V E N D I M
Nr. 655, datë 18.12.2002
PËR NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E STRUKTURËS SË SISTEMIT KOMBËTAR TË PLANIFIKIMIT DHE TË PËRBALLIMIT TË EMERGJENCAVE CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, 5, pika 1, 11, 1, 13 dhe 35 të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile”, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S i:
1. Ngritjen e sektorit të planifikimit dhe të përballimit të emergjencave civile në strukturat e ministrive të mëposhtme:
– Ministrinë e Mbrojtjes
– Ministrinë e Rendit Publik
– Ministrinë e Shëndetësisë
– Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit
– Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe të Turizmit
– Ministrinë e Transportit dhe të Telekomunikacionit
– Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës
– Ministrinë e Industrisë dhe të Energjetikës.
2. Vendosjen e specialistëve për planifikimin dhe përballimin e emergjencave civile në:
– Ministrinë e Mjedisit
– Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
-Ministrinë e Financave
– Ministrinë e Drejtësisë
– Ministrinë e Ekonomisë
– Ministrinë e Punëve të Jashtme
– Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale.
3. Pranë ministrive të përmendura në pikat 1 dhe 2 të këtij vendimi të funksionojë komisioni i planifikimit dhe i përballimit të emergjencave civile. Përbërja, mënyra e funksionimit dhe përgjegjësitë përcaktohen nga ministri përkatës, në përputhje me nenin 11, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile”. Detyrat e këtij komisioni përcaktohen në shtojcën “Rekomandime”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Në strukturën e Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, në Departamentin e Planifikimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile funksionon Qendra Kombëtare Operacionale për Emergjencat Civile, me strukturë të përhershme, në kohë normale dhe me strukturë të përkohshme, në raste emergjencash civile.
a) Struktura e përkohshme përbëhet nga ajo e përhershme dhe sipas llojit të emergjencës, thirren (ftohen) specialistë të ministrive e institucioneve të tjera, përfaqësues të Kryqit të Kuq Shqiptar dhe në rast nevoje edhe specialistë ndërkombëtarë.
b) Ministritë dhe institucionet përkatëse përzgjedhin dhe caktojnë 1-2 specialistë të fushës, që kanë të gjitha të dhënat e nevojshme për burimet e institucionit të tyre, si dhe autoritetin e domosdoshëm për të marrë pjesë aktive në vendimmarrje.
5. Në përbërje të strukturës së administratës së prefektit ngrihet zyra e planifikimit dhe e përballimit të emergjencës civile, në nivel qarku.
a) Nën drejtimin e prefektit ngrihet dhe funksionon komisioni i planifikimit dhe i përballimit të emergjencave civile, në nivel qarku. Përbërja, mënyra e funksionimit dhe përgjegjësitë e këtij komisioni përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit.
b) Në përbërje të organikës së zyrës së nënprefektit caktohet dhe inspektori për emergjencat civile.
6. Për organet vendore:
a) Në Bashkinë e Tiranës ngrihet zyra e planifikimit dhe e përballimit të emergjencave civile.
Struktura e kësaj zyre të jetë sipas lidhjes 1/a, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Në strukturën e administratës së kryetarit të qarkut, të bashkisë dhe të komunës caktohet një specialist me funksion të dytë, për mbulimin e problemeve të emergjencave civile.
7. Rekrutimi dhe trajtimi i personelit të strukturave të emergjencave civile.
a) Personeli, që do të rekrutohet në strukturat e mësipërme, të përzgjidhet nga kontigjenti i ish-ushtarakëve, sipas specifikave të institucioneve përkatëse.
b) Kriteret për përzgjedhjen e këtij personeli përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit.
c) Emërimi i personelit të emergjencave civile në administratën e prefektit bëhet nga prefekti, sipas procedurave të parashikuara nga ligjet në fuqi.
ç) Personeli i strukturave të emergjencave civile ka të njëjtin status me atë të personelit të institucionit që i përket.
d) Numri i punonjësve, fondi i pagave dhe shpenzimet e kësaj strukture të mbulohen nga buxheti vjetor i institucioneve përkatëse.
8. Vendkomandat e kohës së veçantë, të cilat kanë qenë në administrim të ish-këshillave të rretheve, kalojnë në administrimin e prefektit, kurse ato të komunitetit administrohen e mirëmbahen nga bashkitë dhe komunat.
9. Vendimi nr.292, datë 27.3.1995 i Këshillit të Ministrave “Për kalimin e shërbimit të MCR-së në Ministrinë e Brendshme” dhe çdo vendim e strukturë tjetër që bie në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
10. Ngarkohen Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit, të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera, të përcaktuara në këtë vendim, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRi
Fatos Nano
Lidhja 1/a
Për administratën e organeve vendore:
A. Në Bashkinë e Tiranës krijohet zyra e emergjencës civile me:
1. Përgjegjës zyre1 (një) punonjës
Në bashki dhe komuna
I.Brenda limitit të personelit të administratës së bashkisë dhe komunës, caktohet një punonjës me një detyrë të dytë, për ndjekjen e problemeve të emergjencave civile.
Rekomandime
A. Për ministritë:
Bazuar në nenin 11, pikën 1 dhe 2 të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile”, është përgjegjësi e çdo ministri për të ngritur dhe përcaktuar detyrat dhe mënyrën e funksionimit të komisionit për planifikimin dhe përballimin e emergjencave civile në linjën e ministrisë që drejton, por më poshtë jepen disa rekomandime.
Komisioni drejtohet nga titullari ose nga zëvendës i tij dhe mund të ketë në përbërje anëtarë të përhershëm ose të ndryshueshëm. Ai mund të mblidhet sa herë që e shikon të arsyeshme titullari.
Në këtë Komision marrin pjesë si anëtarë, drejtorë drejtorish, specialistë të fushës përkatëse, si dhe drejtorë ose kryeinxhinierë të ndërmarrjeve vartëse të ministrisë.
Ky Komision, ka këto detyra kryesore:
– përgatitjen e strategjisë, projekteve e programeve për parandalimin, planifikimin dhe përballimin e emergjencave civile.
– miratimin e planit për përballimin e emergjencave civile në linjën e ministrisë, si pjesë e planit kombëtar të përballimit të emergjencave civile;
– ndjekjen e realizimit të detyrave në drejtim të masave parandaluese;
– përgatitjen e projektbuxhetit, si zë më vete për emergjencat civile;
– koordinimin mes drejtorive të dikasterit, drejtorive rajonale, drejtorive e ndërmarrjeve vartëse, të cilat kanë lidhje me emergjencat civile.
Disa nga detyrat e sektorit/specialistit të planifikimit dhe përballimit të emergjencave civile.
Sektori i emergjencave ose specialisti (koordinator) shërben si sekretariat për përgatitjen e mbledhjeve dhe të të gjithë punëve administrative që nevojiten për funksionimin normal të Komisionit.
Gjithashtu ky sektor do të marrë dhe përpunojë të dhënat në lidhje me resurset që ka vetë ministria, bazën e të dhënave materialo-teknike, që disponon ministria në linjën e saj, etj.
Sektori do të jetë pika e kontaktit e ministrisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.
Sektori i planifikimit për përballimin e emergjencave civile në ministri do të përgatisë programe, plane e skenare situatash emergjente, për trajnimin e personelit të ministrisë, forcave operacionale dhe ndërmarrjeve të varësisë si dhe biznesit privat natyra e aktivitetit të të cilëve lidhet me natyrën e ministrisë.
Ky sektor përveç detyrave të mësipërme ka dhe këto detyra:
– të përcaktojë rregullat e përdorimit të burimeve materiale e financiare në rastet e emergjencave civile;
– të bashkërendojë organizimin dhe pajisjen e forcave të ndërhyrjes në rastet e emergjencave civile;
– të organizojë, zbatojë dhe monitorojë sistemin e të dhënave në nivel ministrie për situatat e emergjencave civile;
– të bashkëpunojë me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ose fatkeqësi të tjera, dhe riaftësimin e tyre, në përputhje me aktet nënligjore përkatëse;
– të kontrollojë zbatimin e masave mbrojtëse dhe parandaluese në rastet e emergjencave civile;
– të hartojë udhëzime për institucionet, entet, drejtoritë rajonale, ndërmarrjet vartëse të tyre, për fushën e emergjencave civile.
B. Për qarkun, bashkinë dhe komunën:
Në zbatim të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 nenet 15, 16 dhe 17 përbërja, rregullat dhe mënyrat e funksionimit të komisionit të qarkut dhe komisionit vendor përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.
Rekrutimi i personelit
Specialistët e këtij sektori do të jenë ish ushtarakë të cilët do t’i nënshtrohen një testimi profesional të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.
Për Ministritë si ajo e shëndetësisë kandidatët do të jenë me edukim bazë sipas specialitetit të ministrisë përkatëse.
Këta punonjës gëzojnë status të njëjtë me atë që kanë institucionet përkatëse.
Nga paragrafët e mësipërm përjashtohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Rendit Publik, të cilët kanë status të veçantë dhe mund të plotësojnë organikën e sektorit me efektivat e tyre.
Leave a comment