumë;
8. Tubacionet me diametër të madh për transportimin e naftës dhe gazit;
9. Portet e tregtimit dhe gjithashtu rrugët ujore në brendësi të tokës, dhe portet për trafikun ujor në brendësi të tokës, që lejojnë kalimin e anijeve me tonazh mbi 1350 tonë;
10. Impiante për djegie, trajtim kimik ose groposje të mbeturinave toksike dhe të rrezikshme;
11. Depozitat e mëdha dhe rezervuaret;
12. Aktivitete të nxjerrjes së ujërave nëntokësore në rastet kur volumi vjetor i ujit që do të nxirret është 10 000 milionë m3;
13. Prodhimi i pulpës dhe i letrës, me kapacitet prodhues 200 tonë/ditë ose më shumë;
14. Miniera të mëdha, nxjerrja dhe përpunimi i metaleve ose qymyrit;
15. Prodhimi i hidrokarbureve në det;
16. Depozita të mëdha për magazinimin për qëllime tregtimi apo ruajtjeje për naftën, produktet e naftës dhe produktet kimike;
17. Shpyllëzimi i zonave të mëdha.
ANEKSI II
ÇDO PROJEKT TJETËR SIPAS NENIT 4 PARAGRAFI 2
1. Projekte për ristrukturimin e zonave rurale;
2. Projekte për përdorimin e tokave jobujqësore ose të zonave gjysmënatyrore për qëllime të bujqësisë intensive;
3. Projekte të menaxhimit të ujërave për nevoja bujqësore, duke përfshirë projektet e vaditjes dhe të drenazhimit të tokës;
4. Impiante intensive të rritjes së bagëtive (duke përfshirë pularitë);
5. Pyllëzimi dhe shpyllëzimi për qëllime të ndryshimit të destinacionit të përdorimit të tokës;
6. Fermat intensive të peshkimit;
7. Stacionet bërthamore dhe reaktorët e tjerë bërthamorë*, që përfshijnë dhe çmontimin dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të këtyre stacioneve ose reaktorëve (duke përjashtuar impiantet kërkimore, fuqia maksimale e të cilave nuk i kalon 1 kilovat ngarkesë termike të vazhdueshme), ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
8. Ndërtimi i linjave elektrike të tensionit të lartë me voltazh 220 kilovolt ose më shumë dhe një gjatësi 15 km ose më shumë, dhe projekte të tjera për transmetimin e energjisë elektrike nga kabllot kryesorë;
9. Impiantet industriale për prodhimin e energjisë elektrike, avullit dhe ujit të nxehtë;
10. Impiantet industriale për mbajtjen e gazit, avullit dhe ujit të nxehtë;
11. Ruajtja në sipërfaqe e lëndëve të djegshme dhe gazit natyror;
12. Ruajtja nën tokë e gazeve të djegshme;
13. Briketimi industrial i qymyrit dhe i linjitit;
14. Impiantet për prodhimin e energjisë hidroelektrike;
15. Impiante për përdorimin e fuqisë së erës për prodhimin e energjisë;
16. Impiantet që nuk janë përfshirë në aneksin I, të konceptuara:
– për prodhimin dhe pasurimin e lëndëve djegëse bërthamore;
– për përpunimin e lëndëve djegëse bërthamore të rezatuara;
– për depozitimin përfundimtar të lëndëve djegëse bërthamore të rrezatuara;
– vetëm për depozitimin përfundimtar të mbetjeve radioaktive;
– vetëm për ruajtjen (planifikuar për më shumë se 10 vjet) të lëndëve djegëse bërthamore të rrezatuara në një vend të ndryshëm nga ai i prodhimit;
– Për përpunimin dhe ruajtjen e mbetjeve radioaktive;
17. Guroret, minierat e hapura (karierat) dhe nxjerrja e torfës, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
18. Minierat nëntokësore, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
19. Nxjerrja e mineral-inerteve nga drenazhimi detar ose lumor;
20. Shpimet e thella, në veçanti (shpimet gjeotermike, shpimet për ruajtjen e mbetjeve bërthamore, shpimet për furnizimet me ujë), duke përjashtuar shpimet për të kontrolluar qëndrueshmërinë e tokës;
21. Impiante industriale sipërfaqësore për nxjerrjen e qymyrit, naftës, gazit natyror, si dhe rërës bituminoze;
22. Vepra të integruara për shkrirjen fillestare të gizës dhe çelikut dhe për prodhimin e metaleve pa përmbajtje hekuri, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
23. Impiante për prodhimin e gizës dhe çelikut (bashkimi primar ose sekondar) duke përfshirë derdhjen e vazhdueshme;
24. Impiante për përpunimin e metaleve të hekurit (uzina të petëzimit, kovaçhana me çekiçë, aplikimi i veshjeve mbrojtëse me metal të përzier);
25. Fonderi të metaleve të hekurit;
26. Impiante për prodhimin e metaleve joferrike nga mineralet, koncentratet ose lëndët dytësore të proceseve metalurgjike, kimike ose elektrolitike, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
27. Impiante për përzierjen, duke përfshirë aliazhet e metaleve joferrike duke përjashtuar metalet me vlerë dhe duke përfshirë produktet e rikuperuara (rafinimi, derdhja në fonderi etj.), ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
28. Uzina për trajtimet sipërfaqësore të metaleve dhe materialeve plastike, duke përdorur një proces elektrolitik ose kimik;
29. Impiante për prodhimin dhe montimin e automjeteve dhe prodhimi i motorëve për automjete;
30. Molot;
31. Impiante për prodhimin dhe riparimin e avionëve;
32. Prodhimi i pajisjeve hekurudhore;
33. Hedhje në erë me eksploziv;
34. Impiante për pjekjen dhe sinterimin e mineraleve metalike;
35. Furrat e koksit (distilim i thatë i qymyrit);
36. Impiante për prodhimin e çimentos;
37. Impiante për prodhimin e qelqit dhe të fibrave të qelqit;
38. Impiante për shkrirjen e substancave minerale, duke përfshirë edhe fibrat minerale;
39. Prodhimi i produkteve qeramike me anë të djegies, në mënyrë të veçantë tjegullat e çative, tullave, tulla refraktare, tjegulla, veshje guri ose porcelani;
40. Impiante për prodhimin e kimikateve ose trajtimin e produkteve të ndërmjetme, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
41. Prodhimi i pesticideve dhe produkteve farmaceutike, bojërave dhe varakut, elastomereve dhe peroksideve;
42. Impiante për magazinimin për qëllime tregtimi apo ruajtje për naftën, produktet e naftës dhe produktet kimike, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
43. Prodhimi i vajërave dhe yndyrnave shtazore dhe bimore;
44. Paketimi dhe ambalazhimi i produkteve bimore;
45. Prodhimi i produkteve bulmetore;
46. Fermentimi i birrës;
47. Prodhimi i shurupeve dhe ëmbëlsirave;
48. Impiante për therjen e kafshëve (thertore);
49. Impiante për përpunimin e amidonit industrial;
50. Fabrikat për peshkun dhe vajin e peshkut;
51. Fabrikat e sheqerit;
52. Impiante industriale për prodhimin e pulpës, letrës dhe fibrave të tjera të ngjashme, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
53. Impiantet për trajtimin paraprak ose ngjyrosjen e fibrave dhe tekstileve;
54. Impiante për trajtimin e lëkurëve dhe thundrave;
55. Impiante për përpunimin dhe prodhimin e celulozës;
56. Prodhimi dhe trajtimi i produkteve me bazë elastomeri;
57. Impiante për prodhimin e fibrave minerale artificiale;
58. Impiante për rikuperimin dhe shkatërrimin e lëndëve eksplozive;
59. Impiantet për prodhimin e asbestit dhe për përpunimin e produkteve të asbestit, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
60. Vendgrumbullimi dhe thertore për kafshë në fund të jetës;
61. Banka prove për motorë, turbina dhe reaktorë;
62. Rrugë permanente që përdoren për kryerjen e garave dhe provave për mjete të motorizuara;
63. Tubacionet për transportimin e gazit ose naftës, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
64. Tubacionet për transportimin e kimikateve me diametër prej më shumë se 800 mm dhe gjatësi më shumë se 40 km;
65. Ndërtimi i hekurudhave, faciliteteve intermodale dhe transportit dhe terminaleve intermodale, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
66.
67. Ndërtimi për tramvajet, ashensorët dhe hekurudhat e nëndheshme, të përdorura vetëm ose kryesisht për transport pasagjerësh;
68. Ndërtimi i rrugëve, duke përfshirë rregullimet dhe/ose zgjerimet e rrugëve ekzistuese, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
69. Ndërtimi i porteve dhe instalimeve portuale, duke përfshirë edhe portet e peshkimit, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
70. Ndërtimi i rrugëve ujore në brendësi të tokës dhe portet për trafikun ujor në brendësi të tokës, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
71. Portet e tregtimit, molot për ngarkim-shkarkim të lidhura me tokën ose porte të jashtme, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
72. Punimet për kanalizimet dhe drenazhimet;
73. Ndërtimi i aeroporteve dhe i fushave për avionë, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
74. Impiante për depozitimin e mbetjeve, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
75. Impiante për djegie ose trajtim kimik të mbeturinave të rrezikshme;
76. Magazinimi i skrapit të hekurit, duke përfshirë edhe skrapin e mjeteve lëvizëse;
77. Venddepozitimi të mbetjeve të trajtuara;
78. Nxjerrja e ujërave nëntokësore ose skemat artificiale të ringarkimit të ujërave nëntokësore, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
79. Punime për transferimin e burimeve ujore ndërmjet baseneve lumore;
80. Impiante të trajtimit të ujërave të zeza;
81. Dampat dhe rezervuarët e tjerë të projektuar për të mbajtur ujë ose për ta ruajtur atë për një kohë të gjatë, ato që nuk janë të përfshira në aneksin I;
82. Punimet në bregdet për të luftuar erozionin dhe punimet që do të ndryshojnë bregdetin gjatë ndërtimit, si p.sh. digat, molot dhe punime të tjera mbrojtëse detare, duke përjashtuar mirëmbajtjen dhe rikonstruktimin e punimeve të tilla;
83. Ujësjellës të distancave të gjata;
84. Teleferikët e skive, ashensorët e skive dhe makina me kabllo dhe zhvillimet e shoqëruara me këto lloj veprimtarish;
85. Marinat;
86. Fshatra turistike dhe komplekset e hoteleve jashtë zonave urbane dhe zhvillimet e shoqëruara me këto lloj veprimtarish;
87. Zonat e karvaneve dhe kampingjet;
88. Parqet zbavitëse;
89. Projekte të zhvillimeve industriale;
90. Projekte të zhvillimeve urbane, duke përfshirë edhe ndërtimin e qendrave tregtare dhe parkimet e makinave;
91. Përftim i tokave nga uji i detit
ANEKSI III
KRITERET PËR PËRCAKTIMIN E PASOJAVE TË MUNDSHME MJEDISORE DHE SHËNDETËSORE SERIOZE; PASOJAT I REFEROHEN NENIT 5 PARAGRAFI 1
1. Rëndësia e planit ose programit në integrimin e çështjeve mjedisore dhe shëndetësore, në veçanti, me synimin e nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm;
2. Shkalla në të cilën plani ose programi krijon një kuadër për projektet dhe aktivitetet e tjera qoftë për vendosjen, natyrën, përmasën dhe kushtet e punës, qoftë duke dhënë fonde;
3. Shkalla në të cilën plani ose programi influencon plane ose programe të tjera, përfshirë edhe ato të vendosura sipas një hierarkie;
4. Problemet mjedisore dhe shëndetësore të planit ose programit;
5. Natyra e pasojave mjedisore dhe shëndetësore, si mundësia që të ndodhin, kohëzgjatja, shpeshtësia, riparimi, magnituda dhe përhapja (si zona gjeografike ose numri i popullsisë që mund të preket);
6. Rreziqet në mjedis dhe shëndetësi;
7. Natyra ndërkufitare e pasojave;
8. Shkalla në të cilën plani ose programi do të prekë zona me vlerë ose delikate, përfshirë peizazhe me status mbrojtjeje kombëtar ose ndërkombëtar të njohur.
ANEKSI IV
INFORMACIONI SIPAS NENIT 7 PARAGRAFI 2
1. Përmbajtja dhe objektivat kryesorë të planit ose programit dhe lidhjet e tij me plane ose programe të tjera;
2. Aspektet e rëndësishme të gjendjes aktuale të mjedisit, përfshirë shëndetësinë dhe zhvillimet e mundshme në rastin kur plani ose programi nuk do të zbatoheshin;
3. Karakteristikat e mjedisit, përfshirë edhe shëndetësinë, në zonat që mund të preken në mënyrë domethënëse;
4. Problemet mjedisore edhe ato shëndetësore, të rëndësishme për planin ose programin;
5. Objektivat mjedisorë dhe shëndetësorë të vendosura në planin ndërkombëtar, kombëtar ose në nivele të tjera, të cilat janë të rëndësishme për planin ose programin, si dhe mënyrat në të cilat këto objektiva dhe çështje të tjera mjedisore dhe shëndetësore janë marrë në konsideratë gjatë përgatitjes së tyre;
6. Pasojat* domethënëse mjedisore dhe shëndetësore, siç janë përcaktuar në nenin 2 paragrafi 7;
7. Masat për të parandaluar, reduktuar ose lehtësuar çdo pasojë negative në mjedis dhe në shëndet, të cilat dalin si rrjedhojë e zbatimit të planit ose programit;
8. Një përshkrim i arsyeve për të zgjedhur alternativat e diskutuara së bashku me një përshkrim se si është bërë vlerësimi, përfshirë këtu edhe vështirësitë në dhënien e informacionit që do të përfshijnë mangësitë teknike dhe mungesën e njohurive;
9. Masat e parashikuara për të monitoruar pasojat mjedisore dhe shëndetësore të zbatimit të planit ose programit;
10. Pasojat e mundshme dhe të rëndësishme ndërkufitare mjedisore dhe shëndetësore;
11. Një përmbledhje joteknike e informacionit të dhënë.
________________
* Për qëllim të këtij protokolli, stacionet bërthamore dhe reaktorët e tjerë bërthamorë pushojnë së qeni të tillë kur të gjitha lëndët djegëse bërthamore ose elemente të tjera të ndotura nga radioaktiviteti janë hequr përfundimisht nga stacioni.
** Për qëllime të këtij protokolli, me “aeroport” do të kuptojmë një aeroport që është konform përcaktimit të Konventës së Çikagos të vitit 1944 për krijimin e Organizatës së Aviacionit Civil (aneksi 14).
ANEKSI V
INFORMACIONI SIPAS NENIT 8 PARAGRAFI 5
1. Plani ose programi i propozuar dhe natyra e tij;
2. Autoriteti përgjegjës për miratimin e tij;
3. Procedurat e parashikuara, përfshirë edhe:
a) fillimin e procedurës;
b) mundësinë e pjesëmarrjes së publikut;
c) kohën dhe vendin e konsultimit të parashikuar me publikun;
d) autoritetin prej të cilit mund të merret informacioni i duhur dhe ku ky informacion është depozituar për shqyrtim nga publiku;
e) autoritetin tek i cili duhen depozituar komentet dhe pyetjet, si dhe kohën e përcaktuar për transmetimin e komenteve dhe pyetjeve;
f) çfarë informacioni mjedisor dhe shëndetësor lidhur me planin ose programin e propozuar është i disponueshëm;
4) Kur plani ose programi do të jetë subjekt i procedurës së vlerësimit ndërkufitar.
__ _________
* Këto pasoja duhet të përfshijnë efektet anësore, mbivendosëse, sinergjike, afatshkurtra, afatmesme, afatgjata, të përhershme dhe të përkohshme, ato pozitive dhe negative.
[1] Për qëllime të këtij protokolli:
“Autostradë” do të thotë një rrugë e projektuar dhe e ndërtuar për trafik automobilistik, e cila nuk u shërben zonave përreth, dhe e cila:
a) lejohet vetëm në pika të veçanta ose, përkohësisht, me karrexhata të ndara për të dyja drejtimet e trafikut, të ndara nga njëra-tjetra nga një shirit ndarës jo i lejueshëm për trafikun ose, në raste të rralla, me mjete të tjera;
b) nuk do të jetë në të njëjtin nivel me asnjë rrugë, hekurudhë, shina tramvaji ose rrugë këmbësorësh; dhe
c) është e sinjalizuar vetëm si autostradë.
“Rrugë ekspres” do të thotë një rrugë e rezervuar për trafik makinash të lejuara vetëm nga lidhjet shumëkalimëshe ose nyjet e kontrolluara dhe në të cilën parkimi dhe ndalimi janë të ndaluara përgjatë korsive.
** Për qëllime të këtij protokolli, “Aeroport” do të thotë një aeroport që përputhet me përcaktimin e Konventës së Çikagos të vitit 1944 për krijimin e Organizatës së Aviacionit Civil (aneksi 14).
L I G J
Nr. 9425, datë 6.10.2005
PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN E VITIT 1979 “PËR NDOTJEN NDËRKUFITARE TË AJRIT NË DISTANCË TË MADHE”
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Republika e Shqipërisë aderon në Konventën e vitit 1979 “Për ndotjen ndërkufitare të ajrit në distancë të madhe”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4674, datë 20.10.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu
KONVENTA E VITIT 1979
MBI NDOTJEN NDËRKUFITARE TË AJRIT NË DISTANCË TË MADHE
Palët në këtë Konventë,
të vendosura për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin në fushën e ndotjes së mjedisit;
të ndërgjegjshme për rëndësinë e aktiviteteve të Komisionit Ekonomik për Europën të Kombeve të Bashkuara për forcimin e këtyre lidhjeve dhe këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e ndotjes së ajrit, përfshirë transportin në distancë të madhe të ndotësve të ajrit;
duke njohur kontributin e Komisionit Ekonomik për Europën për zbatimin e shumanshëm të dispozitave përkatëse të Aktit Final të Konferencës mbi Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë;
duke marrë parasysh thirrjen e bërë në kapitullin e Aktit Final të Konferencës mbi Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, lidhur me mjedisin, për bashkëpunimin për të luftuar ndotjen e ajrit dhe efektet e kësaj ndotjeje, veçanërisht për transportimin e ndotësve të ajrit në distancë të madhe dhe për përmirësimin, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, të një programi të gjerë të vrojtimit dhe vlerësimit të transmetimit në distancë të madhe të ndotësve të ajrit, duke filluar me dyoksidin e squfurit pastaj duke kaluar mundësisht te ndotësit e tjerë;
duke marrë parasysh dispozitat përkatëse të Deklaratës së Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin dhe në veçanti nenin 21, i cili shpreh bindjen e përbashkët se, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, shtetet kanë të drejtën maksimale për të shfrytëzuar vetë burimet e tyre sipas politikave të tyre mjedisore dhe kanë për detyrë ta bëjnë këtë në mënyrë të tillë që aktivitetet e ushtruara brenda kufijve të juridiksionit të tyre dhe nën kontrollin e tyre të mos shkaktojnë dëme në mjedisin e shteteve të tjera ose në rajone që nuk janë nën juridiksionin ndërkombëtar;
duke njohur mundësinë që ndotja e ajrit, përfshirë ndotjen ndërkufitare të ajrit, shkakton efekte dëmtuese afatshkurtra ose afatgjata;
duke pasur frikë se rritja e parashikuar e nivelit të shkarkimeve të ndotësve të ajrit në rajon mund të rrisë efektet e tyre dëmtuese;
duke njohur nevojën e studimit të ndërlikimeve nga transporti i ndotësve të ajrit dhe kërkesat e zgjidhjeve për problemet e caktuara;
duke afirmuar vendimin e tyre për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar aktiv për të përpunuar politikat kombëtare të nevojshme nëpërmjet shkëmbimeve të informacioneve konsultative dhe aktiviteteve të kërkimit dhe të vrojtimit, si dhe për të koordinuar masat e marra nga vendet për të luftuar ndotjen e ajrit, përfshirë ndotjen ndërkufitare të ajrit në distancë të madhe,
kanë rënë dakord për sa më poshtë:
Neni 1
Përkufizimet
Për qëllimet e kësaj Konvente:
a) Shprehja “ndotje e ajrit” nënkupton futjen në atmosferë direkt ose indirekt nga njeriu, të substancave ose të energjisë me veprim dëmtues ndaj natyrës, që vënë në rrezik shëndetin e njeriut, që dëmtojnë burimet biologjike dhe ekosistemet, që shkatërrojnë të mirat materiale dhe që çojnë në prekjen ose dëmtimin e vlerave të bukurisë dhe të dobive të tjera legjitime të mjedisit, dhe shprehja “ndotësit e ajrit” përdoret në të njëjtin kuptim.
b) Shprehja “ndotje ndërkufitare të ajrit në distancë të madhe” nënkupton ndotjen e ajrit, burimi fizik i të cilit përfshihet totalisht ose pjesërisht në një zonë që i nënshtrohet juridiksionit kombëtar të një shteti dhe që ushtron efekte dëmtuese në një zonë që i nënshtrohet juridiksionit të një shteti tjetër në një distancë të tillë ku zakonisht nuk është e mundur të dallohet kontributi i burimeve individuale të shkarkimit ose të grupeve të burimeve.
Neni 2
Parimet themelore
Palët kontraktuese, duke marrë parasysh në formën e duhur faktet dhe problemet në shqyrtim, janë të vendosura të mbrojnë njeriun dhe mjedisin e tij nga ndotja e ajrit dhe do të përpiqen të kufizojnë dhe, sa të jetë e mundur, të pakësojnë gradualisht për të parandaluar ndotjen e ajrit, përfshirë ndotjen e ajrit në distancë të madhe.
Neni 3
Në kuadër të kësaj Konvente, palët kontraktuese do të përpunojnë pa vonesë, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, konsultimeve dhe aktiviteteve kërkimore dhe vrojtuese, politikat dhe strategjitë që do të shërbejnë për të luftuar derdhjen e ndotësve të ajrit, duke marrë parasysh tashmë përpjekjet e ndërmarra në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Neni 4
Palët kontraktuese do të shkëmbejnë informacion dhe do të veprojnë me tërë fuqinë e njohurive të tyre mbi politikat e tyre, aktivitetet shkencore dhe masat teknike duke pasur objekt të luftojnë me tërë mundësitë flakjen e ndotësve të ajrit që mund të kenë efekte dëmtuese, si dhe të pakësojnë ndotjen e ajrit, përfshirë ndotjen e ajrit në distancë të madhe.
Neni 5
Duhet të bëhen konsultime, sipas kërkesës së bërë, sa më shpejt të jetë e mundur, nga njëra anë ndërmjet palëve kontraktuese të cilat janë efektivisht të prekura ose të ekspozuara ndaj një rreziku potencial nga ndotja ndërkufitare e ajrit në distancë të madhe dhe nga ana tjetër, palëve kontraktuese mbi territorin dhe në juridiksionin e të cilave krijohet ose mund të krijohet një derdhje e madhe e ndotjes ndërkufitare të ajrit në distancë të madhe si rezultat i aktiviteteve që kryhen, janë kryer ose parashikohen të kryhen.
Neni 6
Administrimi i cilësisë së ajrit
Duke marrë parasysh nenet 2-5, kërkimet në vazhdim, shkëmbimet e informacioneve dhe të aktiviteteve të vrojtimeve dhe rezultatet e tyre, koston dhe efikasitetin e masave korrigjuese të marra lokalisht dhe masave të tjera për të luftuar ndotjen e ajrit, veçanërisht atë me origjinë nga instalimet e reja ose të transformuara, çdo palë kontraktuese angazhohet për të përpunuar politika e strategji më të mira, përfshirë sistemet e administrimit të cilësisë së ajrit dhe në kuadrin e këtyre sistemeve, të masave të kontrollit që janë të pajtueshme me një zhvillim të ekuilibruar, duke iu drejtuar veçanërisht teknologjive më të mira që disponohen dhe ekonomikisht më të zbatueshme si dhe teknikave që shkaktojnë pak ose aspak mbetje.
Neni 7
Kërkimi dhe zhvillimi
Palët kontraktuese, sipas nevojave të tyre, do të ndërmarrin aktivitete bashkëpunimi për kërkim dhe/ose për zhvillim në fushat e mëposhtme:
a) Teknikat ekzistuese dhe të propozuara për pakësimin e shkarkimeve të komponentëve sulfurorë dhe të ndotësve të tjerë të ajrit, përfshirë mundësinë teknike dhe rentabilitetin e këtyre teknikave dhe pasojat e tjera mbi mjedisin;
b) Teknikat instrumentale dhe teknika të tjera që lejojnë të vrojtohen dhe të maten nivelet e shkarkimeve dhe përqendrimet në mjedis të ndotësve të ajrit;
c) Modelet e përmirësuara për të kuptuar më mirë transportin e ndotësve ndërkufitarë të ajrit në distancë të madhe;
d) Efektet e komponentëve sulfurorë dhe të ndotësve të tjerë kryesorë të ajrit mbi shëndetin e njeriut dhe mjedisin, përfshirë bujqësinë, pemtarinë, materialet, ekosistemet ujore etj. dhe pamshmërinë me qëllim që të vendoset mbi një bazë shkencore përcaktimi i lidhjeve dozë-efekt për qëllimet e mbrojtjes së mjedisit;
e) Vlerësimin ekonomik, social dhe ekologjik i masave të tjera që lejojnë të arrihen objektivat lidhur me mjedisin, përfshirë pakësimin e ndotjes së ajrit në distancë të madhe;
f) Përmirësimin e programeve të mësimdhënies dhe të formimit mbi ndotjen e mjedisit nga komponimet sulfurore dhe ndotësit e tjerë kryesorë të ajrit.
Neni 8
Shkëmbimi i informacionit
Palët kontraktuese do të shkëmbejnë në kuadrin e organit ekzekutiv të përcaktuar në nenin 10 ose në mënyrë dypalëshe dhe në interesin e tyre të përbashkët infomacionet:
a) mbi të dhënat lidhur me shkarkimet, sipas një kohëzgjatje të miratuar dhe të përshtatshme të ndotësve të ajrit duke filluar me S02 nisur me rrjetet territoriale me dimensione të përshtatshme ose mbi rrymat e ndotësve të ajrit, duke filluar me S02 që kapërcejnë kufijtë e shteteve, në distancë dhe sipas një kohëzgjatjeje të përshtatshme;
b) mbi ndryshimet kryesore të bëra në politikat kombëtare dhe në zhvillimin industrial në përgjithësi dhe efektet e tyre të mundshme, që do të jenë të natyrës për të shkaktuar ndryshime të mëdha të ndotjes ndërkufitare të ajrit në distanca të mëdha;
c) mbi teknikat e reduktimit të ndotjes së ajrit duke vepruar mbi ndotjen ndërkufitare të ajrit në distanca të mëdha;
d) mbi koston e parashikuar të luftës së shkallëzuar të vendeve kundër shkarkimeve të komponentëve sulfurorë dhe të ndotësve të tjerë të ajrit;
e) mbi të dhënat meteorologjike dhe fiziko-kimike, lidhur me dukuritë që ndodhin gjatë transportimit të ndotësve;
f) mbi të dhënat fiziko-kimike e biologjike, lidhur me efektet e ndotjes ndërkufitare të ajrit në distancë të madhe dhe mbi shtrirjen e dëmeve (1), të cilat sipas të dhënave i takojnë ndotjes ndërkufitare të ajrit në distancë të madhe;
g) mbi politikat dhe strategjitë kombëtare, nënrajonale dhe rajonale të luftës kundër komponentëve sulfurorë dhe ndotësve të tjerë të ajrit.
Neni 9
Zbatimi dhe zgjerimi i programit të bashkëpunimit për vrojtimin dhe vlerësimin
e transmetimit në distanca të mëdha të ndotësve të ajrit në Europë
Palët kontraktuese theksojnë nevojën për zbatimin e “Programit të bashkëpunimit për vrojtimin dhe vlerësimin e transportimit në distancë të madhe të ndotësve të ajrit në Europë” ekzistues (më poshtë i quajtur EMEP) dhe duke vepruar për zgjerimin e këtij programi, ranë dakord për të vënë theksin mbi:
a) Interesimin e tyre për të marrë pjesë dhe për të bërë plotësisht efektiv programin EMEP, i cili në etapën e parë është përqendruar me vrojtimin e vazhdueshëm të dyoksidit të squfurit dhe të substancave që kanë të bëjnë me të;
b) Domosdoshmërinë për të përdorur, sa herë që kjo është e mundur, metoda vrojtimi të krahasueshme ose të normalizuara;
c) Interesimin për të ndërtuar programin e vrojtimit të vazhdueshëm në kuadrin e programeve si kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare. Ndërtimi i stacioneve të vrojtimit të vazhdueshëm dhe grumbullimi i të dhënave që do të nxirren nga juridiksioni i vendeve ku janë vendosur këto stacione;
d) Interesimin për të ndërtuar një kuadër të programit të bashkëpunimit për vrojtimin e vazhdueshëm të mjedisit, i cili të jetë i bazuar mbi programet kombëtare, nënrajonale, rajonale dhe programet e tjera ndërkombëtare aktuale të ardhshme dhe që i merr ato parasysh;
e) Nevojën për të shkëmbyer të dhënat mbi shkarkimet, sipas një kohëzgjatje të përshtatshme të ndotësve të ajrit, për të cilët është rënë dakord (duke filluar me dyoksidin e squfurit) me anë të rrjetave territoriale të dimensioneve të përshtatshme ose mbi rrymat e ndotësve të ajrit (duke filluar me dyoksidin e squfurit) që kalojnë kufijtë e shteteve në distanca dhe sipas një kohëzgjatje të caktuar. Metoda, përfshirë modelin e përdorur për të përcaktuar rrymat, ashtu si dhe metodat, përfshirë modelin e përdorur për të përcaktuar ekzistencën e transmetimit të ndotësve të ajrit, sipas shkarkimeve nga rrjeta territoriale, do të bëhen të disponueshme dhe do të kalojnë periodikisht në rishikim për qëllime përmirësimi;
f) Qëllimin e tyre për të ndjekur shkëmbimin dhe azhurnimin periodik të të dhënave ndërkombëtare mbi shkarkimet totale të ndotësve të ajrit për të cilët është rënë dakord, duke filluar me dyoksidin e squfurit;
g) Nevojën për të furnizuar të dhënat meteorologjike dhe fizike, që lidhen me fenomene që ndodhin gjatë transportimit;
h) Nevojën për të marrë përsipër vrojtimin e vazhdueshëm të komponentëve kimikë në mjedise të tjera të tilla, si: ujë, tokë dhe bimësi dhe të zbatohet një program vrojtimi i ngjashëm për të regjistruar efektet mbi shëndetin dhe mjedisin;
i) Interesimin për të zgjeruar rrjetet kombëtare të EMEP-it për t’i kthyer me veprimtari për qëllimet e luftimit dhe të vrojtimit.
Neni 10
Organi ekzekutiv
1. Përfaqësuesit e palëve kontraktuese do të përbëjnë, në kuadrin e këshilltarëve të lartë të qeverive të vendeve të ECE-së për problemet e mjedisit, Organin Ekzekutiv të kësaj Konvente dhe do të mblidhen të paktën një herë në vit në këtë funksion.
2. Organi Ekzekutiv:
a) do të marrë në shqyrtim zbatimin e kësaj Konvente;
b) do të ndërtojë, si t’i duket e përshtatshme, grupet e punës për të studiuar çështjet që lidhen me zbatimin dhe zhvillimin e kësaj Konvente dhe për këtë qëllim për të përgatitur studimet dhe dokumentacionin e nevojshëm, si dhe për të parashtruar rekomandimet;
c) do të ushtrojë të gjitha funksionet e tjera që mund të jenë të nevojshme në bazë të dispozitave të kësaj Konvente.
3. Organi Ekzekutiv do të përdorë shërbimet e Organit Drejtues të EMEP-it, me qëllim që ky i fundit të marrë pjesë plotësisht në aktivitetet e kësaj Konvente, veçanërisht për sa i përket grumbullimit të të dhënave dhe bashkëpunimit shkencor.
4. Në ushtrimin e funksioneve të veta, Organi Ekzekutiv do të përdorë gjithashtu, kur ai do ta gjykojë të dobishme, informacionet e marra nga organizatat e tjera ndërkombëtare kompetente.
Neni 11
Sekretariati
Sekretariati Ekzekutiv i Komisionit Ekonomik për Europën do të marrë përsipër, për llogari të Organit Ekzekutiv, funksionet e Sekretariatit si më poshtë:
a) thirrjen dhe përgatitjen e mbledhjeve të Organit Ekzekutiv;
b) transmetimin te palët kontraktuese të raporteve dhe të informacioneve të tjera të marra, duke zbatuar dispozitat e kësaj Konvente;
c) të gjitha funksionet e tjera që mund t’i besohen nga Organi Ekzekutiv.
Neni 12
Amendimi i Konventës
1. Çdo palë kontraktuese ka të drejtë ligjore të propozojë amendamente në këtë Konventë.
2. Teksti i amendamenteve të propozuara do t’i dorëzohet me shkrim Sekretariatit Ekzekutiv në Komisionin Ekonomik për Europën, i cili do t’ua komunikojë të gjitha palëve kontraktuese. Organi Ekzekutiv do të shqyrtojë amendamentet e propozuara në mbledhjen e tij vjetore më të afërt–ndërkohë këto propozime u komunikohen palëve kontraktuese nga Sekretari Ekzekutiv i Komisionit Ekonomik për Europën të paktën 90 ditë më parë.
3. Një amendament i kësaj Konvente do të miratohet nëpërmjet pëlqimit të përfaqësuesve të palëve kontraktuese dhe do të hyjë në fuqi për palët kontraktuese që do ta pranojnë ditën e 90-të duke filluar nga data në të cilën 2/3 e palëve kontraktuese do të kenë depozituar instrumentin e pranimit pranë Depozitarit. Më vonë, amendamenti do të hyjë në fuqi për të gjitha palët e tjera kontraktuese ditën e 90-të, duke filluar nga data në të cilën pala kontraktuese do të këtë depozituar instrumentin e saj të pranimit për amendamentin.
Neni 13
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Në qoftë se ndodh një mosmarrëveshje ndërmjet dy ose më shumë palëve kontraktuese të kësaj Konvente për interpretimin ose zbatimin e Konventës, palët do të kërkojnë një zgjidhje nëpërmjet bisedimeve ose nëpërmjet çdo metode tjetër për rregullimin e mosmarrëveshjeve që të jetë e pranueshme nga ato vetë.
Neni 14
Nënshkrimi
1. Kjo Konventë do të hapet për nënshkrim në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, nga 13-16 nëntor 1979 me rastin e mbledhjes së nivelit të lartë, në kuadrin e Komisionit Ekonomik për Europën mbi Mbrojtjen e Mjedisit, nga shtetet anëtare të Komisionit Ekonomik për Europën, si edhe shtetet që kanë statusin konsultativ pranë Komisionit Ekonomik për Europën, sipas paragrafit 8 të Rezolutës 36 (IV) të 28 marsit 1947 të Këshillit Ekonomik dhe Social dhe nga organizatat e integrimit ekonomik rajonal, të ndërtuara nga shtetet sovrane anëtare të Komisionit Ekonomik për Europën, të citat kanë kompetencë për të biseduar, për të lidhur dhe për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare në fushat që mbulohen nga kjo Konventë.
2. Për çështjet brenda kompetencave të tyre, këto organizata të integrimit ekonomik rajonal do të mundin, në emër të tyre, të ushtrojnë të drejtat dhe të mbartin përgjegjësitë që kjo Konventë u jep shteteve të tyre anëtare. Në raste të tilla, shtetet anëtare të këtyre organizatave nuk do të mund t’i ushtrojnë këto të drejta individualisht.
Neni 15
Ratifikimi, pranimi, miratimi dhe aderimi
1. Kjo Konventë do t’i nënshtrohet ratifikimit, pranimit ose miratimit.
2. Kjo Konventë do të hapet për pranim, duke filluar që nga data 17.11.1979, për shtetet dhe organizatat e përmendura në paragrafin 1 të nenit 14.
3. Instrumentet e ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit do të depozitohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili ushtron funksionin e Depozitarit.
Neni 16
Hyrja në fuqi
1. Kjo Konventë do të hyjë në fuqi në ditën e 90-të, duke filluar nga data e depozitimit të instrumentit të 24-t të ratifikimit, miratimit, pranimit ose aderimit.
2. Për secilën nga palët kontraktuese që ratifikojnë, miratojnë, pranojnë ose aderojnë në këtë Konventë pas depozitimit të aktit të 24-t të ratifikimit, miratimit, pranimit ose aderimit, Konventa do të hyjë në fuqi ditën e 90-të duke filluar nga data e depozitimit nga palët kontraktuese të instrumentit të tij të ratifikimit, miratimit, pranimit ose aderimit.
Neni 17
Tërheqja
Në çdo moment pas pesë vjetësh nga data në të cilën kjo Konventë ka hyrë në fuqi në një palë kontraktuese, ajo palë kontraktuese mund të tërhiqet nga Konventa nëpërmjet njoftimit me shkrim dërguar Depozitarit. Kjo tërheqje do të hyjë në fuqi ditën e 90-të duke filluar nga data e marrjes së njoftimit prej Depozitarit.
Neni 18
Tekstet autentike
Origjinali i kësaj Konvente, tekstet e të cilit në anglisht, frëngjisht dhe rusisht janë njësoj autentike, do të depozitohet pranë Sekretariatit të Përgjithshëm pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në dëshmi të kësaj, nënshkruesit, të autorizuar posaçërisht, kanë nënshkruar këtë Konventë.
Bërë në Gjenevë, më 13.11.1979.
Leave a comment