L I G J
Nr.8739, datë 12.2.2001
PËR GARANTIMIN E SIGURISË SË PUNËS TË PAJISJEVE NËN PRESION
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i parimeve të përgjithshme që rregullojnë garantimin e sigurisë së njerëzve, kafshëve shtëpiake ose vlerave materiale nga rreziqet e shfryrjeve dhe të shpërthimeve të shkaktuara nga pajisjet nën presion.
Neni 2
Përkufizime
Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtme kanë këto kuptime:
1. “Enët e thjeshta nën presion” kuptohen enët e salduara, të përcaktuara të mbajnë ajër ose azot dhe të mos i ekspozohen flakës.
2. “Futja në treg” kuptohet livrimi ose vënia në dispozicion të të tretëve të pajisjeve nën presion.
3. “Inspektorat i përdoruesve” kuptohet një trup inspektimi i miratuar nga IPNP-ja dhe i autorizuar nga Ministri përkatës, që kryen detyrat e përcaktuara në aktet nënligjore të nenit 3 të këtij ligji.
4. “IPNP” kuptohet Inspektorati i Pajisjeve nën Presion.
5. “Kontroll teknik” kuptohet inspektimi i organizuar në periudhë të caktuar kohe dhe kur është e nevojshme jashtë këtyre periudhave për verifikimin e plotësimit të kërkesave thelbësore të sigurisë.
6. “Pajisje nën presion stacionare” kuptohen enët, tubacionet, aksesorët e sigurisë dhe aksesorët nën presion.
7. “Pajisje nën presion” kuptohen pajisjet nën presion stacionare, enët e thjeshta nën presion dhe pajisjet transportuese nën presion, me presion maksimal të lejuar më të madh se 0,5 bar.
8. “Pajisjet transportuese nën presion” kuptohen enët që mbushen me fluid dhe që transportohen pas mbushjes për t’u shkarkuar.
9. “Përdorimi i pajisjeve nën presion” kuptohet vënia në shfrytëzim ose heqja nga puna, përdorimi, transporti, riparimi, përshtatja, mirëmbajtja dhe pastrimi i pajisjeve nën presion.
10. “Trup inspektues palë e tretë” kuptohet një ent i autorizuar nga IPNP-ja, për të kryer detyrat e përcaktuara në aktet nënligjore të nenit 3 të këtij ligji.
KREU II
KËRKESAT THELBËSORE TË SIGURISË SË PAJISJEVE NËN PRESION
Neni 3
Kërkesat thelbësore të sigurisë
1. Pajisjet nën presion duhet të plotësojnë kërkesat kryesore të sigurisë të përcaktuara në aktet nënligjore të projektimit, të prodhimit, të vlerësimit të konformitetit, të përdorimit dhe kontrollit teknik për secilin grup pajisjesh nën presion.
2. Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit nxjerr aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të pikës 1 të këtij neni.
Neni 4
Futja në treg
1. Pajisjet nën presion lejohen të futen në treg dhe të vihen në shfrytëzim vetëm nëse nuk përbëjnë rrezik për sigurinë e njerëzve dhe, kur është rasti, të kafshëve shtëpiake e të vlerave materiale, po të vendosen pa të meta, e të mirëmbahen siç duhet dhe të përdoren në përputhje me destinacionin e tyre.
2. Para futjes në treg, prodhuesi ose importuesi është i detyruar që çdo pajisje nën presion ta pajisë me certifikim nga IPNP-ja, për të vërtetuar plotësimin e kërkesave thelbësore të sigurisë, sipas nenit 3 të këtij ligji. Certifikimi bëhet pasi merret më parë miratimi i përshtatshmërisë së mjeteve matëse të pajisjeve nga organi kompetent.
3. Lejohet futja në treg e pajisjeve nën presion që janë të certifikuara nga organizma të huaj, në marrëveshje ndërmjet dy ose më shumë palëve.
Neni 5
Mbikëqyrja e tregut
1. Kur IPNP-ja vëren se një pajisje nën presion, e përdorur në përputhje me destinacionin e saj, rrezikon sigurinë e njerëzve dhe, kur është rasti, të kafshëve shtëpiake ose të vlerave materiale, merr masat e nevojshme për ta hequr pajisjen nga tregu dhe nga shfrytëzimi.
2. Masa e marrë i bëhet e njohur menjëherë të interesuarve. Kundër masës së marrë mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, vendimi i së cilës është i formës së prerë.
Neni 6
Kontrolli teknik
1. Pas instalimit, pajisjet nën presion i nënshtrohen kontrollit teknik të vënies në punë dhe të regjistrimit të tyre nga IPNP-ja. Kur pajisja plotëson kërkesat dhe kur kushtet e instalimit garantojnë sigurinë e pajisjes nën presion, IPNP-ja lëshon lejen e vënies në shfrytëzim.
Pas çdo montimi në një vend tjetër ose pozicion tjetër, pajisja nën presion i nënshtrohet kontrollit teknik dhe marrjes së lejes të vënies në shfrytëzim nga IPNP-ja.
2. Personi juridik që përdor pajisje nën presion merr të gjitha masat për të kryer kalibrimin periodik të mjeteve matëse të pajisjes dhe kontrollin teknik periodik të çdo pajisjeje nën presion sipas llojeve, afateve dhe vlerave të presionit të provës së përcaktuara në lejen e punës së IPNP-së, e cila përsëritet pas çdo kontrolli teknik periodik.
3. Pajisjet nën presion u nënshtrohen kontrolleve teknike të posaçme nga IPNP-ja në çdo kohë, kur paraqiten rrethana të veçanta, që janë të lidhura me vënien në rrezik të pajisjeve, si punime modifikuese, avari, aksidente ose periudha të zgjatura të mosvënies në shfrytëzim, për t’u siguruar se janë ruajtur kushtet e sigurisë dhe për të zbuluar dhe mënjanuar në kohë dëmtimet.
4. Rezultatet e kontrolleve teknike regjistrohen dhe u lihen në dizpozicion IPNP-së dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës. Në rast se pajisja nën presion do të përdoret nga një subjekt tjetër, ajo shoqërohet me dëshminë fizike të kryerjes së kontrollit të fundit teknik.
5. Kontrollet teknike kryhen nga IPNP-ja, nga një trupë inspektuese palë e tretë ose nga një inspektorat përdoruesish.
KREU III
PËRDORIMI I PAJISJEVE NËN PRESION
Neni 7
Detyrime të punëdhënësit
1. Punëdhënësi merr masat e duhura që pajisjet nën presion, të vëna në dispozicion të punëmarrësve, të jenë të përshtatshme për punën që do të kryhet, duke garantuar sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësit gjatë përdorimit.
2. Punëdhënësi duhet të vërë në përdorim pajisje nën presion që plotësojnë kërkesat e pikës 1 të nenit 3.
3. Punëdhënësi merr masat e duhura që pajisjet nën presion, gjatë përdorimit, të mirëmbahen në një nivel të tillë, që të plotësohen kërkesat e pikës 2 të nenit 3.
Neni 8
Njohja me të dhënat e punëmarrësve
1. Punëdhënësi merr masa që punëmarrësit të disponojnë të dhënat e duhura dhe udhëzimet e përdorimit të pajisjeve nën presion që kanë në përdorim.
2. Të dhënat dhe instruksionet për përdorimin e pajisjeve nën presion duhet të përmbajnë të paktën treguesit për sigurinë dhe shëndetin, përsa u përket:
kushteve të shfrytëzimit të pajisjeve nën presion;
situatave anormale të parashikueshme;
c) dhënies së ndihmës së parë mjekësore në rast aksidenti.
3. Të dhënat dhe udhëzimet për përdorimin e pajisjeve nën presion duhet të jenë të kuptueshme për punëmarrësin.
Neni 9
Formimi i punëmarrësve
Punëdhënësi merr masat e nevojshme që:
a) punëmarrësit e ngarkuar për përdorimin e pajisjeve nën presion të marrin formim të majftueshëm edhe për rreziqet që përmban ky përdorim;
b) punëmarrësit e ngarkuar me riparimin, modifikimin ose mirëmbajtjen të kenë kualifikimin e duhur dhe të marrin formim të posaçëm për të kryer këto detyra.
2. Krahas kërkesës së pikës 1 të këtij neni, punëmarrësit e përdorimit të kaldajave të avullit dhe saldatorët e pajisjeve nën presion merren në provim dhe pajisen me patentë nga IPNP-ja.
Neni 10
Këqyrja e avarisë
1. Për çdo rast avarie në pajisjet nën presion ose të një aksidenti të shkaktuar nga pajisjet nën presion, punëdhënësi ose përfaqësuesi i tij duhet të njoftojë IPNP-në për këqyrjen e avarisë.
2. Ndalohet riparimi ose ndryshimi i vendit të pajisjeve nën presion të dëmtuara deri në përfundimin e këqyrjes, përveç rastit kur rrezikohet jeta e njerëzve, ndotja e mjedisit dhe dëmtimi i mëtejshëm i pajisjes.
3. Punëdhënësi ose përfaqësuesi i tij është i detyruar t’i japë IPNP-së çdo të dhënë që ka lidhje me kryerjen e këqyrjes.
4. Në rast aksidenti në punë, inspektori i IPNP-së bashkëpunon me inspektorin e punës në nivel vendor për këqyrjen e aksidentit.
KREU IV
INSPEKTORATI I PAJISJEVE NËN PRESION (IPNP)
Neni 11
Detyra e IPNP-së
IPNP-ja mbikëqyr zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Neni 12
Statusi e drejtimi
1. IPNP-ja është person juridik dhe ka zë të veçantë në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë Publike e Privatizimit.
2. Organizimi, funksionimi dhe struktura e IPNP-së miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. IPNP-ja drejtohet nga kryeinspektori i cili emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
Neni 13
Detyrat e IPNP-së
Krahas detyrave për zbatimin e kërkesave të neneve të parashikuara më sipër, IPNP-ja kryen edhe këto detyra:
a) Kontrollon plotësimin e kërkesave të sigurisë së pajisjeve nën presion për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë nga autoriteti përgjegjës.
b) Miraton projektin e vendosjes së kaldajave dhe të enëve nën presion stacionare.
c) Autorizon trupat inspektues palë e tretë për kryerjen e detyrave të parashikuara në nenin 3 të këtij ligji dhe rregulloret teknike.
ç) Kryen inspektime në subjektet private ose publike që kryejnë veprimtari me pajisje nën presion.
d) Jep miratim për autorizim nga ministri, të inspektorateve të përdoruesve për kryerjen e detyrave të përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji.
dh) Mban evidenca për gjendjen teknike, avaritë dhe regjistrimin e pajisjeve nën presion.
Neni 14
Të drejtat e IPNP-së
1. Për zbatimin e detyrave të caktuara nga ky ligj, IPNP-ja ka të drejtë të hyjë në çdo kohë në mjediset ku mund të ndodhen pajisje nën presion në punë.
2. Kur IPNP-ja vëren shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe të rregulloreve:
a) lë aktkontroll me detyra dhe afat për mënjanimin e shkeljeve;
b) lë aktndalesë, kur gjykon se një pajisje nën presion nuk garanton sigurinë;
c) heq patentën ose lejen e përdorimit për një periudhë kohe të caktuar ose përgjithmonë;
ç) merr masa administrative me gjobë, sipas nenit 17 të këtij ligji dhe, për raste shkeljesh të rënda të rregulloreve, me pasoja për jetën e njerëzve, kërkon ndjekje penale.
3. IPNP-ja, me kërkesën e përdoruesit, kur justifikohet me masat e marra, shtyn afatin e kryerjes së kontrollit teknik periodik për një kohëzgjatjeje të caktuar.
4. IPNP-ja kërkon ndërhyrjen e forcave të rendit:
kur inspektori cenohet gjatë kryerjes së detyrës;
b) kur nuk zbatohet urdhri i ndalesës së një pajisjeje nën presion, që përbën rrezik të hapur për jetën e njerëzve;
c) kur nuk lejohet të hyjë në lokale ku mund të ndodhen pajisje nën presion në punë.
5. IPNP-ja bashkëpunon me persona ose shërbime përkatëse publike ose private, për të kryer ekspertiza për krijimin e grupeve të punës dhe për kryerjen e kontrolleve të veçanta.
Neni 15
Burimet financiare
Burimet financiare të IPNP-së janë:
Buxheti i Shtetit;
b) të ardhurat me destinacion, që realizohen nga shërbimet për të tretët.
2. IPNP-ja realizon të ardhura nga shërbimet që kryhen në subjektet private dhe publike nga:
a) veprimtaria kryesore sipas neneve 4, 6 dhe 9. Tarifat për këto të ardhura caktohen nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit;
b) të ardhurat me destinacion nga shërbimet për të tretët. Këto të ardhura derdhen në llogarinë e IPNP-së dhe përdoren nga ajo për mbulimin e shpenzimeve të kryera, ndërsa 10 për qind e tyre i kalojnë Buxhetit të Shtetit. Tarifat për këto të ardhura caktohen nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
Neni 16
Pavarësia dhe paanshmëria
1. IPNP-ja, kryeinspektori dhe inspektorët nuk mund të jenë projektues, prodhues, furnizues, montues dhe përdorues të pajisjeve nën presion që kontrollojnë dhe as përfaqësues të tyre.
Ata nuk mund të ndërhyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në projektimin, prodhimin, tregtimin ose mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve nën presion, as të përfaqësojnë palë që marrin pjesë në këto veprimtari.
Kjo nuk përjashton mundësinë e shkëmbimit të të dhënave teknike, ndërmjet prodhuesit, montuesit e përdoruesit të pajisjes nën presion dhe IPNP-së.
2. Inspektorët e IPNP-së duhet të kryejnë veprimet e vlerësimit me aftësi profesionale e me përgjegjësi të plotë teknike dhe të jenë të lirë nga çfarëdo presioni ose nxitjeje, sidomos të natyrës financiare, që mund të ndikojë në gjykimin e tyre ose në rezultatin e kontrollit, në mënyrë të veçantë nëse vijnë nga persona ose grupe personash të interesuar për rezultatet e verfikimeve.
3. Inspektorët e IPNP-së duhet të plotësojnë kërkesat e standardeve në fuqi për trupat e inspektimit lidhur me formimin profesional, njohjen e kërkesave për kontrollet që kryejnë dhe me përvojën për këto kontrolle, si dhe aftësi për të hartuar certifikimet, procesverbalet dhe relacionet ku konkretizohen kontrollet e bëra.
4. Inspektorët në kryerjen e detyrës së tyre duhet të jenë të paanshëm.
5. Personeli i IPNP-së ruan sekretin profesional për gjithçka që vihet në dijeni gjatë ushtrimit të veprimtarisë sipas këtij ligji. Nëse personeli i IPNP-së, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, nxjerr ndonjë sekret të prodhimit ose të tregtimit të proceseve të punës, ndaj tij merren masa disiplinore të përcaktuara në rregulloren e brendshme të IPNP-së.
Neni 17
Kundërvajtjet administrative
Janë kundërvajtje administrative:
a) shkeljet e neneve 3, 4, 6, 7, 8, 9 dhe 10 të këtij ligji, që rrezikojnë sigurinë e njerëzve, të kafshëve shtëpiake dhe të vlerave materiale;
b) shkeljet e përsëritura të shënuara në aktkontrollet e lëna nga IPNP-ja;
c) tejkalimi i afatit të lënë nga IPNP-ja për mënjanimin e shkeljeve.
2. Kur shkelja nuk përbën vepër penale, punëdhënësi ose punonjësi i caktuar për mbikëqyrjen teknike, dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë.
Inspektori i IPNP-së që vëren shkeljen harton në vend procesverbalin për shkeljen dhe i propozon kryeinspektorit të marrë masën e dënimit me gjobë.
3. Masa e gjobës është nga 2000 deri në 500 000 lekë.Mënyra e llogaritjes së gjobës bëhet sipas rregullave të nxjerra nga IPNP-ja dhe të miratuara nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
4. Komisioni i shqyrtimit të gjobave të IPNP-së që mblidhet dhe drejtohet nga Kryeinspektori, i shqyrton kundërvajtjet administrtive jo më vonë se 15 ditë nga data e mbajtjes së procesverbalit.
5. Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet në praninë e kundërvajtësit. Kur vërtetohet se ai ka marrë dijeni dhe nuk ka shkaqe justifikuese për mosparaqitje, shqyrtimi mund të bëhet edhe në mungesë.
6. Kundër vendimit të Komisionit të IPNP-së për shqyrtimin e gjobave, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së vendimit mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, vendimi i së cilës është i formës së prerë.
Neni 18
Ekzekutimi i gjobës
1. Gjoba paguhet nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë.
Pas kalimit të këtij afati për çdo ditë vonesë paguhet një kamatë prej 2 për qindësh deri në një muaj. Kur gjoba pas këtij afati nuk paguhet, zbatohet ligji nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.
2. Gjobat derdhen në Buxhetin e Shtetit.
Neni 19
Shfuqizime
Dekreti nr.2170, datë 5.12.1955 “Për Inspektoratin Shtetëror të Pajisjeve nën Presion” dhe çdo dispozitë tjetër që bie ndesh me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.2906, datë 20.2.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani
Leave a comment