V E N D I M
Nr. 206, datë 26.3.1998
PËR KRITERET PËR PJESËMARRJEN E SHTETIT NË PËRBALLIMIN E DËMEVE NË RAST FATKEQËSISH
Me propozimin e Sekretarit Shtetëror për Pushtetin Lokal, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kur në zonat urbane dhe rurale ndodh dëmtim apo shkatërrim i banesave në pronësi të shtetasve , shteti mund të marrë pjesë me ndihmë financiare të pjesshme ose të plotë, për lehtësimin e dëmit të krijuar, mbi bazën e kritereve të përcaktuara në këtë vendim. Shteti ndërhyn kur pasojat janë me rrezik për jetën e njerëzve dhe në këto raste merr masa për lehtësimin e gjendjes dhe mënjanimin e rrezikut për jetën e shtetasve.
2. Këshilli i Ministrave merr pjesë me ndihmë financiare në rastet e dëmtimit të banesave, si pasojë e këtyre faktorëve:
– dëmtime nga tërmetet;
– dëmtime nga rrëshqitjet masive të trojeve;
– dëmtime nga përmbytjet masive;
– dëmtime nga zjarret ose për shkaqe të tjera të forcave madhore.
3. Procedura e hartimit të dokumentacionit
Bashkia ose komuna, kur ka raste të dëmtimit të ndërtesave të përmendura në pikën 2 të këtij vendimi krijon menjëherë një komision për hartimin e procesverbaleve të konstatimit të gjendjes. Këshilli i rrethit krijon një komision ekspertësh, të cilët, brenda 10 ditëve nga dita e ngjarjes, bëjnë vlerësimet e mëposhtme:
a) dëmet në anën ndërtimore;
b) dëmet në orendi dhe pajisje, në rast se ka.
Këshilli i bashkisë a komunës, pasi shqyrton procesverbalet për konstatimin e gjendjes dhe ato të komisionit të ekspertëve të këshillit të rrethit, merr vendimin për dhënien e ndihmës financiare. Ky vendim i paraqitet SSHPL-së, pas konfirmimit të tij nga prefekti, së bashku me dokumentacionin vijues:
– procesverbalet e konstatimit të gjendjes;
– preventivat (nga ana ndërtimore, orendi e pajisje);
– aktekspertizë nga MNZ-ja për rastet e dëmtimit nga zjarri;
– raporti gjeologjik për rastet e rrëshqitjeve masive të trojeve;
– lista emërore e familjeve të dëmtuara, përbërja familjare në momentin e ngjarjes, e vërtetuar me certifikatë të gjendjes civile; Kjo listë të firmoset nga nëpunësi i gjendjes civile dhe kryetari i bashkisë a komunës.
– vendimi i këshillit të rrethit me propozimet përkatëse, në rastet kur dëmi do të përballohet nga ky organ.
4. Masat e ndihmës për rastet që do të trajtohen me këtë vendim
4.1. Për rastet e shkatërrimit të banesave, masa e ndihmës falas të jetë 40-50% e vlerës së banesës së re. Vlera e banesës së re do të llogaritet mbi bazën e kostos së ndërtimit të banesave nga EKB-ja, për vitin përkatës kur do të llogaritet masa e ndihmës falas. Për rastet kur vlera e tregut të lirë të banesave është më e ulët se vlera e banesës e llogaritur mbi bazën e kostos së ndërtimit të banesave nga EKB-ja, merret për bazë vlera e tregut të lirë të rrethit përkatës. Në të gjitha rastet, sipërfaqja e banesës së re do të jetë e njëjtë me sipërfaqen e asaj ekzistuese. Bëjnë përjashtim rastet, kur sipërfaqja e banimit të banesës së vjetër është mbi normativat e strehimit; në këtë rast sipërfaqja e banesës së re do të llogaritet mbi bazën e përbërjes familjare.
– Në rastet kur është e mundur të përdoren materialet e banesës ekzistuese, ndihma falas do të jepet në masën 40 për qind të vlerës së dëmit..
Për rastet e dëmtimit të mesëm e të lehtë ndihma falas të jetë në masën 50 për qind të vlerës së dëmit.
Për rastet kur ka viktima në njerëz, jepet një ndihmë e menjëhershme falas në masën 50 000 lekë, për çdo viktimë.
Në të gjitha rastet kur ka dëmtime në pajisje dhe orendi, pas vlerësimit real të dëmit, jepet ndihma falas deri në 20 000 lekë për frymë, por jo më shumë se 100 000 lekë për familje. Për rastet kur vlera e dëmit është më e vogël se masa e përfitimit falas për frymë, ndihma falas do të jetë e barabartë me vlerën e dëmit.
Në rastet kur zhvendosja e banesave kërkon zgjidhje të problemit me ndërtime masive, atëhere zbatohet ligji nr. 7848, datë 25.7.1994 “Shpronësimet për interes publik”. Vlera e zhdëmtimit në lekë përballohet nga shteti.
Në rastet kur banesat janë bërë të pabanueshme, sipas vlerësimit nga komisioni i posaçëm, prefekti paraqet kërkesën në Këshillin e Ministrave (Rezervat e Shtetit apo Ministrinë e Mbrojtjes) për pajisjen me çadra për sistemim të përkohshëm, që vihen në dispozicion sipas gjendjes.
5. Dëmtimet nga tërmetet
Për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet, ngrihen komisione ekspertësh në shkallë bashkie, komune a rrethi, të cilat, brenda 10 ditëve nga dita e rënies së tërmetit, hartojnë procesverbalet përkatëse të shoqëruara me preventiva. Dokumentacioni i plotë i përgatitur nga komisionet, pas konfirmimit në prefekturë, i dërgohet Sekretariatit Shtetëror për Pushtetin Lokal, i cili, në varësi nga shtrirja gjeografike dhe përmasat e dëmit, kërkon pranë Këshillit të Ministrave ngritjen e komisionit të posaçëm qeveritar, në përbërje të të cilit të jenë specialistë të fushave përkatëse nga ministritë dhe institucionet qendrore për verifikimin dhe vlerësimin e gjendjes në vend.
Për dëmtime të rënda, në raste të veçanta, me arsye të motivuar, Këshilli i Ministrave ndihmon në përballimin e dëmit, në bazë të propozimit të bërë nga komisioni i posaçëm qeveritar.
6. Dëmtimet nga rrëshqitja masive e truallit
Në rastet e dëmtimeve nga rrëshqitjet masive të truallit, të kryhet studimi gjeologjik nga institucionet e specializuara të autorizuara për këtë qëllim nga Sekretariari Shtetëror për Pushtetin Lokal dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Me anë të këtij studimi të përcaktohet paqëndrueshmëria e truallit, shtrirja që lë rrëshqitja, zhvendosjet e domosdoshme të banesave, sipas shkallës së rrezikshmërisë:
a) Banesa me rrezikshmëri të lartë, ku përfshihen banesat brenda trupit rrëshqitës.
b) Banesa me rrezikshmëri të ulët, ku përfshihen banesat jashtë trupit rrëshqitës.
Për secilin rast, ndërhyrjet e shtetit të jenë të diferencuara.
Për pikën “a”, masa e ndihmës të jetë sipas pikës 4.1.
Për pikën “b”, masa e ndihmës të jetë sipas pikës 4.2.
Përcaktimi i zhvendosjes së banesave bëhet brenda zonës së zhvillimit me plan rregullues të miratuar nga KRRT-ja e rrethit.
7. Dëmtimet nga përmbytjet masive, zjarret dhe shpërthimet me lëndë plasëse
– Procedura që ndiqet për këto raste do të jetë sipas pikës 3 të këtij vendimi.
Masa e ndihmës falas të jetë sipas pikës 4 të këtij vendimi.
Në rastet kur shkaku i djegies ose i shpërthimit nuk përcaktohet menjëherë, vetë pronari i ndërtesës duhet të paraqesë kërkesë për ekspertim në organet kompetente. Raporti i ekspertëve duhet t’i bashkëngjitet dokumentave të tjera.
8. Burimet financiare të përballimit të dëmeve
8.1. Organi i pushtetit lokal përkatës (bashkia ose komuna) ka të drejtë të përdorë për qëllimet që parashtron ky vendim, fondin rezervë të miratuar, të ardhurat, si dhe sponsorizimet dhe donacionet që mund t’i vihen në dispozicion nga donatorë të ndryshëm. Përdorimi i këtyre fondeve bëhet me vendim të Këshillit të bashkisë a komunës.
8.2. Në të gjitha rastet fondet që jep organi i pushtetit lokal ose Këshilli i Ministrave sipas këtij vendimi, administrohen nga organi i pushtetit lokal (bashkia ose komuna) përkatës. Ky organ ka detyrën e kontrollit të përdorimit të fondit vetëm qëllimin e dhënies së tij. Për këtë mund të aplikojë dhënien me këste të fondit të akorduar, duke kërkuar në vazhdimësi nga përfituesit dokumente që vërtetojnë përdorimin e këtij fondi për qëllimin e dhënies së tij.
8.3. Titullarët e organeve të pushtetit lokal, komisionet ose institucionet e tjera mbajnë përgjegjësi për zbatimin e procedurave të përmendura në këtë vendim.
8.4. Nëse organet e kontrollit në komunë, bashki, rreth, prefekturë, Sekretariatin Shtetëror për Pushtetit Lokal apo organe të tjera konstatojnë abuzime në vlerësimin e dëmeve nga komisionet, shkaktarët vihen përpara përgjegjësisë materiale dhe çështja dërgohet për ndjekje penale.
9. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave, Sekretariati Shtetëror për Pushtetin Lokal, si dhe komunat, bashkitë, rrethet e prefekturat.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
Fatos Nano
Leave a comment