LIGJ
Nr.9224, datë 29.4.2004
PËR SHËRBIMIN METEOROLOGJIK USHTARAK
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është krijimi i Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, si organ i specializuar për parashikimin e motit dhe përcaktimi i të drejtave e detyrave të tij.
Neni 2
Varësia
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak është pjesë përbërëse e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe varet nga Komanda e Forcave Ajrore.
Neni 3
Detyrat e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak kryen këto detyra:
a) studion njëkohësisht tërësinë e fenomeneve atmosferike në sipërfaqen e tokës dhe në lartësi në një orar të caktuar;
b) analizon elementet e ndryshme meteorologjike që përcaktojnë gjendjen aktuale të motit dhe në bazë të ndryshimit të elementeve meteorologjike, nëpërmjet modeleve matematikore, parashikon gjendjen e motit në të ardhmen;
c) siguron të dhëna meteorologjike në lartësi nëpërmjet lëshimit të radiosondave;
ç) analizon modelet matematikore të hartave për parashikimin e motit dhe bën parashikimin e tij 24-orësh dhe 5-ditor për të gjithë territorin e Republikës;
d) bën vrojtime meteorologjike, mbledh të dhëna nga stacionet dhe transmeton të dhëna për organizata ndërkombëtare të specializuara në fushën e parashikimit të motit ose për të tretët të interesuar brenda dhe jashtë vendit;
dh) jep asistencë meteorologjike për sigurinë e popullsisë, të fluturimeve ajrore ose të lundrimit detar, si dhe në raste emergjencash civile;
e) shkëmben të dhëna për meteorologjinë me institucionet simotra të shteteve të tjera.
Neni 4
Njoftimi i të dhënave
1. Të dhënat për parashikimin e motit u jepen pa pagesë institucioneve shtetërore në nivel qendror ose vendor, si dhe Forcave të Armatosura.
2. Të dhënat për parashikimin e motit u jepen subjekteve private kundrejt pagesës së përcaktuar me urdhër të përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave.
3. Ndalohet njoftimi i të dhënave meteorologjike nga subjekte të tjera të paautorizuara.
Neni 5
Organizimi
1. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak e ka qendrën dhe selinë tij në Tiranë dhe ka degë vendore në njësitë territoriale të përcaktuara me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes.
2. Stacionet e degëve vendore për parashikimin e motit bëjnë vrojtimin meteorologjik të rajonit të tyre gjatë 24 orëve dhe detyrohen t’i transmetojnë ato në qendrën e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
3. Niveli i pagave dhe limiti organik i punonjësve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Ministrit të Mbrojtjes.
4. Organizimi i Shërbimit dhe Rregullorja e Brendshme e Organizimit dhe Funksionimit të Shërbimit bëhen me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes dhe me propozimin e Komandës së Forcave Ajrore.
Neni 6
Vendmatjet meteorologjike
1. Vendmatjet meteorologjike duhet të jenë në afërsi të qendrave të banuara dhe larg sipërfaqeve kodrinore.
2. Ndalohet ndërtimi i ndërtesave të larta në afërsi të këtyre vendmatjeve.
Neni 7
Bashkëpunimi me institucionet e tjera
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, në ushtrimin e detyrave të tij ligjore, bashkëpunon mbi bazën e marrëveshjeve të nënshkruara me institucionet e specializuara hidrometeorologjike në Republikën e Shqipërisë.
Neni 8
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 5 të këtij ligji.
2. Ngarkohet Ministri i Mbrojtjes të nxjerrë:
a) udhëzimin për përgatitjen e hartave dhe buletineve meteorologjike, dërgimin e mesazheve, si dhe përmbajtjen, mënyrën dhe përparësitë në njoftimin e të dhënave meteorologjike;
b) urdhrin për përcaktimin e degëve vendore të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak;
c) urdhrin për organizimin dhe Rregulloren e Brendshme të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, sipas nenit 5 pika 4 të këtij ligji.
3. Ngarkohen Ministri i Mbrojtjes dhe Ministri i Financave të nxjerrin urdhrin e përbashkët, sipas nenit 4 të këtij ligji.
Neni 9
Shfuqizime
Të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore, që vijnë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4231, datë 26.5.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Alfred Moisiu
Leave a comment