V E N D I M
Nr.531, datë 1.8.2003
PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E SHËRBIMIT TË EMERGJENCAVE CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15 të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile”, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimi i emergjencave civile, në nivel qendror dhe vendor, funksionon përmes 3 strukturave bazë operative:
a) strukturat monitoruese/njoftuese;
b) strukturat vepruese, aktive;
c) strukturat vepruese, mbështetëse.
2. Strukturat monitoruese/njoftuese përbëhen nga ministritë, institucionet dhe institucionet e varësisë, Instituti Hidrometeorologjik, Instituti Sizmik, Instituti i Fizikës Bërthamore, Instituti i Kërkimeve Veterinare, Instituti i Kërkimeve Ushqimore, Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi, Instituti i Shëndetit Publik, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Qendra Kombëtare Shkencore e Hidrokarbureve.
3. Strukturat monitoruese/njoftuese, së bashku me zyrat dhe inspektorët e emergjencave civile në administratën e prefektit, të ngarkuarit me problemet e emergjencave civile në bashki dhe komunë, japin të dhëna të vazhdueshme pranë Qendrës kombëtare të emergjencave operacionale civile në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, për parashikimin dhe ndodhjen e fenomeneve, të ngjarjeve dhe aksidenteve, që dëmtojnë ose rrezikojnë jetën normale të shtetasve në Republikën e Shqipërisë, si dhe në vendet e rajonit.
4. Strukturat vepruese, aktive përbëhen nga baza e mbrojtjes civile, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit (SAR), si dhe njësitë e tjera të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për aq kohë sa kryejnë detyra për përballimin e emergjencave civile, strukturat e Policisë së Shtetit, repartet e policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, në qarqe, si dhe stacionet zjarrfikëse, të krijuara me ligj pranë objekteve me rëndësi ekonomike, shtetërore dhe joshtetërore, shërbimi i ambulancës, shërbimi i urgjencës mjekësore, inspektoriati i kontrollit radiologjik dhe inspektoriati shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha strukturat e sistemit shëndetësor, reparti i inspektim-shpëtimit të minierave, reparti i likuidimit të avarive të KESH sh.a., Policia Elektrike dhe reparti avaro-shpëtues dhe i kërkim-përpunimit të naftës.
5. Strukturat vepruese, aktive angazhohen menjëherë për përballimin e çdo situate të krijuar nga faktorë të ndryshëm, që kërcënojnë jetën, pronën dhe veprimtarinë normale të shtetasve, sipas planeve të gatishmërisë dhe të veprimit për situata të emergjencave civile, të hartuara dhe të miratuara më parë.
6. Strukturat vepruese, mbështetëse janë: Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit, vrojtuesit, Policia Pyjore dhe ndërmarrjet rajonale të ujërave, ndërmarrjet rajonale të ujësjellës-kanalizimeve, ndërmarrjet e mirëmbajtjes së rrugëve urbane dhe strukturat e Policisë së Ndërtimit, ndërmarrjet rajonale të mirëmbajtjes së rrugëve dhe grupet e eliminimit të avarive, të Telecom-it, strukturat e Policisë Tatimore dhe të Doganave, organizmat ndërkombëtarë dhe/ose jofitimprurës, që kanë lidhje me emergjencat civile, brenda ose jashtë vendit, grupet dhe individë vullnetarë, strukturat ndërkombëtare, të specializuara për ndihmë humanitare, si Kryqi i Kuq Shqiptar dhe OJF-të që veprojnë në vend.
7. Strukturat vepruese, mbështetëse planifikohen për ndërhyrje në situata emergjente dhe angazhohen në situatat e krijuara, në mbështetje të strukturave vepruese, aktive.
8. Me kërkesën e prefektit, në rastet kur shtrirja e një emergjence civile rritet në mënyrë të menjëhershme, pas njoftimit të drejtuesve të organeve qendrore, që kanë në varësi strukturat përkatëse, për përballimin e situatave mund të angazhohen strukturat vepruese mbështetëse, që veprojnë në territorin e qarkut, por që janë në varësi të drejtpërdrejtë të organeve qendrore.
9. Departamenti i planizimit dhe përballimit të emergjencave civile shërben si pikë kontakti, në nivel kombëtar, për të gjitha problemet që kanë lidhje me emergjencat civile si në kohë të qetë, edhe në kohë emergjence.
10. Qendra kombëtare operacionale e emergjencave civile, në veçanti mban lidhje të vazhdueshme me Qendrën e bashkuar operacionale të Ministrisë së Mbrojtjes, Qendrën e informacionit të Ministrisë së Rendit Publik, si dhe me çdo pikë kontakti të organeve qendrore e vendore dhe me institutet dhe agjencitë që lidhen me emergjencat civile. Këto struktura kanë detyrime të ndërsjella për dhënien dhe marrjen e informacionit.
11. Ekipet dhe ndihmat, që vijnë nga shtete të tjera dhe strukturat ndërkombëtare të emergjencave civile, veprojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe të ndihmës humanitare sipas standardeve dhe procedurave ndërkombëtare, konventave për dhënie ndihme në rastet e emergjencave civle, marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh dhe në përputhje me apelet e kërkesat që u bëhen nga strukturat përgjegjëse shtetërore.
12. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, Ministri i Pushtetit Vendor dhe i Decentralizimit dhe drejtuesi qendror i operacionit, kur emergjencat civile kanë rritje të menjëhershme dhe kërcënuese, i kërkojnë Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Rendit Publik përdorimin e forcave të armatosura, të forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe speciale, në operacionet për përballimin e emergjencave civile dhe riaftësimin e zonave të dëmtuara.
13. Baza e mbrojtjes civile, njësitë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe repartet speciale të Ministrisë së Rendit Publik, në operacionet e shpëtimit dhe të riaftësimit drejtohen nga komandantët e tyre, sipas detyrave që u jepen nga drejtuesi i operacionit.
14. Kur shtrirja ose ndikimet e një emergjence civile rriten në mënyrë të menjëhershme dhe bëhet e papërballueshme nga kapacitetet që ka qarku, prefekti i drejtohet Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, i cili i kërkon Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes ose Ministrit të Rendit Publik angazhimin e njësive të forcave të armatosura dhe të forcave speciale të Ministrisë së Rendit Publik.
15. Në rast situate emergjente, me kërkesë të kryetarit të bashkisë ose të komunës, prefekti cakton, pranë komisionit vendor për emergjencat civile të bashkisë ose komunës, një pjesë ose të gjithë stafin e zyrës së emergjencave të administratës së tij.
16. Në rast të një fatkeqësie të menjëhershme, katastrofike, kryetari i bashkisë ose i komunës u drejtohet, drejtëpërdrejt, për ndihmë të gjithë drejtuesve të strukturave të sistemit të emergjencave civile, që veprojnë në territorin e tij ose të atyre fqinjë, njofton menjëherë prefektin dhe Qendrën kombëtare operacionale në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit.
17. Në varësi të tipit dhe të përmasave të fatkeqësisë, Qendra kombëtare operacionale e emergjencave civile njofton strukturat e shërbimit të emergjencave civile të çdo niveli, të cilat pas këtij njoftimi, vihen në gjendje gatishmërie.
18. Të gjitha efektivat e strukturave të shërbimit të emergjencave civile, për kohën që kryejnë detyra në përballimin e këtyre emergjencave, krahas stemës së institucionit përkatës, mbajnë dhe stemën e shërbimit të emergjencave civile të Republikës së Shqipërisë, e cila miratohet me këtë vendim dhe përdoret në uniformat e strukturave të shërbimit të emergjencave civile dhe në shkresat zyrtare.
19. Stema e shërbimit të emergjencave civile është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
20. 26 marsi, dita e miratimit të ligjit “Për emergjencat civile” njihet si dita e shërbimit të emergjencave civile.
21. Strukturat e drejtimit operacional të emergjencave civile, në nivel qendror dhe vendor, janë pjesë e strukturave kombëtare të planizimit dhe përballimit të emergjencave civile.
22. Në rastet kur nuk është shpallur gjendja e emergjencave civile, drejtimin e strukturave të shërbimit të emergjencave civile, deri në caktimin e drejtuesit të operacionit, e merr komandanti i stacionit zjarrfikës më të afërt. Në të gjitha rastet, veprimet operacionale kryhen në zbatim të manualit “Mbrojtja civile”, i cili miratohet nga Ministri i Pushtetit Vendor dhe i Decentralizimit.
23. Kur shpallet gjendja e emergjencave civile, për drejtimin e strukturave të shërbimit të emergjencave civile, caktohen drejtuesit e operacioneve në nivelet e mëposhtme:
a) Drejtuesi qendror i operacionit, i cili emërohet nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.
b) Drejtuesi i operacioneve në nivel qarku, i cili emërohet nga prefekti.
c) Drejtuesi i operacioneve në nivel bashkie dhe komune, i cili emërohet nga kryetari i bashkisë/komunës.
ç) Drejtuesit e forcave vepruese të shërbimit të emergjencave civile në nivel qendror dhe vendor, si dhe qendrat operacionale të tyre.
24. Drejtuesi qendror i operacionit kryhen këto detyra:
a) Vepron sipas udhëzimeve që merr nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile dhe raporton përpara këtij komiteti, rast pas rasti ose sa herë që e gjykon të nevojshme ky Komitet.
b) Menaxhon situatën dhe strukturat e shërbimit operacional të emergjencave civile në nivel qendror, në zbatim të Planit Kombëtar për përballimin e Emergjencave Civile.
c) Vendos lidhje të drejtpërdrejta me Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit dhe i kërkon atij raporte periodike e përmbledhëse për situatën.
ç) Kërkon nga drejtuesit e operacioneve dhe të strukturave të shërbimit të emergjencave civile të niveleve më të ulëta, zbatimin e detyrave për përballimin e emergjencave civile.
d) Bashkëpunon me drejtuesit e operacioneve dhe strukturat e shërbimit të emergjencave civile në bashki dhe komuna.
25. Drejtuesi i operacionit në nivel qarku kryen këto detyra:
a) Menaxhon situatën nëpërmjet drejtimit të strukturave operacionale të shërbimit të emergjencave civile, në zbatim të planeve të hartuara më parë për përballimin e emergjencave civile në nivel qarku.
b) Vepron sipas udhëzimeve që merr nga komisioni i bashkërendimit të veprimtarive për emergjencat civile në qark dhe raporton përpara këtij komisioni, rast pas rasti ose sa herë që e gjykon të nevojshme ky komision.
c) Vendos lidhje të drejtpërdrejta me drejtuesin qendror të emergjencave civile pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, me Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit dhe dërgon raporte periodike e përmbledhëse për situatën.
ç) Bashkëpunon me drejtuesit operacionalë dhe me strukturat e shërbimit të emergjencave civile në bashki dhe komuna.
d) Bashkëpunon me grupe të shërbimit vullnetar të emergjencave civile dhe me organizma e institucione të huaja, të specializuara në përballimin e emergjencave civile, që ofrojnë ndihmë në territorin.
26. Drejtuesi i operacionit në bashki/komunë kryen këto detyra:
a) Zbaton udhëzimet e kryetarit të bashkisë/komunës, mban lidhje të vazhdueshme me zyrën e emergjencave civile të administratës së prefektit dhe me Qendrën kombëtare operacionale të emergjencave civile në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit.
b) Raporton dhe ndjek udhëzimet e Komisionit vendor për emergjencat civile dhe kërkon mbështetjen e këtij Komisioni.
c) Vepron sipas planeve të përballimit të emergjencave, të hartuara më parë dhe të miratuara në këshillin bashkiak ose komunal, të cilat janë pjesë e planit të emergjencave të qarkut.
ç) Në rast se situata përkeqësohet dhe me mundësitë e mjetet që zotëron nuk mund ta përballojë situatën e krijuar, i propozon kryetarit të bashkisë ose të komunës të kërkojë mbështetje nga bashkitë ose komunat fqinje dhe nga instancat më të larta shtetërore.
d) Bashkëvepron me grupe vullnetarësh, të specializuar për përballimin e emergjencave dhe me banorë, që shprehin dëshirën të përfshihen përkohësisht në strukturat e shërbimit të emergjencave civile të bashkisë/komunës.
27. Drejtuesit e forcave vepruese të shërbimit të emergjencave civile në nivel qendror dhe vendor, si dhe qendrat operacionale kryejnë detyrat dhe përgjigjen për zbatimin e planeve për përballimin e emergjencave civile, sipas niveleve përkatëse.
28. Ngarkohen Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Rendit Publik, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe e Turizimit, Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit, prefektët e qarqeve, institutet kërkimore dhe shkencore, organet e qeverisjes vendore, si dhe agjencitë e subjektet e ndryshme, që kanë lidhje me planifikimin dhe përballimin e emergjencave civile, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Fatos Nano
Leave a comment