V E N D I M
Nr.532, datë 1.8.2003
PËR PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E DEPARTAMENTIT TË PLANIFIKIMIT DHE TË PËRBALLIMIT TË EMERGJENCAVE CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4 të nenit 9 të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile” dhe të pikës I/1 të nenit 2 të ligjit nr.8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin”, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Departamenti i planifikimit dhe i përballimit të emergjencave civile është përgjegjës për:
a) bashkëpunimin me institucionet e tjera për hartimin dhe freskimin e Planit Kombëtar për Përballimin e Emergjencave Civile;
b) hartimin e planeve për plotësimin dhe freskimin e rezervave të emergjencave civile, në përputhje me Planin Kombëtar të Emergjencave Civile;
c) menaxhimin e sistemit të mbrojtjes civile dhe bashkërendimin e strukturave, shtetërore dhe joshtetërore që lidhen me to;
ç) përgatitjen, ndjekjen dhe zbatimin e akteve nënligjore për planifikimin dhe përballimin e emergjencave civile;
d) organizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare për bashkëpunim dypalësh dhe shumëpalësh, për problemet e emergjencave civile, mbrojtjen nga zjarri dhe të ndihmave humanitare.
2. Departamenti i planifikimit dhe i përballimit të emergjencave civile ka këto detyra:
a) Zbaton, së bashku me institucionet e tjera, politikën e Këshillit të Ministrave në fushën e planifikimit për përballimin e emergjencave civile, të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, si dhe në krijimin, përdorimin dhe shpërndarjen e mallrave rezervë emergjente: ushqimore, materiale e monetare.
b) Bashkëpunon me institucionet dhe entet publike të vendit, për të bërë vlerësimin e situatave emergjente mbi të cilat bazohet Plani Kombëtar i Emergjencave Civile dhe organizon punën për freskimin e tij në mënyrë periodike.
c) Ndjek në vazhdimësi situatën e mbrojtjes nga zjarri dhe gjendjen e emergjencave civile në të gjithë territorin e vendit, në rajon dhe më gjerë dhe planifikon masa vepruese ndaj tyre.
ç) Planifikon fonde për studime nga entet publike për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile.
d) Në çdo 6 muaj përgatit raport për gjendjen e përgjithshme të planifikimit dhe të përballimit të emergjencave civile.
dh) I siguron Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile të gjitha të dhënat e nevojshme për situatat emergjente, për rreziqet që paraqesin, si dhe mundësitë për mbështetje materiale të operacioneve për përballimin e emergjencave civile.
e) Planifikon dhe përcakton rregullat e përdorimit të burimeve financiare e materiale, në rastet e emergjencave civile.
ë) Bashkërendon punën e institucioneve qendrore me organet e qeverisjes vendore për përballimin e emergjencave civile.
f) Bashkërendon organizimin dhe pajisjen e strukturave aktive dhe mbështetëse të shërbimit të emergjencave civile.
g) Kërkon të dhëna për përballimin e emergjencave civile, duke komunikuar drejtpërdrejt me strukturat e përhershme dhe të përkohshme të shërbimit të emergjencave civile në nivel qendror, në nivel qarku dhe bashkie e komune.
gj) Organizon, zbaton dhe monitoron sistemin e të dhënave në nivel kombëtar për situatat e emergjencave civile.
h) Lidh marrëveshje me shoqata dhe organizma, që ofrojnë asistencë për realizimin e detyrave të planit, për përballimin e emergjencave civile dhe për krijimin e rezervave.
i) Organizon dhe drejton konferenca, seminare dhe workshope për personelin e shërbimit të emergjencave në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor.
j) Përpunon dhe ndjek programet e edukimit publik dhe të trajnimit të strukturave shtetërore dhe joshtetërore, në fushën e mbrojtjes civile.
k) Udhëzon strukturat përgjegjëse për mënyrën e sensibilizimit dhe të ndërgjegjësimit të opinionit publik për emergjencat civile dhe mbrojtjen nga zjarri.
l) Bashkërendon për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, si dhe riaftësimin nga fatkeqësitë natyrore ose nga fatkeqësi të tjera, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore përkatëse.
ll) Kontrollon zbatimin e masave mbrojtëse dhe parandaluese për përballimin e rasteve të emergjencave civile dhe mbrojtjes nga zjarri pranë subjekteve shtetërore dhe private, në të gjithë territorin e vendit.
m) Kontrollon mënyrën e përdorimit të burimeve materiale dhe financiare që vihen në dispozicion nga Buxheti i Shtetit ose nga organe të tjera shtetërore, për rastet e emergjencave civile për organet qendrore dhe vendore.
n) Kontrollon shpërndarjen dhe mënyrën e përdorimit të mallrave rezervë emergjente, në përputhje me Planin Kombëtar të Emergjencave Civile, si dhe me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
nj) Organizon grupe ndërministrore monitorimi për mënyrën e menaxhimit të sistemit të emergjencave civile.
3. Ngarkohen Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit, Departamenti i Administratës Publike pranë Këshillit të Ministrave dhe ministritë e linjës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Fatos Nano
Leave a comment