LIGJ
Nr. 9946, datë 30.6.2008
PËR SEKTORIN E GAZIT NATYROR
Në mbështetje të neneve 78 e 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi dhe objekti
1. Qëllimi i këtij ligji është krijimi i kuadrit ligjor për zhvillimin dhe rregullimin e sektorit të gazit natyror në Republikën e Shqipërisë, për të mundësuar një treg konkurrues dhe të integruar me tregjet rajonale dhe europiane, për një shërbim me cilësi të lartë dhe me kosto të arsyeshme.
2. Ky ligj përcakton politikat, rregullat e procedurat për organizimin dhe funksionimin e tregut të gazit natyror dhe veprimtaritë e lidhura me të, përfshirë procedurat, të drejtat e personave fizikë dhe juridikë për këto veprimtari.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për të gjitha veprimtaritë e sektorit të gazit natyror, përfshirë transmetimin, shpërndarjen, tregtimin, depozitimin, furnizimin, konsumin, si dhe ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së gazit natyror.
2. Veprimtaria e kërkimit dhe e prodhimit të gazit natyror nuk është objekt i këtij ligji. Ajo rregullohet nga ligji nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (Kërkim dhe prodhim)”, të ndryshuar.
3. Sektori i gazit natyror përfshin gazin natyror, gazin natyror të lëngëzuar (GNL), biogazin, si dhe gazin nga biomasa ose tipa të tjerë gazrash të tilla që, nga pikëpamja teknike dhe e sigurisë teknike, mund të injektohen e të transportohen nëpërmjet sistemit të gazit natyror.
Neni 3
Përkufizimet
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. Depozitim” është injektimi i gazit natyror në hapësirat depozituese, depozitimi dhe tërheqja e tij nga këto hapësira.
2. “E” është Enti Rregullator i Energjisë, përgjegjës për rregullimin e sektorit të energjisë elektrike dhe të gazit natyror, і cili organizohet dhe funksionon sipas dispozitave të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar dhe të këtij ligji.
3. “Forcë madhore” është një ngjarje ose një akt natyror apo shoqëror, që ndodh në vend, si tërmetet, ciklonet, rrufetë, përmbytjet, shpërthimet vullkanike, zjarret, lufta, konfliktet e armatosura, kryengritjet, aktet terroriste, të cilat e pengojnë të licencuarin të përmbushë detyrimet sipas licencës, si dhe akte ose ngjarje të tjera, të cilat janë jashtë kontrollit të mundshëm të të licencuarit e nuk ndodhin për faj të tij dhe i licencuari nuk është në gjendje t’i eliminojë ato, edhe pse ka ushtruar aftësitë, përpjekjet dhe kujdesin e tij.
4. “Furnizim” është shitja e gazit natyror, përfshirë GNL-në, te klientët fundorë.
5. “Gaz natyror” është gazi metan, përshirë gazin shoqërues, si dhe të gjitha hidrokarburet, që janë në gjendje të gaztë, në kushte atmosferike normale, і cili, në kuptim të këtij ligji, përfshin edhe GNL-në, biogazin ose lloje të tjera gazi, që transmetohen dhe shpërndahen në sistemin e tubacioneve.
6. “Hapësirë depozitimi” është hapësira e përdorur për depozitimin e gazit natyror, që zotërohet dhe/ose operohet nga një shoqëri e gazit natyror, përfshirë pjesën e impianteve të GNL-së, të përdorura për depozitim, duke përjashtuar ato që përdoren për veprimtarinë e prodhimit, si dhe hapësirat e rezervuara ekskluzivisht për Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) në kryerjen e funksioneve të tij.
7. “Hidrokarbur” është nafta bruto ose gazi natyror.
8. “Hyrje e palëve të treta” është e drejta e një pale të tretë për të hyrë dhe përdorur sistemin e gazit, me terma e kushte të përcaktuara.
9. “Hyrje në hapësirat e depozitimit” është e drejta e një prodhuesi, furnizuesi, transportuesi, klienti të kualifikuar apo e një personi të përdorë hapësirat e depozitimit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
10. “Hyrje në sistemin e transmetimit/shpërndarjes” është e drejta dhe mundësia e një prodhuesi, furnizuesi dhe/ose klienti të kualifikuar të përdorë sistemin e transmetimit/shpërndarjes.
11. “Impiant GNL-je” është terminali, që përdoret për lëngëzimin e gazit natyror ose importin, eksportin, shkarkimin apo rigazifikimin e GNL-së, përfshirë shërbimet ndihmëse dhe depozitat e përkohshme, të nevojshme për procesin e rigazifikimit dhe livrimin e mëtejshëm në sistemin e transmetimit. Këtu nuk përfshihet asnjë pjesë e terminaleve të GNL-së, që përdoren për depozitim.
12. “Infrastrukturë e re” është infrastruktura, që nuk ka përfunduar deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji.
13. “IQT” është Inspektorati Qendror Teknik, që është krijuar dhe funksionon sipas dispozitave të ligjit nr.9595, datë 27.7.2006 “Për Inspektoratin Qendror Teknik”.
14. “Kapacitet i disponueshëm” është kapaciteti i transmetimit, i shpërndarjes, i impiantit të GNL-së ose hapësirave të depozitimit, të përcaktuara sipas rregulloreve përkatëse, i cili mund t’u sigurohet përdoruesve të sistemit ose rrjetit nga operatori i sistemit.
15. “Klient” është subjekti, që blen me shumicë, si dhe klienti fundor i gazit natyror.
16. “Klient fundor” është klienti, që e blen gazin natyror për nevojat e veta.
17. “Klient i kualifikuar” është klienti, i lirë të blejë gaz nga furnizuesit, sipas zgjedhjes së vet.
18. “Klient me të ardhura të pakëta” është klienti, і cili, me të ardhurat që siguron, nuk është në gjendje të përballojë çmimin e gazit natyror dhe që përfiton nga programet mbështetëse të qeverisë.
19. “Klient rezidencial” është klienti, që blen gaz për konsum familjar dhe jo për veprimtari tregtare ose profesionale.
20. “Klient jorezidencial” është klienti, і cili blen gaz natyror, që nuk është për përdorim rezidencial.
21. “Klient tarifor” është klienti, i cili nuk është i lirë të blejë gaz nga furnizuesi i zgjedhur prej tij.
22. “Kontratë “take-or-pay”” është kontratë blerjeje ose shitjeje gazi, sipas së cilës blerësi e paguan sasinë e kontraktuar të gazit, pavarësisht nëse kjo sasi është konsumuar ose jo nga ai.
23. “Leje” është akti i miratimit nga organi i parashikuar në këtë ligj, për të ndërtuar dhe përdorur infrastrukturën e sistemit të gazit (tubacione gazsjellësish, impiante GNL-je apo hapësira depozituese), sipas procedurave përkatëse.
24. “Leje koncesioni” është leja e dhënë nga Këshilli i Ministrave për ndërtimin dhe përdorimin e një gazsjellësi, sipas dispozitave të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
25. “Lëngëzim i gazit natyror” është procesi i ftohjes së gazit natyror në kushte normale, deri në temperaturën -163oC, derisa ai të shndërrohet në gaz natyror të lëngëzuar (GNL).
26. “Licencë” është autorizimi, që i jepet një personi, sipas përcaktimeve të seksionit II të kreut III të këtij ligji, për t’u angazhuar në njërën nga veprimtaritë e sektorit të gazit natyror.
27. “Linepack” është një sasi gazi natyror, e ruajtur në gjendje të ngjeshur në sistemet e transmetimit dhe të shpërndarjes së gazit natyror, pa përfshirë kapacitetet teknologjike, të përdorura ekskluzivisht nga OST-ja.
28. “Linjë direkte” është një tubacion i gazit natyror, komplementar i sistemit të ndërlidhur, që lidh një burim të gazit me një klient.
29. “Linjë interkonjeksioni” është një linjë transmetimi, e cila kalon një kufi, ndërmjet dy vendeve, vetëm për të lidhur sistemet e transmetimit të këtyre vendeve.
30. “Ministër” është ministri përgjegjës për sektorin e energjisë.
31. “Ministria” është ministria përgjegjëse për sektorin e energjisë.
32. “Operim” është vënia në veprim dhe shfrytëzimi, në kuptimin tregtar, të infrastrukturës së sistemit të gazit natyror (tubacione gazsjellësish, impiante GNL-je apo hapësira depozitimi të gazit natyror).
33. “Operator i sistemit të depozitimit” është subjekti, i cili kryen veprimtarinë e depozitimit dhe është përgjegjës për operimin e hapësirave të depozitimit.
34. “Operator i sistemit të GNL-së” është subjekti, i cili kryen veprimtarinë e lëngëzimit të gazit natyror ose importin, eksportin, shkarkimin e rigazifikimin e GNL-së dhe është përgjegjës për operimin e impiantit të GNL-së.
35. “Operator i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH)” është personi, që kryen veprimtarinë e shpërndarjes. Ai është përgjegjës për operimin, mirëmbajtjen dhe, nëse është e nevojshme, zhvillimin e sistemit të shpërndarjes në një zonë të caktuar e, ku është e mundur, lidhjen e tij me sistemet e tjera. Gjithashtu, ai është përgjegjës edhe për sigurimin e aftësisë afatgjatë të sistemit, për të përmbushur kërkesat e arsyeshme për shpërndarjen e gazit.
36. “Operator i Sistemit të Transmetimit (OST)” është subjekti, që kryen veprimtarinë e transmetimit dhe është përgjegjës për operimin, sigurimin e mirëmbajtjes dhe zhvillimin e sistemit të transmetimit në një zonë të caktuar e, ku është e mundur, lidhjen e tij me sistemet e tjera. Ai është përgjegjës për sigurimin e aftësisë afatgjatë të sistemit, për të plotësuar nevojat e arsyeshme për transmetimin e gazit.
37. “Person” është personi fizik ose juridik.
38. “Përdorim” është vënia në funksionim dhe mirëmbajtja, në aspektin teknologjik, të infrastrukturës së sistemit të gazit natyror (tubacione gazsjellësish, impiante GNL-je apo hapësira depozitimi të gazit natyror).
39.“Përdorues i rrjetit ose i sistemit” është personi, që furnizon ose furnizohet nga sistemi.
40. “Pjesëmarrës” janë të gjitha institucionet dhe subjektet që operojnë në sektorin e gazit natyror.
41. “Planifikim afatgjatë” është planifikimi i furnizimit dhe і kapacitetit transmetues e shpërndarës të shoqërive të gazit natyror, mbi baza afatgjata, për përmbushjen e kërkesës për gaz natyror, diversifikimin e burimeve dhe garantimin e furnizimeve të klientëve.
42. “Prodhues” është personi, i cili ushtron veprimtarinë për prodhimin e gazit natyror.
43. “Rigazifikim” është procesi i ngrohjes së GNL-së deri në kthimin e tij në gjendje të gaztë.
44. “Rregulla të praktikës dhe të procedurave” janë rregullat e miratuara nga bordi i komisionerëve të ERE-së, ku përcaktohen procedurat dhe afatet që zbaton ERE-ja.
45. “Rregulla teknike dhe të sigurisë” janë rregullat teknike dhe kriteret e sigurisë, ku përcaktohen kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit, si dhe të linjave direkte.
46. “Rrjet” është një sistem i ndërlidhur tubacionesh.
47. “Rrjet tubacioni në sektorin e kërkim-prodhimit” është çdo tubacion ose rrjet tubacionesh, që operojnë dhe/ose janë ndërtuar si pjesë e një projekti për nxjerrje nafte apo gazi, ose që përdoret për të transportuar gaz natyror nga një apo më shumë projekte të tilla, të një uzine përpunimi, terminal ose terminal fundor detar.
48. “Siguri” është siguri furnizimi me gaz natyror ose/dhe siguri teknike, sipas kontekstit.
49. “Shërbime ndihmëse” janë të gjitha shërbimet, të nevojshme për hyrje dhe operimin e rrjeteve të transmetimit dhe/ose shpërndarjes, instalimet e GNL-së dhe/ose hapësirat e depozitimit, përfshirë balancimin dhe kombinimin e ngarkesës, përjashtuar facilitetet e rezervuara ekskluzivisht për operatorët e sistemeve të transmetimit.
50. “Shoqëri furnizimi” është personi që kryen veprimtarinë e furnizimit.
51. “Shoqëri gazi natyror” është personi që kryen të paktën njërën prej veprimtarive, si: prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, furnizimin, blerjen ose depozitimin e gazit natyror, përfshirë GNL-në dhe që është përgjegjës për detyrat tregtare e teknike dhe/ose përmbajtjen, që lidhen me këto funksione, por nuk përfshin klientët fundorë.
52. “Shoqëri e integruar e gazit natyror” është një shoqëri, vertikalisht ose horizontalisht, e integruar.
53. “Shoqëri horizontalisht e integruar” është një shoqëri gazi natyror, që kryen të paktën njërën prej veprimtarive, si të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, furnizimit ose depozitimit të gazit natyror dhe të një veprimtarie tjetër, jashtë sektorit të gazit natyror.
54. “Shoqëri vertikalisht e integruar” është një shoqëri gazi natyror ose një grup shoqërish, marrëdhëniet e të cilave janë përcaktuar në nenin 3(3) të Rregullores së Këshillit (EEC) nr.4064/89, datë 21 dhjetor 1989, për kontrollin e përqendrimeve ndërmjet shoqërive dhe ku shoqëria/grupi në fjalë kryen të paktën njërën prej veprimtarive të transmetimit, shpërndarjes, GNL-së ose depozitimit dhe të paktën njërën prej veprimtarive të prodhimit apo furnizimit të gazit natyror.
55. “Shpërndarje” është transporti i gazit natyror nëpërmjet rrjeteve të tubacionit të shpërndarjes, për livrimin e tij te klientët, pa përfshirë furnizimin.
56. “Sistem” është çdo rrjet transmetimi, shpërndarjeje, impianti GNL-je ose hapësire depozitimi, zotëruar ose operuar nga një shoqëri e gazit natyror, përfshirë linepack-un, facilitetet e tij, që sigurojnë shërbimet ndihmëse, si dhe ato që janë të nevojshme për hyrjen në transmetim, shpërndarjen dhe impiantet e GNL-së.
57. “Sisteme të ndërlidhura” janë një numër sistemesh të lidhura me njëra-tjetrën.
58. “Transmetim” është transporti i gazit natyror, nëpërmjet një tubacioni të presionit të lartë, i ndryshëm nga rrjeti i tubacionit në sektorin e kërkim-prodhimit, për livrimin e tij te klientët, pa përfshirë furnizimin.
59. “Tranzit” është transporti i gazit natyror nga një vend tjetër për në një vend të tretë, nëpërmjet sistemit të transmetimit të Republikës së Shqipërisë.
60. “Tregtim” është blerja ose shitja me shumicë e gazit natyror.
KREU II
POLITIKAT E SEKTORIT TË GAZIT NATYROR
Neni 4
Politikat e sektorit të gazit natyror
1. Ministria përgjegjëse për energjinë është institucioni më i lartë për formulimin e politikave të zhvillimit të sektorit të gazit natyror.
2. Në kryerjen e përgjegjësive, sipas këtij ligji, ministria, kur e gjykon të arsyeshme, këshillohet me autoritetet e tjera shtetërore të sektorit të energjisë, ERE-në, me pjesëmarrësit në sektorin e gazit natyror, si dhe me partnerët socialë.
3. Ministria përcakton politikat dhe programet për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm e të sigurt të sektorit të gazit natyror.
4. Ministria zhvillon politika dhe programe të paktën për njërën nga çështjet e mëposhtme:
a) për zbatimin e objektivave dhe të politikave energjetike në sektorin e gazit natyror, në përputhje me kërkesat e traktatit për krijimin e Komunitetit të Energjisë;
b) për nxitjen e investimeve në sektorin e gazit natyror, përfshirë edhe lehtësitë e mundshme fiskale;
c) për marrjen e masave të mbrojtjes së mjedisit;
ç) për garantimin e zhvillimit të sigurt dhe të qëndrueshëm të rrjeteve e të instalimeve të tjera të infrastrukturës së gazit natyror;
d) për harmonizimin me standardet dhe rregulloret e Bashkimit Europian në këtë sektor dhe sigurimin e ndërveprimit të sistemeve të gazit natyror të Republikës së Shqipërisë me sistemet rajonale dhe ato europiane;
dh) për zhvillimin e programeve për mbrojtjen e klientëve me të ardhura të pakta, në bashkëpunim me autoritetet dhe institucionet e tjera shtetërore.
5. Ministri, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, jep lejet profesionale për specialistët, që kryejnë veprimtari projektuese dhe zbatuese në fushat e përcaktuara me këtë ligj, si dhe në fushat e kërkimit, të prodhimit, përpunimit, transportimit, depozitimit dhe tregtimit të hidrokarbureve në tërësi.
Neni 5
Siguria e furnizimit me gaz natyror
1. Pjesëmarrësit në tregun e gazit natyror planifikojnë dhe marrin masat për një furnizim të sigurt me gaz natyror, në përputhje me standardet, si dhe janë përgjegjës për furnizimin me gaz natyror, brenda qëllimit të veprimtarisë.
2. Ministria është përgjegjëse për analizën e marrëdhënieve ndërmjet ofertës dhe kërkesës në tregun e gazit natyror, duke bërë parashikime edhe për të ardhmen, për planifikimin e ndërtimit të kapaciteteve shtesë në sistemin e gazit natyror, si dhe për propozimin e marrjen e masave në rastet e situatave të krizave.
3. Këshilli і Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat për sigurinë e furnizimit të garantuar dhe të qëndrueshëm me gaz natyror, ku përcaktohen:
a) kriteret dhe mënyrat e përllogaritjes së sasive të mjaftueshme të gazit natyror, për një furnizim të qëndrueshëm të klientëve të mbrojtur;
b) programi për reduktimin ose ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror të kategorive të veçanta të klientëve në rast krize;
c) përmbajtja e raportit të një furnizuesi të gazit natyror për sigurinë e furnizimit me këtë gaz.
4. ERE-ja është autoriteti përgjegjës për monitorimin e sigurisë së furnizimit.
5. ERE-ja, brenda muajit janar të çdo viti, në bashkëpunim me ministrinë, përgatit dhe publikon një raport për sigurinë e furnizimit me gaz natyror, duke propozuar edhe masat përkatëse.
6. Raporti i përgatitur sipas pikës 5 të këtij neni u bëhet i njohur menjëherë Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit.
Neni 6
Masat mbrojtëse për sigurinë e furnizimit
1. Në rast të një krize të menjëhershme në tregun e energjisë ose kur siguria fizike e personave, aparateve apo instalimeve ose e integritetit të sistemit kërcënohet, ministria, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, ndërmerr masat mbrojtëse të nevojshme, të përkohshme.
2. Masat e marra në rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni duhet sjellin efekte negative sa më të vogla të mundshme për funksionimin e tregut të brendshëm dhe të merren vetëm kur janë të nevojshme për shmangien e vështirësive të menjëhershme, që mund të jenë krijuar.
3. Ministri vë në dijeni menjëherë Këshillin e Ministrave dhe, kur e sheh të nevojshme, edhe vendet e tjera, me të cilat ka marrëdhënie bashkëpunimi në sektorin e gazit natyror, për masat mbrojtëse të marra sipas pikës 1 të këtij neni.
4. Ministria njofton institucionet përkatëse të traktatit të krijimit të Komunitetit të Energjisë për masat e marra sipas pikës 1 të këtij neni.
Neni 7
Rregullat teknike dhe të sigurisë në sektorin e gazit natyror
1. Këshilli і Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat teknike dhe kriteret e sigurisë, ku përcaktohen kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve.
2. Përgatitja dhe miratimi i rregullave teknike e i kritereve të sigurisë, sipas pikës 1 të këtij neni, bëhen brenda 4 vjetëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Deri në çastin e miratimit nga Këshilli i Ministrave të këtyre rregullave, do të zbatohen rregullat dhe kriteret e sigurisë së vendeve të BE-së. Ministri përcakton rregullat që do të zbatohen.
3. Ministri, brenda 3 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton rregullat teknike për kryerjen e operacioneve të depozitimit të gazit natyror në vendburimet hidrokarbure ose në hapësirat e tjera nëntokësore, të përshtatshme për këtë qëllim, në përputhje me normativat europiane në këtë fushë.
4. Rregullat teknike, të parashikuara në pikën 3 të këtij neni, përditësohen nga ministria, në funksion të zhvillimit teknik dhe teknologjik të sistemit të depozitimit të gazit natyror.
5. Kontrolli për zbatimin dhe respektimin e rregullave, të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, ushtrohet nga strukturat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 8
Ndërtimi dhe përdorimi i tubacioneve dhe i infrastrukturës së gazit natyror
1. Ndërtimi dhe përdorimi i tubacioneve për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror, instalimeve të GNL-së, depozitave nëntokësore të gazit natyror, linjave direkte, si dhe lidhja e sistemit shqiptar të gazit natyror me sistemet fqinje bëhen me leje të veçantë, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
2. Leja jepet për një afat 30 vjet, me të drejtë ripërsëritjeje. Mënyra e ripërtëritjes së lejes përcaktohet në marrëveshjen midis dy palëve. Nëse nuk ripërsëritet pas mbarimit të afatit, asetet e ndërtuara i kalojnë në pronësi shtetit shqiptar.
3. Këshilli i Ministrave miraton rregullat për kushtet dhe procedurat e dhënies së lejes. Rregullat mbështeten në kriteret e mosdiskriminimit, të trajtimit të barabartë dhe transparencës.
4. Leja e dhënë sipas pikës 1 të këtij neni nuk përjashton marrjen e të gjitha lejeve të tjera, për një ndërtim të zakonshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU III
RREGULLIMI I SEKTORIT TË GAZIT NATYROR
SEKSIONI I
ENTI RREGULLATOR I ENERGJISË
Neni 9
Autoriteti rregullator
1. ERE-ja është autoriteti rregullator i veprimtarive në sektorin e gazit natyror, me përjashtim të veprimtarisë së kërkimit dhe të prodhimit të këtij gazi.
2. ERE-ja, përveç kompetencave, sipas ligjit nr.9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, gëzon dhe çdo kompetencë të dhënë nga ky ligj dhe aktet e tjera ligjore në fuqi.
3. Anëtarët e bordit të komisionerëve të ERE-së dhe personeli teknik, për sa i takon konfliktit të interesave, janë subjekte të dispozitave të nenit 6 të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar.
Neni 10
Buxheti dhe financimi i ERE-së
1. Buxheti i ERE-së krijohet nga burimet financiare të parashikuara në ligjin nr.9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar dhe nga pagesat e rregullimit, që paguhen nga të licencuarit në sektorin e gazit natyror.
2. ERE-ja përcakton pagesat e aplikimit për licencë dhe pagesat e rregullimit për të licencuarit në sektorin e gazit natyror.
Neni 11
Përgjegjësitë e ERE-së në sektorin e gazit natyror
ERE-ja, si një institucion i pavarur, ka autoritet rregullator në sektorin e gazit natyror, përfshirë, por jo kufizuar, në çështjet e mëposhtme:
1. Përcaktimin dhe miratimin e tarifave, që zbatohen për të llogaritur ose përcaktuar termat dhe kushtet për:
a) lidhjen dhe hyrjen në rrjete, përfshirë tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes. Këto tarifa do të mundësojnë që investimet e nevojshme në rrjete të sigurojnë qëndrueshmërinë e tyre;
b) lidhjen dhe hyrjen në hapësirat e depozitimit, instalimet e GNL-së, shërbimet ndihmëse dhe furnizimin me gaz natyror të klientëve;
c) garantimin e shërbimeve balancuese.
2. Monitorimin e sigurisë së furnizimit, përfshirë, por jo kufizuar, nivelin e kërkesës së ardhshme, të pritshme dhe furnizimin e disponueshëm, kapacitetet potenciale shtesë, të planifikuara ose në ndërtim, cilësinë dhe nivelin e mirëmbajtjes së rrjeteve, si dhe masat për të mbuluar kërkesën pik dhe për t’u përballuar me dështimin e një ose më shumë furnizuesve.
3. Rregullimin dhe garantimin e hyrjes, përfshirë hyrjen e gazit nga burimet e biomasës në sistemet e transmetimit dhe të shpërndarjes, përfshirë:
a) rregullat për menaxhimin dhe alokimin e kapaciteteve të interkonjeksionit, në këshillim me autoritetet rregullatore të vendeve me të cilat është lidhur sistemi ynë;
b) publikimin dhe mënyrën e publikimit të informacionit të mjaftueshëm nga OST-të dhe OSSH-të për interkonjeksionet, përdorimin e rrjetit dhe alokimin e kapacitetit për palët e interesuara, përfshirë tarifat, duke pasur parasysh nevojën për të trajtuar informacionin tregtar konfidencial;
c) çdo mekanizëm për kapacitetet e kufizuara, brenda sistemit kombëtar të gazit natyror;
ç) rregullat për përjashtimet nga detyrimi i ofrimit të hyrjes së palëve të treta, sipas angazhimeve “take-or-pay” dhe marrëveshjeve të tjera ndërmjet shoqërive të sistemit të gazit natyror dhe përdoruesve të sistemit.
4. Zbatimin e detyrimeve të shërbimit publik.
5. Mbrojtjen e konsumatorëve.
6. Përcaktimin e fazave të hapjes së tregut, të kritereve për dhënien e statusit të klientëve të kualifikuar dhe të afateve kohore për kualifikimin e tyre, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe me kërkesat e tjera ligjore.
7. Garantimin, që klientët e kualifikuar të mund të zgjedhin furnizues të rinj.
8. Kushtet e përgjithshme të furnizimit, përfshirë krijimin e termave dhe të kushteve të përgjithshme kontraktuale transparente.
9. Dhënien, ndryshimin, transferimin dhe heqjen e licencave për shoqëritë e gazit natyror.
10. Miratimin e rregullave, të hartuara nga OST-ja, për balancimin e sistemit të transmetimit të gazit natyror.
11. Miratimin e planeve të investimeve të të licencuarve në sektorin e gazit natyror.
12. Përcaktimin e kërkesave minimale për OST-në, për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të transmetimit, përfshirë kapacitetin e interkonjeksionit.
13. Miratimin e udhëzimeve të ndarjes së llogarive, për të siguruar se nuk ka ndërsubvencionime ndërmjet veprimtarive në sektor, përfshirë rregullat për mbajtjen dhe auditimin e llogarive të shoqërive të gazit natyror.
14. Ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit të ndjeshëm tregtar të shoqërive të gazit natyror dhe të pjesëtarëve të tjerë të këtij sektori.
15. Përcaktimin e mekanizmave dhe të procedurave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për shoqëritë e gazit natyror.
16. Përcaktimin e përjashtimeve nga kërkesat e hyrjes ose tarifat për infrastrukturën e re.
17. Vendosjen e standardeve minimale për cilësinë e shërbimit, veçanërisht për kohën që u duhet operatorëve të transmetimit dhe shpërndarjes, për të bërë lidhjet dhe riparimet.
18. Përcaktimin e mekanizmave për të shmangur çdo abuzim me pozicionin dominues, në veçanti në dëm të konsumatorëve dhe çdo sjellje grabitqare.
19. Kërkesat e monitorimit dhe të raportimit të informacionit, që aplikohen për shoqëritë e gazit natyror, për të siguruar një administrim efektiv dhe efiçent të këtij ligji.
20. Krijimin e kushteve të barabarta të lojës për të gjithë pjesëmarrësit e tregut të gazit natyror, duke bashkëpunuar me autoritete të tjera rregullatore dhe, në veçanti, me bordin rregullator dhe me këshillin ministerial të Komunitetit të Energjisë.
Neni 12
Rregullat e praktikës dhe procedurës së ERE-së
ERE-ja, brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, miraton ndryshimin e rregullave të praktikës dhe të procedurës, që rregullojnë procedimet e saj për veprimtaritë në sektorin e gazit natyror, përfshirë, por pa u kufizuar, trajtimin e informacionit konfidencial.
Neni 13
Raportimi
ERE-ja paraqet brenda 31 marsit të çdo viti në Kuvend një raport vjetor për gjendjen në sektorin e gazit natyror, veprimtarinë e vet dhe përfundimet për përgjegjësitë monitoruese, përfshirë një vlerësim për nivelin e transparencës dhe të konkurrencës në treg.
SEKSIONI II
LICENCIMI NË SEKTORIN E GAZIT NATYROR
Neni 14
Licencat dhe procedurat e licencimit
1. ERE-ja lëshon licenca për veprimtaritë e mëposhtme:
a) transmetim të gazit natyror;
b) shpërndarje të gazit natyror;
c) furnizim të gazit natyror;
ç) tregtim të gazit natyror;
d) operim në hapësirat e depozitimit të gazit natyror;
dh) operim në impiantet e GNL-së.
2. Kryerja e njërës prej veprimtarive të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, pa autorizimin e ERE-së, është e paligjshme.
3. ERE-ja i jep licencë për transmetimin e gazit natyror vetëm një personi, për një territor të caktuar.
4. ERE-ja i jep licencë për shpërndarjen dhe furnizimin e klientëve tariforë me gaz natyror vetëm një personi, për një zonë të caktuar shërbimi.
Përcaktimi i zonave të transmetimit dhe të shpërndarjes bëhet nga ERE-ja me udhëzim, në bazë të kritereve teknike dhe ekonomike.
5. Bashkitë dhe komunat mund t’i ushtrojnë veprimtaritë e përmendura në pikën 1 të këtij neni, kur ato kanë marrë licencë nga ERE-ja.
6. ERE-ja, për dhënien, refuzimin, ndryshimin dhe heqjen e një licence në sektorin e gazit natyror, zbaton kriteret dhe procedurat e parashikuara në nenet 16, 17, 18 e 19 të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar.
7. ERE-ja miraton rregulloren për procedurat e licencimit të veprimtarive të gazit natyror, ku përcakton afatet, formën, mënyrën dhe pagesat e aplikimit për çdo licencë.
8. Për operimin e një linje direkte, nuk është e nevojshme marrja e licencës nga ERE-ja.
Neni 15
Mbajtja e bilanceve të llogarive të të licencuarve
1. Çdo shoqëri e licencuar në sektorin e gazit natyror, që kryen më shumë se një nga veprimtaritë, që kanë të bëjnë me prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, furnizimin dhe operimin e impianteve të GNL-së ose të hapësirave të depozitimit, mban llogari të veçantë për çdo veprimtari, si dhe përgatit bilance llogarish të konsoliduara, në përputhje me praktikat e kërkuara.
2. Këto shoqëri mbajnë, gjithashtu, llogari të veçanta për veprimtaritë, që nuk lidhen me ato të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, furnizimit, operimit të impianteve të GNL-së dhe hapësirave të depozitimit të gazit natyror.
3. ERE-ja mund të miratojë standarde të njëjta për mbajtjen e llogarive për të gjithë të licencuarit në sektorin e gazit natyror.
4. ERE-ja kontrollon llogaritë e të licencuarve dhe ruan konfidencialitetin e informacionit të ndjeshëm tregtar të të licencuarve.
Neni 16
Plani i investimeve
1. OST-ja dhe OSSH-ja përgatisin planet afatgjata të investimeve për zhvillimin, ndërtimin dhe modernizimin e sistemit të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, për një periudhë jo më të shkurtër se 5 vjet.
2. Planet e investimeve paraqiten për miratim në ERE.
3. Planet afatgjata të investimeve vlerësohen sipas një analize të vlerës së përfitimeve.
4. ERE-ja miraton rregulla të veçanta për mënyrën, formën dhe afatet e paraqitjes së planeve të investimeve, sipas pikës 1 të këtij neni.
SEKSIONI III
TARIFAT E SEKTORIT TË GAZIT NATYROR
Neni 17
Veprimtaritë me tarifa të rregulluara
1. ERE-ja përcakton tarifat për hyrjen në rrjetin e transmetimit ose të shpërndarjes, për pagesën e lidhjes me rrjetin e transmetimit ose të shpërndarjes, për hyrjen në hapësirat e depozitimit dhe impiantet e GNL-së, shërbimet ndihmëse, balancimin dhe furnizimin e klientëve tariforë.
2. Veprimtaritë konkurruese përfshijnë shitjen me shumicë të gazit ndërmjet furnizuesve dhe shitjen me pakicë ndërmjet furnizuesve dhe klientëve të kualifikuar, çmimet e të cilave përcaktohen bazuar në ofertën dhe kërkesën.
3. Nëse ERE-ja vlerëson se hapësira e depozitimit, shërbimet balancuese ose shërbimet ndihmëse operojnë në një treg mjaftueshmërisht konkurrues, mund të lejojë përcaktimin e çmimeve në bazë të tregut.
Neni 18
Vendosja e tarifave
1. Tarifat dhe mënyrat e llogaritjes së tyre janë jodiskriminuese e transparente. Ato marrin parasysh nevojën për integritetin e sistemit dhe reflektojnë kostot e realizuara në mënyrë efiçente, përfshirë kthimin e duhur të investimeve.
2. Tarifat mundësojnë tregtimin dhe konkurrencën efiçente të gazit, duke shmangur ndërsubvencionimet ndërmjet përdoruesve të sistemit dhe sigurojnë incentiva për investime.
3. Tarifat nuk kufizojnë likuiditetin e tregut apo shtrembërojnë tregtinë ndërkufitare të sistemeve të ndryshme të transmetimit.
4. ERE-ja miraton tarifa që mbulojnë, në mënyrë efiçente, kostot e realizuara për veprimtaritë e rregulluara, duke siguruar një normë kthimi të arsyeshme të kapitalit të investuar në këto veprimtari dhe stimuluar zhvillimin e kapaciteteve të transmetimit, depozitimit dhe shpërndarjes, përmes tërheqjes së investimeve të huaja dhe transferimit të teknologjisë.
5. Mënyra e llogaritjes së tarifave mund të përfshijë incentivat e duhura, për të përmirësuar shërbimin dhe nxitur një balancim optimal të ngarkesës.
6. ERE-ja publikon në Fletoren Zyrtare vendimin për çdo propozim tarife.
7. Shoqëritë e gazit natyror i shpallin tarifat e tyre, të paktën 15 ditë përpara hyrjes së tyre në fuqi, në përputhje me rregullat e ERE-së.
Neni 19
Tarifat e balancimit
1. OST-ja paraqet për miratim në ERE tarifat e balancimit, në bazë të kritereve objektive, që pasqyrojnë nevojat reale të sistemit, në përputhje me burimet e disponueshme të saj. Tarifat e balancimit përcaktohen në përputhje me kriteret e mëposhtme:
a) me nivelet e tolerancës, të cilat janë jodiskriminuese dhe transparente dhe pasqyrojnë aftësitë teknike të sistemit të transmetimit e nevojat reale të këtij sistemi;
b) me tarifat e disbalancës, që duhet të jenë, sa të jetë e mundur, të mbështetura në kosto, ndërkohë që sigurojnë incentivat e duhura balancuese, për të balancuar injektimin dhe marrjen e gazit natyror, si dhe shmangin ndërsubvencionimet ndërmjet përdoruesve të rrjetit dhe pengesat e hyrjes për përdoruesit e rinj të rrjetit;
c) me vlerat e penalizimeve për përdoruesit e rrjetit, që nuk janë në përputhje me rregullat e balancimit, të miratuara nga ERE-ja, të cilat duhet të jenë më të mëdha se kostot aktuale të balancimit, por vetëm deri në atë masë, për të siguruar një operator rrjeti efiçent dhe strukturalisht të ngjashëm me të tjerët. Penalitetet, që kalojnë kostot e balancimit, të realizuara në mënyrë efektive, u rishpërndahen përdoruesve të sistemit pa diskriminim.
2. OST-ja publikon informacion të mjaftueshëm në kohë dhe të besueshëm për gjendjen e balancimit të përdoruesve të rrjetit, për t’u mundësuar përdoruesve të sistemit ndërmarrjen në kohë të veprimeve korrigjuese. Niveli i informacionit të dhënë reflekton nivelin e informacionit të disponueshëm nga OST-ja.
3. OST-ja publikon të gjithë termat dhe kushtet, përfshirë rregullat dhe tarifat për sigurimin e shërbimeve të balancimit.
KREU IV
VEPRIMTARITË NË SEKTORIN E GAZIT NATYROR
SEKSIONI I
TRANSMETIMI I GAZIT NATYROR
Neni 20
Operatori i sistemit të transmetimit (OST)
1. Veprimtaria e transmetimit dhe dispeçerimit të gazit natyror është veprimtari me interes publik dhe kryhet nga OST-ja në një territor të caktuar, sipas të drejtave dhe përgjegjësive të përcaktuara në këtë ligj.
2. OST-ja është e pavarur nga veprimtaritë e tjera, që nuk lidhen me transmetimin, të paktën nga pikëpamja e organizimit dhe vendimmarrjes.
3. OST-ja operon në përputhje me parimet e sanksionuara në këtë ligj dhe me parimet e objektivitetit, të transparencës dhe mosdiskriminimit.
Neni 21
Përgjegjësitë e OST-së
1. OST-ja zotëron, operon, ndërton dhe mirëmban sistemin e transmetimit të gazit natyror dhe siguron, në përputhje me kushtet ekonomike, kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar kërkesën e arsyeshme për transmetim të gazit natyror në një territor të caktuar.
2. OST-ja siguron shërbimin e transmetimit të gazit natyror, në përputhje me kushtet e licencës dhe me rregullat e ERE-së.
3. OST-ja garanton balancimin e këtij sistemi, sipas rregullave balancuese, të cilat ia paraqet për miratim ERE-së.
4. OST-ja vepron në mënyrë të hapur, transparente dhe objektive, duke shmangur diskriminimin ndërmjet përdoruesve të sistemit ose klasave të përdoruesve të sistemit, sidomos në favor të shoqërive të lidhura me të.
5. OST-ja përgatit marrëveshjet, që miratohen nga ERE-ja, për operimin teknik në kufi, kur furnizuesi është një eksportues ose një përfitues nga tranzitimi i gazit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
6. OST-ja u siguron çdo operatori tjetër të sistemit të transmetimit, çdo OSSH-je, çdo operatori të impiantit të GNL-së, OST-ve fqinje ose shoqërive të tjera të licencuara të gazit natyror informacion të mjaftueshëm, për të siguruar ndërveprimin e sigurt dhe efiçent të sistemeve të ndërlidhura.
7. OST-ja u siguron përdoruesve të sistemit informacion të hollësishëm publik, të kuptueshëm, qartësisht të matshëm dhe lehtësisht të arritshëm për shërbimet e ofruara, kushtet e shërbimit, dhe informacionin e nevojshëm teknik, për t’u mundësuar një hyrje efektive në rrjet, përfshirë, por jo kufizuar, kapacitetet teknike, të kontraktuara dhe të disponueshme, me përjashtim të informacionit konfidencial të miratuar nga ERE-ja.
8. OST-ja ruan konfidencialitetin e çdo informacioni të ndjeshëm tregtar.
Neni 22
Hyrja e palëve të treta në sistemin e transmetimit
1. OST-ja u siguron hyrje pa diskriminim të palëve të treta në sistemin e transmetimit, brenda kufijve të kapaciteteve transmetuese dhe kërkesave të rregullave teknike.
2. OST-ja publikon kushtet dhe termat e miratuar nga ERE-ja, përfshirë rregullat dhe tarifat, për sigurimin e hyrjes së palëve të treta në sistemin e transmetimit.
3. OST-ja mund ta refuzojë hyrjen në sistemin e transmetimit për mungesë kapaciteti ose kur hyrja mund të shkaktojë efekte negative në zbatimin e detyrimit të shërbimit publik, sipas dispozitave të nenit 45 të këtij ligji, si dhe vështirësi serioze, ekonomike e financiare, për kontratat “take-or-pay”, të cilat kanë qenë efektive përpara kërkesës për hyrje në sistem.
4. Për çdo refuzim për akses në sistemin e transmetimit, OST-ja paraqet shkaqet e refuzimit dhe vë në dijeni, me shkrim, brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, palën, së cilës i është refuzuar hyrja.
5. Personi, të cilit i është refuzuar hyrja në sistemin e transmetimit, ose që nuk është dakord me termat dhe kushtet e hyrjes, mund të ankohet në ERE.
6. ERE-ja përcakton procedurat, përfshirë afatin kohor, për shqyrtimin e çdo ankese të përmendur në pikën 5 të këtij neni.
7. Vendimi i ERE-së, në rast se nuk apelohet në gjykatë, është i detyrueshëm për palët.
Neni 23
Tranzitimi
1. Tranzitimi i gazit natyror kryhet nga OST-ja, në përputhje me këtë ligj dhe aktet e tjera nënligjore në fuqi, si dhe me traktatet e marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
2. OST-ja mund të ndërmarrë zhvillimin e kapaciteteve tranzituese, në përputhje me udhëzimet dhe politikat e Qeverisë Shqiptare e me kërkesat e traktatit të krijimit të Komunitetit të Energjisë.
3. Kontratat e tranzitimit dhe çdo alokim kapaciteti për këtë qëllim realizohen në përputhje me kërkesat e licencës dhe me rregullat e ERE-së, për të drejtat e palëve të treta për akses në rrjet.
Neni 24
Përgjegjësitë e OST-së për operimin në hapësirat depozituese
1. Kur OST-ja operon në hapësirat depozituese, mund të ndërtojë e t’i mirëmbajë ato, për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe efiçent të klientëve, sipas ndryshimeve sezonale, ditore dhe orare të konsumit, për një balancë fizike të sistemit, për të përmbushur detyrimet e shërbimit publik, si dhe për të siguruar kapacitetin e depozitimit për klientët e kualifikuar.
2. Hyrja e palëve të treta në hapësirat e depozitimit garantohet në përputhje me kërkesat e licencës dhe rregullat e ERE-së.
3. Nëse OST-ja operon edhe në hapësira depozituese, ajo mban llogari plotësisht të ndara për të dy veprimtaritë që kryen.
Neni 25
Kodi i rrjetit të transmetimit
1. ERE-ja vendos që të gjitha ose një pjesë e rregullave dhe e rregulloreve për operimin e sistemit të transmetimit të përfshihen në kodin e rrjetit të transmetimit.
2. Kodi i rrjetit të transmetimit propozohet nga OST-ja, pas këshillimeve me pjesëtarët e tjerë të sektorit dhe miratohet nga ERE-ja. OST-ja e publikon kodin në një vend lehtësisht të arritshëm nga publiku dhe në faqen e saj elektronike.
3. Pavarësisht nga propozimi i OST-së, ERE-ja, nën autoritetin e vet, mund të vendosë që kodi i rrjetit të transmetimit të përfshijë dispozitat e mëposhtme:
a) termat, kushtet, hollësitë teknike dhe specifikimet minimale teknike për hyrjen e përdoruesve në sistemin e transmetimit;
b) procedurat, termat, kushtet dhe kufizimet për angazhimin dhe rishitjen e kapacitetit të rrjetit të transmetimit dhe të GNL-së ose për hapësirat e depozitimit për përdoruesit, si dhe për caktimin e mëtejshëm të kapaciteteve të angazhuara të transmetimit dhe depozitimit për përdoruesit e tjerë;
c) menaxhimin e pikave të injektimit të gazit natyror në sistemin e transmetimit;
ç) procesin e matjes dhe të përcaktimit të specifikimeve e kushteve të cilësisë, për pranimin e livrimit të gazit natyror;
d) procedurat e alokimit të sasive të matura të gazit natyror për përdoruesit, në pikat e injektimit dhe të marrjes së gazit natyror të sistemit;
dh) planifikimin e mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit dhe detyrimet përkatëse të OST-së e të përdoruesve të sistemit;
e) procedurat për përgatitjen e planit të zhvillimit të sistemit të transmetimit dhe për monitorimin e kontrollin e zbatimit të tij, si dhe të gjitha hollësitë për zhvillimin e sistemit të transmetimit;
ë) mekanizmat e menaxhimit të kufizimeve (ngushtimeve);
f) procedurat e balancimit;
g) të gjitha çështjet, që lidhen me kontratat e angazhuara të transmetimit, kërkesën, që një pjesë e kësaj kontrate t’u kushtohet nevojave për balancimin e ngarkesës dhe detyrimeve të shërbimit publik, kufizimet e kapacitetit maksimal, që mund të angazhohen për të njëjtin përdorues dhe për të njëjtat pika injektimi, çdo përjashtim për kontratat ekzistuese, lëshimin e kapacitetit sipas këtyre kontratave, nëse nuk janë përdorur dhe transferimin e të drejtave;
gj) kriteret, sipas të cilave furnizimi i konsumatorëve mund të ndërpritet sipas prioritetit, për arsye të sigurisë së furnizimit;
h) procedurat për zgjidhjen jashtë sistemit gjyqësor të mosmarrëveshjeve ndërmjet përdoruesve të sistemit të transmetimit dhe OST-së;
i) rregullat për transaksionet e OST-së me përdoruesit e sistemit dhe, veçanërisht, llogaritë që duhen mbajtur nga OST-ja për këtë qëllim;
j) të gjitha çështjet e tjera për menaxhimin, operimin dhe zhvillimin e sistemit të transmetimit.
SEKSIONI II
SHPËRNDARJA E GAZIT NATYROR
Neni 26
Operatori i sistemit të shpërndarjes (OSSH)
1. OSSH-ja ushtron veprimtarinë e shpërndarjes së gazit natyror, si një veprimtari me interes publik, në një territor të caktuar, në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj.
2. Veprimtaria e OSSH-së është e pavarur nga veprimtaritë e tjera, që nuk lidhen me shpërndarjen, të paktën nga pikëpamja e organizimit dhe e vendimmarrjes.
3. OSSH-ja operon në rrjetin e shpërndarjes, në përputhje me parimet e përcaktuara në këtë ligj dhe me parimet e objektivitetit, të transparencës dhe mosdiskriminimit.
4. Asnjë shoqëri tjetër nuk ka juridiksion apo autoritet ose të drejtën të zotërojë asete në fushën e shpërndarjes së gazit në një territor të caktuar pa autorizimin e ERE-së.
Neni 27
Përgjegjësitë e OSSH-së
1. OSSH-ja zotëron, operon, ndërton dhe mirëmban sistemin e shpërndarjes së gazit natyror dhe siguron, brenda mundësive ekonomike, kapacitete të mjaftueshme, për të plotësuar kërkesën e arsyeshme për shpërndarjen e gazit natyror në një territor të caktuar.
2. OSSH-ja siguron një shpërndarje, të qëndrueshme dhe efiçente, të gazit natyror, në përputhje me kushtet e licencës dhe me rregullat e ERE-së.
3. OSSH-ja është e detyruar të lidhë në rrjetin e shpërndarjes çdo klient, që ndodhet në zonën e shpërndarjes dhe që e kërkon këtë, mbështetur në kritere objektive dhe transparente, me kusht që sistemi i shpërndarjes të ketë kapacitet të mjaftueshëm dhe të plotësojë të gjitha kushtet e tjera teknike dhe tregtare.
4. OSSH-ja, ndaj të gjithë përdoruesve të sistemit vepron në një mënyrë të hapur, transparente dhe objektive, duke shmangur diskriminimin ndërmjet tyre ose klasave të përdoruesve, sidomos në favor të shoqërive të lidhura me të.
5. OSSH-ja u siguron përdoruesve të këtij sistemi informacion të hollësishëm publik, të kuptueshëm, qartësisht të matshëm dhe lehtësisht të arritshëm, për shërbimet e ofruara, kushtet e shërbimit, si dhe një informacion të nevojshëm teknik, për një hyrje efektive në rrjet, mbi baza të rregullta dhe të vazhdueshme, në përputhje me përjashtimet nga informacioni konfidencial të miratuar nga ERE-ja;
6. OSSH-ja publikon kushtet dhe termat e miratuar nga ERE-ja, përfshirë rregullat dhe tarifat për sigurimin e shërbimeve të shpërndarjes.
7. OSSH-ja ruan konfidencialitetin e çdo informacioni të ndjeshëm tregtar të përdoruesve të sistemit të shpërndarjes.
Neni 28
Hyrja e palëve të treta në sistemin e shpërndarjes
1. OSSH-ja u siguron hyrje pa diskriminim palëve të treta në sistemin e shpërndarjes, brenda kufijve të kapaciteteve të shpërndarjes dhe sipas rregullave teknike.
2. OSSH-ja publikon kushtet dhe termat e miratuar nga ERE-ja, përfshirë rregullat dhe tarifat, për sigurimin e hyrjes së palëve të treta në sistemin e shpërndarjes.
3. OSSH-ja refuzon hyrjen në sistemin e shpërndarjes, për mungesë kapaciteti ose kur hyrja në këtë sistem mund të shkaktojë efekte negative në zbatimin e detyrimit të shërbimit publik ose vështirësi serioze, ekonomike dhe financiare për kontratat “take-or-pay”, që kanë qenë efektive përpara kërkesës për hyrje në sistem.
4. Për çdo refuzim për akses në sistemin e shpërndarjes, OSSH-ja paraqet shkaqet e arsyetuara për këtë refuzim dhe vë në dijeni, me shkrim, brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për akses, palën, së cilës i është refuzuar hyrja.
5. Personit, të cilit i është refuzuar hyrja në sistemin e shpërndarjes ose nuk ka qenë dakord me termat dhe kushtet e hyrjes, mund të ankohet në ERE. Kur vendimi i ERE-së nuk apelohet në gjykatë, është i detyrueshëm për palët.
Neni 29
Kodi i rrjetit të shpërndarjes
1. ERE-ja vendos që të gjitha ose një pjesë e rregullave të saj për operimin e sistemit të shpërndarjes të përfshihen në kodin e rrjetit të shpërndarjes.
2. Kodi i rrjetit të shpërndarjes propozohet nga OSSH-ja pas këshillimit me pjesëmarrësit e sektorit dhe partnerët socialë, nëse ka dhe miratohet nga ERE-ja. OSSH-ja publikon kodin në një vend lehtësisht të arritshëm nga publiku dhe në faqen e vet elektronike.
3. ERE-ja vendos, me autoritetin e vet, që kodi i rrjetit të shpërndarjes të përfshijë të gjitha dispozitat për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes dhe kushtet e përgjithshme të furnizimit, si aplikimin për hyrje në rrjetin e shpërndarjes, parapagimin për hyrjen në rrjet, nëse ekziston, matjen, faturimin, si ndryshohet një furnizues, në rast se klienti fundor është një klient i kualifikuar dhe i lidhur në rrjetin e shpërndarjes, si përfundohet një kontratë, forca madhore etj.
SEKSIONI III
PRODHIMI I GAZIT NATYROR
Neni 30
Prodhuesit
1. Çdo person i angazhuar në veprimtarinë e prodhimit të gazit natyror është subjekt i ligjit nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (Kërkim dhe prodhim)”, të ndryshuar.
2. Prodhuesit, që kanë nënshkruar një marrëveshje hidrokarbure, sipas dispozitave të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (Kërkim dhe prodhim)”, të ndryshuar, mund të kërkojnë të lidhen me rrjetin e transmetimit ose të shpërndarjes së gazit natyror, në përputhje me kushtet dhe standardet teknike, të përcaktuara në kodin e transmetimit ose në kodin e shpërndarjes së gazit natyror. Shpenzimet për këto lidhje përballohen nga prodhuesi.
3. Prodhuesit mund të ndërtojnë linja direkte, për të përmbushur nevojat vetjake ose për të furnizuar një apo më shumë klientë të kualifikuar.
4. Prodhuesit e gazit natyror mund të kryejnë veprimtari të tregtimit ose të furnizimit te klientët e kualifikuar të gazit natyror, sipas dispozitave të këtij ligji, pasi të jenë licencuar nga ERE-ja.
SEKSIONI IV
DEPOZITIMI I GAZIT NATYROR
Neni 31
Veprimtaria e depozitimit
1. Veprimtaria e depozitimit të gazit natyror kryhet nga çdo shoqëri, që ka në dispozicion hapësira depozituese të gazit natyror, sipas marrëveshjes hidrokarbure, të lidhur në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (Kërkim dhe prodhim)”, të ndryshuar, ose me ndonjërën prej formave të tjera, të parashikuara me ligj.
2. Çdo zotërues i hapësirave të depozitimit është i detyruar t’i administrojë këto hapësira, për të garantuar optimizimin e tyre dhe sigurinë e sistemit.
3. Zotëruesit e hapësirave të depozitimit janë të detyruar t’u sigurojnë dhe furnizojnë shërbimet e depozitimit të gazit natyror personave, që bëjnë një kërkesë për përdorimin e kapaciteteve të depozitimit, me kusht që këto shërbime të jenë teknikisht dhe ekonomikisht të realizueshme, sipas kritereve të vendosura.
Neni 32
Hyrja në hapësirat e depozitimit
1. Hyrja në hapësirat e depozitimit lejohet kur është e nevojshme nga pikëpamja teknike dhe ekonomike për furnizimin efiçent të klientëve.
2. Dispozitat e pikës 1 të këtij neni nuk zbatohen për shërbimet ndihmëse dhe depozitimet e përkohshme, të lidhura me instalimet e GNL-së e të nevojshme për procesin e rigazifikimit dhe livrimin e mëtejshëm në sistemin e transmetimit.
3. Shoqëritë e gazit natyror dhe klientët e kualifikuar kanë të drejtë hyrjeje në hapësirat e depozitimit, në bazë të tarifave të publikuara ose të termave e kushteve të tjera për përdorimin e tyre.
4. ERE-ja përcakton kriteret dhe përparësitë e hyrjes në hapësirat e depozitimit, në kushte të barabarta, jodiskriminuese dhe të paanshme, si dhe detyrimet e subjekteve, që kryejnë veprimtarinë e depozitimit.
5. ERE-ja miraton një kod për rregullimin e operimit të hapësirave të depozitimit të gazit natyror.
SEKSIONI V
OPERIMI I IMPIANTEVE TË GNL-SË
Neni 33
Operatori i sistemit të impiantit të GNL-së
Operatori i sistemit të impiantit të GNL-së mund të jetë një person, i cili pajiset me licencë për kryerjen e veprimtarisë së operimit të impianteve të GNL-së.
Neni 34
Detyrat e operatorit të sistemit të impiantit të GNL-së
Operatori i sistemit të impiantit të GNL-së ka për detyrë:
a) operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sigurt, të qëndrueshëm dhe efiçent të impiantit;
b) miratimin për përdorimin e impianteve;
c) lidhjen e impiantit me sistemin e transmetimit, në përputhje me rregullat teknike të këtij sistemi dhe me rregullat për përdorimin e impianteve;
ç) vendosjen dhe sigurimin e një sistemi matës të gazit, që hyn dhe del nga impianti, si dhe të parametrave të cilësisë së gazit;
d) shkarkimin dhe rigazifikimin e GNL-së, sipas kontratave të nënshkruara;
dh) sigurimin e kushteve të njëjta dhe jodiskriminuese për hyrje në impiant, sipas dispozitave të këtij ligji dhe kushteve të përgjithshme të furnizimit me gaz natyror;
e) përgatitjen e një plani pesëvjeçar për zhvillimin e impiantit, të cilin e paraqet për miratim në ERE;
ë) sigurimin e informacionit të rregullt për operatorin e sistemit të transmetimit, për funksionimin dhe zhvillimin efiçent të sistemeve të ndërlidhura;
f) sigurimin e informacionit të rregullt për pjesëmarrësit e tregut të gazit për vëllimin, datën e mbylljes së operimit dhe reduktimin e pritshëm të kapaciteteve të impiantit;
g) sigurimin e mbrojtjes së informacionit konfidencial, me karakter tregtar, të marrë gjatë kryerjes së biznesit të tij.
Neni 35
Të drejtat e operatorit të sistemit të impiantit të GNL-së
Operatori i sistemit të impiantit të GNL-së ka të drejtë:
a) të refuzojë hyrjen në impiant, në rastet e parashikuara në nenin 40 të këtij ligji;
b) të blejë gaz natyror për nevojat e veta dhe për kompensimin e humbjeve në impiant;
c) të kufizojë ose të ndalojë përkohësisht shkarkimin dhe rigazifikimin e GNL-së:
i) në rast të një kërcënimi të drejtpërdrejtë të jetës njerëzore, shëndetit dhe pasurisë;
ii) në rast të një situate krize;
iii) në raste të punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes dhe të rindërtimit të impianteve;
iv) kur një përdorues nuk respekton detyrimet e tij kontraktuale.
SEKSIONI VI
FURNIZIMI I GAZIT NATYROR
Neni 36
Furnizuesit
1. Çdo person i angazhuar në furnizimin e gazit natyror pajiset me një licencë nga ERE-ja dhe është subjekt i autoritetit rregullues të saj.
2. Furnizimi me gaz natyror i klientëve tariforë kryhet nga furnizuesi publik. Furnizimi publik është përgjegjësi e OSSH-së për të gjithë klientët tariforë, që ndodhen në territorin, për të cilin është licencuar.
3. Klientët e kualifikuar furnizohen nga çdo furnizues i kualifikuar, i licencuar nga ERE-ja dhe i zgjedhur prej tyre.
4. Furnizuesit publikë, që furnizojnë me gaz natyror klientët tariforë, kryejnë edhe funksionet e furnizuesit të alternativës së fundit.
Neni 37
Kontrata e furnizimit publik
1. ERE-ja miraton një kontratë standarde të furnizimit publik, e cila parashikon garantimin e një furnizimi të vazhdueshëm dhe të sigurt me gaz natyror të klientëve tariforë.
2. Furnizuesi publik është i detyruar të lidhë një kontratë të furnizimit publik me çdo klient tarifor, që kërkon të lidhet me sistemin e transmetimit dhe të shpërndarjes për t’u furnizuar me gaz natyror.
3. Furnizuesi publik mund të refuzojë fillimin e furnizimit me gaz natyror të një klienti tarifor ose të ndërpresë furnizimin, nëse:
a) tubacioni i lidhjes ose pajisjet e klientit kërcënojnë jetën apo shëndetin e njerëzve ose sigurinë e pronës;
b) klienti nuk ka përmbushur detyrimet, sipas kontratës standarde të furnizimit publik, pavarësisht njoftimit nga furnizuesi për këto detyrime.
4. Furnizimi i një klienti refuzohet përderisa do të ekzistojnë kushtet, që shërbejnë si bazë për refuzimin sipas pikës 3 të këtij neni.
5. Furnizuesi e ndërpret furnizimin e klientëve në situatat e forcës madhore.
Neni 38
Klientët e kualifikuar
1. Klientë të kualifikuar janë:
a) klientët fundorë, që konsumojnë gjatë një viti më shumë se sasia e përcaktuar nga ERE-ja;
b) centralet, që konsumojnë gaz natyror për prodhimin e energjisë elektrike;
c) centralet, që konsumojnë gaz natyror për prodhimin e kombinuar të energjisë elektrike dhe energjisë termike.
2. Klientët fundorë, që përfshihen në njërën nga tri kategoritë e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, mund të zgjedhin të mbeten klientë tariforë dhe të furnizohen nga OSSH-ja, me të cilën janë lidhur.
3. Në përcaktimin e sasisë së gazit natyror, të konsumuar gjatë një viti nga klienti i kualifikuar, ERE-ja merr parasysh mundësitë teknike të sistemit të gazit natyror dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Neni 39
Matja e gazit natyror të furnizuar
1. Gazi natyror, i përdorur nga klienti, matet nga OSSH-ja, sipas regjistrimeve të aparateve matëse. Instalimi, mirëmbajtja dhe verifikimi i saktësisë së matësit bëhen nga OSSH-ja me shpenzimet e veta.
2. ERE-ja mund t’i kërkojë OSSH-së të kryejë kontrollet e aparateve matëse për çdo kategori klientësh. Klientët janë të detyruar të mundësojnë leximin dhe mbikëqyrjen e aparateve matëse të gazit natyror.
3. Çdo ndërhyrje në sistemin e matjes është e ndaluar dhe ndëshkohet, sipas akteve ligjore në fuqi.
4. ERE-ja miraton rregulla të veçanta për sistemet e matjes dhe matjen.
Neni 40
Përjashtimet për infrastrukturën e re
1. Infrastrukturat e reja kryesore të gazit natyror, si linjat e interkonjeksionit ndërmjet vendeve, instalimet e GNL-së dhe hapësirat e depozitimit mund të përjashtohen prej ERE-së pas kërkesës së tyre, nga dispozitat e kërkesave të hyrjes, sipas neneve 23 pika 3, 24 pika 2, 32 e 34 shkronja “dh” të këtij ligji, përfshirë tarifat e aplikueshme, me kusht që:
a) investimet të përmirësojnë konkurrencën në furnizimin me gaz dhe të rrisin sigurinë e furnizimit;
b) niveli i riskut lidhur me këto investime është i tillë, që këto investime nuk do të bëheshin nëse nuk jepet një përjashtim;
c) infrastruktura të zotërohet nga një person, i cili është i ndarë, të paktën nga pikëpamja e formës ligjore, nga operatorët e sistemit, ku do të ndërtohet infrastruktura;
ç) tarifat t’u ngarkohen përdoruesve të kësaj infrastrukture;
d) përjashtimi të mos dëmtojë konkurrencën ose funksionimin efektiv të tregut të brendshëm të gazit natyror, ose funksionimin efiçent të sistemit të rregulluar, ku është lidhur infrastruktura.
2. Pika 1 e këtij neni mund të zbatohet edhe në rritjen e konsiderueshme të kapacitetit të infrastrukturës ekzistuese dhe në modifikimet e saj, që mundëson zhvillimin e burimeve të reja të furnizimit me gaz natyror.
3. ERE-ja vendos, rast pas rasti, për përjashtimin, siç përcaktohet në pikat 1 e 2 të këtij neni, duke marrë parasysh kriteret e mëposhtme:
a) ERE-ja kërkon mendimin e ministrisë për kërkesën për një përjashtim;
b) përjashtimi mund të mbulojë të gjithë ose një pjesë të infrastrukturës së re, të infrastrukturës ekzistuese, me rritje të konsiderueshme të kapacitetit ose modifikimin e infrastrukturës ekzistuese;
c) në marrjen e vendimit për dhënien e një përjashtimi, rast pas rasti, merret parasysh nevoja për të vendosur kushte për kohëzgjatjen e përjashtimit dhe të hyrjes jodiskriminuese në linjën e interkonjeksionit;
ç) në marrjen e vendimit për kushtet në këtë pikë, ERE-ja merr parasysh veçanërisht kohëzgjatjen e kontratës, kapacitetin shtesë që do të ndërtohet, ose modifikimin e kapacitetit ekzistues, afatin e parashikuar të projektit dhe veçoritë kombëtare;
d) kur miraton një përjashtim, ERE-ja vendos për rregullat e mekanizmat për menaxhimin dhe alokimin e kapacitetit, të cilët nuk pengojnë implementimin e kontratave afatgjata;
dh) në rastin e një linje interkonjeksioni, çdo vendim për përjashtim merret pas këshillimit me vendet e tjera ose autoritetet rregullatore përkatëse.
4. Vendimi për përjashtim, përfshirë çdo kusht që mund të vendoset, arsyetohet siç duhet dhe publikohet në Fletoren Zyrtare. Pa nxjerrë informacionin e ndjeshëm tregtar, vendimi përmban:
a) arsyet e hollësishme, në bazë të të cilave ERE-ja ka dhënë përjashtimin, përfshirë informacionin financiar, që justifikon nevojën për përjashtimin;
b) analizën e bërë për efektin mbi konkurrencën dhe funksionimin efektiv të tregut të brendshëm të gazit natyror, që rezulton nga dhënia e përjashtimit;
c) arsyet për periudhën kohore dhe pjesën e kapacitetit total të infrastrukturës së gazit natyror në fjalë, për të cilën është dhënë përjashtimi;
ç) kur përjashtimi lidhet me një linjë interkonjeksioni, rezultatin e këshillimit me vendet ose autoritetet rregullatore përkatëse;
d) kontributin e infrastrukturës në diversifikimin e furnizimit me gaz.
5. Për çdo vendim përjashtimi, sipas këtij neni, ERE-ja njofton menjëherë Komisionin Europian.
Neni 41
Përjashtimet për angazhimet e kontratave “take-or-pay”
1. Nëse një shoqëri e gazit natyror përballet ose vlerëson se do të përballet me vështirësi serioze, ekonomike dhe financiare, për shkak të angazhimeve të saj “take-or-pay”, të përfshira në një ose më shumë kontrata blerjeje gazi natyror, ajo mund të aplikojë në ERE për një përjashtim të përkohshëm nga detyrimi, për të siguruar hyrjen e palëve të treta. Aplikimi paraqitet, rast pas rasti, si para edhe pas refuzimit të hyrjes në sistem, sipas zgjedhjes së shoqërisë së gazit natyror. Aplikimi shoqërohet me një informacion për natyrën dhe përmasat e problemit, si dhe për masat e marra nga një shoqëri, për ta zgjidhur atë.
2. Nëse nuk ka një zgjidhje alternative, lidhur me situatën e përshkruar në pikën 1 të këtij neni, ERE-ja vendos të miratojë një përjashtim, duke pasur parasysh:
a) objektivin e arritjes së një tregu gazi jodiskriminues, transparent dhe konkurrues;
b) nevojën e përmbushjes së detyrimeve të shërbimit publik dhe të sigurimit të sigurisë së furnizimit;
c) pozicionin e shoqërisë së gazit natyror në treg dhe gjendjen aktuale të konkurrencës;
ç) vështirësitë ekonomike dhe financiare, me të cilat përballen shoqëritë e gazit natyror, OST-ja ose klientët e kualifikuar;
d) datën e nënshkrimit dhe termat e kontratës ose të kontratave në fjalë, përfshirë masën, në të cilën ato lejojnë ndryshimet e tregut;
dh) përpjekjet e bëra për të gjetur një zgjidhje të problemit;
e) masën, kur shoqëria pranon angazhimet “take-or-pay”, që mund të kishte parashikuar, në mënyrë të arsyeshme, duke marrë parasysh dispozitat e këtij ligji, që këto vështirësi serioze do të kishin lindur;
ë) nivelin e lidhjes së sistemit me sistemet e tjera dhe shkallën e ndërveprimit të këtyre sistemeve;
f) efektet që do të ketë në dhënien e një përjashtimi ndaj aplikimit korrekt të këtij ligji, për funksionimin e duhur të tregut të brendshëm të gazit natyror.
3. Shoqëria e gazit natyror, për të cilën nuk është miratuar përjashtimi, sipas pikës 1 të këtij neni, nuk mund ta refuzojë hyrjen në sistem, për shkak të angazhimeve “take-or-pay”, të pranuara në një kontratë blerjeje gazi natyror.
4. Çdo përjashtim, i miratuar nga ERE-ja sipas këtij neni, publikohet dhe arsyetohet siç duhet.
Neni 42
Alokimi i kapacitetit dhe menaxhimi i kufizimeve
1. Kapaciteti maksimal në të gjitha pikat përkatëse bëhet i disponueshëm për pjesëmarrësit e tregut, duke pasur parasysh integritetin e sistemit dhe operimin efiçent të rrjetit. Për alokimin e kapacitetit, OST-ja zbaton mekanizma jodiskriminues, transparentë dhe të bazuar në treg, të miratuar nga ERE-ja, të cilët:
a) sigurojnë sinjalet e duhura ekonomike për përdorimin efiçent dhe maksimal të kapacitetit teknik dhe mundësojnë investimet në infrastrukturën e re;
b) janë të pajtueshëm me mekanizmat e tregut dhe fleksibël për t’iu përshtatur ndryshimit të kushteve të tregut.
2. OST-ja informon ERE-në në përputhje me rregulloret e saj, kur kërkesa për kapacitet transmetimi në një pikë injektimi ose marrjeje krijon kufizime potenciale në atë pikë.
3. Kur OST-ja përfundon kontrata të reja për kapacitete transmetuese ose rinegocion kontratat ekzistuese, në hartimin e këtyre kontratave mbahen parasysh parimet e mëposhtme:
a) në rast të kufizimit kontraktual, kur niveli i kërkesës kalon kapacitetin teknik, OST-ja ofron kapacitetet e kontraktuara, të papërdorura në tregun primar, të paktën një ditë më përpara;
b) përdoruesit e sistemit, nëse dëshirojnë, mund ta rishesin në një treg sekondar, për të gjithë kohën ose përkohësisht, kapacitetin e kontraktuar prej tyre.
4. OST-ja përgatit dhe publikon informacion historik dhe parashikime të flukseve në çdo pikë injektimi dhe marrjeje, për çdo periudhë kohe të kërkuar nga ERE-ja.
5. ERE-ja miraton vënien e një pagese transparente dhe jodiskriminuese, si pjesë e tarifave të transmetimit e të tranzitimit, për të përmirësuar kufizimet në pikat e identifikuara të injektimit dhe të marrjes.
Neni 43
Operatori i kombinuar
1. Dispozitat e neneve 21 pika 2 dhe 27 pika 2 nuk përjashtojnë operimin e kombinuar të sistemeve të transmetimit dhe të shpërndarjes, instalimeve të GNL-së dhe të hapësirave të depozitimit nga një operator i vetëm, i cili duhet të jetë i pavarur nga pikëpamja ligjore, organizative dhe e vendimmarrjes, nga veprimtaritë e tjera, që nuk lidhen me operimin e sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes, instalimeve të GNL-së dhe hapësirave të depozitimit.
2. Personi përgjegjës për menaxhimin e operatorit të sistemit të kombinuar nuk përfshihet në strukturat e shoqërisë së integruar të gazit natyror, përgjegjëse drejtpërdrejt ose tërthorazi për operimin e përditshëm të prodhimit dhe furnizimit me gaz natyror.
3. ERE-ja sigurohet se operatori i sistemit të kombinuar ka aftësitë teknike dhe menaxhuese për të operuar në mënyrë të pavarur.
4. Operatori i kombinuar mban llogari të ndara për çdo veprimtari, sipas nenit 15 të këtij ligji, si dhe pajiset nga ERE-ja me licenca të veçanta për çdo veprimtari, që kryen në sektorin e gazit natyror.
5. Operatori i sistemit të kombinuar përgatit një program, ku përcakton masat për monitorimin e tij dhe për të siguruar shmangien e sjelljes diskriminuese.
Neni 44
Linja direkte
1. Shoqëritë e gazit natyror, të krijuara brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, mund të zgjedhin të furnizojnë klientët e kualifikuar nëpërmjet një linje direkte.
2. Ndërtimi i një linje direkte nga shoqëritë e gazit natyror ose klientët e kualifikuar bëhet vetëm me miratimin e Këshillit të Ministrave.
KREU V
DETYRIMET E SHËRBIMIT PUBLIK
Neni 45
Detyrimet e shërbimit publik
1. Veprimtaritë e transmetimit, të shpërndarjes dhe të furnizimit me gaz natyror të klientëve tariforë realizohen si shërbime publike.
2. ERE-ja vendos ndaj të licencuarve në sektorin e gazit natyror detyrime të shërbimit publik, që kanë lidhje me:
a) sigurinë e furnizimit;
b) cilësinë dhe tarifat e furnizimit;
c) përdorimin e burimeve vendase të gazit natyror;
ç) efiçencën e energjisë;
d) mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimaterike;
dh) mbrojtjen e shëndetit, jetës dhe pronës së njerëzve.
3. Detyrimet e shërbimit publik duhet të jenë të përcaktuara qartë, jodiskriminuese, transparente dhe lehtësisht të verifikueshme.
Neni 46
Furnizuesi i alternativës së fundit
ERE-ja mund të përcaktojë një furnizues të alternativës së fundit për klientët e lidhur në rrjetin e gazit, të ndryshëm nga OSSH-ja, siç parashikohet në pikën 4 të nenit 36 të këtij ligji.
Neni 47
Detyrimi për të shërbyer
Pasi një klient tarifor bëhet i kualifikuar, OSSH-ja vazhdon t’i shërbejë këtij klienti derisa ai të zgjedhë një furnizues alternativ.
KREU VI
MBROJTJA E KONSUMATORIT DHE ZGJIDHJA
E MOSMARRËVESHJEVE
Neni 48
Kushtet e përgjithshme të furnizimit
ERE-ja miraton kushtet e përgjithshme të furnizimit të klientëve tariforë, duke garantuar që:
a) u është dhënë e drejta e një kontrate me siguruesit e shërbimit të gazit, e cila specifikon:
i) identitetin dhe adresën e furnizuesit;
ii) shërbimet dhe nivelet e cilësisë së shërbimeve të ofruara, si dhe kohën për fillimin e lidhjes;
iii) tipat e shërbimit të mirëmbajtjes së ofruar, nëse ofrohet;
iv) mënyrat se si mund të merret informacioni i përditësuar mbi të gjitha tarifat dhe pagesat e mirëmbajtjes;
v) kohëzgjatjen e kontratës, kushtet për rinovimin dhe përfundimin e shërbimeve e të kontratës, mundësinë e ndonjë të drejte për t’u tërhequr;
vi) çdo kompensim që zbatohet, nëse nuk plotësohen nivelet e shërbimit të kontraktuar;
vii) mënyrën për fillimin e procedurave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në përputhje me nenin 49 të këtij ligji;
b) u është dhënë njoftimi i duhur për çdo synim, për të modifikuar kushtet kontraktuale. Furnizuesit njoftojnë drejtpërdrejt klientët e tyre për çdo rritje të tarifave, jo më vonë sesa një periudhë normale e faturimit, përpara se rritja të bëhet efektive;
c) kanë marrë informacion transparent për çmimet, tarifat, termat dhe kushtet standarde, veçanërisht për hyrjen në rrjet dhe përdorimin e shërbimeve të gazit natyror;
ç) do të përfitojnë nga procedurat transparente, të thjeshta dhe jo të shtrenjta, për të trajtuar ankesat e tyre. Këto procedura do të mundësojnë që mosmarrëveshjet të zgjidhen drejt dhe menjëherë, me dhënien, kur kërkohet, të një rimbursimi dhe/ose kompensimi;
d) janë të informuar rreth të drejtave të tyre për t’u furnizuar, sipas këtij ligji, me gaz natyror, me një cilësi shërbimi të caktuar dhe me tarifat e publikuara.
Neni 49
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
1. ERE-ja zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet të licencuarve në sektorin e gazit natyror, si dhe ndërmjet tyre e klientëve.
2. ERE-ja nxjerr rregulla të veçanta për procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, sipas pikës 1 të këtij neni.
3. Vendimi i ERE-së për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje është i detyrueshëm për palët deri në marrjen e një vendimi pezullimi ose të formës së prerë të një gjykate kompetente.
4. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ERE-ja mund të angazhojë ekspertë të fushës përkatëse.
5. ERE-ja mund t’u kërkojë të licencuarve të zhvillojnë mekanizma të brendshëm, për të trajtuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
6. Për ankesat e palëve të interesuara ndaj një të licencuari, që kanë të bëjnë me hyrjen në sistem ose në hapësirat e depozitimit, ERE-ja merr një vendim, brenda dy muajve pas marrjes së ankesës. Kjo periudhë dymujore mund të zgjatet edhe me dy muaj të tjerë, kur nga ERE-ja kërkohet informacion shtesë ose kur ankimuesi bie dakord.
KREU VII
TË DREJTAT E PRONËSISË
Neni 50
Të drejtat e pronësisë së të licencuarve
1. Për kryerjen e veprimtarive në sektorin e gazit natyror, për të cilat është licencuar, i licencuari, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil dhe dispozitat e ligjit nr.8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, mund të kërkojë ndaj të tretëve zbatimin e njërës prej të drejtave të mëposhtme:
a) të drejtën e servitudit;
b) të drejtën e marrjes në përdorim të përkohshëm të pronës;
c) shpronësimin.
2. Të tretët, që preken nga zbatimi i njërës prej dispozitave të pikës 1 të këtij neni, rimbursohen nga i licencuari, sipas Kodit Civil, titulli VI, kreu II dhe sipas neneve 23 e 27-37 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”.
KREU VIII
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE DHE SANKSIONET
Neni 51
Kundërvajtjet administrative
1. Kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative:
a) çdo shkelje e rregullave të sigurimit teknik, të vendosura nga Këshilli i Ministrave, sipas pikës 1 të nenit 7 të këtij ligji, e cila dënohet nga Inspektorati Qendror Teknik me sanksionet e parashikuara në legjislacionin në fuqi;
b) kryerja e një veprimtarie në sektorin e gazit natyror pa licencën përkatëse, të lëshuar nga ERE-ja, e cila dënohet me gjobë, të vendosur nga ERE-ja, në vlerën 300 000 – 500 000 lekë.
2. Kundërvajtjet e mëposhtme:
a) mosdërgimi në afat nga të licencuarit të raportit ekonomiko-financiar dhe të çdo informacioni të kërkuar nga ERE-ja;
b) mosshlyerja e detyrimeve financiare ndaj ERE-së në afatet kohore të përcaktuara;
c) moszbatimi i vendimeve të ERE-së për tarifat;
ç) çdo shkelje e kushteve të përcaktuara në licencë;
ndëshkohen sipas dispozitave të nenit 64 të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar.
3. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, ankimi dhe ekzekutimi i vendimeve bëhen sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe të ligjit nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.
KREU IX
DISPOZITA TRANZITORE DHE TË FUNDIT
Neni 52
Ndryshime të dispozitave të ligjeve të tjera
1. Në ligjin nr.9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) emërtimi “Enti Rregullator i Sektorit të Energjisë Elektrike” (ERE) zëvendësohet me emërtimin “Enti Rregullator i Energjisë” (ERE);
b) pika 7 e nenit 4 ndryshohet si më poshtë:
“7. Kryetari dhe anëtarët e bordit duhet të jenë me arsim të lartë dhe me përvojë:
a) Kryetari të jetë një personalitet në fushën e energjisë dhe të ketë jo më pak se 15 vjet përvojë pune, prej të cilave jo më pak se 10 vjet në sektorin e energjisë;
b) Njëri nga anëtarët duhet të ketë jo më pak se 10 vjet përvojë pune në sektorin e energjisë elektrike;
c) Një tjetër anëtar duhet të ketë jo më pak se 10 vjet përvojë pune në sektorin e hidrokarbureve;
ç) Dy anëtarët e tjerë duhet të kenë jo më pak se 7 vjet përvojë pune në administratën publike, në sistemin e drejtësisë dhe në sistemin bankar ose atë financiar.”.
2. Në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, të gjitha shprehjet “ për sektorin e gazit natyror” shfuqizohen.
Neni 53
Mandati i anëtarëve të bordit të ERE-së
Anëtarët e bordit të komisionerëve të Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike, të emëruar nga Kuvendi përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk e kanë përfunduar mandatin e tyre, të vazhdojnë detyrën deri në përfundim të tij.
Neni 54
Trajtimi i lejeve dhe kërkesave ekzistuese për ndërtimin e gazsjellësve
dhe të instalimeve të tjera të infrastrukturës së gazit
1. Lejet e koncesionit për ndërtimin dhe përdorimin e gazsjellësve dhe të instalimeve të tjera të infrastrukturës së gazit, të dhëna nga Këshilli i Ministrave, sipas dispozitave të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji janë të vlefshme deri në afatin, për të cilin janë dhënë.
2. Personat e pajisur me leje koncesioni për ndërtimin dhe përdorimin e gazsjellësve dhe të instalimeve të tjera të infrastrukturës së gazit, sikurse përcaktohet në pikën 1 të këtij neni, pajisen nga ERE-ja me licencën përkatëse për kryerjen e një ose më shumë veprimtarive në sektorin e gazit natyror, sipas dispozitave të këtij ligji.
3. Të gjitha kërkesat për leje koncesioni për ndërtim dhe përdorim gazsjellësi dhe të instalimeve të tjera të infrastrukturës së gazit, që janë paraqitur nga personat e interesuar, përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe janë në proces shqyrtimi, trajtohen sipas dispozitave të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar dhe të akteve të tjera nënligjore në fuqi.
Neni 55
Aktet nënligjore
Ngarkohen Këshilli i Ministrave, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Enti Rregullator i Energjisë të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 56
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5809, datë 10.7.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi
L I G J
Nr.8450, datë 24.2.1999
PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Shteti përcakton politikën e zhvillimit të veprimtarive në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe ushtron funksionin e tij rregullator, në përputhje me nevojat e vendit, të mbrojtjes kombëtare dhe të sigurimit publik, duke respektuar parimet e ekonomisë së tregut.
Neni 2
Në zbatim të këtij ligji, ministria, që mbulon veprimtarinë e hidrokarbureve, është përfaqësuese e shtetit në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Për ndjekjen dhe realizimin e dispozitave të këtij ligji, si dhe të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet” (kërkimi dhe prodhimi), me ndryshimet përkatëse, në ministri funksionon Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve.
Neni 3
Dispozitave të këtij ligji u nënshtrohen, pa asnjë dallim, të gjithë personat juridikë, publikë ose privatë, vendas apo të huaj, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre përpunimin, transportimin e tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Përjashtimisht, Këshilli i Ministrave u jep personave juridikë të caktuar, disa funksione apo kompetenca që i përkasin sektorit publik dhe që lidhen me zhvillimin e veprimtarive, objekt i këtij ligji.
Neni 4
Ushtrimi i veprimtarive në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit e nënprodukteve të tyre bëhet vetëm nga persona juridikë, pasi të jenë pajisur paraprakisht me lejet dhe autorizimet përkatëse, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Në mungesë të këtyre lejeve dhe autorizimeve, veprimtaria e kryer quhet e paligjshme.
Neni 5
Ushtrimi i veprimtarive të parashikuara në këtë ligj i nënshtrohet dispozitave të legjislacionit shqiptar për mbrojtjen e mjedisit.
Neni 6
Importimi dhe eksportimi i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre bëhet lirisht, nga dhe në cilindo shtet, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare të kësaj fushe, ku shteti ynë është palë, duke respektuar dobinë ekonomike.
Neni 7
Këshilli i Ministrave ka kompetencë liberalizimin e çmimeve të shitjes me pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit. Në situata të veçanta tregu, Këshilli i Ministrave mund të vendosë kufizime të përkohshme (çmime tavan apo dysheme) për çmimet e shitjes me pakicë të nënprodukteve të naftës e të gazit.
Neni 8
Personat juridikë, që ushtrojnë veprimtari në përputhje me këtë ligj, janë të detyruar të paraqesin në ministri informacion për programin e zhvillimit, si dhe të dhënat periodike, që lidhen me realizimin e veprimtarisë së tyre. Lloji i të dhënave dhe informacionit, forma dhe afatet e dërgimit të tyre, nga personat juridikë, përcaktohen kjo ministri.
Ministria përgjigjet për përpunimin dhe publikimin e këtij informacioni, duke përcaktuar formën, afatet dhe mënyrën e botimit.
Neni 9
Rezerva e sigurisë
1. Për mbulimin e nevojave të konsumit kombëtar në periudha krize dhe situatash të jashtëzakonshme brenda territorit të vendit, rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë janë të detyruara të mbajnë rezerva sigurie. Këshilli i Ministrave përcakton kategoritë e naftës dhe të nënprodukteve të saj, për të cilat duhet mbajtur rezerva e sigurisë.
2. Rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës, gazit natyror dhe nënprodukteve të tyre janë të detyruara të mbajnë rezerva sigurie, të barabarta me 30 ditë mesatare shitjeje, sasi që llogaritet duke u mbështetur në të dhënat dhe rezultatet faktike të veprimtarisë së vitit të mëparshëm.
3. Sasia e rezervës së sigurisë, që detyrohet të mbajë çdo rafineri nafte dhe çdo shoqëri tregtimi me shumicë, përcaktohet sipas kritereve të mësipërme, me urdhër të ministrit. Drejtoria e përgjithshme e hidrokarbureve përgjigjet për kontrollin e sasive të rezervës së sigurisë në të gjitha subjektet.
Rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë detyrohen të plotësojnë sasinë përkatëse të rezervës së sigurisë, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
4. Rafineritë e naftës, rezervën e sigurisë deri në 50 për qind të sasisë së saj, mund ta mbajnë edhe në formën e naftës bruto në rezervuarët e tyre apo në rezervuarët e shoqërive të prodhimit të naftës, me të cilat ato kanë kontrata furnizimi. Shoqëria e tregtimit me shumicë rezervën e sigurisë e mban në rezervuarët pronë të shoqërisë apo të marra në përdorim prej saj në bazë të një kontrate.
Neni 10
Në kuptim të këtij ligji, nafta, gazi natyror dhe nënproduktet e tyre klasifikohen në kategori, si vijon:
Kategoria O
A..Nafta bruto
B.Gazi natyror
Kategoria I
A. Gazi i lëngshëm
Kategoria II
A.. Benzinë automjetësh
B. Benzinë mjetësh të fluturimit ajror
C. Nënprodukte të tjera, të lëngshme si: benzol, toluol, ksilol, solven, white spirit.
Kategoria III
A. Gazoil (Diezel)
B.Vajguri ndriçues
C.Lëndë djegëse për mjetët e fluturimit ajror reaktive (kerozene)
Kategoria IV
A. Vajrat
B. Solarë
Kategoria V
A. Bitum (asfalt)
B. Mazut
KREU II
PERSONAT JURIDIKË, QË USHTROJNË VEPRIMTARI TË PËRPUNIMIT, TRANSPORTIMIT DHE TREGTIMIT TË NAFTËS, GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE
Neni 11
Personat juridikë, që i nështrohen këtij ligji, në përputhje me natyrën e veprimtarisë së ushtruar, klasifikohen si vijon:
a) rafineri nafte, që ushtrojnë veprimtari të përpunimit të naftës bruto;
b) naftësjellës e gazsjellës, që ushtrojnë veprimtarinë e transportimit të naftës bruto dhe të gazit natyror (kategoria O);
c) shoqëritë e tregtimit me shumicë, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të naftës bruto, gazit dhe nënprodukteve të tyre;
ç) stacionet e shitjes së karburanteve, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve për automjetë;
d) njësitë e shitjes së lëndëve djegëse, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të tyre për ngrohje të konsumatorëve.
Neni 12
Rafineritë e naftës
1. Rafineritë e naftës janë persona juridikë, të themeluara në formën e shoqërive anonime, të cilat me marrjen e leje së koncesionit, kryejnë veprimtari në përpunimin e naftës bruto, duke prodhuar nënprodukte të saj. Rafineritë e naftës për tregtimin e produkteve të tyre kanë të drejtë të formojnë shoqëri tregtimi me shumicë të nënprodukteve të naftës apo të zotërojnë aksione në një shoqëri të tillë. Në këto raste rafineritë e naftës duhet të respektojnë dispozitat lidhur me konkurrencën.
2. Ndërtimi i rafinerive të reja të naftës bëhet vetëm me leje të posaçme të Këshillit të Ministrave, pasi të jetë plotësuar paraprakisht dokumentacioni i përcaktuar nga ministria.
3. Rafineritë e naftës kanë të drejtë të përpunojnë naftë bruto të prodhimit të vendit ose me origjinë nga importi. Ato kanë të drejtë të realizojnë marrëveshje për furnizimin me naftë bruto me shoqëri prodhuese të naftës, me naftësjellës, me shoqëri të tregimit me shumicë, si dhe kanë të drejtë të realizojnë marrëveshje për importimin e naftës bruto.
4. Rafineritë e naftës kanë të drejtë t’i shesin prodhimet e tyre në vend dhe për eksport.
5. Rafinerive të naftës u ndalohet të lidhin çfarëdo marrëveshje për furnizim të drejtpërdrejtë të stacioneve të shitjes së karburanteve, të njësive të shitjes së lëndëve djegëse, të shoqërive që tregtojnë me pakicë apo shoqërive të papajisura me leje, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
6. Rafineritë e naftës përgjigjen për markën e prodhimit dhe cilësinë e nënprodukteve të naftës të prodhuara prej tyre.
7. Rafineritë e naftës përgjigjen për respektimin e normave të përcaktuara në këtë ligj, lidhur me rezerven e sigurisë.
Neni 13
Naftësjellësit, gazsjellësit
1. Naftësjellësit dhe gazsjellësit janë persona juridikë të themeluar si shoqëri anonime, që, në bazë të lejes së koncesionit, kanë të drejtë të realizojnë veprimtari të importimit, eksportimit dhe transportimit me anë të instalimeve të tyre të naftës bruto dhe gazit natyror, të vendit ose të importit, deri në vendin përcaktuar të pranimit nga rafineritë e naftës ose shoqëritë e tregtimit me shumicë. Instalimet e naftësjellësve dhe gazsjellësve përfshijnë linjat (tubacionet), rezervuaret e magazinimit (stokimit) dhe pajisjet e tjera, që shërbejnë për transportimin dhe trajtimin e fluidit.
2. Ndërtimi i naftësjellësve dhe gazsjellësve për transportimin, importimin dhe eksportimin e naftës bruto dhe të gazit natyror, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Personat juridikë, që ushtrojnë veprimtari të prodhimit në vend të naftës bruto dhe të gazit natyror, kanë të drejtë të ndërtojnë instalimet përkatëse dhe të ushtrojnë veprimtari të transportimit, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet” (kërkimi dhe prodhimi).
4. Transportimi i naftës bruto dhe i gazit natyror për import a eksport realizohet nëpërmjet kontratave që sigurojnë furnizimin e vazhduar shumëvjeçar të konsumatorëve. Një kopje e këtyre kontratave, brenda 10 ditëve nga data e lidhjes së saj, depozitohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Hidrokarbureve.
Neni 14
Shoqëritë e tregtimit me shumicë
1. Veprimtaria e tregtimit me shumicë të naftës bruto, gazit natyror dhe nënprodukteve të tyre, të vendit a të importit, ushtrohet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë. Përjashtim nga ky rregull bëjnë: a. personat juridikë që prodhojnë hidrokarbure në bazë të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet” (kërkimi dhe prodhimi), të cilët kanë edhe të drejtën e tregimit të prodhimit të tyre; b.rafineritë e naftës të cilat do të tregtojnë prodhimet e tyre. Shoqëritë e tregtimit me shumicë kanë të drejtë ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të gjithë ose në një pjesë të territorit të vendit. Këto shoqëri disponojnë impiante për depozitimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera dhe përgjigjen për funksionimin e këtyre impianteve, në përputhje me normat teknike të miratuara nga ministria dhe masat e Mbrojtjes Nga Zjarri (MNZ).
2. Tregtimi me shumicë i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera ushtrohet vetëm nga shoqëritë tregtare, të themeluara në formën e shoqërive anonime, pasi të jenë pajisur me leje tregtimi, sipas dispozitave të këtij ligji.
3. Shoqëritë e tregtimit me shumicë kanë të drejtë të themelojnë apo të marrin pjesë në shoqëri që ushtrojnë veprimtari si stacione të shitjes së karburanteve apo njësi të lëndëve djegëse.
4. Shoqëritë e tregtimit me shumicë transportimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre e bëjnë me naftësjellës, në bazë të kontratës së transportit, të lidhur me to, me mjetë transporti hekurudhor, detar dhe tokësor, të cilat janë të pajisura me licencë, në përputhje me ligjin nr.8308, datë 18.8.1998 “Për transportet rrugore”. Këto mjetë transporti mund të jenë pronë e shoqërisë së tregtimit me shumicë ose mund të merren në përdorim prej tyre kundrejt pagesës. Shoqëria e tregtimit me shumicë përgjigjet për sasinë dhe cilësinë e ngarkesës gjatë transportit.
5. Shoqëritë e tregtimit me shumicë janë të detyruara të furnizojnë në mënyrë të pandërprerë impiantet e tyre dhe, njëkohësisht, të garantojnë furnizimin normal të kontraktorëve me produktet përkatëse. Në zbatim të këtij detyrimi ato duhet të mbajnë dokumentacion të veçantë sipas përcaktimeve të bëra nga ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për hidrokarburet.
6. Shoqëritë e tregtimit me shumicë e realizojnë veprimtarinë e tyre në tregun e brendshëm, si dhe eksportimin e importimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre nëpërmjet kontratës. Kryerja e pagesave për importet dhe eksportet, shlyerja e detyrimeve të tjera kontraktore, si dhe çdo detyrim doganor e fiskal, që lidhet me këto shoqëri, bëhet nëpërmjet dokumentacionit bankar.
7. Shoqëritë e tregtimit me shumicë kanë të drejtë të furnizojnë me nënproduktet përkatëse të naftës dhe gazit mjetët detare dhe ajrore.
8. Shoqëritë e tregtimit me shumicë përgjigjen për dërgimin në ministri në afatet e caktuara të informacionit të kërkuar për veprimtarinë e tyre.
9. Shoqëritë e tregtimit me shumicë përgjigjen për markën e produktit dhe cilësinë e nënprodukteve të naftës dhe gazit që tregtojnë. Ato kanë të drejtë të ushtrojnë kontroll në stacionet e shitjes së karburanteve apo në njësitë e shitjes së lëndëve djegëse të furnizuara prej tyre, me qëllim të garantimit të cilësisë së nënprodukteve të naftës dhe gazit, që u ofrohen konsumatorëve.
10. Shoqëritë e tregtimit me shumicë përgjigjen për respektimin e normave të përcaktuara në këtë ligj, lidhur me rezervën e sigurisë.
Neni 15
Stacionet e shitjes së karburanteve
1. Veprimtaria e tregtimit me pakicë të karburanteve, ku përfshihen nënproduktet e kategorisë I, II dhe III, të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji, ushtrohet nga stacionet e shitjes së karburanteve.
Stacionet e shitjes së karburanteve janë persona juridikë, që themelohen në një nga format e shoqërive të parashikuara nga legjislacioni tregtar.
Stacionet e shitjes së karburanteve lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm pasi të jenë pajisur nga organi kompetent me autorizimin përkatës, sipas këtij ligji, me kusht që ndërtimi i instalimeve dhe funksionimi i tyre gjatë ushtrimit të veprimtarisë të jenë në përputhje me kushtet teknike të përcaktuara nga ministria.
2. Stacionet e shitjes së karburanteve janë të detyruara të furnizohen vetëm nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, të licensuara sipas këtij ligji, në bazë të kontratave të lidhura ndërmjet tyre.
3. Stacionet e shitjes së karburanteve, mbështetur në llojin e marrëveshjes tregtare të bashkëpunimit me shoqëritë e tregtimit me shumicë, klasifikohen si vijon:
– Stacione që furnizohen ekskluzivisht nga një shoqëri tregtimi me shumicë, të cilat janë të detyruara të mbajnë markën e saj tregtare. Këto stacione, për ekspozimin e markës së shoqërisë së tregtimit me shumicë dhe për informimin e konsumatorëve, janë të detyruara të vendosin tabela të dukshme e të dallueshme qartë nga distanca. Deri në përfundim të afatit të marrëveshjes tregtare të bashkëpunimit ekskluziv, përkatës, këtyre stacioneve u ndalohet të furnizohen me karburante të shoqërive të tjera të tregtimit me shumicë, qoftë drejtpërdrejt ose tërthoraz;
– stacionet të quajtura të bardha, nuk kanë veprimtari të mbështetur në një marrëveshje tregtare bashkëpunimi ekskluziv me një shoqëri tregtimi me shumicë. Këto stacione kanë të drejtë të mbajnë markën e tyre të posaçme tregtare. Rregullat për mbajtjen e një marke të posaçme përcaktohen nga ministri përgjegjës për hidrokarburet. Stacioni i shitjes së karburanteve është i detyruar që, brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit, të depozitojë në Drejtorinë e Përgjithshme të Hidrokarbureve një kopje të marrëveshjes tregtare të bashkëpunimit ekskluziv.
4. Stacioneve të shitjes së karburanteve u ndalohet të tregtojnë karburante për mjetë transporti, detar e ajror, si dhe lëndë djegëse të lëngëta apo të gazta.
5. Në çdo stacion të shitjes së karburanteve duhet të jenë të ekspozuara, në mënyrë të dukshme dhe të qartë llojet e karburanteve që tregtojnë, çmimet e tyre, koha e punës dhe shërbimet e tjera që kryhen nga stacioni.
6. Stacionet e shitjes së karburanteve përgjigjen për cilësinë e karburanteve, duke ruajtur për këtë qëllim edhe kampionet përkatëse të karburanteve, të furnizuara nga shoqëritë e tregtimit me shumicë.
7. Në çdo stacion të shitjes së karburanteve mbahet dokumentacioni, në përputhje me normat e përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve.
Neni 16
Njësitë e lëndëve djegëse
1. Veprimtaria e tregtimit me pakicë të lëndëve djegëse për ngrohje për konsumatorët ushtrohet nga njësitë e lëndëve djegëse.
Njësitë e shitjes së lëndëve djegëse janë vetëm persona juridikë, të themeluar në njërën nga format e shoqërive të parashikuara nga legjislacioni shqiptar.
Njësitë e shitjes së lëndëve djegëse lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pasi të jenë pajisur nga organi kompetent me autorizimin përkatës sipas këtij ligji.
Njësive të shitjes së lëndëve djegëse u ndalohet të tregtojnë karburante për automjetë, si dhe që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pranë stacioneve të shitjes së karburanteve.
2. Instalimet e njësive të lëndëve djegëse, që përfshijne pajisjet e depozitimit dhe ato të shitjes, dhe funksionimi i këtyre njësive duhet të jenë në përputhje me normat teknike të përcaktuara nga ministria dhe me rregullat e MNZ-së.
3. Njësitë e shitjes së lëndëve djegëse janë të detyruara që furnizimin e tyre ta bëjnë vetëm nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, të licensuara sipas këtij ligji. Ato përgjigjen për cilësinë e produkteve që tregtojnë
4. Në njësitë e shitjes së lëndëve djegëse duhet të jenë të ekspozuar informacioni për llojet e lëndëve djegëse për ngrohje që tregtojnë, çmimet e tyre, koha e punës dhe shërbimet e tjera që kryhen nga njësia.
KREU III
LEJA E KONCESIONIT, LEJA E TREGTIMIT, AUTORIZIMET DHE PROCEDURA E DHËNIES SË TYRE
Neni 17
Personat juridikë që ushtrojnë veprimtari të përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës bruto, gazit natyror dhe nënprodukteve të tyre, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë përkatëse janë të detyruar të pajisen me leje koncesioni, leje tregtimi ose autorizimi.
Neni 18
Leja e koncesionit
1. Leja e koncesionit u jepet personave juridikë, të parashikuar në pikat “a” dhe “b” të nenit 11 të këtij ligji.
2. Leja e koncesionit jepet me vendim të Këshillit të Ministrave përpara fillimit të punimeve për ndërtimin e instalimeve, për një periudhë deri në 30 vjet me të drejtë përsëritjeje.
Neni 19
Leja e tregtimit
1. Leja e tregtimit u jepet personave juridikë të parashikuar në pikën “c” të nenit 11 të këtij ligji, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre, për kategoritë përkatëse, të parashikuara në nenin 10.
2. Lejet e tregtimit ndahen në tri lloje, si vijon:
a) leja e tregtimit, e llojit A:
Leje tregtimi për shoqëritë që tregtojnë produkte të kategorisë 0, II, III, IV dhe V, me përjashtim të nënprodukteve që destinohen për furnizimin e mjetëve të fluturimit ajror.
b) leja e tregtimit, e llojit B:
Leje tregtimi për shoqëritë që tregtojnë produkte të kategorisë I (gaz i lëngshëm).
c) leja e tregtimit, e llojit C:
Leje tregtimi për shoqëritë që tregtojnë karburante për mjetët e fluturimit ajror.
3. Lejet e tregtimit të llojit A, B, C jepen nga ministri përgjegjës për hidrokarburet, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara në këtë ligj dhe të akteve nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij nga Këshilli i Ministrave.
4. Lejet e tregtimit jepen me afat 10 vjet me të drejtë rinovimi.
Neni 20
Autorizimet
1. Autorizimet u jepen personave juridikë, të parashikuar në pikat “ç” dhe “d”, të nenit 11 të këtij ligji, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre për tregtimin e karburanteve për automjetë (stacionet e shitjes së karburanteve) dhe për shitjen e lëndëve djegëse (njësitë e shitjes së lëndëve djegëse).
2. Autorizimet për personat juridikë, që ushtrojnë veprimtaritë e parashikuara në pikat “ç” dhe “d” të nenit 11, jepen nga organi i pushtetit vendor për një periudhë deri në 5 vjet me të drejtë përsëritjeje.
3. Autorizimet për personat juridikë, që ushtrojnë veprimtarinë e stacionit të karburanteve të ndërtuara në autostrada, jepen nga ministri përgjegjës për transportin, për një periudhë deri në 10 vjet, me të drejtë përsëritjeje.
4. Kriteret dhe procedurat për dhënien e autorizimeve përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 21
Kushtet e dhënies së lejeve të tregtimit
Personat juridikë, që paraqesin kërkesë për leje tregtimi sipas nenit 19 të këtij ligji, janë të detyruar të plotësojnë kushtin e kapitalit minimal të shoqërisë dhe atë të kapacitetit të depozitimit në instalimet pronë të saj ose të marra në përdorim me kontratë, për një periudhë kohe të barabartë me atë të vlefshmërisë së lejes së tregtimit. Kushtet e dhënies së lejes së tregtimit përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Kushti i kapitalit minimal duhet të jetë i specifikuar sipas llojit të lejes së kërkuar, ndërsa kushti i kapacitetit të depozitimit të jetë i specifikuar, sipas llojit të lejes dhe kategorisë së produkteve që tregtojnë.
KREU IV
KONTROLLI MBI PERSONAT JURIDIKË, QË USHTROJNË VEPRIMTARI TË PËRPUNIMIT, TRANSPORTIMIT DHE TREGTIMIT TË NAFTËS, GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE
Neni 22
Shteti organizon dhe ushtron kontroll në personat juridikë që veprojnë në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre. Drejtimet kryesorë të këtij kontrolli janë :
– respektimi i normave teknike dhe i masave të mbrojtjes nga zjarri në instalimet, impiantet dhe pajisje që përdoren nga persona juridikë;
– respektimi i treguesve cilësorë i standardeve ligjore dhe dispozitave të tjera ligjore e nënligjore, në parandalimin e abuzimeve dhe falsifikimeve që mund të kryhen nga persona juridikë;
– respektimi i dispozitave ligjore e nënligjore, lidhur me rezultatet financiare dhe plotësimit të detyrimeve fiskale të personave juridikë ndaj shtetit.
Neni 23
Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre
1. Organi shtetëror, i specializuar për kontrollin e veprimtarisë së personave juridikë të ushtruar në përputhje me dispozitat e këtij ligji, është Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre, që funksionon dhe varet nga ministri përgjegjës për hidrokarburet.
Në përbërje të këtij Inspektorati funksionon Laboratori Qendror i Kontrollit.
2. Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre përgjigjet për ushtrimin e kontrollit për zbatimin e kushteve të parashikuara në lejet apo autorizimet përkatëse që u janë dhënë personave juridikë, në instalimet, impiantet dhe pajisjet e përdorura, në mënyrë që ato të respektojnë normat teknike të masave mbrojtëse ndaj zjarrit, treguesit cilësorë, standardet shtetërore dhe dispozitat ligjore e nënligjore, me qëllim parandalimin e abuzimeve dhe falsifikimeve që mund të kryhen. Për realizimin e këtyre detyrave ai bashkëpunon me organet e tjera shtetërore.
Rregullat për organizimin, funksionimin dhe veprimtarinë e Inspektoratit Shtetëror të Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 24
Kontrolli nga organet doganore dhe tatimore
Ministria e Financave, me strukturat e saj të organeve tatimore e doganore, organizon dhe ushtron kontroll ndaj personave juridikë që i nënshtrohen këtij ligji, lidhur me respektimin e dispozitave ligjore, që lidhen me rezultatin financiar të tyre dhe plotësimin e detyrimeve fiskale e doganore ndaj shtetit, për kontrollin e treguesve cilësorë e sasiorë, si dhe të normave të tjera ligjore e nënligjore për parandalimin e abuzimeve e falsifikimeve, që nga çasti i hyrjes së mallit në pikat doganore, deri në procesin përfundintar të shitjes së tyre.
Neni 25
Sanksionet
Veprimtaria e personave juridikë që shkel dispozitat e këtij ligji, në rast se nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë si vijon:
a) Për shkelje të nenit 8 masa e gjobës është nga 30 000 lekë deri në 50 000 lekë.
b) Për mosrespektim të sasisë së rezervës së sigurisë dhe afateve të plotësimit të tyre, sipas nenit 9, masa e gjobës është deri në 50 për qind të vlerës së sasisë së produktit, që mungon nga kuota e përcaktuar si rezervë sigurie.
c) Për shkelje të nenit 12 pika 5, masa e gjobës është nga 800 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
ç) Për shkelje të nenit 14 pika 9, ku thuhet: “Shoqëritë e tregtimit me shumicë përgjigjen për markën e produktit dhe cilësinë e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre që tregtojnë”, masa e gjobës është nga 500 000 lekë deri në 700 000 lekë.
d) Për shkelje të nenit 15 pika 3 paragrafi i parë, për secilin detyrim veç e veç dhe paragrafi i dytë për dorëzimin e marrëveshjes në afat, si dhe për pikën 4 dhe pikën 6, masa e gjobës është nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë.
dh) Për shkelje të nenit 16 pika 3, masa e gjobës është nga 100 000 lekë deri në 200 000 lekë.
e) Për mosrespektimin e normave teknike në instalimet, impiantet dhe pajisjet të cilat përdoren nga personat juridikë, që ushtrojnë veprimtari sipas këtij ligji, masa e gjobës është:
– Për rafineritë e naftës, naftësjellësit, gazsjellësit nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë.
– Për shoqëritë e tregtimit me shumicë nga 200 000 lekë deri në 400 000 lekë.
– Për stacionet e shitjes së karburanteve dhe njësitë e shitjes së lëndëve djegëse nga 100 000 lekë deri në 300 000 lekë.
ë) Në rast kur ushtrohet veprimtari pa leje, konform dispozitave të këtij ligji, personi dënohet me gjobë nga 4 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.
Masa e gjobës së parashikuar në shkronjën “a” dhe “b” të këtij neni jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve, kurse të gjitha gjobat e tjera jepen nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre.
Në rast përsëritjeje të shkeljeve të mësipërme organi kompetent ka të drejtën e heqjes së lejes së koncesionit, të tregtimit apo autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë.
Ankimi kundër vendimit të dënimit me gjobë bëhet në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.
Neni 26
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.2326, datë 3.3.1999 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani
LIGJ
Nr.9218, datë 8.4.2004
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 9, pas pikës 2 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Duke filluar nga viti 2007 deri në vitin 2010 rezerva e sigurisë do të jetë e barabartë me 60 ditë mesatare shitjeje, ndërsa nga viti 2010 e në vazhdim rezerva e sigurisë do të jetë e barabartë me 90 ditë mesatare shitjeje.”.
Neni 2
Në nenin 11 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në shkronën “ç”, pas fjalëve “veprimtarinë e tregtimit të karburanteve” shtohen fjalët “gazit të lëngshëm dhe vajrave lubrifikante.”.
2. Në fillim të shkronjës “d” shtohen fjalët “Stacionet dhe”, ndërsa fjala “ngrohje” zëvendësohet me fjalët “përdorim rezidencial”.
Neni 3
Pas nenit 12 shtohet neni 12.1 me këtë përmbajtje:
“Neni 12.1
Impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës
1. Impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës janë persona juridikë, të krijuar sipas legjislacionit në fuqi, që ushtrojnë veprimtari në fushën e ripërpunimit të nënprodukteve të naftës, për të prodhuar nënprodukte të reja.
2. Ndërtimi dhe funksionimi i impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës bëhen pasi ato të jenë pajisur me “Leje përpunimi”, sipas procedurave dhe kushteve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës e zhvillojnë veprimtarinë e shitjes së prodhimeve të tyre vetë ose nëpërmjet një shoqërie tjetër tregtimi me shumicë, vetëm pas marrjes së lejes së tregtimit nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet.
4. Impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës përgjigjen për markën e prodhimit dhe cilësinë e produkteve që prodhojnë.
5. Subjektet zotëruese të impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës kanë të drejtë të themelojnë apo të marrin pjesë në shoqëritë, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me pakicë të prodhimeve të tyre.”.
Neni 4
Në nenin 14 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fund të pikës 7 shtohen fjalët “si dhe konsumatorët e mëdhenj industrialë (kombinate, fabrika dhe uzina).”
2. Pas pikës 10 shtohen pikat 11 dhe 12 me këtë përmbajtje:
“11. Shoqëritë anonime të pajisura me leje tregtimi, që ndryshojnë emrin e subjektit juridik, kanë të drejtë të bëjnë shtesa ose ndryshim kategorie, brenda të njëjtit lloj lejeje, duke respektuar afatin e lejes së mëparshme dhe duke plotësuar, për secilën kategori, kushtet dhe normat teknike, të vërtetuara nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre.
12. Futja në treg dhe përdorimi i pajisjeve nën presion, që shërbejnë për trajtimin dhe ambalazhimin e gazit të lëngshëm të naftës nga shoqëritë e tregtimit me shumicë të këtij nënprodukti (GLN), bëhet vetëm kur ato plotësojnë kërkesat e ligjit nr.8739, datë 12.2.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve nën presion”. Shoqëritë e tregtimit me shumicë të gazit të lëngshëm të naftës bëjnë mbushjen e bombolave me këtë nënprodukt.”.
Neni 5
Në nenin 15, paragrafi i parë i pikës 1 ndryshohet si më poshtë:
“Veprimtaria e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm për automjete dhe vajrave lubrifikante, ku përfshihen nënproduktet e kategorive I, II, III dhe IV/A, kryhet nga stacionet e shitjes së karburanteve. Me përjashtim të nënproduktit të kategorisë IV/A, nënproduktet e tjera tregtohen vetëm nëpërmjet aparateve të matjes dhe të regjistrimit të sasisë së shitjes. Stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm për automjete dhe vajrave lubrifikante ndalohen të mbushin bombola me gaz të lëngshëm për përdorim shtëpiak apo tregtar.”.
Neni 6
Në nenin 16 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Paragrafi i parë i pikës 1 ndryshohet si më poshtë:
” Veprimtaria e tregtimit me pakicë të lëndëve djegëse për ngrohje dhe gatim për konsumatorët kryhet nga stacionet dhe njësitë e lëndëve djegëse.”.
2. Pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:
“5. Njësitë e tregtimit me pakicë të bombolave të gazit të lëngshëm të naftës janë të detyruara të respektojnë kushtet dhe rregullat teknike për përpunimin e këtyre bombolave, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 7
Në nenin 17, pas fjalëve “leje koncesioni” shtohen fjalët “leje përpunimi”.
Neni 8
Në nenin 18, pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. Kushtet dhe procedurat për dhënien e lejeve të koncesionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 9
Pas nenit 18 shtohet neni 18.1 me këtë përmbajtje:
“Neni 18.1
Leja e përpunimit
1. Leja e përpunimit u jepet personave juridikë, të përcaktuar në shkronjën “a.1″ të nenit 11 të këtij ligji, të cilët kryejnë veprimtarinë e përpunimit të nënprodukteve të naftës.
2. Leja e përpunimit jepet nga ministri përgjegjës për hidrokarburet, sipas kushteve dhe procedurave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
3. Lejet e përpunimit jepen për 20 vjet, me të drejtë rinovimi.”.
Neni 10
Në nenin 20 pika 1 fjalët “për tregtimin e karburanteve” zëvendësohen me fjalët “për tregtimin e karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante”.
Neni 11
Në nenin 23 pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“2.a) Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre përgjigjet për:
– zbatimin dhe respektimin e normave dhe të kushteve teknike në përdorimin e instalimeve, impianteve dhe pajisjeve përkatëse, nga personat juridikë, që kryejnë veprimtari në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
– zbatimin e kushteve të përcaktuara në lejet apo autorizimet përkatëse, që u janë dhënë personave juridikë, që ato të respektojnë normat teknike për mbrojtjen nga zjarri dhe ruajtjen e mjedisit;
– respektimin e treguesve cilësorë të standardeve apo rregullave shtetërore për cilësinë e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, për parandalimin e abuzimeve dhe të falsifikimeve;
– kryerjen e analizave në laboratorin qendror të Inspektoratit Shtetëror të Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre, për sasitë e importuara, para zhdoganimit, për sasitë e prodhuara në vend, si dhe për kontrollin periodik të detyrueshëm të tregut të brendshëm.
Shpenzimet për kontrollin e cilësisë përballohen nga vetë subjektet, në vlerën që caktohet nga ministri përgjegjës për hidrokarburet.
b) Për realizimin e këtyre detyrave Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre bashkëpunon me organet e tjera shtetërore dhe të qeverisjes vendore, që mbulojnë fushën e ndërtimit, të rendit publik, të veprimtarisë tregtare, të mbrojtjes nga zjarri dhe të ruajtjes së mjedisit.
c) Rregullat për organizimin, funksionimin, financimin dhe administrimin e të ardhurave nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Neni 12
Në fund të nenit 24 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Kontrolli i treguesve cilësorë për zhdoganimin e mallit bëhet nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre.”.
Neni 13
Neni 25 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 25
Sanksionet
1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë.
a) Për shkelje të nenit 8 masa e gjobës është nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
b) Për mosrespektim të sasisë së rezervës të sigurisë dhe të afateve të plotësimit të tyre, sipas nenit 9, masa e gjobës është deri në 50 për qind e vlerës së sasisë së produktit, që mungon nga kuota e përcaktuar si rezervë sigurie.
c) Për shkelje të nenit 12 pikat 5 e 6 masa e gjobës është nga 800 000 lekë deri në 1 000 000 lekë për secilën, veç e veç, nga pikat e lartpërmendura.
ç) Për shkelje të nenit 14 pika 5 masa e gjobës është nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
d) Për shkelje të nenit 14 pika 6 masa e gjobës është nga 800 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
dh) Për shkelje të nenit 14 pika 9 masa e gjobës është nga 500 000 lekë deri në 700 000 lekë.
e) Për shkelje të nenit 14 pika 12 subjekti gjobitet:
i) në masën nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë kur mbush dhe tregton bombola të gazit të lëngshëm të naftës të pakolauduara;
ii) në masën nga 100 000 lekë deri në 200 000 lekë kur vë në qarkullim bombola me gaz të lëngshëm të naftës, që nuk kanë identitetin e shoqërisë (ngjyra, marka, tapa e stampuar) ose kur ato janë nën peshën e deklaruar;
iii) në masën nga 500 000 lekë deri në 700 000 lekë kur subjekti bën mbushje të bombolave të gazit të lëngshëm jashtë impianteve të pajisura me lejen përkatëse.
ë) Për shkelje të nenit 15 pika 1 paragrafi i parë masa e gjobës është nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
f) Për shkelje të nenit 15 pika 3 paragrafi i parë për secilin detyrim veç e veç dhe paragrafi i dytë, për dorëzimin e marrëveshjes në afat, si dhe për shkelje të pikave 4 e 6 masa e gjobës është nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë.
g) Për shkelje të nenit 15 pika 7 masa e gjobës është nga 70 000 lekë deri në 100 000 lekë.
gj) Për shkelje të nenit 16 pika 3 masa e gjobës është nga 100 000 lekë deri në 200 000 lekë.
h) Për shkelje të nenit 16 pika 4 masa e gjobës është nga 30 000 lekë deri në 50 000 lekë.
i) Për mosrespektim të kushteve dhe të normave teknike në instalimet, impiantet dhe pajisjet masa e gjobës është:
– nga 700 000 lekë deri në 1 000 000 lekë për rafineritë e naftës, impiantet e përpunimit, naftësjellësit e gazsjellësit, si dhe instalimet bregdetare;
– nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë për shoqëritë e tregtimit me shumicë;
– nga 200 000 lekë deri në 300 000 lekë për stacionet e shitjes së karburanteve dhe njësitë e shitjes së lëndëve djegëse.
j) Ushtrimi i veprimtarisë pa leje ose pa autorizim, konform dispozitave të këtij ligji përbën shkelje dhe subjekti gjobitet si më poshtë:
i) nga 4 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë për rafineritë e naftës, impiantet e përpunimit, naftësjellësit e gazsjellësit, instalimet bregdetare dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë;
ii) nga 700 000 lekë deri në 1 000 000 lekë për stacionet e shitjes së karburanteve dhe stacionet e njësitë e shitjes së lëndëve djegëse.
Masa e gjobës, e parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” të këtij neni, jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve, kurse të gjitha gjobat e tjera jepen nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre.
2.1. Në rast përsëritjeje të shkeljeve të mësipërme ose të moszbatimit të sanksioneve të dhëna për këto shkelje, organi përgjegjës ka të drejtën e bllokimit të veprimtarisë së subjektit deri në 30 ditë, duke pezulluar veprimin e lejes së koncesionit, lejes së përpunimit, lejes së tregtimit apo të autorizimit.
2.2. Në rast mosplotësimi nga subjekti të kushtit të bllokimit të përkohshëm ose të përsëritjes, qoftë edhe të njërës prej shkeljeve të mësipërme, organi që vendos sanksionin i propozon organit përgjegjës heqjen e lejes së koncesionit, lejes së përpunimit, lejes së tregtimit apo të autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë.
3. Të ardhurat e përfituara nga gjobat e vëna ndahen si më poshtë:
a) 10 për qind organit që vendos gjobën;
b) 90 për qind Buxhetit të Shtetit.
Mënyra e përdorimit të këtyre të ardhurave përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.
4. Ankimi kundër vendimit të dënimit me gjobë bëhet në përputhje me ligjin nr.7679, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.”.
Neni 14
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4221, datë 5.5.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
L I G J
Nr. 9574, datë 3.7.2006
PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Kudo në ligj emërtimi “Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve” zëvendësohet me emërtimin “Struktura përgjegjëse për veprimtarinë e hidrokarbureve.”.
Neni 2
Pika 4 e nenit 14 ndryshohet si më poshtë:
“4. Shoqëria e tregtimit me shumicë përgjigjet për sasinë dhe cilësinë e ngarkesës gjatë transportit.”.
Neni 3
Neni 12.1 shfuqizohet.
Neni 4
Kudo në nenin 17 hiqen fjalët “Leje përpunimi”.
Neni 5
Neni 18.1 shfuqizohet.
Neni 6
Neni 21 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 21
Personat juridikë, që paraqesin kërkesë për leje tregtimi, sipas nenit 19 të këtij ligji, janë të detyruar të plotësojnë kushtin e kapacitetit të depozitimit në instalimet, prona të tyre ose të marra në përdorim me kontratë, për një periudhë kohore të barabartë me atë të vlefshmërisë së lejes së tregtimit. Kushtet e dhënies së lejes së tregtimit përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Kushti i kapacitetit të depozitimit specifikohet, sipas llojit të lejes dhe kategorisë së produkteve që tregtojnë.”.
Neni 7
Në nenin 25 bëhen këto ndryshime:
a) Fjalët “Impiante përpunimi” dhe “Leje përpunimi” hiqen.
b) Paragrafi i fundit i pikës 1 ndryshohet si më poshtë:
“Masa e gjobës, e parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” të këtij neni, jepet nga ministri përgjegjës për veprimtarinë e hidrokarbureve, ndërsa të gjitha gjobat e tjera jepen nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre.”.
Neni 8
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4990, datë 21.7.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
VENDIM
Nr. 170, datë 25.4.2002
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË KUSHTEVE PËR DHËNIEN E LEJEVE E TË AUTORIZIMEVE PËR TREGTIMIN E NAFTËS, GAZIT E NËNPRODUKTEVE TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve19, 20 e 21 të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, me propozimin e Ministrit të Industrisë dhe Energjitikës, Këshilli i Ministrave,
VENDOSI:
I. Procedura e dhënies së lejeve të tregtimit
Shoqëritë që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të naftës bruto, gazit dhe nënprodukteve të tyre pajisen me lejen e tregtimit nga ministri që mbulon veprimtarinë hidrokarbure.
a) Leje e llojit “A”, që u jepet shoqërive për tregtimin e naftës e të nënprodukteve të saj, me përjashtim të nënprodukteve të përcaktuara për përdorim nga mjetet e flututrimit ajror.
b) Leje e llojit “B”, që u jepet shoqërive për tregtimin e gazit të lëngshëm.
c) Leje e llojit “C”, që u jepet shoqërive për tregtimin e nënprodukteve të naftës për mjetet e fluturimit ajror.
Dhënia e lejeve të tregtimit bëhet në bazë të procedurave të mëposhtme:
1. Subjekti paraqet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hidrokarbureve kërkesën për marrjen e lejes së tregtimit, të pëcaktuar për katëgorinë e produkteve, që do të tregtojë.
2. Dokumentet që duhet të shoqërojnë kërkesën janë:
a) vendimi i gjykatës për regjistrimin e personit juridik;
b) certifikata e regjistrimit në zyrën e tatimeve dhe dokumenti i NIPT-it;
c) vërtetimi i pronësisë ose kontrata e qerasë për depozitat që do të përdorë subjekti;
ç) projekti teknologjik i depove dhe i linjave, i miratuar nga organet e qeverisjes vendore të mbrojtjes nga zjarri dhe të mjedisit; Për lejet e llojit “A” kategoria IV/a, projekti teknik i magazinës së vajrave.
d) akti i kontrollit dhe leja e shfrytëzimit, të lëshuara nga zyra e urbanistikës;
dh) vërtetimi për kontrollin e objektit për respektimin e kushteve teknike, i lëshuar nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit, Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre.
e) certifikata e matjes së vëllimit të depove nga organet përkatëse të kalibrimit ddhe metrologjisë, në njësitë e qeverisjes vendore; Përjashtohen nga kjo kërkesë subjektet që kërkojnë të pajisen me leje të llojit “A”, kategoria IV/a (vajra lubrifikante).
ë) vërtetimi i pronësisë ose kontrata e marrjes në përdorim e mjeteve të transportit për naftën, gazin dhe nënproduktet e saj.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve ushtron kontroll për vërtetësinë e të dhënave dhe të treguesve të paraqitur në dokumentacionin e subjektit kërkues.
4. Kur nga vërtetimi i të dhënave dhe treguesve rezulton se janë plotësuar kushtet e kërkuara, ministri jep lejen e tregtimit të veçantë, sipas kategorive përkatëse të produktit që do të tregohet.
5. Afati për ushtrimin e kontrollit dhe afati i dhënies së lejes nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë nga data e mbërritjes së kërkesës së subjektit në ministri.
6. Kur nga vërtetimi i të dhënave dhe treguesve rezulton se nuk plotësohen kushtet e kërkuar, dokumentet e paraqitura i kthehen subjektit, i cili mund t’i riparaqesë pas plotësimit.
7. Kur, pas afatit prej 30 ditësh nga çasti i depozitimit të kërkesës, subjektit nuk i është kthyer përgjigje, ai ka të drejtë të ankohet në përpuhtje me procedurat adminitrative.
II. Procedura për dhënien e autorizimeve
Dhënia e autorizimeve për funksionimin e stacioneve të shitjes së karburanteve, të ndërtuara në autostrada, bëhet nga ministri që mbulon veprimtarinë e transportit, ndërsa dhënia e autorizimit për stacionet e tjera të shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm dhe vajrave lubrifikante dhe stacionet e mbushjes së bombulave të gazit të lëngshëm bëhet nga organet e qeverisjes vendore.
1. Për marrjen e autorizimeve për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm ose vajrave lubrifikante dhe për stacionet e mbushjes së bombulave të gazit të lëngshëm, subjekti duhet të paraqesë, pranë organit që ka në varësi dhënien e autorizimit, këto dokumente:
a) vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik;
b) certifikatën e regjistrimit në zyrën e tatimeve;
c) projektin teknologjik të depove dhe linjave, të miratuar nga organet e qeverisjes vendore të mbrojtjes nga zjarri dhe të mjedisit;
ç) aktin e kontrollit dhe lejen e shfrytëzimit, të lëshuar nga zyra e urbanistikës;
d) vërtetimi për kontrollin e objektit për respektimin e kushteve teknike të lëshuar nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit, Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre;
dh) certifikatën e kalibrimit të rezervuarëve, të vendosur në stacion dhe të matjes së aparateve të shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm dhe stacionet e mbushjes së bombulave të gazit të lëngshëm, të lëshuar nga organet e metrologjisë e të kalibrimit në njësitë e qeverisjes vendore.
2. Organet, që kanë përgjegjësi për dhënien e autorizimeve, ushtrojnë kontroll për të dhënat dhe treguesit e paraqitur në dokumentacionin e subjektit kërkues.
3. Kur pas vërtetimit, të dhënat dhe treguesit e paraqitur në dokumentacion plotësojnë kushtet e kërkuara, organi përkatës jep autorizimin për ushtrimin e veprimtarisë në stacionin e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm. Afati për kontrollin e dokumentacionit dhe plotësimin e autorizimeve nuk mund të jetë më i madh se 15 ditë nga dita e mbërritjes së kërkesës në organin që ka detyrë dhënien e autorizimit.
4. Kur, pas vërtetimit, të dhënat dhe treguesit nuk plotësojnë kërkesat, dokumentet e paraqitura i kthehen subjektit dhe afati i mësipërm fillon me riparaqitjen e tyre.
5. Kur, pas afatit prej 15 ditësh nga çasti i paraqitjes së kërkesës, subjektit nuk i është kthyer përgjigje, ai ka të drejtë të ankohet sipas procedurave administrative.
6. Dhënia e autorizimeve për njësitë e shitjes së lëndës djegëse bëhet nga organet e qeverisjes vendore. Subjekti që kërkon të pajiset me autorizim për shitjen e lëndëve djegëse, duhet të paraqesë këto dokumente:
a) Vërtetimin për pronësinë apo kontratën për marrjen në përdorim të mjedisit përkatës;
b) vërtetimin për respektimin e kushteve teknike, të lëshuar nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre;
c) certifikatën e kalibrimit të enëve dhe aparateve të shitjes, të lëshuar nga organet e metrologjisë e të kalibrimit në njësitë e qeverisjes vendore.
7. Afati për vërtetimet e nevojshme dhe plotësimin e autorizimeve për njësitë e shitjes së lëndëve djegëse nuk mund të jetë më i madh se 10 ditë nga data e mbërritjes se kërkesës.
8. Kur nga vërtetimet rezulton se nuk janë plotësuar kushtet e caktuara, dokumentet i kthehen subjektit dhe afati i mësipërm fillon me riparaqitjen e tyre.
9. Kur, pas afatit prej 10 ditësh nga çasti i paraqitjes së kërkesës, subjektit nuk i është kthyer përgjigje, ai ka të drejtë të ankohet sipas procedurave administrative.
III. Pagesat
Dhënia e lejeve të tregtimit dhe të autorizimeve bëhet kundejt pagesës nga subjekti kërkues. Tarifat e pagesës për lejet dhe autorizimet, që jepen për herë të parë, janë:
1. Për lejet e tregtimit të llojit “A” 500 000 lekë
2. Për lejet e tregtimit të llojit “B” 200 000 lekë
3. Për lejet e tregtimit të llojit “C” 200 000 lekë
4. Për autorizimet për stacione shitjeje karburanti, gazi të lëngshëm, vajrash lubrifikantë dhe të stacioneve të mbushjes së bombulave të gazit të lëngshëm 100 000 lekë
5. Për autorizime për njësitë e lëndëve djegëse 50 000 lekë.
Tarifat për përsëritjen periodike të lejeve të tregtimeve dhe të autorizimeve janë sa gjysma e tarifave të mësipërme.
Të ardhurat, që realizohen nga pagesat e tarifave për pikat 1,2 dhe 3 të përdoren në masën 90 për qind nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, për financimin e veprimtarisë së strukturave të kësaj ministrie, për investime, ndjekje dhe monitorim të tregut të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, kualifikimin profesional dhe për përpunimin e botimin e të dhënave për këtë treg.
Të ardhurat, që realizohen nga pagesat e tarifave për pikat 4 dhe 5, të përdoren, në bazë të vendimit nr.424, datë 9.7.1998 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijojnë institucionet buxhetore”.
IV. Kushtet për pajisjen me leje tregtimi
1. Kapitali minimal i kërkuar është kapitali themeltar i shoqërisë anonime.
2. Kapaciteti më i vogël i depozitave të shoqërive, që kërkojnë të pajisen më leje tregtimi, sipas llojit të lejes, është:
– Për lejet e tregtimit të llojit “A”, jo më pak se 300 m3 dhe kur kjo leje e tregtimit jepet për disa kategori produktesh, depozitat duhet të jenë të ndara nga njëra-tjetra, me një kapacitet të përbashkët jo më pak se 300 m3.
– Për lejet e tregtimit të llojit “A”, kategoria IV/a, kapaciteti magazinues i mbuluar të jetë me sipërfaqe jo më të vogël se 50 m2.
– Për lejet e tregtimit të llojit “B”, impiantet e depozitimit të gazit të jenë me kapacitet të instaluar, jo më të vogël se 50 m3.
– Për lejet e tregtimit të llojit “C”.
Kur leja jepet për produkte të katëgorisë II/b, jo më pak se 50 m3.
Kur leja jepet për produkte të katëgorisë III/c, jo më pak se 200 m3.
Bëjnë përjashtim nga kushti i plotësimit të kapacitetit më të vogël, sipas kësaj pike, shoqëritë anonime që kanë marrëdhënie kontraktore, sipas dispozitave ligjore në fuqi, për depozitat e karburanteve në portin e Durrësit. Kushti i kapacitetit më të vogël i depozitave, i vendosjes në to të mjeteve matëse dhe i kalibrimit të tyre, duhet të plotësohet brenda 18 muajve pas fillimit të zbatimit të masterplanit, në territorin e depozitave të karburanteve në portin e Durrësit.
3. Shoqëritë anonime, që kërkojnë të marrin lejen e tregtimit, duhet të kenë në pronësi ose në përdorim, në çastin e kërkesës për leje dhe gjatë gjithë kohës së veprimtarisë, një mjet transporti për naftë, gaz apo nënprodukte të tyre.
4. Depozitat e subjekteve, që kërkojnë të pajisen me leje të llojit “A”, “B” dhe “C”, (përjashtim bëjnë lejet e llojit “A”, kategoria IV/a (vajra lubrifikante), duhet të jenë të kalibruara nga organet përkatëse të metrologjisë e të kalibrimit në njësitë e qeverisjes vendore.
5. Lejet e tregtimit duhet të përmbajnë:
a) numrin e lejes dhe datën e lëshimit të saj;
b) emrin dhe selinë e subjektit që merr lejen;
c) llojin e lejes dhe kategorinë e produktit që do të tregtohet;
ç) afatin e vlefshmërisë së lejes;
d) vendndodhjen e depozitave ose të magazinës;
dh) llojin dhe afatin e dokumentacionit, që duhet të dërgojnë në ministri.
6. Të dhënat e përcaktuara në shkronjat a, b, c, ç, d të pikës 7 të këtij vendimi janë të vlefshme dhe për autorizimet.
V. Hartimi i kushteve teknike
1. Kushtet teknike, që duhen respektuar në të gjitha pajisjet, impiantet, instalimet, stacionet, repartet dhe linjat teknologjike përcaktohen më urdhët të ministrit që mbulon veprimtarinë hidrokarbure.
2. Kushtet teknike janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha subjektet, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë në përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
3. Ministria që mbulon veprimtarinë hidrokarbure të botojë kushtet teknike.
VI. Heqja e lejeve të tregtimit dhe të autorizimeve
Në rast të moszbatimit të sanksionit të dhënë për shkeljet e përcaktuara në ligj, organi që jep sanksionin ka të drejtën e ndërprerjes deri në 30 ditë të veprimit të lejes së tregtimit ose të autorizimit përkatës, për ushtrimin e veprimtarisë.
Në rast të mosreagimit ndaj sanksionit për ndërprerje të lejes së tregtimit apo autorizimit, ose për përsëritje nga subjekti të shkeljeve të përcaktuar në ligj, organi përkatës ka të drejtën e heqjes së lejes së tregtimit apo autorizimit për ushtrimin e veprimtarisë.
VII. Vendimet nr. 129, datë 18.3. 1999; nr 576, datë 8.12.1999; nr. 4, datë 12.1.2000; nr. 719, datë 21.12.2000; si dhe nr. 681, datë 13.12.2001 të Këshillit të Ministrave shfuqizohen.
VIII. Ngarkohet Ministria e Industrisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Pandeli Majko
VENDIM
Nr.563, datë 27.8.2004
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.170, DATË 25.4.2002 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË KUSHTEVE PËR DHËNIEN E LEJEVE E TË AUTORIZIMEVE PËR TREGTIMIN E NAFTËS, GAZIT E NËNPRODUKTEVE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, 16, 19, 20, 21 e 25 të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, ndryshuar me propozimin e Ministrit të Industrisë dhe të Energjetikës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr.170, datë 25.4.2002 të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “b” e paragrafit të parë të kreut I, riformulohet si më poshtë vijon:
“b. Leje e llojit “B”, që u jepet shoqërive për tregtimin e gazit të lëngshëm të naftës dhe mbushjen e bombolave me këtë nënprodukt.”.
2. Në pikën 2 të kreut I, të bëhen ndryshimet si më poshtë vijon:
a) në fund të shkronjës “ç” shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Për lejet e llojit “B” projekti teknologjik i depove dhe i linjave duhet të jetë i miratuar edhe nga organet përkatëse të kontrollit të pajisjeve nën presion.”;
b) pas shkronjës “ë” shtohet shkronja “f” me këtë përmbajtje:
“f. Leja mjedisore, sipas legjislacionit në fuqi për mjedisin.”.
3. Paragrafi i parë i kreut II, ndryshohet si më poshtë vijon:
“Dhënia e autorizimeve për funksionimin e stacioneve të shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës për automjete dhe vajrave lubrifikante, bëhet nga:
a) ministri që mbulon veprimtarinë e transportit rrugor, kur stacioni është ndërtuar në autostradë;
b) organet e qeverisjes vendore për kategoritë e tjera të rrugëve dhe për raste të tjera.”.
4. Në pikën 1 të kreut II, të bëhet ky ndryshim dhe kjo shtesë:
a) Paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë vijon:
“1. Për marrjen e autorizimeve për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës për automjete dhe vajrave lubrifikante, subjekti duhet të paraqesë pranë organit që ka të drejtën e dhënies së autorizimit këto dokumente.”.
b) Në fund të shkronjës “c” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Projekti teknologjik për depot dhe linjat që përdoren për depozitimin dhe shitjen e gazit të lëngshëm të naftës, duhet të jetë i miratuar nga Inspektorati i Pajisjeve nën Presion.”.
5. Pika 6 e kreut II, ndryshohet si më poshtë vijon:
“6. Dhënia e autorizimeve për njësitë e shitjes së lëndëve djegëse dhe bombolave të gazit të lëngshëm të naftës, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit për përdorim rezidencial bëhet nga organet e qeverisjes vendore.
Subjekti, që kërkon të pajiset me autorizimin për shitjen e lëndëve djegëse dhe të bombolave të gazit të lëngshëm të naftës, duhet të paraqesë këto dokumente:
a) Vërtetimin për pronësinë apo kontratën e marrjes në përdorim të mjedisit përkatës;
b) Certifikatën e kalibrimit të enëve dhe të aparateve të shitjes, të lëshuar nga organet e metrologjisë e të kalibrimit në njësitë e qeverisjes vendore;
c) Vërtetimin e lëshuar nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe të nënprodukteve të tyre, për respektimin e kushteve dhe të rregullave teknike për njësitë e shitjes së lëndëve djegëse dhe të bombolave të gazit të lëngshëm të naftës.
Kur njësitë e shitjes së lëndëve djegëse tregtojnë bombola gazi të lëngshëm të naftës, duhet të paraqesin edhe vërtetimin nga Inspektorati i Pajisjeve nën Presion.”.
6. Pikat 4 dhe 5 të kreut III “Pagesat”, ndryshohen si më poshtë vijon:
“4. Për autorizimet për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës për automjete dhe vajrave lubrifikante
100 000 lekë
5. Për autorizimet për njësitë e shitjes së lëndëve djegëse dhe bombolave të gazit të lëngshëm të naftës
50 000 lekë.”.
7. Paragrafi i fundit i kreut III, ndryshohet si më poshtë vijon:
“Të ardhurat, që realizohen nga pagesat e tarifave për pikat 4 dhe 5 të kreut III, të përdoren nga organi i pushtetit vendor që i jep autorizimin, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.”.
8. Pas paragrafit të fundit, të kreut III, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“10 për qind e të ardhurave të përfituara nga gjobat e vendosura nga strukturat e ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet në zbatim të nenit 13 të ligjit nr.9218, datë 8.4.2004 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre””, me miratimin e ministrit, të përdoren vetëm për blerje të pajisjeve dhe të aparaturave, për rritjen cilësore të punës në këtë sektor, si dhe për publikime, kualifikime e specializime brenda dhe jashtë vendit.”.
9. Në pikën 1 të kreut V, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Kushtet dhe rregullat teknike për përpunimin e bombolave të gazit të lëngshëm të naftës, në njësitë e tregtimit me pakicë të tyre, përgatiten nga organizmat dhe institucionet në përbërje ose varësi të ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet dhe miratohen nga ministri që mbulon veprimtarinë hidrokarbure.”.
10. Kreu VI shfuqizohet.
11. Ngarkohen Ministri i Industrisë dhe i Energjetikës, Ministri i Transportit dhe i Telekomunikacionit dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Fatos Nano
VENDIM
Nr.1047, datë 16.7.2008
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.170, DATË 25.4.2002 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE KUSHTEVE PËR DHËNIEN E LEJEVE E TË AUTORIZIMEVE, PËR TREGTIMIN E NAFTËS, GAZIT E NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19, 20 e 21 të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të Ministrit të Punëve të Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr.170, datë 25.4.2002 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim emërtimet “Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve” zëvendësohet me “Struktura përgjegjëse në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet”, dhe “Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre” e “Inspektorati i Pajisjeve nën Presion” zëvendësohen me “Inspektorati Qendror Teknik”.
2. Shkronja “d” e pikës 2 të kreut I ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) Leja e shfrytëzimit, e lëshuar nga zyra e urbanistikës.”.
3. Paragrafi i parë i kreut II ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Dhënia e autorizimeve për funksionimin e stacioneve të shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikante bëhet nga:
a) ministri, që mbulon veprimtarinë e transportit rrugor, kur stacioni do të ndërtohet në autostradë, rrugë interurbane kryesore, rrugë interurbane dytësore dhe rrugë vendore, ku ent pronar është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve;
b) organet e qeverisjes vendore, kur stacioni do të ndërtohet në rrugë urbane kryesore, rrugë urbane dytësore dhe rrugë vendore, ku ent pronar është organi i qeverisjes vendore.
Procedurat për dhënien e së drejtës për ndërtimin e stacioneve të shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës, për automjete dhe vajrave lubrifikante, në zonat e shërbimit në rrugët e reja, kombëtare e vendore, kryhen sipas rasteve, nëpërmjet konkurrimit, në bazë të legjislacionit në fuqi.
Këto procedura realizohen nga ministria përgjegjëse për transportin, kur stacionet do të ndërtohen në autostradë, rrugë interurbane kryesore, rrugë interurbane dytësore dhe rrugë vendore, ku ent pronar është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dhe nga organet e qeverisjes vendore, kur stacioni do të ndërtohet në rrugë urbane kryesore, rrugë urbane dytësore dhe rrugë vendore, ku ent pronar është organi i qeverisjes vendore.”.
4. Pas shkronjës “dh” të pikës 1 të kreut II shtohet shkronja “e”, më këtë përmbajtje:
“e) Autorizimin për hyrje-dalje në rrugë, të lëshuar nga:
i) Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, kur stacioni do të ndërtohet në autostradë, rrugë interurbane kryesore, rrugë interurbane dytësore dhe rrugë vendore, ku ent pronar është po Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve;
ii) organet e qeverisjes vendore, kur stacioni do të ndërtohet në rrugë urbane kryesore, rrugë urbane dytësore dhe rrugë vendore, ku ent pronar është vetë organi i qeverisjes vendore.”.
5. Pika 2 e kreut IV ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Kapaciteti më i vogël i depozitave të shoqërive, që kërkojnë të pajisen me leje tregtimi, sipas llojit të lejes, është:
a) Për lejet e tregtimit të llojit “A”, jo më pak se 3 000 (tre mijë) m3 dhe kur kjo leje jepet për disa kategori produktesh, depozitat, për secilën kategori duhet të jenë të ndara nga njëra-tjetra.
b) Për lejet e tregtimit të llojit “A”, kategoria IV/a, kapaciteti magazinues i mbuluar të jetë, me sipërfaqe jo më të vogël se 100 (një qind) m2.
c) Për lejet e tregtimit të llojit “B”, impiantet e depozitimit të gazit të lëngëzuar të jenë me kapacitet të instaluar, jo më pak se 500 (pesë qind) m3.
ç) Për lejet e tregtimit të llojit “C”, kur:
i) leja jepet për produkte të kategorisë II/b, jo më pak se 500 (pesë qind) m3.
ii) leja jepet për produkte të kategorisë III/c, jo më pak se 1 000 (një mijë) m3.
Bëjnë përjashtim nga kushti i plotësimit të kapacitetit më të vogël, sipas kësaj pike, shoqëritë anonime, që kanë marrëdhënie kontraktore, sipas dispozitave ligjore në fuqi, për depozitat e karburanteve në portin e Durrësit. Kushti i kapacitetit më të vogël të depozitave dhe i vendosjes në to të mjeteve matëse dhe të kalibrimit të tyre duhet të plotësohet, brenda 18 muajve pas fillimit të zbatimit të masterplanit, në territorin e depozitave të karburanteve në portin e Durrësit.
Shoqëritë e pajisura aktualisht me “Leje tregtimi”, brenda pesë vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të plotësojnë kushtin e kapacitetit minimal, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.”.
6. Pas pikës 6 të kreut IV, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Shoqëritë e pajisura me leje tregtimi ose autorizim, brenda 30 ditëve nga data e pajisjes, duhet të kryejnë sigurimin e përgjegjësisë ligjore për dëmet, që mund t’u shkaktohen palëve të treta, për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së shoqërisë.
Shoqëritë, që kanë kryer sigurimin e përgjegjësisë ligjore për dëmet, që mund t’u shkaktojnë palëve të treta, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, duhet që brenda këtij afati, të paraqesin dokumentin përkatës në organin, që ka lëshuar lejen e tregtimit ose autorizimin. Shoqëria nuk do ta ushtrojë veprimtarinë deri në çastin e paraqitjes së këtij dokumenti në organin, që ka lëshuar lejen e tregtimit ose autorizimin.”.
7. Pas paragrafit të fundit të kreut VI shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Në rast të mosrespektimit të shkronjës “b” të pikës 6 të këtij vendimi, organi përkatës për dhënien e lejes së tregtimit apo autorizimit, ka të drejtën e heqjes së kësaj lejeje apo autorizimi për ushtrimin e veprimtarisë.”.
8. Zbatimi i normave të përcaktuara në pikat 3, 4, 5 e 6 fillon gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
9. Në rastin e rinovimit të lejeve të tregtimit, kushtet e kapaciteteve minimale të depozitimit do të jenë ato të përcaktuara në pikën 5 të këtij vendimi.
Në rastin e rinovimit të autorizimeve për funksionimin e stacioneve të shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës, për automjete, dhe vajrave lubrifikante, në procedurat për dhënien e këtyre autorizimeve të përfshihen edhe ndryshimet e përcaktuara në pikat 3 e 4 të këtij vendimi.
10. Ngarkohen Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
VENDIM
Nr. 30, datë 28.1.2002
PËR KRITERET E ZGJEDHJES DHE RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE TË SHOQËRIVE QË DO TË NDËRTOJNË DHE PËRDORIN INSTALIME BREGDETARE PËR TRANSPORTIMIN DHE DEPOZITIMIN E NAFTËS, GAZIT DHE TË NËNPRODUKTEVE TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2 të nenit 13 të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, Këshilli i Ministrave,
VENDOSI:
1. Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit të publikojë zonat e përcaktuara për ndërtimin dhe përdorimin e instalimeve bregdetare për transportimin dhe depozitimin e naftës, gazit dhe të nënprodukteve të tyre, sipas masterplanit të vendosjes së depozitave bregdetare, të instalimeve portuale dhe infrastrukturës rrugore në hapësirat e përcaktuara në vendimin nr.251, datë 24.4.2001 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e studimit “Përcaktimi i hapësirave të përshtatshme për ndërtimin e depozitave bregdetare, të naftës, të gazit dhe të nënprodukteve të tyre””, si dhe sipërfaqet për ndërtimin e tyre, miratuar me vendimin nr.21, datë 19.10.2001 KRRTRSH-së.
a) Publikimi të bëhet 3 herë radhazi në 2 gazeta të përditSHme, me tirazh të madh, si dhe në median elektronike.
b) Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit të vërë në dispozicion të shoqërive të interesuara informacionin e nevojshëm për hartimin e projekteve, kundrejt një pagese prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh.
2. Shoqëritë e interesuara, që kërkojnë të ndërtojnë dhe të përdorin instalimet bregdetare për transportimin dhe depozitimin e naftës, gazit dhe të nënprodukteve të tyre në sipërfaqet e truallit të përcaktuara në masterplanin e miratuar me vendimin nr.21, datë 19.10.2001 të KRRTRSH-së, të paraqesin kërkesën në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
– Skemat e zonës ku kërkohet të ndërtohet instalimi bregdetar, si dhe sipërfaqen e saj në m2;
– projektidenë për kapacitetin depozitues dhe vlerësimin financiar për instalimet bregdetare që do të ndërtohen;
– dokumentin bankar për kredibilitetin financiar për përballimin e vlerës së investimit të parashikuar;
– vendimin e gjykatës për regjistrimin e personit juridik si shoqëri anonime;
– certifikatën për regjistrimin në zyrën e tatimeve dhe dokumentin e NIPT-it për personat juridikë;
– dokumentacionin e duhur për të treguar përvojën në fushën e ndërtimit dhe të përdorimit të instalimeve bregdetare për transportimin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe të nënprodukteve të tyre.
3. Për vlerësimin e kërkesave dhe të dokumentacionit të paraqitur nga shoqëritë, sipas përcaktimit në pikën 2 të këtij vendimi, të ngrihet komisioni i vlerësimit të kërkesave, me këtë përbërje:
– Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit 3 anëtarë
– Ministria e Punëve Publike dhe Turizmit 1 anëtar
– Ministria e Transportit 1 anëtar
– Ministria e Financave 1 anëtar
– Ministria e Mjedisit 1 anëtar
– Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë 1 anëtar
Kryetari i Komisionit caktohet nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
4. Mënyra e funksionimit të komisionit të vlerësimit të kërkesave përcaktohet me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Ekonomisë Pubike dhe Privatizimit, Ministrisë së Punëve Publike dhe Turizmit, Ministrisë së Transportit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, i cili duhet të dalë brenda 30 ditëve nga miratimi i këtij vendimi.
5. Komisioni i vlerësimit të kërkesave mblidhet brenda një periudhe kohore 15-ditore pune nga data e paraqitjes së kërkesës dhe bën verifikimin e dokumentacionit dhe të ofertës përkatëse, si dhe të zonës ku kërkohet të ndërtohet instalimi bregdetar, në mbështetje të masterplanit miratuar me vendimin nr.21, datë 19.10.2001 të KRRTRSh-së.
a) Kur, pas verifikimit, rezulton se dokumentacioni i paraqitur nga shoqëria është i rregullt, komisioni pranon kërkesën dhe i propozon Ministrit të Ekonomisë Publike dhe Privatizimit dhënien e autorizimit për vënien në dispozicion të sipërfaqes për ndërtimin e depozitave dhe të instalimeve në zonën e kërkuar. Dhënia e autorizimit bëhet brenda 5 ditëve nga data e mbledhjes së komisionit të vlerësimit të kërkesave.
b) Kur, pas verifikimit, rezulton se dokumentacioni nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 2, komisioni hedh poshtë kërkesën dhe i kthen subjektit dokumentacionin përkatës, së bashku me argumentimin për këtë vendim.
6. Për rastet kur për të njëjtën sipërfaqe paraqiten më shumë se një kërkesë, të cilat i plotësojnë kërkesat e pikës 2, komisioni i vlerësimit të kërkesave përcakton sipërfaqen që i ofrohet secilit, sipas kritereve të përcaktuara me udhëzimin e përbashkët, të përcaktuar në pikën 4 të këtij vendimi.
7. Autorizimi duhet të përmbajë:
a) emrin e shoqërisë që paraqet kërkesën, numrin e vendimit të gjykatës dhe NIPT-in e saj;
b) të drejtën për të investuar në zonën përkatëse, në përputhje me masterplanin e miratuar me vendimin nr.21, datë 19.10.2001 nga KRRTRSH-ja, duke identifikuar territorin për investim. Procedurat e dhënies së sheshit dhe lejes së ndërtimit duhet të respektojnë ligjin nr.8405 datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, si dhe ligjin nr.8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.
c) afatin kohor brenda të cilit duhet të përfundojë përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen e lejes së koncesionit deri në paraqitjen e tij në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit për procedim të mëtejshëm. Ky afat, në çdo rast, nuk mund të jetë më shumë se 5 (pesë) muaj.
8. Shoqëria e pajisur me autorizim duhet të paraqesë në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, brenda afatit të përcaktuar në pikën 7 të këtij vendimi, dokumentacionin zyrtar, të shqyrtuar dhe miratuar nga institucionet dhe organet e përcaktuara në pikat 6 dhe 7 të vendimit nr.358, datë 27.5.2001 të Këshillit të Ministrave “Për procedurat dhe kushtet për dhënien e lejeve për ndërtimin dhe përdorimin e instalimeve bregdetare, për transportim+depozitimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, si dhe dokumentin e pronësisë për truallin ku do të ndërtohet ose marrëveshjen me pronarin për marrjen në përdorim ose me qira të truallit, për aq kohë sa do të jepet leja për ndërtimin dhe përdorimin e instalimeve bregdetare.
9. Në rastin kur trualli mbi të cilën do të ndërtohen instalimet bregdetare është pronë publike, subjekti e merr atë në përdorim me kontratë qiraje, sipas procedurave të përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi, me afat deri në 30 vjet, me kushtin që në rastin kur nuk merret leja e ndërtimit në KRRTRSh kjo kontratë është e pavlefshme.
10. Në rastin kur toka mbi të cilën do të ndërtohen instalimet bregdetare është pronë private dhe subjektet nuk arrijnë në marrëveshje me pronarët, atëherë subjekti i interesuar mund të paraqesë kërkesën për shpronësimin për interes publik, në zbatim të pikës 2 të nenit 9 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësim dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”.
11. Në rastin kur shoqëria vazhdon më tej procedurat për marrjen e lejes së koncesmonit, një kopje e autorizimit i bashkëlidhet dokumentacionit që Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit i përcjell KRRTRSH-së.
12. Dhënia e lejes së koncesionit për ndërtimin dhe përdorimin e instalimeve bregdetare bëhet kundrejt pagesës nga shoqëritë përkatëse, e cila derdhet në llogarinë e Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit. Tarifat e pagesës për lejen e koncesionit janë:
– për leje koncesioni për ndërtimin dhe përdorimin e instalimeve bregdetare për nënproduktetet e naftës (përjashtuar gazin e lëngshëm) 2 000 000 lekë;
– për leje koncesioni për ndërtimin dhe përdorimin e instalimeve bregdetare për gazin e lëngshëm 1 000 000 lekë.
13. Infrastruktura portuale e instalimeve bregdetare (pontili dhe/ose bankina me tubacionet dhe pajisjet përkatëse) për transportimin dhe depozitimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në Durrës, në sipërfaqet e miratuara me vendimin nr.21, datë 19.10.2001 të KRRTRSH-së ndërtohet dhe administrohet nga “Autoriteti Portual Durrës” sh.a.
14. Fondet e nevojshme për ndërtimin e kësaj infrastrukture të parashikohen nga “Autoriteti Portual Durrës” sh.a. në programin e zhvillimit të vitit 2002.
15. Infrastruktura portuale e instalimeve bregdetare (pontili dhe/ose bankina me tubacionet dhe pajisjet përkatëse) për transportimin dhe depozitimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në Vlorë në sipërfaqet e miratuara me vendimin nr.21, datë 19.10.2001 të KRRTRSH-së rindërtohet dhe administrohet nga “Porti Detar Vlorë” sh.a.
16. Projektet për ndërtimin e infrastrukturës portuale të instalimeve bregdetare (pontili dhe/ose bankina me tubacionet dhe pajisjet përkatëse) të realizohen nga institucionet shkencore, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit dhe Ministrisë së Transportit.
17. Marrëdhëniet për përdorimin e infrastrukturës portuale dhe të instalimeve bregdetare rregullohen me marrëveshje ndërmjet organit përkatës që i administron ato dhe shoqërive të licencuara.
18. Ngritjen në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit të njësisë për trajtimin dhe përpunimin e dokumentacionit për marrjen e lejes së koncesionit për instalimet bregdetare dhe ndjekjen e zbatimit të saj.
19. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, Ministria e Punëve Publike dhe Turizmit, Ministria e Transportit, Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Ilir Meta
VENDIM
Nr. 195, datë 9.5.2002
PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.30, DATË 28.1.2002 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR KRITERET E ZGJEDHJES DHE RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE TË SHOQËRIVE QË DO TË NDËRTOJNË DHE PËRDORIN INSTALIME BREGDETARE PËR TRANSPORTIMIN DHE DEPOZITIMIN E NAFTËS, GAZIT DHE TË NËNPRODUKTEVE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 13 të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës gazit dhe nënprodukteve të tyre”, me propozimin e Ministrit të Industrisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave,
VENDOSI:
1. Në vendimin nr.30, datë 28.1.2002 të Këshillit të Ministrave të bëhen këto ndryshime:
Emërtimi “Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit” zëvendësohet me “Ministria e Industrisë dhe Energjetikës”; emërtimi “Ministria e Punëve Publike dhe Turizmit” zëvendësohet me “Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit”; emërtimi “Ministria e Transportit” zëvendësohet me “Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit”; emërtimi “Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë”.
2. Ngarkohen Ministria e Industrisë dhe Energjetikës, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Pandeli Majko
VENDIM
Nr. 555, datë 3.8.2005
PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.30, DATË 28.1.2002 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR KRITERET E ZGJEDHJES DHE RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE TË SHOQËRIVE, QË DO TË NDËRTOJNË DHE PËRDORIN INSTALIME BREGDETARE PËR TRANSPORTIMIN DHE DEPOZITIMIN E NAFTËS, GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 13 të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Industrisë dhe të Energjetikës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Në shkronjën “c” të pikës 7 të vendimit nr.30, datë 28.1.2002 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalia e fundit ndryshohet si më poshtë vijon:
“Ky afat, në çdo rast, nuk mund të jetë më shumë se 2 (dy) vjet.”.
2. Shoqërive, të cilave u ka skaduar afati i autorizimit të dhënë për vënien në dispozicion të sipërfaqes për ndërtimin e depozitave e të instalimeve bregdetare dhe që kanë nisur procedurat për marrjen e lejes së koncesionit, kanë të drejtën e aplikimit për t’u pajisur me këtë autorizim.
3. Ngarkohen Ministria e Industrisë dhe e Energjetikës, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit, Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Kryeministri
Fatos Nano
VENDIM
Nr. 214, datë 29.3.2006
PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.30, DATË 28.1.2002 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR KRITERET E ZGJEDHJES DHE RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE TË SHOQËRIVE, QË DO TË NDËRTOJNË DHE PËRDORIN INSTALIME BREGDETARE, PËR TRANSPORTIMIN DHE DEPOZITIMIN E NAFTËS, GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2 të nenit 13 të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
Në vendimin nr.30, datë 28.1.2002 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:
1.Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Për vlerësimin e kërkesave dhe të dokumentacionit të paraqitur nga shoqëritë, sipas përcaktimit të pikës 2 të vendimit, të ngrihet komisioni i vlerësimit të kërkesave, me këtë përbërje:
– Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës 4 anëtarë;
– Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit 2 anëtarë;
– Ministria e Financave 1 anëtar;
– Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave 1 anëtar;
– Ministria e Brendshme 1 anëtar;
– Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 1 anëtar.
Kryetari i komisionit caktohet nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.”.
2. Kudo në vendim emërtimet “Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit” dhe “Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë”, zëvendësohen me “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” emërtimet “Ministria e Punëve Publike dhe Turizmit” dhe “Ministria e Transportit”, zëvendësohen me “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”, emërtimi “Ministria e Mjedisit”, zëvendësohet me “Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave”.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Kryeministri
Sali Berisha