L I G J
Nr.8734, datë 1.2.2001
PËR GARANTIMIN E SIGURISË SË PUNËS TË PAJISJEVE DHE TË INSTALIMEVE ELEKTRIKE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i parimeve të përgjithshme që rregullojnë garantimin e sigurisë së njerëzve, të kafshëve shtëpiake ose të vlerave materiale nga rreziku elektrik.
Neni 2
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Futje në treg” kuptohet lëvrimi ose vënia në dispozicion të të tretëve të pajisjeve elektrike të përcaktuara në këtë nen.
2. “IPIE” kuptohet Inspektorati i Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike.
3. “Kontroll teknik” kuptohet inspektimi i organizuar në periudha të caktuara kohe, dhe kur del e nevojshme edhe jashtë këtyre periudhave, për verifikimin dhe plotësimin e kërkesave thelbësore të sigurisë.
4.”Pajisje dhe instalime” kuptohen:
a) Pajisje dhe instalime të tensionit të ulët të projektuara për tension alternativ 50 – 1000 volt dhe 75 – 1500 volt për tension të vazhduar.
b) Pajisje dhe rrjete me tension të mesëm dhe tension të lartë mbi 1000 volt.
c) Pajisje elektrike të radiologjisë dhe të aparaturave për qëllime të tjera mjekësore.
ç) Pajisje elektrike për transport mallrash e pasagjerësh, si dhe pajisjet speciale për përdorim në anije, aviacion dhe hekurudha.
5. “Përdorimi i pajisjes elektrike” kuptohet çdo veprim i lidhur me përdorimin e pajisjes elektrike, si vënia në shfrytëzim ose heqja nga puna, përdorimi, transporti, riparimi, modifikimi, mirëmbajtja, duke përfshirë edhe pastrimin.
6. “Trupi inspektues” kuptohet një grup kontrolli i miratuar nga IPIE-ja dhe i autorizuar nga ministri përkatës për kryerjen e detyrave në zbatim të nenit 3 të këtij ligji.
Neni 3
Kërkesat thelbësore të sigurisë
1. Pajisjet, instalimet dhe rrjetet elektrike duhet të plotësojnë kërkesat thelbësore të sigurisë, të përcaktuara në rregulloret në fuqi të projektimit, përdorimit, shfrytëzimit dhe vlerësimit të konformitetit.
2. Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, në zbatim të pikës 1 të këtij neni, nxjerr aktet e nevojshme nënligjore.
Neni 4
Futja në treg
1. Pajisjet dhe materialet elektrike lejohen të futen në treg dhe të vihen në shfrytëzim vetëm nëse nuk rrezikojnë sigurinë e njerëzve dhe, kur është rasti, të kafshëve shtëpiake ose të vlerave materiale.
2. Para futjes në treg, prodhuesi ose importuesi i pajisjeve dhe i materialeve elektrike duhet t’ia nënshtrojë këto një procedure inspektimi në përputhje me nenin 3 pika 2.
3. Lejohet futja në treg e pajisjeve dhe materialeve të certifikuara nga organizmat e huaj, në rast se për këtë qëllim ekzistojnë marrëveshje dy ose shumëpalëshe.
Neni 5
Mbikëqyrja dhe heqja nga tregu
1. Kur IPIE-ja vëren se një pajisje ose instalim elektrik i përcaktuar sipas nenit 2 dhe i përdorur në përputhje me destinimin e saj, rrezikon sigurinë e njerëzve dhe, kur është rasti, të kafshëve shtëpiake ose të vlerave materiale, merr masat e nevojshme për të hequr pajisjen ose instalimin nga tregu dhe nga shfrytëzimi.
2. Masa e marrë u bëhet e njohur menjëherë të interesuarve. Kundër kësaj mase mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
KREU II
PËRDORIMI I PAJISJEVE ELEKTRIKE
Neni 6
Kontrolli teknik
1. Pajisjet dhe instalimet elektrike para vënies në shfrytëzim duhet të kontrollohen në aspektin e sigurisë së jetës të njerëzve, të kafshëve shtëpiake ose të vlerave materiale nga specialisti elektrik i caktuar posaçërisht nga subjekti furnizues me energji elektrike. Rezultatet e kontrollit paraqiten me shkrim dhe ruhen nga të dyja palët.
2. Personi juridik, që përdor pajisje ose instalime elektrike, merr të gjitha masat për të kryer kontrollin teknik periodik të çdo pajisjeje ose instalimi, sipas afateve të përcaktuara në rregulloret e sigurimit teknik për pajisjet dhe instalimet elektrike të miratuara nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
3. IPIE-ja inspekton në çdo kohë pajisjet ose instalimet elektrike për punën e tyre normale, avari ose kur ndodhin aksidente, për të ruajtur kushtet e sigurisë e për të zbuluar dhe mënjanuar të metat e vëna re.
4. Për rezultatet e kontrolleve teknike mbahen aktkontrolle me detyra dhe afate për shmangien e të metave të vëna re.
5. Kontrollet teknike kryhen nga:
a) specialisti elektrik, i caktuar posaçërisht nga punëdhënësi;
b) një inspektor ose nga një grup inspektorësh të IPIE-së;
c) një trup inspektues, palë e tretë e autorizuar nga IPIE-ja.
Neni 7
Detyrimet e punëdhënësit
1. Punëdhënësi merr masat e duhura që pajisjet dhe instalimet elektrike, të vëna në dispozicion të punëmarrësve të ndërmarrjes ose të institucionit, të jenë të përshtatshme për punën që do të kryhet, duke garantuar sigurinë dhe shëndetin.
2. Punëdhënësi merr masat e duhura që pajisjet dhe instalimet elektrike gjatë përdorimit të tyre të mirëmbahen nëpërmjet kryerjes së shërbimeve, të riparimeve dhe të pastrimeve në një nivel të tillë që të plotësojnë kërkesat e rregulloreve teknike.
3. Çdo instalim elektrik duhet të ketë projektin përkatës. Çdo montim ose rikonstruksion në instalimet elektrike bëhet me projekt.
Neni 8
Informimi i punëmarrësve
1. Punëdhënësi merr masat e nevojshme që punëmarrësi të marrë të dhënat e duhura dhe udhëzimet përkatëse për përdorimin e pajisjeve elektrike.
2. Të dhënat dhe instruksionet për përdorimin e pajisjeve elektrike duhet të përmbajnë të paktën treguesit për sigurinë dhe shëndetin, përsa u përket:
kushteve të shfrytëzimit të pajisjeve elektrike;
situatave anormale të parashikueshme;
c) përdorimit të mjeteve mbrojtëse individuale dhe kolektive për parandalimin e aksidenteve në punë;
ç) dhënes së ndihmës së parë mjekësore në rast aksidenti.
3. Të dhënat dhe udhëzimet për përdorimin e pajisjeve elektrike duhet të jenë të kuptueshme për përdoruesin.
Neni 9
Formimi i punëmarrësve
Punëdhënësi merr masat e nevojshme që:
a) përdorimi i pajisjeve elektrike të bëhet nga punëmarrës që kanë përgatitje të mjaftueshme, të dokumentuar me dëshmi aftësie, e lëshuar nga IPIE-ja ose nga komisioni i miratuar prej saj;
b) në rastin e riparimit, të modifikimit ose mirëmbajtjes së pajisjeve ose të instalimeve elektrike, punëmarrësit e interesuar duhet të kualifikohen në mënyrë të posaçme për t’i kryer këto detyra.
2. Punëdhënësi siguron që punëmarrësit të njihen me të dhënat e duhura dhe t’u bëhet instruktimi:
a) kur caktohen në vendin e punës;
b) kur në pajisjen elektrike që përdoret bëhen modifikime;
c) periodikisht, të paktën një herë në vit.
3. Të dhënat dhe instruksionet duhet të përmbajnë të paktën treguesit për sigurinë dhe shëndetin, në përputhje me nenin 8 pika 2.
4. Punëmarrësit duhet të bëhen të vetëdijshëm për rreziqet që paraqesin për ta pajisjet elektrike që përdorin dhe për çdo ndryshim që ndikon në sigurinë e tyre.
Neni 10
Këqyrja e avarisë
1. Për çdo rast avarie në pajisjet dhe instalimet elektrike ose aksidenti i shkaktuar nga pajisjet dhe instalimet elektrike, punëdhënësi ose përfaqësuesi i tij duhet të njoftojë menjëherë IPIE-në dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës për këqyrjen e aksidentit ose të avarisë.
2. Ndalohet riparimi ose ndryshimi i vendit të ngjarjes deri në përfundim të këqyrjes, përveç rastit kur rrezikohet jeta e njerëzve, dëmtohet më tej pajisja, ose pengohet në masë prodhimi.
3. Punëdhënësi ose përfaqësuesi i tij është i detyruar t’i japë IPIE-së çdo të dhënë për kryerjen e këqyrjes.
4. Në rast aksidenti në punë, i shkaktuar nga pajisjet ose instalimet elektrike, inspektori i IPIE-së bashkëpunon me inspektorin e punës për këqyrjen e aksidentit.
KREU III
INSPEKTORATI I PAJISJEVE DHE INSTALIMEVE ELEKTRIKE (IPIE)
Neni 11
Mbikëqyrja për zbatimin e ligjit
IPIE-ja mbikëqyr zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
Neni 12
Statusi i IPIE-së
1. Inspektorati i Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike është organizëm teknik dhe kontrollues në varësi të Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
2. IPIE-ja është person juridik dhe ka një zë të veçantë në Buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë Publike e të Privatizimit. Organizimi, funksionimi dhe struktura e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. IPIE-ja drejtohet nga Kryeinspektori, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Ekonomisë Publike e Privatizimit.
Neni 13
Detyrat e IPIE-së
Krahas detyrave në zbatim të kërkesave të neneve të mësipërme, IPIE-ja kryen edhe këto detyra:
a) Harton rregulloren e funksionimit të saj e cila miratohet nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, si dhe kontrollon plotësimin e kërkesave të sigurisë së pajisjeve ose të instalimeve elektrike për rilicencimin e veprimtarisë nga autoriteti përgjegjës.
b) Miraton projektet elektrike të objekteve me fuqi të instaluar mbi 20 kilovatë.
c) Kryen inspektime në subjektet private ose publike, që kryejnë veprimtari me pajisjet dhe instalimet elektrike. Mban shënime për inspektimet e kryera, si dhe për avaritë e aksidentet e ndodhura me natyrë elektrike.
ç) Jep miratimin për autorizimin nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit të trupave inspektues palë e tretë, për kryerjen e detyrave të përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji.
Neni 14
Të drejtat e IPIE-së
1. Për zbatimin e detyrave të caktuara nga ky ligj, IPIE-ja ka të drejtë të hyjë në çdo kohë në prani të punëdhënësit, të administratorit ose të përfaqësuesit të tyre, në objekte ku ndodhen pajisje dhe instalime elektrike.
2. IPIE-ja, kur vëren shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe të rregulloreve, ka për detyrë:
a) të lerë aktkontroll me detyra dhe afate për mënjanimin e shkeljeve;
b) të lërë aktndalesë për një periudhë të caktuar kohe ose përgjithmonë, kur gjykon se një pajisje ose instalim elektrik nuk garanton sigurinë;
c) të propozojë për largimin nga puna të punonjësve që punojnë në pajisjet dhe instalimet elektrike, që nuk kanë njohuritë e duhura të rregullave të sigurimit teknik;
ç) të marrë masa administrative me gjobë, sipas nenit 17, dhe, për raste shkeljesh të rënda të rregulloreve të sigurimit teknik me pasoja për jetën e njerëzve, të kërkojë ndjekje penale.
3. IPIE-ja, me kërkesën e përdoruesit e kur justifikohet me masat e marra, shtyn afatin e kryerjes së kontrollit teknik periodik për një kohëzgjatje të caktuar.
4. IPIE-ja kërkon ndërhyrjen e forcave të rendit:
kur inspektori cenohet gjatë kryerjes së detyrës;
b) kur nuk zbatohet urdhri i ndalesës së një pajisjeje ose instalimi elektrik që përbën rrezik të hapur për jetën e njerëzve;
c) kur nuk lejohet të hyjë në objektin ku mund të ndodhet pajisja ose instalimi elektrik.
5. IPIE-ja bashkëpunon me persona ose shërbime përkatëse publike ose private për kryerjen e ekspertizës, për krijimin e grupeve të punës dhe për kryerjen e kontrolleve të veçanta.
Neni 15
Burimet financiare të IPIE-së
Burimet financiare të IPIE-së janë:
Buxheti i Shtetit;
b) të ardhura me destinacion, që realizohen nga shërbimet për të tretët.
2. IPIE-ja realizon të ardhura nga shërbimet që kryhen në subjektet private dhe publike nga:
a) veprimtaria kryesore sipas neneve 4, 6, 9 të këtij ligji. Këto të ardhura derdhen në Buxhetin e Shtetit;
b) të ardhurat me destinacion nga shërbimet për të tretët derdhen në llogarinë e IPIE-së dhe përdoren për mbulimin e shpenzimeve të kryera, ndërsa 10 për qind i kalojnë Buxhetit të Shtetit.
3. Tarifat për këto të ardhura caktohen nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
Neni 16
Pavarësia dhe paanshmëria
1. IPIE-ja, Kryeinspektori dhe inspektorët nuk mund të jenë projektues, prodhues, furnizues, montues ose përdorues të pajisjeve dhe të instalimeve elektrike dhe as përfaqësues të tyre.
Ata nuk mund të ndërhyjnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në projektimin, prodhimin, tregtimin ose mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve dhe instalimeve, as të përfaqësojnë palë që marrin pjesë në këto veprimtari. Kjo nuk përjashton mundësinë e shkëmbimit të të dhënave teknike ndërmjet prodhuesit të pajisjeve elektrike ose të materialeve elektrike dhe IPIE-së.
2. Inspektorët e IPIE-së duhet ta kryejnë vlerësimin me përgjegjësi të plotë profesionale e teknike dhe të jenë të lirë nga çfarëdolloj presioni ose nxitje, sidomos të natyrës financiare, që mund të ndikojë në gjykimin e tyre ose në rezultatin e kontrollit, në mënyrë të veçantë nëse vijnë nga persona ose grup personash të interesuar për rezultatet e verifikimeve.
3. Inspektorët e IPIE-së duhet të plotësojnë kërkesat e standardeve në fuqi lidhur me:
formimin teknik dhe profesional;
b) njohjen e kërkesave për kontrollet që kryejnë dhe një përvojë të mjaftueshme në këto kontrolle;
c) aftësi për të hartuar certifikimet, procesverbalet dhe relacionet, ku konkretizohen kontrollet e bëra.
4. Inspektorët në ushtrimin e detyrës së tyre duhet të jenë të paanshëm.
5. Personeli i IPIE-së ruan sekretin profesional për gjithçka që vihet në dijeni gjatë ushtrimit të veprimtarisë, sipas këtij ligji.
6. Nëse personeli i IPIE-së, gjatë ushtrimit të veprimtarisë sipas këtij ligji, nxjerr ndonjë sekret të prodhimit ose të tregtimit të proceseve të punës, ndaj tij merren masa disiplinore, të përcaktuara në Rregulloren e Brendshme të IPIE-së.
Neni 17
Kundërvajtjet administrative
1. Përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë:
a) shkeljet e dispozitave të neneve 3, 4, 6, 7, 8, 9 dhe 10 të këtij ligji, që rrezikojnë sigurinë e njerëzve, të kafshëve shtëpiake ose të vlerave materiale;
b) tejkalimi i afatit të lënë nga IPIE-ja për mënjanimin e shkeljeve;
c) shkelja e rregullave të mbikëqyrjes teknike të përcaktuara në rregulloret e IPIE-së nga punëdhënësi ose punonjësi i caktuar për mbikëqyrjen teknike.
2. Masa e gjobës është nga 2 mijë deri në 500 mijë lekë.
3. Mënyra e llogaritjes së gjobës bëhet sipas metodikës së dhënë në rregulloret e nxjerra nga Ministria e Ekonomisë Publike e Privatizimit.
4. Inspektori i IPIE-së që konstaton shkeljen harton në vend procesverbalin, i cili shqyrtohet nga Komisioni i Shqyrtimit të Gjobave të IPIE-së që kryesohet nga Kryeinspektori.
5. Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet në prani të kundërvajtësit. Kur vërtetohet se ai ka marrë dijeni dhe nuk ka shkaqe justifikuese për mosparaqitje, shqyrtimi mund të bëhet edhe në mungesë.
6. Kundër vendimit të Komisionit të Shqyrtimit të Gjobave të IPIE-së mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e marrjes së vendimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, vendimi i së cilës është i formës së prerë.
Neni 18
Ekzekutimi i gjobës
1. Gjoba paguhet nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga data kur vendimi ka marrë formë të prerë.
Pas kalimit të këtij afati për çdo ditë vonesë paguhet një kamatë prej 2 për qind deri në 1 muaj. Kur pas këtij afati gjoba nuk paguhet, zbatohet ligji nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.
Gjobat derdhen në Buxhetin e Shtetit.
Neni 19
Shfuqizime
Dekreti nr.3503, datë 7.5.1962 “Mbi Inspektoratin Shtetëror të Sigurimit Teknik për Instalimet dhe Pajisjet Elektrike” dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.2897, datë 9.2.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Rexhep Meidani
Leave a comment