V E N D I M
Nr.533, datë 1.8.2003
PËR PJESËMARRJEN E SHTETASVE NË PARANDALIMIN DHE PËRBALLIMIN E EMERGJENCAVE CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26 dhe 35 të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile” dhe të nenit 12 të ligjit nr.8927, datë 25.7.2002 “Për prefektin”, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Prefekti i qarkut, nëpërmjet zyrave të gjendjeve civile në bashki dhe komuna, siguron të dhëna dhe mban evidencë për shtetasit në territorin e qarkut, me moshë nga 18 deri në 55 vjeç për gratë dhe deri në 60 vjeç për burrat.
2. Prefekti i qarkut, nëpërmjet qendrave të rekrutim-mobilizimit në qarqe, evidenton dhe siguron të dhëna për shtetasit, të cilët gjatë shërbimit ushtarak janë specializuar në shërbime të mbrojtjes civile, operacionet e kërkim-shpëtimit, repartet xheniere, mbrojtjen nga armët e shkatërrimit në masë, mbrojtjen nga zjarri, shërbimin shëndetësor, si dhe specialitete të tjera të nevojshme për përballimin e emergjencave civile.
3. Prefekti i qarkut, nëpërmjet drejtorive arsimore të rretheve, evidenton dhe siguron të dhëna për shtetasit, të cilët kanë përfunduar arsimin e lartë dhe janë specialistë të fushave përkatëse, si dhe planifikon përfshirjen e tyre në procesin e planifikimit, parandalimit dhe përballimit të emergjencave civile.
4. Në rastet e emergjencave civile, drejtuesi qendror i operacionit/drejtuesi i operacioneve në nivel qarku, i kërkon prefektit të qarkut angazhimin, sipas nevojave të shtetasve të aftë. Prefekti i qarkut, në bashkërendim me kryetarin e bashkisë/komunës, urdhëron aktivizimin e shtetasve dhe planifikon përfshirjen e tyre pranë strukturave operacionale, që veprojnë për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile në territorin e qarkut.
5. Kryetari i bashkisë/komunës, nëpërmjet zyrave të gjendjeve civile në bashki dhe komunë, siguron të dhëna dhe mban evidencë për shtetasit në territorin përkatës, me moshë nga 18 deri në 55 vjeç për gratë dhe deri 60 vjeç për burrat.
6. Kryetari i bashkisë/komunës, në rastet e emergjencave civile, me kërkesë të komisionit vendor të Emergjencave Civile në bashki/komunë, drejtuesit të operacioneve ne nivel qarku, drejtuesit të operacioneve në nivel bashkie/komunë, në bashkërendim me prefektin urdhëron angazhimin, sipas nevojës të shtetasve të aftë në territorin përkatës të bashkisë/komunës dhe planifikon përfshirjen e tyre pranë strukturave vendore ose strukturave të tjera operacionale, që veprojnë për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile në territorin e prekur nga fatkeqësia.
7. Kur shtetasi angazhohet për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile mbi 8 orë në ditë dhe larg vendbanimit sipas rastit, prefekti i qarkut, kryetari i bashkisë/komunës, në bashkëpunim me strukturat operacionale dhe shoqatat humanitare, ku shtetasi është angazhuar, e trajtojnë me ushqim dhe fjetje.
8. Asnjë drejtues operacioni nuk mund të detyrojë shtetasin e angazhuar në operacionet për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile, të ndërhyjë në situata dhe vende ku rrezikohet jeta e shtetasit, si dhe ku/kur kërkohet kualifikim i veçantë.
9. Në çdo rast kur me urdhër të prefektit, kryetarit të bashkisë/komunës, shtetasi angazhohet për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile, atij i lëshohet dokument zyrtar, që vërteton angazhimin e tij në strukturën përkatëse.
10. Dokumenti zyrtar, që vërteton pjesëmarrjen e shtetasit në parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile, detyron punëdhënësin, qoftë ky dhe subjekt privat, të garantojë vendin e punës dhe pagesën e plotë.
Në rastet e aksidenteve, institucionet përkatëse plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për përfitim të pensionit të invaliditetit, sipas legjislacionit në fuqi.
11. Për moszbatimin e urdhërit të prefektit të qarkut dhe të kryetarit të bashkisë/komunës për pjesëmarrje të shtetasve në përballimin e situatave emergjente, zbatohen dispozitat e akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
12. Prefekti i qarkut, në bashkëpunim me qendrat e rekrutim-mobilizimit në qarqe, me drejtuesit e reparteve të forcave të armatosura në territorin e qarkut, me stacionin e PMNZSh-së dhe OJF-të, programon dhe realizon trajnimin e shtetasve për situatat e emergjencave civile.
13. Ngarkohen Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit, Ministria e Mbrojtjes, prefektët e qarqet dhe kryetarët e bashkive/komunave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Fatos Nano
Leave a comment