LIGJ
Nr.9308, datë 4.11.2004

PËR SHËRBIMIN DHE INSPEKTORATIN VETERINAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Ky ligj rregullon organizimin, funksionimin dhe financimin e shërbimit dhe inspektimit veterinar, si dhe të drejtat e detyrat e Administratës Veterinare.

Neni 2
Ky ligj ka për qëllim:
a) të mbrojë dhe të përmirësojë shëndetin e kafshëve nga sëmundjet ngjitëse;
b) të përcaktojë procedurat për monitorimin, identifikimin, diagnostikimin, parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve të kafshëve;
c) të mbrojë shëndetin publik nga sëmundjet zoonotike të transmetueshme nga kafshët dhe prodhimet e tyre, nga lëndët mbetëse të dëmshme në produktet që përdoren për konsum publik;
ç) të sigurojë zbatimin e masave sanitaro-veterinare për produktet me origjinë shtazore, për lëndët e papërpunuara, si dhe për ushqimet, kullotat e ujin për kafshët;
d) të mbrojë shëndetin riprodhues të kafshëve, të sigurojë rritjen e prodhimtarisë dhe përmirësimin racor;
dh) të mbrojë mjedisin nga infeksionet, helmet dhe ndotjet me pasoja dëmtuese për kafshët dhe njerëzit;
e) të përcaktojë procedurat e trajnimit dhe të informimit në mjekësinë veterinare për specialistët veterinerë, pronarët ose kujdestarët e kafshëve dhe publikun;
ë) të mbrojë kafshët nga tortura dhe të sigurojë mirëqenien e tyre;
f) të mbrojë faunën dhe akuakulturën.

Neni 3
Për qëllimet e këtij ligji, termat e përdorur në të kanë këtë kuptim:
1. “Mjekësi veterinare” është fusha e shkencës dhe praktikës, që merret me kujdesin dhe mbrojtjen e kafshëve, parandalimin e sëmundjeve të tyre dhe përhapjen e zoonozave, diagnostikimin dhe mjekimin e kafshëve të sëmura, kontrollin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve me origjinë shtazore, prodhimin dhe përdorimin e barnave veterinare, të preparateve biologjike, si dhe mbrojtjen e territorit të Republikës së Shqipërisë nga hyrja e sëmundjeve ngjitëse të kafshëve.
2. “Mjek veteriner” është veterineri i diplomuar në mjekësi veterinare, i cili ka një licencë veterinare për të ushtruar profesionin e mjekut veteriner.
3. “Licencë veterinare” është leja për kryerjen e veprimtarisë veterinare, dhënë sipas këtij ligji.
4. “Veprimtari veterinare” është veprimtaria e një mjeku veteriner të licencuar, që përfshin ekzaminimin e gjendjes shëndetësore të kafshës, vendosjen e diagnozës, ndërhyrje parandaluese dhe mjekuese, përshkrimin e barnave për kafshët, inspektimin sanitaro-veterinar të produkteve me origjinë shtazore, veprimtari këshillimore dhe veprimtari administrative veterinare.
5. “Teknik veteriner” është veterineri me arsim të mesëm profesional, i cili kryen disa detyra veterinare nën kontrollin e një mjeku veteriner.
6. “Autoriteti kompetent qendror” është Drejtoria Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit.
7. “Autoriteti kompetent vendor” është sektori veterinar i qarkut.
8. “Kafshë” janë njëthundrakët (kuaj, gomarë, mushka), dythundrakët (gjedhet, buajt, dhentë, dhitë dhe derrat), shpendët (pulat, rosat, patat, gjelat e detit, struci dhe pëllumbat), qentë, macet, lepujt, kafshët e shpendët dekorative dhe ekzotike, bletët, krimbi i mëndafshit, peshqit, krustacet, molusqet, bretkocat, gjarpërinjtë, kafshët e gjahut të rritura në fermë, kafshët që përdoren për eksperimente, si dhe kafshët e egra.
9. “Pronari ose kujdestari i kafshëve” është personi fizik ose juridik, pronar i këtyre kafshëve ose persona të tjerë, që angazhohen në mbrojtjen, përdorimin, punën racore, ruajtjen, stërvitjen, transportimin dhe shitjen e kafshëve.
10. “Produkte me origjinë nga kafshët” janë përbërës nga pjesë të trupit të kafshëve të papërpunuara, gjysmë të përpunuara ose të përpunuara, si dhe qumështi, vezët, produktet e mishit, produktet e peshkut, produktet e qumështit dhe vezëve, mjalti dhe produkte të tjera nga bletët, produktet e peshkut, midhjeve, gjarpërinjve dhe bretkocave për konsum nga njerëzit, si dhe sperma e kafshëve, ovulat dhe embrionet.
11. “Materialet e papërpunuara me origjinë nga kafshët” janë përbërës të pjesëve të trupit të kafshës, si karkasat e kafshëve dhe të gjitha pjesët përbërëse të karkasave në gjendje të papërpunuar.
12. “Mbeturina me origjinë nga kafshët” janë përbërës të pjesëve të trupit të kafshës, mbeturinat e nënprodukteve dhe materialet e padobishme me origjinë shtazore, që nuk mund të përdoren për konsum publik.
13. “Ujëra të përlyera” janë ujërat me origjinë nga stabilimentet e rritjes së kafshëve, thertore, si dhe stabilimente të tjera, të cilat kërkojnë drenazhim të veçantë dhe teknologji trajtimi.
14. “Ushqime të thjeshta, ushqime të përziera kafshësh dhe aditive” janë materiale që përdoren për ushqimin e kafshëve dhe që kërkojnë një certifikatë veterinare.
15. “Mbetje” janë substanca të dëmshme me veprimtari farmakologjike, ndotëse të mjedisit, barna, hormone stimuluese me veti biologjike aktive të përdorura në veterinari, si dhe sasia totale e zbërthimeve të tyre, të cilat mund të hyjnë në ushqimet me origjinë shtazore dhe në kafshën e gjallë dhe të rrezikojnë shëndetin publik.
16. “Ekskrecione dhe sekrecione” janë jashtëqitjet, urina dhe pështyma.
17. “Zoonozat” janë sëmundje ose infeksione, të cilat në rrugë natyrore mund të kalojnë nga kafshët te njerëzit dhe anasjelltas.
18. “Epizootia e një sëmundjeje ngjitëse” është një numër më i madh rastesh të një sëmundjeje ngjitëse, e cila, sipas frekuencës, kohës, vendit dhe llojit të kafshës së prekur, tejkalon numrin e mëparshëm të rasteve.
19. “Zonë e infektuar”është një zonë ku ka shpërthyer një ose disa burime të infeksionit, si dhe ekzistojnë kushte për përhapjen e mëtejshme të tij.
20. “Zonë në rrezik infeksioni” është një zonë ku një sëmundje nga një zonë e infektuar mund të përhapet në të.
21. “Inspektim dhe kontroll sanitaro-veterinar” është ekzaminimi dhe mbikëqyrja e kafshëve, e materialeve të papërpunuara, e produkteve me origjinë shtazore, e produkteve për kafshë dhe e mbeturinave:
a) për të siguruar mbrojtjen e publikut dhe të kafshëve nga sëmundjet ngjitëse të kafshëve;
b) për të parandaluar tregtimin e materialeve të papërpunuara dhe të produkteve me origjinë nga kafshët, të cilat nga ana sanitaro-veterinare janë të papërshtatshme;
c) për të mbikëqyrur stabilimentet ose mallrat, të cilat mund të jenë vektorë potencialë të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse në kafshë.
22. “Sëmundjet ngjitëse të Listës së Zyrës Ndërkombëtare të Epizootive (OIE)” janë sëmundje ngjitëse me rrezikshmëri të lartë përhapjeje, që nuk njohin kufij shtetërorë, që kanë pasoja serioze për shëndetin publik dhe pasoja social-ekonomike dhe me rëndësi të veçantë në tregun ndërkombëtar të kafshëve dhe të produkteve me origjinë nga kafshët, të përcaktuara në kodin zoosanitar ndërkombëtar të OIE-së.
23. “Konsum shtëpiak privat i produkteve me origjinë nga kafshët” është komsumi i produkteve me origjinë nga kafshët për nevojat familjare të pronarit ose kujdestarit të kafshëve.
24. “Therje emergjente e kafshëve” është therja e kafshëve pa kontroll veterinar paraprak, që lejohet vetëm në raste të caktuara me ligj.
25. “Therje e kafshëve të sëmura” është therja e kafshëve të sëmura nga sëmundje, për të cilat lejohet therja me ligj.
26. “Stallë me kushte epizootike të paverifikuara” është stalla e pronarit ose e kujdestarit të kafshëve, në të cilën nuk janë bërë ekzaminimet përkatëse dhe inspektimi sanitaro-veterinar nga autoriteti kompetent dhe që është përfshirë në tregti të paligjshme kafshësh dhe ushqimesh me origjinë prej tyre.
27. “Produkt mjekësor veterinar” është çdo substancë e përdorur për ekzaminim, që influencon në gjendjen fiziologjike dhe patologjike të kafshës së gjallë, substancat diagnostike veterinare, vaksinat veterinare, produktet veterinare mjekuese, suplementet joushqyese, ksenobiotikët, produkte mjekësore kryesore ose ndihmëse.
28. “Administrata Veterinare” është shërbimi veterinar shtetëror që ka kompetencë në të gjithë vendin për të vendosur masat sanitaro-veterinare, si dhe procedurat e certifikimit veterinar ndërkombëtar dhe kombëtar, sipas rekomandimeve të OIE-së e BE-së, si dhe kontrollon e inspekton zbatimin e tyre.
29. “Stacion karantine” është një instalim i vendosur nën kontrollin e autoritetit veterinar vendor ku mbahet në izolim një grup kafshësh, pa kontakt të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me kafshët e tjera, me qëllim që të kontrollohen gjatë një periudhe kohe të caktuar.
30. “Konsum publik” është konsumi i drejtpërdrejtë nga popullsia i prodhimeve ushqimore me origjinë nga kafshët.
31. “Produkt i sigurt me origjinë nga kafshët” është produkti që plotëson standardet ose kushtet që përcaktohen nga ligji veterinar, në të cilin përfshihet parandalimi dhe eliminimi i efekteve negative që ato shkaktojnë.
32. “Qendër inseminimi artificial” është një instalim për prodhimin dhe shpërndarjen e materialit biologjik (sperma, ovula dhe embrione), që plotëson kushtet sanitaro-veterinare.
33. “Bllokim” është masa e përkohshme e marrë nga autoriteti veterinar kompetent në rast shkeljeje, sipas këtij ligji, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
34. “Stabiliment” është çdo mjedis i miratuar dhe i regjistruar nga autoriteti kompetent veterinar, në të cilin mbahen dhe trajtohen kafshë, prodhohen dhe përpunohen produkte me origjinë shtazore.
35. “Thertore” është stabilimenti i miratuar nga autoriteti veterinar vendor, që përdoret për therjen e kafshëve të destinuara për konsum njerëzor dhe konsum kafshësh.
36. “Stalla” është ndërtesa dhe infrastruktura e nevojshme për mbarështimin e kafshëve.
37. “Ngarkesë” janë kafshët, produktet me origjinë nga kafshët, të destinuara për konsum njerëzor, për ushqim kafshësh, për përdorim farmaceutik ose kirurgjikal, për përdorim agroindustrial, spermë, embrione, vezë, produkte biologjike dhe material patologjik.
38. “Matrikullim” është vendosja e numrit individual, sipas një kodi të miratuar nga autoriteti kompetent qendror, për identifikimin e kafshëve dhe regjistrimin e fermave blegtorale.
39. “Identifikimi i kafshëve dhe regjistrimi i fermave blegtorale” janë elementet e mëposhtme:
a) kodi i regjistrimit të fermave blegtorale;
b) matrikujt për identifikimin individual të kafshëve;
c) baza informatike e të dhënave;
ç) kartelat individuale të kafshëve;
d) regjistri i fermës blegtorale.
40. “Njësi epidemiologjike” është njësia blegtorale, shtrirja territoriale e së cilës përcaktohet nga autoriteti kompetent.

KREU II
TE DREJTAT DHE DETYRIMET E SHTETIT, TË PRONARËVE DHE PERSONAVE TË TJERË

Neni 4
1. Detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me parandalimin dhe eliminimin e sëmundjeve ngjitëse në kafshë, si dhe tregtinë ndërkombëtare të kafshëve, materialeve të papërpunuara, produkteve me origjinë nga kafshët, ushqimeve për kafshë, biopreparateve dhe medikamenteve veterinare, mbeturinave të kafshëve, vektorëve të sëmundjeve ngjitëse rregullohen në përputhje me konventa dhe marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara, në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.
2. Përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë informojnë Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit për çdo shpërthim vatre sëmundjeje ngjitëse të deklaruar në vendet ku janë të akredituara.

Neni 5
1. Në përputhje me përcaktimet e bëra në këtë ligj, mbrojtja kundër sëmundjeve ngjitëse në kafshë është detyrë e shtetit dhe e organeve të tij, shërbimit veterinar, pronarëve ose kujdestarëve të kafshëve, të produkteve me origjinë shtazore, të materialeve të papërpunuara dhe mbeturinave, të stabilimenteve prodhuese e përpunuese, si dhe e personave që merren me trajtimin, transportin, tregtimin dhe magazinimin e produkteve me origjinë shtazore, të materialeve të papërpunuara, mbeturinave dhe produkteve për kafshë.
2. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Drejtoria Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, sektorët veterinarë në qarqe, zyrat veterinare në bashki dhe komuna dhe shërbimi veterinar privat janë përgjegjës për zbatimin e legjislacionit veterinar.

Neni 6
1. Çdo pronar ose kujdestar i kafshëve ka të drejtë të zgjedhë lirisht mjekun veteriner. Bëjnë përjashtim rastet që kanë lidhje me mbrojtjen e detyrueshme të kafshëve kundër sëmundjeve ngjitëse.
2. Çdo pronar ose kujdestar i kafshëve është i detyruar:
a) të mbrojë shëndetin e kafshëve;
b) të mbrojë shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve nga sëmundjet zoonotike;
c) të ndihmojë në inspektimin dhe kontrollin sanitaro-veterinar, si dhe t’i japë veterinerit materiale për ekzaminim dhe të marrë masa të tjera për mbrojtjen kundër sëmundjeve ngjitëse të kafshëve të përcaktuara në këtë ligj;
ç) të lajmërojë veterinerin më të afërt në rast rreziku për shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve;
d) t’i komunikojë autoritetit kompetent veterinar të dhëna për shëndetin e kafshëve dhe masat veterinare dhe të lejojë këto autoritete që të verifikojnë besueshmërinë e këtyre të dhënave;
dh) të mos përdorë për qëllime të rritjes së peshës ose të riprodhimit ndonjë substancë me përmbajtje hormonale, e përcaktuar si e tillë në aktet nënligjore dhe ndonjë substancë të dëmshme për shëndetin e njeriut.
3. Me kërkesë të veterinerit shtetëror, pronari ose kujdestari i kafshëve është i detyruar të lejojë kontrollin dhe inspektimin e kafshëve, të strehimeve dhe të stabilimenteve.
4. Pronari ose kujdestari i kafshës, që mbarështon kafshë, ushtron veprimtarinë për prodhimin, përpunimin, magazinimin ose shitjen e produkteve me origjinë shtazore. Ai merret me punën racore të kafshëve shtëpiake dhe të egra dhe është i detyruar të regjistrojë kafshën, stabilimentet, pajisjet e tyre, si dhe të raportojë brenda 10 ditëve pranë zyrës veterinare të qarkut çdo ndryshim të kryer.

KREU III
ORGANIZIMI I SHËRBIMIT VETERINAR

Neni 7
1. Shërbimi veterinar në Republikën e Shqipërisë kryen veprimtari veterinare me funksion të dyfishtë shërbimi dhe inspektimi për:
a) shëndetin e kafshëve;
b) mirëqenien e kafshëve;
c) kontrollin e produkteve mjekësore veterinare;
ç) marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e veterinarisë.
2. Veprimtaritë veterinare realizohen nga shërbimi veterinar shtetëror dhe privat, sipas përcaktimeve në këtë ligj.

Neni 8
1. Shërbimi veterinar shtetëror organizohet si sistem i njësuar dhe mbulon të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai është i organizuar dhe vepron në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, në nivel qarku, bashkie dhe komune.
2. Shërbimi veterinar shtetëror integron në sistem edhe institucione të tjera ku ka veprimtari veterinare, përfshirë edhe Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Rendit Publik. Zyrat veterinare në këto ministri detyrohen të japin informacion zyrtar mujor, si dhe çdo informacion tjetër të kërkuar nga Drejtoria Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit për problematikën dhe situatën veterinare.
3. Shërbimi veterinar shtetëror është pjesë përbërëse e rrjetit veterinar ndërkombëtar e rajonal, që bashkëpunon me organet homologe të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera, me Zyrën Ndërkombëtare të Epizootive dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë në fushën përkatëse, si FAO e OBSH dhe me të gjitha vendet me të cilat ka marrëveshje dypalëshe.

Neni 9
1. Drejtoria e Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit është autoriteti kompetent qendror që mbulon veprimtarinë veterinare në shkallë vendi.
2. Sektori veterinar në qark është pjesë përbërëse e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit që mbulon veprimtaritë veterinare rajonale. Në përbërje të sektorit veterinar janë:
a) inspektorë të shëndetit të kafshëve, të identifikimit, të epidemiologjisë dhe të riprodhimit;
b) inspektorë të shëndetit publik veterinar;
c) inspektorë të pikave të inspektimit veterinar kufitar;
ç) shërbimi veterinar laboratorik.
3. Zyra veterinare vendore mbulon veprimtaritë veterinare në bashki dhe komuna, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe ligjit nr. 8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe është në varësi teknike të sektorit veterinar të qarkut.
4. Shërbimi veterinar privat përbëhet nga:
a) veterinerët privatë me kontratë me shtetin;
b) veterinerët në profesion të lirë, klinikat veterinare, farmacitë veterinare, laboratorët veterinarë, stacionet e inseminimit artificial dhe spitalet veterinare;
c) veterinerët që punojnë në stabilimentet blegtorale, të kafshëve të ujit dhe grumbullim-përpunimit të produkteve me origjinë nga kafshët.

Neni 10

1. Drejtori i Drejtorisë Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit është njëkohësisht Kryeinspektori Veterinar Shtetëror në Republikën e Shqipërisë. Specialistët veterinarë të kësaj drejtorie në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit janë njëkohësisht inspektorë veterinarë.
2. Përgjegjësi i sektorit veterinar të qarkut është njëkohësisht kryeinspektor shtetëror veterinar i qarkut. Specialistët veterinarë shtetërorë në bashki e komunë janë në varësi teknike të tij dhe njëkohësisht inspektorë veterinarë.

KREU IV
KOMPETENCAT E ADMINISTRATËS VETERINARE
DHE BASHKËPUNIMI ME POLICINË

Neni 11
Drejtoria Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit ka këto kompetenca:
a) harton politikat veterinare, programet e parandalimit, kontrollit dhe eliminimit deri në çrrënjosjen e sëmundjeve ngjitëse në kafshë;
b) harton strategjitë afatshkurtra, afatmesme e afatgjata të veprimtarive veterinare;
c) propozon përmirësimin e legjislacionit veterinar, duke e përafruar dhe përshtatur atë me legjislacionin e Bashkimit Europian;
ç) monitoron, së bashku dhe në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve Veterinare, në përputhje me detyrimet e përcaktuara nga OIE-ja, situatën epizootike të sëmundjeve ngjitëse në kafshë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, si dhe informon për këtë qëllim shërbimin veterinar dhe qendrat e mbarështimit të kafshëve;
d) përshtat programe, koordinon punën dhe përcakton masat për zbatimin e programeve në lidhje me kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse në kafshë;
dh) harton raporte mujore për ecurinë e sëmundjeve ngjitëse të kafshëve në vend, informon palët e ineteresuara në vend për situatën e sëmundjeve ngjitëse dhe masat e ndërmarra dhe ia paraqet raportet përkatëse OIE-së;
e) mbikëqyr zbatimin e akteve ligjore e nënligjore veterinare;
ë) mbikëqyr veprimtarinë administrative të zbatimit të këtij ligji dhe të rregulloreve të tjera në lidhje me veprimtarinë veterinare;
f) menaxhon mjetet financiare për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, shëndetit publik dhe trajnimet e specialistëve;
g) mban një rezervë të detyrueshme vjetore mjetesh financiare për vaksina dhe bioprodukte për raste të domosdoshme dhe emergjente për luftimin e sëmundjeve ngjitëse në kafshë dhe zoonozat.

Neni 12
1. Policia e Shtetit detyrohet që t’i japë strukturave të shërbimit dhe Inspektoratit Veterinar ndihmën e nevojshme, sa herë kërkohet, për zbatimin e këtij ligji.
2. Kur gjatë kryerjes së detyrës, Policia e Shtetit ose ajo bashkiake zbulon që pronari ose kujdestari i kafshëve nuk ka certifikatë veterinare për kafshët dhe produktet me origjinë shtazore gjatë transportit, i bllokon ato menjëherë dhe informon Inspektoratin Veterinar.

Neni 13
Kur Policia e Shtetit ose ajo bashkiake zbulon që masat për mbrojtjen e mjedisit, sipas këtij ligji, nuk janë zbatuar, informon inspektoratin veterinar më të afërt.

Neni 14
Me kërkesën e inspektorit veterinar në zonat e infektuara, Policia e Shtetit ose ajo bashkiake ndalon tregtimin e kafshëve dhe bllokon lëvizjen e kafshëve dhe të produkteve blegtorale.
Neni 15
1. Policia kufitare ndalon tranzitimin e paligjshëm ose transportimin e ngarkesave jashtë pikave të kalimeve kufitare të përcaktuara.
2. Ngarkesa mund të ridrejtohet te një kalim kufitar në rast se për shkak të paditurisë ose ndonjë arsyeje tjetër, shoferi gabimisht ka drejtuar mjetin transportues në kalime kufitare, që nuk janë kalime të inspektimit kufitar.
3. Ngarkesa, sipas pikës 2 të këtij neni, trajtohet sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

Neni 16
Policia e Shtetit ndihmon shërbimin veterinar në kryerjen e detyrës së tij gjatë aksidenteve në transportin e kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, materialeve të papërpunuara dhe mbeturinave.

KREU V
KOMPETENCAT E INSPEKTORATIT VETERINAR

Neni 17
1. Inspektimi veterinar kryhet nga inspektorë veterinarë.
2. Inspektorët veterinarë pajisen me “Kartën e identitetit zyrtar”, që lëshohet nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit.
3. Inspektori veterinar:
a) kontrollon zbatimin e ligjit veterinar dhe akteve nënligjore në fushën e veterinarisë;
b) kontrollon situatën epizootike të sëmundjeve ngjitëse në kafshë dhe përhapjen e sëmundjeve zoonotike me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik;
c) kontrollon tregtimin e kafshëve, të produkteve dhe nënprodukteve me origjinë shtazore në tregje, magazina, mjedise ftohëse dhe dyqane të shitblerjes së tyre;
ç) kontrollon tregtinë e produkteve mjekësore, të narkotikëve dhe substancave të tjera farmakologjike që përdoren në mjekësinë veterinare dhe i bllokon ato në rast se nuk plotësojnë standardet;
d) kontrollon gjendjen sanitaro-veterinare të produkteve me origjinë shtazore;
dh) kontrollon gjendjen e shëndetit të kafshëve dhe aftësinë e tyre riprodhuese, tregtimin dhe magazinimin e spermës së kafshëve, ovulave, embrioneve, të vezëve për shtrim dhe mbretëreshave të bletëve;
e) kontrollon dhe merr masa për mbrojtjen e kafshëve nga tortura;
ë) kontrollon kafshët, produktet me origjinë shtazore dhe materialet e papërpunuara, aditivët, produktet për kafshët, ujin dhe mbeturinat për pastërtinë e tyre higjienike;
f) bllokon prodhimin, tregtimin dhe përdorimin e produkteve për kafshë dhe të ujit në rast së këto përmbajnë agjentë patogjenë ose substanca që dëmtojnë shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve;
g) bllokon tregtimin e lëkurëve të kafshëve, të cilat janë therur pa kontroll veterinar ose që e kanë origjinën nga kafshë të sëmura, për të cilat nuk është lëshuar certifikatë veterinare për pastërtinë e zonës, ku e kanë origjinën ose kur në magazina këto lëkurë nuk janë veçuar nga lëkurët e kontrolluara;
gj) bllokon përdorimin e mjeteve të transportit, të cilat nuk plotësojnë kërkesat e përshkruara për transportimin e kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, materialeve të papërpunuara, produkteve për kafshët, ujit që pijnë kafshët dhe mbeturinat;
h) bllokon përdorimin e stallave dhe stabilimenteve të rritjes së kafshëve, stacionet dhe pikat për ngarkimin, ringarkimin dhe shkarkimin e kafshëve, në rast se këto nuk plotësojnë kërkesat e përshkruara;
i) bllokon therrjen e kafshëve, mbledhjen dhe përpunimin e materialeve të papërpunuara dhe prodhimin e produkteve me origjinë shtazore në qoftë se kërkesat e përshkruara nuk plotësohen;
j) bllokon lëshimin e certifikatës veterinare në rast vatrash të sëmundjeve ngjitëse ose në raste kur dyshohet për sëmundje ngjitëse;
k) konfiskon dhe shkatërron materiale të papërpunuara, të papërshtatshme nga ana sanitaro-veterinare, produkte me origjinë shtazore, produkte për kafshë dhe prodhimet mjekësore veterinare;
l) urdhëron konsumin me kusht të materialeve të papërpunuara, produkteve me origjinë shtazore, produkteve për kafshët ose përpunimin e produkteve të mësipërme për qëllime të tjera;
ll) urdhëron eliminimin e mangësive në prodhimin dhe tregtimin e kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, materialeve të papërpunuara, produkteve për kafshë dhe produkteve mjekësore;
m) pezullon stabilimentet dhe instalimet për mbarështim, prodhim dhe tregtim kafshësh, produktesh me origjinë shtazore për industri, tregti dhe për qëllime të tjera kur këto nuk plotësojnë kriteret sanitaro-veterinare, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore;
n) merr kampione dhe i dërgon ato në Institutin e Kërkimeve Veterinare ose në laboratorët rajonalë për analiza bakteriologjike, kimike, mbetje të substancave të dëmshme dhe ndotës të mjedisit;
nj) mbikëqyr tregtinë dhe përdorimin e mjeteve të dezinfektimit, dezinsektimit dhe deratizimit që përcakton ky ligj;
o) kontrollon librat në qendrat prodhuese e përpunuese, regjistrat për rezultatet e ekzaminimeve dhe dokumente të tjera të personave fizikë dhe juridikë në lidhje me zbatimin e rregulloreve në mjekësinë veterinare, si dhe të rregulloreve për tregtimin e barnave veterinare;
p) pezullon lëvizjen e kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, materialeve të papërpunuara, produkteve për kafshë, prodhime mjekësore, spermë kafshësh, ovula, embrione, mbeturina shtazore kur këto përbëjnë shkelje të ligjit;
q) urdhëron eliminimin e mangësive në organizimin teknik në dokumentacion;
r) urdhëron bllokimin e veprimtarisë veterinare të palicencuar ose me mangësi në dokumentacion.

Neni 18
Në pikën e inspektimit kufitar, inspektori veterinar ka për detyrë:
a) të bëjë inspektimin sanitaro-veterinar, si dhe kontrollin fizik të ngarkesave për eksport, import dhe tranzit së bashku me dokumentet shoqëruese;
b) të marrë kampione produktesh me origjinë shtazore, materialesh të papërpunuara, mbeturinash dhe produktesh për kafshë për analizë laboratorike kur është e nevojshme;
c) të regjistrojë ngarkesat e eksportit, importit dhe tranzitit, të cilat kalojnë nëpër pikën e kalimit kufitar, sipas përcaktimeve të bëra me rregullore të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit;
ç) të mbikëqyrë dezinfektimin dhe kushtet higjieno-sanitare të mjeteve të transportit dhe të magazinave doganore;
d) të kryejë të gjitha veprimet e tjera që parashikon ky ligj, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
Neni 19
1. Në pikën e inspektimit kufitar, inspektori veterinar është pjesë e grupit të praktikës doganore që merr kontaktin e parë me mjetet dhe mallrat që kalojnë në kufi dhe ka të drejtë të bllokojë eksportin, importin dhe tranzitimin e ngarkesave që përmenden në këtë ligj, kur:
a) gjatë inspektimit është zbuluar se ngarkesa është e kontaminuar, dyshohet si e tillë dhe kur ngarkesa ka origjinë nga zona të kontaminuara dhe dëmton ose rrezikon shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve;
b) ngarkesa nuk është e shoqëruar me certifikatën ndërkombëtare sanitaro-veterinare dhe të tjera dokumente shoqëruese, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore;
c) produktet me origjinë shtazore të destinuara për konsum publik janë të ndotura me substanca radioaktive, mikrobiologjike ose mbetje kimike më tepër sesa normat e lejuara.
2. Përveç sa është parashikuar në pikën 1 të këtij neni, inspektori veterinar urdhëron:
a) magazinimin e ngarkesës në një magazinë të regjistruar në rastet kur duhet të ekzaminohet gjendja shëndetësore e ngarkesës;
b) masa të tjera për mbajtjen e kafshëve, bazuar në këtë ligj dhe në përputhje me traktatet ndërkombëtare mbi mbrojtjen e shëndetit kafshëve;
c) dezinfektimin e mjeteve të transportit, të pajisjeve dhe instalimeve të përdorura gjatë përpunimit të ngarkesave;
ç) eliminimin e parregullsive në tregtimin e ngarkesave në pikën e inspektimit veterinar kufitar.

KREU VI
VEPRIMTARIA, TË DREJTAT DHE DETYRAT
E DHOMËS SË MJEKËVE VETERINERË

Neni 20
1. Dhoma e Mjekëve Veterinerë është ent publik, që përfaqëson interesat e përbashkët të mjekëve veterinerë të Shqipërisë. Veprimtaria, të drejtat dhe detyrat e Dhomës së Mjekëve Veterinerë përcaktohen nga akte nënligjore të miratuara nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit.
2. Statuti i Dhomës së Mjekëve Veterinerë miratohet nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit.
3. Dhoma e Mjekëve Veterinerë ka këto detyra kryesore:
a) licencon mjekët veterinerë, të cilët kanë mbaruar studimet e larta në mjekësinë veterinare, sipas disa kritereve të përcaktuara me rregullore të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit dhe statutit;
b) regjistron të gjithë mjekët veterinerë, që kryejnë veprimtari veterinare;
c) planifikon, monitoron dhe organizon trajnim profesional të mjekëve veterinerë, që punojnë në shërbimin veterinar publik dhe privat;
ç) kryen kontrolle në nivel ekspertësh të organizatave veterinare;
d) verifikon dhe regjistron shoqatat veterinare;
dh) bashkëpunon me Drejtorinë e Veterinarisë në përgatitjen e rregulloreve veterinare;
e) bën testimin profesional të mjekëve veterinerë në të gjithë strukturën shtetërore, në bazë të një rregulloreje të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, ku përcaktohet komisioni i testimit dhe materiali i ekzaminimit;
ë) publikon trajnimet ndërkombëtare në fusha të ndryshme të mjekësisë veterinare;
f) mban lidhje të rregullta me organizma ndërkombëtarë, si OIE, BE, FAO, OBT, OBSH, si dhe me organizma homologë;
g) kryen detyra të tjera, të cilat parashikohen nga statuti i saj.
4. Dhoma e Mjekëve Veterinerë detyrohet të lëshojë ose të refuzojë dhënien e licencës veterinare brenda 30 ditëve nga data e aplikimit.
5. Ankesa kundër vendimit dhe masave të Dhomës së Mjekëve Veterinerë bëhet te Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit brenda 15 ditëve nga çasti i refuzimit të licencës.
6. Dhoma e Mjekëve Veterinerë është e detyruar që të dhënat e regjistruara t’ia komunikojë menjëherë Drejtorisë Veterinare.

KREU VII
SËMUNDJET NGJITËSE NË KAFSHË, MASAT PËR KONTROLLIN, LAJMËRIMIN, PARANDALIMIN, ELIMINIMIN DHE ÇRRËNJOSJEN E TYRE

Neni 21
1. Sëmundjet ngjitëse në kafshë, që kërkojnë masa të përgjithshme dhe të veçanta veterinare, të parashikuara nga ky ligj, janë të gjitha sëmundjet e përcaktuara nga kodi zoosanitar ndërkombëtar dhe lista e OIE-së.
2. Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, me propozim të Drejtorisë Veterinare, shton sëmundjet e reja dhe përcakton masat për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve të listës së OIE-së, në përshtatje me situatat epidemiologjike brenda vendit, në rajon e më gjerë.
3. Në rast rreziku për shpërthimin e sëmundjeve ngjitëse, të cilat nuk figurojnë në listën e OIE-së dhe që mund të rrezikojnë shëndetin e kafshëve ose të njerëzve, zbatohen masat që parashikon ky ligj për mbrojtjen kundër sëmundjeve ngjitëse.

Neni 22
Sëmundjet ngjitëse të kafshëve dhe zoonozat parandalohen dhe kontrollohen duke u bazuar në masat e përgjithshme dhe të veçanta veterinare.

Neni 23
1. Pronari ose kujdestari i kafshëve dhe personat që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me kafshët, produktet me origjinë shtazore, materiale të papërpunuara, mbeturina nga kafshët, karkasa dhe mallrat e konfiskuara, duhet të kenë njohuri bazë për sëmundjet ngjitëse në kafshë, për parandalimin e tyre, transmetimin në njerëz, si dhe të njohin rregulloret për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse në kafshë.
2. Masat e përgjithshme parandaluese, të përcaktuara në ligj për mbrojtjen kundër sëmundjeve ngjitëse të kafshëve që zbatohen nga pronari ose kujdestari i kafshëve dhe personave të tjerë në kontakt me to, janë:
a) sigurimi i kushteve higjienike të përshtatshme të ujit të pijshëm dhe produkteve që përdorin kafshët;
b) sigurimi i kushteve higjienike në stabilimentet e punës racore të kafshëve, në pajisjet e tyre, si dhe në rrethimet e territorit ku ato mbarështohen;
c) sigurimi i kushteve higjienike gjatë procesit të mjeljes së qumështit dhe gjatë aktit të pjelljes;
ç) sigurimi i kushteve higjienike në vendet publike ku mbahen kafshët, në mjete që transportojnë kafshë dhe në stabilimente për rritjen e kafshëve;
d) sigurimi i kushteve të përshtatshme higjienike në prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve me origjinë shtazore;
dh) parandalimi i përhapjes së vektorëve të sëmundjeve ngjitëse në kafshë;
e) zbatimi i masave sanitaro-veterinare parandaluese në qendrat racore;
ë) manipulimi i karkasave të kafshëve, i mbeturinave, i ekskrementeve dhe i sekrecioneve, në përputhje me rregulloret përkatëse;
f) dezinfektimi profilaktik, dezinsektimi dhe deratizimi i stabilimenteve, i vendeve publike dhe i mjeteve të transportit.

Neni 24
Drejtoria Veterinare, së bashku me sektorin veterinar të qarkut dhe zyrën veterinare vendore, për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve nga sëmundjet ngjitëse, ka për detyrë:
a) të përcaktojë çdo vit numrin dhe llojin e sëmundjeve ngjitëse, që do t’u nënshtrohen masave diagnostikuese, analizave, ekzaminimeve anatomo-patologjike, vaksinimit, gjurmimit dhe çrrënjosjes së tyre, në përputhje me nenin 21 pika 2 të këtij ligji;
b) të kryejë regjistrimin dhe identifikimin e kafshëve dhe fermave blegtorale, në përputhje me ligjin nr.8702, datë 1.12.2000 “Për identifikimin e kafshëve dhe regjistrimin e fermave blegtorale”;
c) parandalimin e sëmundjeve ngjitëse në rast katastrofash natyrore dhe në rast sëmundjesh ngjitëse tepër të rrezikshme në vendet kufitare me Shqipërinë, duke realizuar analiza laboratorike për diagnostikimin e tyre, për përcaktimin e shkaqeve të dëmtimeve dhe të masave profilaktike;
ç) monitorimin dhe studimin e situatës epizootike në nivel kombëtar, qarku, bashkie dhe komune dhe përcaktimin e shpenzimeve financiare të nevojshme;
d) certifikimin veterinar, në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe rregulloret e Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit;
dh) kontrollin e magazinimit dhe ruajtjen në bazë të rregullave të bioprodukteve, dezinfektantëve dhe mjeteve të tjera profilaktike e kurative;
e) trajnimin veterinar të mbarështuesve të kafshëve;
ë) manipulimin pa rrezik të kadavrave të kafshëve.

Neni 25
1. Kompetentë për marrjen e masave të veçanta parandaluese kundër sëmundjeve ngjitëse në kafshë, sipas juridiksionit, janë:
a) sektori veterinar i qarkut, i cili ka për detyrë:
i) identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve dhe fermave;
ii) vendosjen e karantinës;
iii) ekzaminimin diagnostik për përcaktimin e shkaqeve të sëmundjes;
iv) vaksinimin dhe mbrojtjen me anë të produkteve mjekësore;
b) sektori veterinar vendor, i cili ka për detyrë:
i) izolimin dhe largimin e kafshëve të sëmura;
ii) dezinfektimin, dezinsektizimin dhe deratizimin;
iii) depozitimin e padëmshëm në vendet e caktuara të karkasave, konfiskateve dhe mbeturinave të tjera;
iv) depozitimin e padëmshëm ose trajtimin sanitar të jashtëqitjeve;
v) eliminimin e vektorëve të sëmundjeve ngjitëse;
vi) manipulimin pa rrezik të kadavrave të kafshëve.
2. Kryetari i bashkisë ose i komunës, në rast shpërthimi të sëmundjeve epizootike, urdhëron:
a) izolimin e kafshëve të sëmura ose të dyshimta;
b) ndalimin e lëvizjes së kafshëve;
c) mbajtjen të veçuar në vende të posaçme të kafshëve të therura ose të ngordhura deri në ardhjen e inspektorit veterinar;
ç) ndalimin e tregjeve të kafshëve dhe produkteve që rrjedhin prej tyre;
d) caktimin e vendeve për groposjen dhe djegien e kadavrave;
dh) eliminimin e qenve të rrugës.
3. Për zbatimin e masave të pikës 1 të këtij neni hartohen programe afatshkurtra dhe afatgjata për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, duke përcaktuar mënyrat e zbatimit dhe të financimit.
4. Në fund të çdo viti hartohet programi i vaksinimit profilaktik, i diagnozave, si dhe i ekzaminimeve të tjera që do të zbatohen vitin pasardhës për të siguruar situatë të pastër epidemiologjike, duke përcaktuar edhe mënyrat e zbatimit të këtij programi, me qëllim identifikimin, eliminimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve ngjitëse.

Neni 26
1. Masa të veçanta veterinare parandaluese të detyrueshme për mbrojtjen e njerëzve nga zoonozat, të zbatuara nga zyrat veterinare vendore, janë:
a) parandalimi sistematik, identifikimi dhe eliminimi i zoonozave në kafshët shtëpiake dhe në kafshë të tjera;
b) zbatimi i masave parandaluese për mbrojtjen e mjekëve veterinerë, pronarëve ose kujdestarëve të kafshëve, si dhe personave të tjerë që kanë kontakt direkt ose indirekt me kafshët e infektuara, produktet me origjinë prej tyre, materiale të papërpunuara dhe mbeturina;
c) sigurimi i kushteve të përshtatshme sanitaro-veterinare të produkteve me origjinë shtazore, si dhe parandalimi i tregtisë së paligjshme të kafshëve të infektuara, produkteve me origjinë shtazore të papërshtatshme për konsum njerëzor, i materialeve të papërpunuara dhe i mbeturinave;
ç) parandalimi i ndotjeve të materialeve të papërpunuara dhe produkteve me origjinë shtazore në fabrikat e përpunimit të produkteve dhe në stabilimente të tjera.
2. Për zbatimin e masave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, hartohen programe afatshkurtra dhe afatgjata për mbrojtjen e publikut nga zoonozat, duke përcaktuar edhe format e zbatimit dhe mënyrat e financimit.
3. Programet për luftimin e zoonozave zbatohen nga shërbimet veterinare dhe të shëndetësisë. Autoritetet veterinare dhe shëndetësore, inspektorati veterinar dhe ai shëndetësor ndërmarrin veprime të përbashkëta në planifikimin e masave mbrojtëse kundër zoonozave.

Neni 27
1. Kur ka vatra të sëmundjeve ngjitëse ose dyshim për kafshë të sëmura apo të ngordhura për shkak të ndonjë sëmundjeje ngjitëse, pronari ose kujdestari i kafshëve detyrohet të izolojë kafshët e sëmura ose të dyshimta nga kafshët e tjera.
2. Pronari ose kujdestari i kafshëve detyrohet të lajmërojë menjëherë në zyrën veterinare më të afërt nëse:
a) shfaqen shenja të dyshimta për ndonjë sëmundje ngjitëse;
b) ka ngordhje të menjëhershme ose sëmundje zoonotike;
c) brenda tetë ditëve në kafshë shfaqen shenja të sëmundjeve të përsëritura në krerë të tjerë.
3. Çdo mjek veteriner, i cili zbulon ose dyshon për vatër të sëmundjeve ngjitëse, përcakton masat veterinare për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, si dhe tregtimin e kafshëve të infektuara, materialeve të papërpunuara jo të përshtatshme, si dhe të produkteve me origjinë shtazore. Për të konfirmuar zbulimin ose dyshimin, mjeku veteriner dërgon në laboratorin më të afërt kampione për analizë laboratorike.
Në këto raste mjeku veteriner është i detyruar të informojë sektorin veterinar të qarkut.
4. Detyrimi i lajmërimit shtrihet edhe për veterinerin privat. Ai lajmëron me shkrim shërbimin shtetëror veterinar më të afërt, duke plotësuar të dhënat e formularit të miratuar me akt nënligjor nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit.
5. Drejtuesit e pushtetit vendor në fshatra e komuna dhe gjuetarët janë të detyruar të lajmërojnë zyrën veterinare më të afërt për çdo shfaqje infeksioni ose dyshim për sëmundje ngjitëse në kafshët e egra.

Neni 28
1. Sektori veterinar i qarkut bën identifikimin e sëmundjeve ngjitëse, përcakton shkakun e ngordhjes së kafshëve, pastërtinë sanitaro-veterinare të materialeve të papërpunuara dhe produkteve me origjinë shtazore, duke përcaktuar në udhëzimet e shkruara masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe tregtimin e kafshëve të sëmura, të produkteve me origjinë shtazore dhe materialeve të papërpunuara që nuk janë higjienikisht të pastra.
2. Sektori veterinar i qarkut siguron veprimtari veterinare dhe laboratorike të përhershme për diagnostikimin e sëmundjeve ngjitëse, bazuar në këtë ligj.
3. Sektori veterinar i qarkut ose zyra veterinare e bashkisë dhe komunës, në rast dyshimi për sëmundje ngjitëse, dërgojnë në laboratorin veterinar të qarkut ose në Institutin e Kërkimeve Veterinare kampione për analiza laboratorike.
4. Marrja e kampioneve dhe transporti i tyre për në laborator bëhet sipas përcaktimeve në rregulloren e Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, me qëllim mospërhapjen e infeksionit dhe mënjanimin e kontaminimit dhe dëmtimit të kampioneve gjatë transportit.

Neni 29
1. Në rast shpërthimi vatre të sëmundjes ngjitëse ose dyshim për një vatër të tillë, sektori veterinar i qarkut urdhëron kontroll epizootik dhe ia paraqet rezultatet e këtij kontrolli Drejtorisë Veterinare, gjithë komunave të rrethit dhe atyre të rretheve fqinje, duke treguar vendin e infeksionit dhe masat veterinare për luftimin e sëmundjes.
2. Sektori veterinar i qarkut është i detyruar të njoftojë autoritetet shtetërore të qarkut, të cilët shpallin njoftimin zyrtar për gjithë zonën, duke njoftuar veçanërisht pronarët që merren me rritjen e kafshëve.
3. Sektori veterinar i qarkut informon institucionet shëndetësore për vatrën e sëmundjes ngjitëse, të dyshuar si zoonozë, ose për identifikimin e kësaj sëmundjeje me anën e inspektimit veterinar dhe kontrollit të produkteve me origjinë nga kafshët.

KREU VIII
MASAT VETERINARE QË MERREN KUR SHPËRTHEN NJË SËMUNDJE NGJITËSE

Neni 30
1. Kur shpërthen një sëmundje ngjitëse, në varësi të natyrës së saj, si dhe rreziqeve që ajo paraqet në zonën e infektuar ose të rrezikuar për shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve, sektori veterinar i qarkut urdhëron inspektorin veterinar për zbatimin e masave të mëposhtme veterinare:
a) veçimin dhe izolimin e kafshëve të sëmura dhe të dyshimta nga të shëndoshat;
b) ndalimin ose kufizimin e lëvizjeve të ngarkesës;
c) ndalimin e lëshimit të certifikatës veterinare për lëvizjen e ngarkesës;
ç) ndalimin ose kufizimin e transportit, të tregtimit të produkteve me origjinë shtazore, të materialeve të papërpunuara, mbeturinave, produkteve për kafshë, si dhe të mallrave të tjera, të cilat mund të shërbejnë si vektorë të sëmundjes;
d) ndalimin e therjes ose eliminimin e kafshëve të infektuara e të dyshuara si të tilla, si dhe bllokimin e mallrave të kontaminuara dhe të materialeve të papërpunuara, me përjashtim të rasteve kur lejohet me rregullore të veçantë të miratuar nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit;
dh) ndalimin e riprodhimit të kafshëve deri në zhdukjen e infeksionit në stabilimentin e infektuar;
e) vaksinimin mbrojtës, analizat diagnostikuese dhe mjekimin e kafshëve;
ë) kastrimin e kafshëve që mund të përhapin sëmundje veneriane, si dhe bllokimin e ndërzimit natyror;
f) dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin e stallave, kullotave, ekskrecioneve, vendeve ku pijnë ujë kafshët, si dhe vendeve të tjera ku kanë qëndruar kafshët e sëmura dhe pajisjeve, të cilat kanë qenë në kontakt me kafshët e sëmura;
g) dezinfektimin e personave që kanë pasur kontakt direkt ose indirekt me vektorët e sëmundjeve ngjitëse;
gj) eliminimin ose izolimin e qenve dhe maceve të rrugës;
h) eliminimin e përbujtësve të ndërmjetëm të infeksionit;
i) zbatimin e masave për çrrënjosjen përfundimtare të vektorëve të sëmundjeve ngjitëse.
2. Masat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni urdhërohen për zbatim në rast rreziku direkt për sëmundje ngjitëse.
3. Në rast rreziku tepër të lartë, urdhërohet ndalim i përkohshëm i veprimtarive në stabiliment, si trajtimi, përpunimi ose magazinimi i produkteve me origjinë shtazore, i materialeve të papërpunuara, i mbeturinave ose i produkteve për kafshët.
4. Inspektori veterinar duhet të informojë menjëherë autoritetet e shërbimit shëndetësor për masat e marra në përputhje me pikën 1 të këtij neni.

Neni 31
Një sëmundje ngjitëse konsiderohet e eliminuar atëherë kur pas shërimit, eliminimit ose ngordhjes së kafshës së fundit të sëmurë dhe pas dezinfektimit përfundimtar nuk është shfaqur asnjë shenjë e saj.

KREU IX
MASAT PARANDALUESE SANITARO-VETERINARE NË TRANSPORTIN E KAFSHËVE DHE PRODUKTEVE ME ORIGJINË NGA KAFSHËT

Neni 32
1. Pronari ose kujdestari i kafshëve në tregtinë e brendshme duhet të ketë certifikatë veterinare, e cila shoqëron lëvizjen e kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore jashtë njësisë epidemiologjike të origjinës.
2. Pronari ose kujdestari i kafshëve duhet të ketë certifikatë veterinare të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni për:
a) njëthundrakë dhe dythundrakë në rastet e nxjerrjes së kafshëve në panaire, në tregje dhe në të tjera mjedise shitjeje, ekspozita, gara sportive, vende të ndryshme për grumbullimin e kafshëve në publik, kafshëve të vrapimit që dërgohen jashtë zonës administrative, kur nuk kanë vendqëndrim të përhershëm, shitje ose kalim tjetër pronësie, dërgimi i kafshëve në thertore për therje, lëvizjen e kafshëve për në kullota;
b) shpendët, zogjtë dekorativë, lepujt dhe kafshët me gëzof, në rast se dërgohen në thertore për therje, dërgohen jashtë zonës administrative, shitje ose kalim tjetër pronësie, kur dërgohen në ekspozitë;
c) peshq nga qendrat e vaskat e rritjes dhe të punës racore me ta, molusqe, krustace e kafshë uji, në rast se dërgohen jashtë zonës administrative, shitje ose kalim tjetër pronësie;
ç) ngarkesa me parqe bletësh, si dhe mbretëresha, në rast se dërgohen jashtë zonës administrative ose në kullotë, shitje ose kalim tjetër pronësie;
d) qentë dhe macet, në rast se dalin në panaire, ekspozita, gara sportive, dhe çdo vend tjetër grumbullimi kafshësh në vende publike;
dh) të gjitha produktet me origjinë shtazore, bioproduktet dhe medikamentet veterinare, ushqime për kafshët dhe materiale të tjera biologjike.
3. Certifikata duhet të konfirmojë që asnjë sëmundje ngjitëse nuk përhapet nga kafshët e sipërpërmendura dhe që nuk ka pasur raste sëmundjeje në vendin e origjinës së këtyre kafshëve në çastin e lëshimit të saj.
4. Certifikata veterinare duhet të jetë e vlefshme për një periudhë të caktuar kohe prej 10 ditësh dhe lëshohet në çastin e ngarkimit të mallit.
5. Certifikata veterinare nuk lëshohet kur në vendin e origjinës së kafshëve ka pasur sëmundje ngjitëse, e cila mund të përhapet nga llojet e sipërpërmendura të kafshëve.
6. Kafshët për tregtim duhet të jenë të matrikulluara në mënyrë që të identifikohen lehtë.
7. Certifikata veterinare është tip, e miratuar nga autoriteti kompetent qendror, e unifikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Për lëvizjet e përcaktuara në pikën 2, certifikata lëshohet:
a) nga sektori veterinar i qarkut për lëvizjet brenda dhe jashtë territorit të qarkut;
b) nga zyra veterinare vendore për lëvizjet brenda dhe jashtë bashkisë dhe komunës.

Neni 33
1. Inspektimi dhe kontrolli sanitaro-veterinar është i detyrueshëm në ngarkimin e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore, materialet e papërpunuara dhe mbeturinat, të cilat me anë të mjeteve të transportit dërgohen jashtë zonës administrative.
2. Pas inspektimit sanitaro-veterinar lëshohet certifikatë veterinare për kushtet sanitaro-veterinare të ngarkesës.
3. Ngarkimi, ringarkimi dhe shkarkimi i ngarkesave, sipas pikës 1 të këtij neni, lejohet në stacione hekurudhore, porte detare, aeroporte dhe vende të tjera vetëm kur ngarkesat plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë ligj.

Neni 34
1. Para ngarkimit dhe pas shkarkimit mjeti i transportit pastrohet dhe dezinfektohet nga transportuesi.
2. Inspektori veterinar, që ka mbikëqyrur dezinfektimin e mjeteve të transportit, lëshon vërtetim për këtë mbikëqyrje, dokument i cili i jepet drejtuesit të mjetit dhe paraqitet në rastet kur ai kërkohet.

Neni 35
Për organizimin e ekspozitave, kopshteve zoologjike, transportin e kafshëve, që udhëtojnë për cirqe, kopshteve zoologjike shëtitëse, shitjeve të organizuara të kafshëve, panaire kafshësh, ose të produkteve të tyre, barnash e biopreparatesh veterinare, materialesh të papërpunuara dhe produktesh me origjinë shtazore jashtë mjediseve të stallave dhe stabilimenteve, organizuesit duhet të marrin miratim paraprak nga inspektori veterinar.

Neni 36
1. Me kërkesën e inspektorit veterinar, policisë dhe autoriteteve të tjera kompetente, pronari, kujdestari ose transportuesit e kafshëve, të produkteve me origjinë shtazore, barnave e bioprodukteve veterinare dhe mbeturinave, duhet të paraqesin certifikatën veterinare.
2. olicia njofton zyrën veterinare më të afërt në rast aksidenti gjatë transportit të kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, materialeve të papërpunuara dhe mbeturinave.
3. Zyra veterinare, që lajmërohet për aksidentin, duhet të sigurojë ndihmë për kafshët dhe produktet me origjinë shtazore të aksidentuara.
4. Thertorja më e afërt duhet të sigurojë transportin dhe manipulimin e kafshëve të dëmtuara, të materialeve të papërpunuara dhe të produkteve me origjinë shtazore nga vendi ku ka ndodhur aksidenti.
5. Për kafshët me hemoragji të rëndë dhe fraktura të pariparueshme inspektori veterinar urdhëron eliminimin në vend të kafshëve.

KREU X
MASAT PARANDALUESE PËR TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR TË KAFSHËVE, PRODUKTEVE ME ORIGJINË SHTAZORE DHE PRODUKTEVE TË TJERA BIOLOGJIKE

Neni 37
1. Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit përcakton me rregullore mënyrën e ngarkimit, ringarkimit dhe shkarkimit të kafshëve të gjalla dhe produkteve me origjinë prej tyre që importohen, tranzitohen ose eksportohen.
2. Ngarkimi, ringarkimi, shkarkimi, magazinimi, përpunimi i ngarkesave, sipas nenit 32 pika 2 të këtij ligji, duhet të jetë subjekt i inspektimit të detyrueshëm sanitaro-veterinar.
3. Për speciet e faunës së egër, të gjitha veprimet e sipërpërmendura kryhen konform rregullave të përcaktuara në Konventën “Për tregtinë ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të florës dhe faunës së egër”, të miratuar me ligjin nr.9021, datë 6.3.2003 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën “Për tregtinë ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të florës dhe faunës së egër”.

Neni 38
1. Ngarkesat e kafshëve, të produkteve me origjinë shtazore, materialet e papërpunuara dhe mbeturinat për eksport mund të shkarkohen, ringarkohen dhe magazinohen në pikën e kalimit kufitar vetëm pas inspektimit dhe kontrollit sanitaro-veterinar.
2. Certifikata veterinare për ngarkesat që eksportohen lëshohet nga inspektori veterinar i pikës së kalimit kufitar, bazuar në certifikatën e lëshuar në çastin e ngarkimit, sipas nenit 32 të këtij ligji.
3. Stabilimentet e kafshëve, qendrat e karantinës, magazinat për produkte me origjinë shtazore, si dhe materialet e papërpunuara në pikat e kalimit kufitar duhet të plotësojnë kërkesat sanitaro-veterinare të përshkruara me rregullore të veçantë.
4. Ndalohet eksporti jashtë kufijve shtetërorë i kafshëve të sëmura, si dhe i kafshëve ekzotike, shtëpiake ose të egra, që me ligj janë përcaktuar si pasuri kombëtare e ndaluar për eksport.
5. Pikat e kalimit kufitar, ku lejohet hyrja dhe dalja e kafshëve të gjalla, përcaktohen me urdhër të veçantë të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 39
1. Autoritetet doganore ndalohen të fillojnë procedurat e përpunimit të ngarkesës, kur inspektori veterinar i pikës së kalimit kufitar nuk ka dhënë miratimin zyrtar për lejimin e fillimit të procedurës së përpunimit doganor.
2. Autoritetet doganore detyrohen t’i japin përparësi kalimit në dogana të kafshëve të gjalla dhe materialeve e produkteve ushqimore me origjinë nga kafshët, që rrezikohen të dëmtohen.

Neni 40
1. Lejohet të bëhet importi, eksporti dhe tranzitimi i kafshëve të gjalla, i produkteve dhe i nënprodukteve me origjinë prej tyre, i materialeve të papërpunuara, i materialeve biologjike, biopreparateve, medikamenteve veterinare dhe ushqimeve për kafshë në territorin e Republikës së Shqipërisë, vetëm pasi t’i jenë nënshtruar inspektimit veterinar në pikën e kalimit kufitar dhe janë gjetur të pastra nga sëmundje ngjitëse e çdo ndotje e dëmshme, si dhe të shoqëruara me certifikatën sanitaro-veterinare ndërkombëtare. Ngarkesa shoqërohet me të gjithë dokumentacionin që vërteton identitetin dhe origjinën e mallit.
2. Importi dhe tregtimi i biopreparateve dhe i medikamenteve veterinare në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohet vetëm pasi ato të jenë regjistruar në librin shtetëror të regjistrimit të medikamenteve. Para regjistrimit këto ngarkesa i nënshtrohen kontrollit në laboratorin shtetëror të kontrollit veterinar.
3. Drejtoria Veterinare, pas regjistrimit të biopreparateve dhe medikamenteve veterinare, autorizon inspektorët veterinarë të pikave kufitare të lejojnë importin e tyre.
4. Biopreparatet ose medikamentet veterinare, të cilat me vendim të organizmave ndërkombëtarë si BE, OMS dhe OIE hiqen nga përdorimi për shkak se janë cilësuar si të dëmshme për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve, ndalohen të hyjnë dhe të përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë.
5. Nuk lejohet importimi dhe tranzitimi i ngarkesës në rast se ajo vjen nga një zonë e infektuar me sëmundje ngjitëse e një vendi eksportues ose në rast se ngarkesa kalon tranzit në një zonë të infektuar me sëmundje ngjitëse të një vendi tjetër gjatë transportit.
6. Për importimin e kafshëve të egra joautoktone, importuesi, në përputhje me rregulloret, merr një miratim paraprak nga autoriteti kompetent për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe genofondit autokton.
7. Ndalohet importimi dhe futja e mikroorganizmave të gjallë, si bakterie, viruse dhe myqe, të cilat janë patogjene për kafshët, por në raste të veçanta Drejtoria e Veterinarisë lejon importimin e mikroorganizmave nga qendra dhe organizata kërkimore-shkencore për qëllime kërkimore dhe prodhim bioproduktesh.
8. Importimi i ngarkesave, sipas nenit 32 pika 2 të këtij ligji, në Republikën e Shqipërisë lejohet nga vende, të cilat përmbushin kërkesat e Zyrës Ndërkombëtare të Epizootive, të organizatave ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është anëtare dhe plotësojnë kushtet e parashikuara në këtë ligj e në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 41
1. Në rast se gjatë importit, eksportit ose tranzitit të ngarkesave të përcaktuara në nenet 37, 38, 39 dhe 40 të këtij ligji, inspektori veterinar i pikës së kalimit kufitar dyshon për sëmundje ngjitëse, ndotje, ndryshime organoleptike të mallit ose konstaton mangësi në dokumentacionin e parashikuar nga neni 40 pikat 1, 2 e 3, urdhëron bllokimin e tij. Për këtë ai mban procesverbal dhe njofton menjëherë sektorin veterinar të qarkut.
2. Përgjegjësi i sektorit veterinar të qarkut kryen verifikim në vend dhe jep vendimin përfundimtar duke urdhëruar pronarin ose kujdestarin e ngarkesës për:
a) ndalimin e futjes së ngarkesës në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) rikontrollin veterinar me analiza laboratorike të specifikuara;
c) konfiskimin dhe groposjen e mallit;
ç) marrjen e masave të tjera parandaluese e mjekuese.

Neni 42
1. Kafshët e importuara, përpara se të dërgohen në destinacion, mbahen në karantinë jo më pak se 21 ditë për të kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme veterinare. Të gjitha shpenzimet për ditët e karantinës përballohen nga importuesi.
2. Karantina shtetërore veterinare ngrihet në një vend të përcaktuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit me fondet e shtetit ose nëpërmjet kontraktimit me subjekte private. Ajo organizohet dhe funksionon në bazë të një rregulloreje të veçantë të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit
3. Karantina, lloji i ekzaminimeve, mjeku veterinar që kryen ekzaminime, si dhe kushtet e tjera të karantinës përcaktohen dhe mbikëqyren nga sektori veterinar në qark.
4. Nuk futen në karantinë njëthundrakë, dythundrakë, shpendë dhe lepuj të importuar për therje të menjëhershme brenda 72 orëve nga vende me situatë të pastër epizootike, të cilët nuk paraqesin rrezik për populacionin e kafshëve të Republikës së Shqipërisë. Therja bëhet vetëm në thertore të miratuara nga autoriteti kompetent veterinar vendor.

Neni 43
1. Importimi, eksportimi, tranzitimi i ngarkesave të kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, materialeve të papërpunuara, mbeturinave, produkteve për kafshë dhe produkteve mjekësore për përdorim në mjekësinë veterinare, spermës së kafshëve, ovulave dhe embrioneve, mallrave të tjera, të cilat mund të jenë vektorë të sëmundjeve ngjitëse, lejohen vetëm në pika të kalimit kufitar të përcaktuara nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit.
2. Pikat e inspektimit kufitar veterinar vendosen në mjedise që plotësojnë kushtet higjienike, teknike dhe operative. Fondet e nevojshme për kryerjen e veprimtarisë së tyre mbulohen nga Buxheti i Shtetit.
3. Eksporti, tranziti, importi nëpër pikat e inspektimit kufitar veterinar i materialeve të përcaktuara në këtë ligj bëhet me tarifë veterinare të përcaktuar me rregullore të përbashkët të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Ministrit të Financave. Të ardhurat derdhen në buxhetin e drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit të qarkut ku ndodhet pika e inspektimit kufitar veterinar.

Neni 44
Në import, eksport dhe tranzit, ngarkesat që përmenden në nenin 32 pika 2 të këtij ligji duhet të shoqërohen nga certifikata veterinare ndërkombëtare, sipas Kodit Ndërkombëtar të Shëndetit të Kafshëve, ndërsa eksporti në vendet e BE-së shoqërohet me certifikatë tip të miratuar nga BE-ja.

KREU XI
MASAT SANITARO-VETERINARE NË PRODHIMIN, PËRPUNIMIN DHE TREGTIMIN E PRODUKTEVE ME ORIGJINË SHTAZORE PËR KONSUM PUBLIK DHE KONSUM NGA KAFSHËT

Neni 45
1. Autoriteti veterinar kompetent në qark, bashki e komunë kontrollon kushtet sanitaro-veterinare në thertore, në stabilimentet e prodhimit të mishit, në frigoriferët, në qendrat e përpunimit të produkteve dhe nënprodukteve blegtorale dhe të tregtimit të tyre, në stabilimentet e prodhimeve të detit dhe akuakulturës, si dhe jep leje për ngritjen dhe funksionimin e tyre. Ata kanë kompetencë të pezullojnë deri në mbyllje këtë veprimtari kur konstatohen shkelje të këtij ligji.
2. Inspektimi dhe kontrolli sanitaro-veterinar është i detyrueshëm për njëthundrakët, dythundrakët, shpendët dhe lepujt përpara therjes, si dhe për mishin e njëthundrakëve, dythundrakëve, shpendëve, lepujve dhe kafshëve të gjahut, peshkut, qumështit e nënprodukteve të tij dhe vezëve, produkteve të mishit, mjaltit, midhjeve, krustaceve, bretkocave për konsum publik para nxjerjes së tyre në treg.
3. Inspektimi dhe kontrolli sanitaro-veterinar është, gjithashtu, i detyrueshëm për stabilimentet dhe pajisjet për therje të kafshëve të përcaktuara në pikën 2, për stabilimentet dhe pajisjet për trajtimin dhe përpunimin e mishit, peshkut midhjeve, bretkocave, qumështit, mjaltit, vezëve, për stabilimentet dhe pajisjet e magazinimit të tyre, për materialet e papërpunuara, për aditivet që përdoren për trajtim, ruajtje dhe përpunim të produkteve me origjinë shtazore në këto stabilimente dhe për mjetet e transportit.
4. Inspektimi sanitaro-veterinar i kafshëve për therje, si dhe inspektimi i produkteve me origjinë shtazore, që përmenden në këtë nen, për konsum publik, duhet të bëhet në thertore dhe në stabilimentet e prodhim-përpunimit. Kontrolli dhe mbikëqyrja e produkteve me origjinë shtazore duhet të bëhet në magazina, tregje, si dhe në stabilimente të tjera shitjeje.
5. Të paktën brenda 24 orëve përpara fillimit të prodhimit pronari ose kujdestari i kafshëve duhet të raportojë tek autoriteti kompetent veterinar therjen e kafshëve ose prodhimin e produktit, që është subjekt i kontrollit dhe inspektimit të detyrueshëm veterinar.
6. Në therje të sforcuar të njëthundrakëve dhe dythundrakëve është i detyrueshëm inspektimi i mishit të tyre që mund të përdoret për konsum shtëpiak ose për të ushqyerit e kafshëve.
7. Inspektimi veterinar i njëthundrakëve dhe dythundrakëve të sëmurë përpara therjes dhe pas therjes është i detyrueshëm kur mishi i tyre mund të përdoret për konsum publik ose për kafshët.

Neni 46
1. Kur inspektori veterinar, bazuar në inspektimin sanitaro-veterinar dhe të tjera kërkime, vendos që një produkt me origjinë shtazore është i pastër për konsum publik, atëherë ky produkt certifikohet, vuloset dhe lejohet tregtimi, trajtimi ose përpunimi i tij, sipas rekomandimeve përkatëse teknike.
2. Kur inspektori veterinar, bazuar në inspektim dhe të tjera kërkime, vendos që një material i papërpunuar ose produkt me origjinë shtazore nuk përmbush kërkesat sanitaro-veterinare për konsum publik, ky material i papërpunuar ose produkt me origjinë shtazore ndalohet të tregtohet dhe të konfiskohet, sipas rregullave përkatëse.
3. Produktet me origjinë shtazore të nxjerra në treg për konsum publik pa inspektim dhe kontroll sanitaro-veterinar ose pa certifikatë veterinare apo vulë veterinare, janë të papërshtatshme dhe ndalohet përdorimi i tyre për konsum publik.
4. Të gjitha kafshët e gjahut, të destinuara për konsum publik, inspektohen nga inspektorë veterinerë dhe shoqërohen nga certifikatë veterinare.
5. Pronari ose kujdestari i kafshëve për therje dhe përpunuesi ose trajtuesi, transportuesi dhe tregtuesi i produkteve me origjinë shtazore dhe i materialeve të papërpunuara, ka të drejtë të kërkojë përsëritjen e analizave kur rezultati i analizës së parë ka dalë pozitiv. Analiza përsëritet vetëm në kampionin e ruajtur në laboratorët ku analiza është kryer dhe jo në një kampion të marrë rishtas.

Neni 47
Kafshët e sëmura, të cilat dërgohen në thertoren më të afërt për therje, shoqërohen nga një certifikatë veterinare. Inspektimi përfundimtar sanitaro-veterinar i këtyre kafshëve, si dhe vlerësimi i mishit të kafshëve të therura me urgjencë bëhet në thertore.

Neni 48
1. Pronari ose kujdestari i kafshëve për prodhim qumështi dhe të produkteve të tij që dalin në treg për konsum publik, detyrohet të regjistrojë këtë veprimtari te sektori veterinar i qarkut.
2. Sektori veterinar i qarkut i lëshon pronarit ose kujdestarit të kafshëve për prodhim qumështi leje për tregtimin e qumështit dhe produkteve të tij për konsum publik vetëm atëherë kur plotësohen parametrat sanitaro-veterinarë dhe është i regjistruar në zyrën veterinare përkatëse.
3. Kur sektori veterinar i qarkut nxjerr konkluzion se nuk janë plotësuar parametrat sanitaro-veterinarë të përcaktuar, ai shfuqizon lejen me urdhër të veçantë dhe bllokon tregtimin e qumështit.
4. Kur në analizën laboratorike qumështi dhe nënproduktet e tij rezultojnë me ngarkesa mikrobike, toksikologjike dhe radiobiologjike mbi normën e lejuar, ndalohet tregtimi dhe përdorimi i tyre për konsum publik.

Neni 49
Sektori veterinar i qarkut inspekton dhe kontrollon kafshët e gjalla, materialet e papërpunuara, produktet me origjinë shtazore dhe ushqimet për kafshë, për praninë e të gjitha llojeve të mbetjeve me ndikime të dëmshme në shëndetin e kafshëve dhe njerëzve, sipas Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve dhe rregullores së Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. Analizat për mbetjet realizohen në Institutin e Kërkimeve Veterinare dhe në laboratorët rajonalë.

Neni 50
1. Personat fizikë dhe juridikë të regjistruar në prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve për kafshë duhet të sigurojnë kushtet sanitaro-veterinare gjatë të gjitha fazave të prodhimit, transportimit dhe tregtimit të tyre.
2. Tregtimi i ushqimeve për kafshë, që nuk përmbushin kushtet sanitaro-veterinare është i ndaluar.
3. Ushqimet për kafshë janë të papërshtatshme atëherë kur:
a) përmbajnë mikroorganizma patogjenë, myqe ose parazitë që dëmtojnë shëndetin e kafshëve;
b) përmbajnë substanca anabolizante, hormonale, tirostatike të përdorura për qëllime stimulimi;
c) përmbajnë mbetje të pesticideve, klororganikëve, substanca radioaktive dhe të tjera substanca të dëmshme që tejkalojnë nivelin e lejuar;
ç) janë të ndryshuara nga pikëpamja organoleptike, kanë sasi të dekompozuara, ndikojnë negativisht në riprodhimin dhe shëndetin e kafshëve dhe u ka kaluar afati i përdorimit.
4. Përpara se ushqimet për kafshë të dalin në treg, personat juridikë dhe fizikë të regjistruar për prodhimin dhe përpunimin e tyre me qëllim tregtimi, duhet të bëjnë analiza në laboratorë të miratuar, në përputhje me aktet nënligjore për këtë qëllim.
5. Ushqimet, që përdoren për kafshë, si ato të thjeshta me origjinë bimore dhe shtazore ose të përbëra me plotësuesit me ndikim mjekues ose stimulues të vendit apo të importuara, lejohen të dalin në treg pasi të jenë shoqëruara me certifikatën veterinare të lëshuar nga sektori veterinar i qarkut, ku përfshihen të dhënat e analizave, si dhe standardet e miratuara për këto produkte.
6. Inspektorati Veterinar bën inspektimin dhe kontrollin sanitaro-veterinar të produkteve për përdorim në kafshë, si dhe të stabilimenteve për prodhimin e tyre dhe magazinimin me qëllime tregtimi. Ai ndalon dhe pezullon përdorimin dhe veprimtarinë e tyre, kur ato rezultojnë të infektuara dhe nuk plotësojnë kushtet sanitaro-veterinare.

Neni 51
1. Therja e kafshëve, prodhimi i produkteve me origjinë shtazore dhe materialeve të papërpunuara për konsum publik lejohen vetëm në thertore e në stabilimente të miratuara, që ngrihen e funksionojnë në përputhje me rregulloren e Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit dhe kanë siguruar lejen veterinare nga autoriteti kompetent vendor.
2. Administrata Veterinare, pas dhënies së lejes, kodifikon stabilimentin e kontrolluar dhe e regjistron atë. Vetëm në raste të veçanta, njëthundrakët dhe dythundrakët për konsum publik mund të theren jashtë thertores, në pika therjeje të miratuara dhe vetëm nën kontrollin veterinar.

Neni 52
Ndalohet eksportimi i kafshëve të gjalla, i produkteve dhe nënprodukteve të tyre, të cilat nuk janë prodhuar në stabilimente të miratuara e të certifikuara për eksport nga autoriteti kompetent veterinar, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

Neni 53
Stabilimentet e rritjes së kafshëve, thertoret, inkubatorët, stabilimentet e prodhimit, përpunimit, të mbledhjes dhe prodhimit të materialeve të papërpunuara, si dhe të gjitha produkteve me origjinë shtazore që eksportojnë, inspektohen nga Drejtoria Veterinare dhe struktura të tjera të shërbimit dhe Inspektoratit Veterinar të autorizuara prej saj.

Neni 54
1. Personi fizik ose juridik, që grumbullon ose tregton lëkurë kafshësh dhe i përpunon ose jo ato, kur vijnë nga njëthundrakë dhe dythundrakë të therur pa kontroll sanitaro-veterinar, si dhe lëkurët e papërpunuara të këtyre kafshëve, detyrohet t’i magazinojë ato në mjedise të veçanta dhe të izoluara nga të tjerat.
2. Lëkurët e gjedhëve, të dhenve dhe dhive, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, nuk lejohet të tregtohen dhe të përpunohen pa kryer analizën për sëmundjen e plasjes në Institutin e Kërkimeve Veterinare.
3. Personi fizik ose juridik, sipas pikës 1 të këtij neni, dokumenton origjinën e lëkurëve të blera, siguron certifikatë veterinare të origjinës dhe është i detyruar të ketë rezultatin e analizës për sëmundjen e plasjes.
4. Qendrat dhe fabrikat e grumbullimit dhe të përpunimit të lëkurëve detyrohen të marrin masa për mosndotjen e mjedisit përmes shkarkimeve, mbetjeve dhe gazrave që dalin nga procesi teknologjik.

KREU XII
MASAT VETERINARE NË RIPRODHIMIN E KAFSHËVE

Neni 55
1. Qendrat e punës racore, stacionet e inseminimit, tufat e kafshëve, tufat riprodhuese të shpendëve, inkubatorët, qendrat e punës racore me fazanët, fermat e peshkut, të rritjes së mbretëreshave të bletëve duhet të jenë të pastra nga sëmundjet ngjitëse.
2. Mbledhja dhe magazinimi i spermës së kafshëve, ovulave dhe embrioneve, si dhe metodat e përdoruara për mbledhje dhe magazinim i nënshtrohen rregullisht kontrollit sanitaro-veterinar.
3. Zyrat veterinare të qarkut kontrollojnë sistematikisht qendrat e inseminimit, qendrat e punës racore, kushtet sanitaro-veterinare lidhur me aftësitë riprodhuese të kafshëve, kontrollojnë kushtet sanitaro-veterinare për mbledhjen, prodhimin, magazinimin, tregtimin e spermës së kafshëve, ovulave dhe embrioneve, bazuar në rregulloret përkatëse dhe në bazë të këtij kontrolli lejojnë ose bllokojnë veprimtarinë e këtyre qendrave.

Neni 56
1. Ndalohet mbledhja e spermës së kafshëve në rast se dyshohen se janë të infektuara nga sëmundje ngjitëse ose janë të sëmura nga një sëmundje, e cila transmetohet në kafshë të tjera me material biologjik, ovula ose embrione të të njëjtit lloj kafshe.
2. Ndalohet tregtimi dhe përdorimi i spermës së kafshëve, ovulave dhe embrioneve, të cilat janë të kontaminuara ose që kanë veti morfologjike, biokimike dhe biofizike të ndryshuara.

Neni 57
Autoriteti kompetent veterinar kontrollon gjendjen shëndetësore riprodhuese të kafshëve në ndërzimin natyror dhe inseminimin artifical, kontrollon regjistrat e inseminimit dhe i raporton sektorit veterinar në qark për çdo rast dyshimi për sëmundje veneriane ose sëmundje tjetër ngjitëse.

KREU XIII
MBROJTJA E MJEDISIT

Neni 58
1. Pronari ose kujdestari i kafshëve që merret me rritjen e kafshëve, me përdorimin dhe tregtimin e tyre, të materialeve të papërpunuara, të produkteve me origjinë shtazore, të ushqimeve për kafshët, të mbeturinave shtazore, si dhe me transportin e kafshëve, është i detyruar të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe pasojat në shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve.
2. Mbeturinat duhet të manipulohen në përputhje me rregulloren e Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.
3. Masat parandaluese të mbrojtjes së mjedisit përfshijnë:
a) sigurimin e largimit, përpunimit, trajtimit dhe përdorimit të përshtatshëm të mbeturinave të lëngshme dhe solide;
b) sigurimin e depozitimit të përshtatshëm të mbeturinave të lëngshme dhe solide;
c) trajtimin higjienik të jashtëqitjeve dhe mbeturinave të lëngshme;
ç) pakësimin e rreziqeve të infeksionit, duke përcaktuar kushtet sanitaro-veterinare të përshtatshme në stalla dhe mjedise, si mikroklimë, ulje të nivelit të amoniakut, depozitim mbeturinash dhe jashtëqitjesh, pastrim dhe dezinfektim;
d) parandalimin e ndotjes së ujërave nga mikrobet e sëmundjeve ngjitëse dhe parazitare.
Neni 59
1. Pronari ose kujdestari i kafshëve informon për ngordhjen e kafshëve zyrën veterinare më të afërt.
2. Zyra veterinare siguron transportimin e kadavrave të kafshëve nga vendi i ngordhjes për në qendrat e përcaktuara për përpunim post mortem, sipas rregullave sanitaro-veterinare. Këto qendra vendosen nga pushteti vendor me pëlqimin e zyrës veterinare, në bazë të rregullores së Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. Shpenzimet për qendrat e përpunimit të kadavrave mbulohen nga buxheti i pushtetit vendor në komunë ose bashki.
3. Në rast se dyshohet që kadavra i përket një kafshe të ngordhur nga një sëmundje ngjitëse, atëherë duhet të përcaktohet shkaku i vërtetë i ngordhjes.
4. Pronari ose kujdestari i kafshëve me veprimtari blegtorale që nxjerr mbeturina është i detyruar t’i transportojë ato, sipas rregullave, në depon më të afërt të grumbullimit ose në fabrikën e përpunimit të mbeturinave.
5. Fabrikat e përpunimit të kadavrave dhe pajisjet e tjera të trajtimit post mortem duhet të sigurojnë rregulla dhe të kenë shërbim të përhershëm për të përcaktuar shkakun e ngordhjes. Ky shërbim duhet, gjithashtu, të marrë masa të tjera të veçanta parandaluese kundër përhapjes së sëmundjeve infektive në këto qendra.
6. Zyra veterinare vendore, me ndihmën e organeve të pushtetit vendor, detyrohet të sigurojë transportimin e kadavrave dhe mbeturinave të tjera, asistencën post mortem, dezinfektimin e vendit të ngordhjes, të pajisjeve post mortem dhe të mjeteve të transportit.

Neni 60
Në raste të veçanta, me lejen e inspektorit veterinar, kadavrat e kafshëve groposen ose digjen në një vend të caktuar nga organet e pushtetit vendor, i cili plotëson kërkesat veterinare.

KREU XIV
SHPENZIMET PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT TË KAFSHËVE

Neni 61
1. Shërbimi veterinar shtetëror financohet nga:
a) Buxheti i Shtetit;
b) mjetet financiare të siguruara nga veprimtaria veterinare;
c) burime të tjera të brendshme dhe të jashtme të dokumentuara;
ç) sponsorizime nga persona fizikë e juridikë vendas e të huaj për veprimtari shkencore kualifikuese ose sigurim aparaturash dhe mjetesh pune.
2. Tarifat e shërbimeve veterinare, që kërkohen për qëllimin bazë të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve, përcaktohen me akte nënligjore të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. Sektori veterinar i qarkut merr një pjesë të të ardhurave të saj nga shërbimet veterinare, duke i përdorur sipas këtij ligji.
3. Burimet financiare të shërbimit veterinar kombëtar, të ligjëruara nga Buxheti i Shtetit dhe të ardhurat e tjera përdoren:
a) për zbatimin e programeve monitoruese të situatave epidemiologjike, zbatimin e Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve, si dhe të sigurisë ushqimore;
b) për mirëmbajtjen dhe forcimin e infrastrukturës veterinare;
c) për pjesëmarrje në veprimtari veterinare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Neni 62
Shpenzimet që kryhen për kontrollin e sëmundjeve së listës së OIE-së, të cilat shkaktojnë dëmtime në masë të kafshëve, si dhe paraqesin rrezik për shëndetin publik, mbulohen nga shteti. Përdorimi i fondit për këtë qëllim bëhet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 63
Shpenzimet që kryhen për sëmundje të grupit të zoonozave, shpenzimet për Planin Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve dhe ato të ngritjes e funksionimit të stacionit të karantinës shtetërore veterinare përballohen nga fondi përkatës i parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Përdorimi i tij bëhet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 64
Vaksinimet dhe gjurmimet e detyruara në programet e veçanta të parashikuara nga ky ligj bëhen falas. Shpenzimet e prodhimit të vaksinave dhe diagnostikimeve për këto sëmundje administrohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, sipas skemave të zbatimit që përcaktohen në programe të veçanta.

Neni 65
1. Për njëthundrakët dhe dythundrakët, që në këtë ligj parashikohet të theren, të eliminohen dhe të groposen, ose për të cilat vërtetohet se kanë ngordhur pas vaksinimit të urdhëruar, në mbështetje të vendimeve të marra nga autoritetet kompetente veterinare, pronarit të tyre i jepet kompensim nga fondi shtetëror, në masën e vlerës së dëmit të parashikuar nga ky ligj.
2. Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit me rregullore të veçantë përcakton rastet e eliminimit ose therje të detyruara të kafshëve dhe shpendëve të prekura nga sëmundjet ngjitëse, të rrezikshme për shëndetin e tyre dhe të njerëzve.

Neni 66
Komisioni për caktimin e vlerës së kafshëve të sëmura që do të eliminohen dhe do të dëmshpërblehen përbëhet nga inspektori veterinar në komunën ose bashkinë ku ndodhet kafsha, një përfaqësues i pushtetit vendor dhe një përfaqësues i sektorit veterinar të qarkut, i cili kryeson komisionin.

Neni 67
1. Shteti është i detyruar të kompensojë pronarët ose kujdestarët e kafshëve në rastet kur:
a) vatrat ose sëmundjet ngjitëse të dyshuara janë lajmëruar menjëherë sapo kanë shpërthyer shenjat e para;
b) vaksinimet profilaktike dhe ekzaminimet diagnostike të kafshëve janë bërë brenda periudhës së përcaktuar me akte nënligjore;
c) janë zbatuar dhe janë urdhëruar të tjera masa për parandalimin dhe eliminimin e sëmundjeve;
ç) është bërë regjistrimi i fermës dhe identifikimi i kafshës.
2. Kompensimi i parashikuar në pikën 1 të këtij neni nuk paguhet në rast se sëmundja shpërthen gjatë importimit të kafshëve ose gjatë periudhës së qëndrimit në karantinë të kafshëve të importuara dhe në rastet kur pronari është vetë fajtor për shpërthimin e sëmundjes, duke blerë kafshë të sëmura ose të dyshimta pa certifikatë veterinare.

Neni 68
1. Kompensimi, sipas nenit 67 pika 1 të këtij ligji, bëhet në përputhje me vlerën e kafshës, të materialeve të papërpunuara dhe objekteve. Vlera e kafshëve të llojeve të ndryshme përcaktohet nga komisioni i vlerësimit të kafshëve të sëmura, që do të eliminohen dhe do të dëmshpërblehen. Në rastet e kafshës së therur në mënyrë emergjente, të objektit ose materialit të papërpunuar, të dëmtuar pjesërisht, kompesimit i zbritet vlera e pjesës që mund të përdoret.
2. Procedura e pagesës së kompensimit duhet bërë me kërkesën e pronarit ose kujdestarit të kafshëve. I interesuari duhet të paraqesë të gjitha dokumentet e kërkuara nga sektori veterinar i qarkut për kompensim brenda 30 ditëve. Nuk paguhet taksë për procedurën e kërkesës për kompensim.
3. Autoriteti veterinar i qarkut vendos për pagesën dhe masën e kompensimit.
4. Pala e interesuar ka të drejtë të apelojë vendimin e autoritetit veterinar të qarkut brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit pranë Drejtorisë Veterinare.

Neni 69
Pronari ose kujdestari i kafshëve, manipuluesi i materialeve të papërpunuara, produkteve me origjinë shtazore dhe mbeturinave, importuesi e eksportuesi mbulojnë shpenzimet e shërbimeve për zbatimin e masave të parashikuara nga ky ligj, si dezinfektime, shpenzime për masat veterinare gjatë transportit, importimit, eksportimit, tranzitimit, shpenzimet për karantinën dhe shpenzimet për masat karantinore.

KREU XV
INSTITUTI I KËRKIMEVE VETERINARE DHE LABORATORI SHTETËROR I KONTROLLIT TË BIOPRODUKTEVE VETERINARE

Neni 70
Instituti i Kërkimeve Veterinare është e vetmja qendër reference laboratorike kombëtare dhe pjesë e rrjetit të shërbimit veterinar kombëtar. Instituti i Kërkimeve Veterinare ushtron veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 71
Instituti i Kërkimeve Veterinare është institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Instituti i Kërkimeve Veterinare kryen punë kërkimore shkencore me shpenzime që përballohen nga shteti, sipas akteve nënligjore përkatëse. Ai ka, gjithashtu, pavarësi në veprimtarinë e vet financiare për shërbimet që kryen.

Neni 72
Detyrat e Institutit të Kërkimeve Veterinare janë:
a) monitorimi i situatës epizootike të vendit për sëmundjet virale, bakteriale, mykotike, parazitare, zoonotike dhe helmimeve;
b) diagnostikimi i sëmundjeve dhe përcaktimi i skemave më efikase për luftimin e tyre;
c) prodhimi i biopreparateve veterinare, si vaksina, antigene, alergene, materialeve diagnostikuese, si antigene, serume hiperimune për përdorim në diagnostikimin e sëmundjeve dhe në luftimin e tyre;
ç) kontrolli mikrobiologjik, kimik, toksikologjik dhe radiobiologjik i produkteve dhe i nënprodukteve ushqimore me origjinë shtazore dhe i ushqimeve të kafshëve, të prodhuara në vend ose të importuara, si dhe ato për eksport;
d) kontrolli i mbetjeve të substancave me efekt anabolik dhe të paautorizuara, i biopreparateve dhe i medikamenteve veterinare në kafshët dhe shpendët e gjalla, si dhe produktet e tyre;
dh) kualifikimi i specialistëve të laboratorëve veterinarë rajonalë, certifikimi i farmacistëve veterinarë dhe trajnimi periodik i tyre.

Neni 73
Instituti i Kërkimeve Veterinare, bazuar në norma dhe standarde të njohura ndërkombëtare, harton, miraton dhe shpërndan teknikat dhe metodat analitike përkatëse në fushën e veprimtarisë së vet ligjore. Bashkëpunon me institute e qendra kërkimore shkencore homologe dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, si dhe me institute e qendra reference brenda vendit.

Neni 74
Në varësi administrative dhe teknike të Institutit të Kërkimeve Veterinare janë laboratorët veterinarë rajonalë. Laboratorët veterinarë rajonalë vendosen pranë drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit në qark dhe ushtrojnë detyrën e tyre në diagnostikimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve e shpendëve, si dhe në kontrollin e ushqimeve me origjinë shtazore dhe ushqimeve të kafshëve. Këta laboratorë zbatojnë detyrat që i delegohen nga Instituti i Kërkimeve Veterinare për ndjekjen e situatës epizootike të qarkut, mbështesin shërbimin veterinar rajonal në hartimin dhe zbatimin e programeve për monitorimin dhe eliminimin e sëmundjeve, për minimizimin dhe eliminimin e rreziqeve për njerëzit.

Neni 75
Instituti i Kërkimeve veterinare certifikon të gjithë laboratorët veterinarë privatë dhe ata të subjekteve private.

Neni 76
1. Në varësi të Drejtorisë Veterinare ngrihet dhe funksionon Laboratori Shtetëror i Kontrollit Veterinar, që kontrollon biopreparatet dhe medikamentet veterinare të importuara ose të prodhuara në vend.
2. Biopreparatet janë vaksinat, serumet, diagnostikuesit, shtamet dhe përbërësit për prodhimin e tyre. Ato prodhohen nga institucione të autorizuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe përdoren pasi të jenë kontrolluar nga Laboratori Shtetëror i Kontrollit Veterinar.

Neni 77

Importimi, eksportimi dhe shitja e biopreparateve, e medikamenteve dhe e prodhimeve biologjike për kafshë lejohet vetëm në përputhje me nenin 40 pikat 1, 2, 3 dhe nenin 76 pika 2 të këtij ligji.

Neni 78
1. Komisioni i Kontrollit të Bioprodukteve dhe Medikamenteve Veterinare ngrihet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit pranë Drejtorisë Veterinare.
2. Në përbërje të Komisionit të Kontrollit të Bioprodukteve dhe Medikamenteve Veterinare janë:
a) Drejtori i Drejtorisë Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit, i cili është dhe Kryetar i Komisionit;
b) Drejtori i Institutit të Kërkimeve Veterinare;
c) Përgjegjësi i Laboratorit Shtetëror të Kontrollit Veterinar;
ç) Përgjegjësi i Departamentit të Bakteriologjisë dhe Parazitologjisë;
d) Përgjegjësi i Departamentit të Virologjisë;
dh) specialist nga Drejtoria Veterinare.

KREU XVI
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 79
1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen si kundërvajtje administrative dhe dënohen me 50 000 lekë deri në 100 000 lekë:
a) pronari ose kujdestari i kafshëve që vepron në kundërshtim me nenet 24, 25, 27 dhe 28 të këtij ligji;
b) mjeku veterinar në rastet kur:
i) nuk zbaton masat e urdhëruara sipas nenit 30 të këtij ligji;
ii) lëshon certifikatën veterinare pavarësisht nga bllokimi;
iii) vepron në kundërshtim me përcaktimet e bëra në pikat 2, 3 dhe 7 të nenit 45 të këtij ligji;
iv) vendos në treg materiale të papërpunuara ose produkte me origjinë shtazore në kundërshtim me bllokimin e tyre, sipas pikës 2 të nenit 46 të këtij ligji;
v) vepron në kundërshtim me nenin 47 të këtij ligji;
vi) nuk realizon dhe nuk zbaton ndonjë nga masat e urdhëruara për parandalimin e pasojave të dëmshme për shkak të mbetjeve të prodhimeve mjekësore ose të ndonjë subjekti tjetër të dëmshëm në materialet e papërpunuara, në produktet me origjinë shtazore dhe në produkte për kafshë;
vii) vepron në kundërshtim me nenin 57 të këtij ligji;
viii) nuk realizon masat e urdhëruara në zbatim të nenit 89 të këtij ligji;
c) cilido që shkel nenin 20 të këtij ligji.
2. Kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 000 lekë deri në 150 000 lekë cilido që:
a) ngarkon, shkarkon, ringarkon, magazinon, përpunon një ngarkesë për eksport ose kur një ngarkesë ka qenë importuar në kundërshtim me pikën 2 të nenit 37 të këtij ligji;
b) ringarkon ose magazinon në pikën e inspektimit veterinar kufitar pa inspektim dhe kontroll veterinar një ngarkesë për eksport, sipas pikës 1 të nenit 38 të këtij ligji;
c) importon, tranziton ose magazinon një ngarkesë, pa leje nga administrata veterinare, sipas pikës 1 të nenit 39 të këtij ligji;
ç) nuk mban në karantinë kafshën e importuar, ose gjatë karantinës nuk bën analizat e caktuara, sipas pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji;
d) ther njëthundrakë, dythundrakë, shpendë e lepuj për therje në një thertore që nuk përmbush kërkesat e përcaktuara në pikën 4 të nenit 42 të këtij ligji;
dh) importon, eksporton ose tranziton ngarkesa jashtë pikës së inspektimit veterinar kufitar të caktuar për këtë qëllim, sipas pikave 1 e 2 të nenit 43 të këtij ligji;
e) importon, eksporton ose tranziton ngarkesa në kundërshtim me nenin 44 të këtij ligji;
ë) prodhon, shet ose blen qumësht apo prodhime qumështi për konsum publik pa leje veterinare, sipas nenit 48 të këtij ligji;
f) vepron në kundërshtim me nenin 50 të këtij ligji;
g) eksporton materiale të papërpunuara, produkte me origjinë shtazore, peshk, vezë, shpendë për punë racore, vezë për shtrim (çelje) ose mallra të tjera, në kundërshim me nenin 52 të këtij ligji;
gj) vepron në kundërshtim me pika 1 dhe 2 të nenit 56 të këtij ligji;
h) vepron në kundërshtim me nenin 57 të këtij ligji;
i) tregton në treg lëkura gjedhi, dhensh, dhish të paanalizuara për antraks, sipas pikës 3 të nenit 54 të këtij ligji.
3. Kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 300 000 lekë cilido që fillon dhe ushtron veprimtarinë veterinare në kundërshtim me shkronjën “a” të pikës 3 të nenit 20 të këtij ligji.
4. Kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 30 000 lekë cilido që:
a) nuk lajmëron në mënyrë korrekte të gjitha palët e interesuara në rast vatrash sëmundjeje ngjitëse, si dhe në të gjitha rastet kur rrezikohet shëndeti publik dhe shëndeti kafshëve, sipas nenit 27 të këtij ligji.
b) ngarkon kafshë ose produkte me origjinë shtazore në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në nenin 33 të këtij ligji;
c) nuk pastron ose nuk dezinfekton mjetet e transportit për transportimin e ngarkesave nën kontrollin sanitaro-veterinar, pas shkarkimit ose para ngarkimit në rastet e përcaktuara nga autoritetet kompetente, sipas pikës 1 të nenit 34 të këtij ligji;
ç) nuk paraqet certifikatë veterinare ose dokumente të tjera me kërkesën e autoriteteve kompetente, sipas pikës 1 të nenit 36 të këtij ligji;
d) nuk lajmëron inspektorin veterinar të pikës së inspektimit kufitar ose sektorin veterinar në qark për mbërritjen e ngarkesës, sipas nenit 39 të këtij ligji;
dh) nuk lajmëron zyrën veterinare vendore ose të qarkut brenda periudhës kohore të përcaktuar ose nuk njofton fare për fillimin e prodhimit, sipas nenit 45 të këtij ligji;
e) nuk ther kafshët e sëmura ose të dëmtuara (të plagosura), kur është urdhëruar nga inspektori veterinar;
ë) vepron në kundërshtim me pikën 1 të nenit 51 të këtij ligji;
f) vepron në kundërshtim me nenin 52 të këtij ligji;
g) vepron në kundërshtim me nenet 54, 58, 59 dhe 60 të këtij ligji;
gj) nuk mban dokumentet për origjinën e lëkurëve të blera.
5. Kur nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen si kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë 25 000 lekë:
a) transportuesi që nuk lajmëron zyrën veterinare më të afërt për aksidentin rrugor;
b) inspektori që nuk i jep ndihmë veterinare, nuk zbaton masat ose kur një thertore nuk zbaton kushtet e përcaktuara në pikat 3 dhe 4 të nenit 36 të këtij ligji;
c) cilido që kalon pa inspektim sanitaro-veterinar dhe kontroll nga inspektori veterinar i pikës së kalimit kufitar, sipas pikës 1 të nenit 40 të këtij ligji, produktet me origjinë shtazore ose materialet e papërpunuara, të magazinuara, të paketuara, të përpunuara apo të trajtuara në zonat ku nuk aplikohet taksa doganore (duty free) ose magazina.

Neni 80
Kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 20 000 lekë cilido që shkel pikat 2, 3 dhe 4 të nenit 79 të këtij ligji.

Neni 81
Konsiderohet si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 50 000 lekë cilido që:
a) vepron në kundërshtim me nenin 17 të këtij ligji;
b) nuk paraqet certifikatën veterinare për kafshët që tregtohen;
c) organizon ekspozitë, grumbullim ose gara kafshësh apo shitje të organizuar kafshësh ose shitje produktesh me origjinë shtazore jashtë mjediseve të miratuara nga autoriteti kompetent, sipas nenit 35 të këtij ligji;
ç) nuk paraqet certifikatë veterinare për kafshët e gjahut ose nuk realizon masat profilaktike;
d) nuk lejon kontrollin veterinar, sipas neneve 17 dhe 45 të këtij ligji.

Neni 82
Në rast shkeljesh të neneve 37, 38, 39, 40, 44, 46, 47, 48, 51, 53, 56 dhe 57 të këtij ligji, përveç gjobës, mund të vendoset edhe masa e sekuestros mbi mjetet dhe mallrat e stabilimentit, si masë sigurie deri në shlyerjen e gjobës.

Neni 83
Për gjobat e vendosura nga Inspektorati Veterinar zbatohen dispozitat e ligjit nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.

Neni 84
1. Për të marrë vendimet pas shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative, me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit krijohet Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative në fushën e veterinarisë. Ky është një komision i përhershëm pranë kësaj Ministrie.
2. Komisioni përbëhet nga 5 persona, një jurist dhe 4 specialistë të fushës së veterinarisë dhe merr vendime me shumicë votash, pas shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative, sipas këtij ligji ose akteve nënligjore në zbatim të tij.
3. Komisioni thërret, me njoftim paraprak, personat fajtorë për kryerjen e kundërvajtjes në bazë të procesverbalit. Procedura e gjykimit para Komisionit zhvillohet sipas ligjit nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.

Neni 85
Për të parandaluar futjen dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse në kafshë nga vendet e tjera, si dhe për t’i eliminuar ato në territorin e Republikës së Shqipërisë, Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit urdhëron:
a) në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë të ketë inspektim konstant veterinar, ndërsa në zonat kufitare të ndërmerren masa të veçanta të përcaktuara në këtë ligj;
b) kufizimin, ndalimin, importimet ose tranzitimin e ngarkesave të kafshëve të gjalla dhe të produkteve me origjinë prej tyre nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe lëvizjen e njerëzve në rast rreziku të hyrjes së sëmundjeve ngjitëse.

Neni 86
Në zbatim të këtij ligji, Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit:
a) nxjerr akte nënligjore për rregullimin e veprimtarisë veterinare, duke i përshtatur dhe përafruar ato me legjislacionin e Bashkimit Europian;
b) kontribuon në realizimin e politikave veterinare nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve veterinare ndërkombëtare;
c) harton, në bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë, masat parandaluese afatshkurtra dhe afatgjata për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve kundër zoonozave;
ç) vendos krijimin, përbërjen dhe funksionimin e një komisioni të përbashkët ekspertësh për zoonozat, si një autoritet këshillues, me rregullore të përbashkët me Ministrin e Shëndetësisë.

Neni 87
Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit përcakton me rregullore të veçantë kushtet sanitaro-veterinare që duhet të plotësojnë mjediset dhe pajisjet për manipulimin post mortem të kadavrave të kafshëve, kushtet sanitaro-veterinare që duhet të plotësojnë stabilimentet për mbledhjen e konfiskateve, mbeturinave shtazore dhe barnave të bioprodukteve veterinare të pavlefshme, si dhe metodat e përpunimit dhe asgjësimit të tyre.

Neni 88
Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të neneve 17, 18, 20, 21, 27, 28, 30, 37, 38, 42, 43, 49, 51, 58, 59, 61, 62, 63, 65, 68, 76 dhe 78 këtij ligji.

Neni 89
Ligji nr.7674, datë 23.2.1993 “Për shërbimin dhe Inspektoratin Veterinar”, me ndryshimet përkatëse, shfuqizohet.

Neni 90
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4407, datë 25.11.2004 të Presidentit të Republikës së

VENDIM
Nr.114, datë 27.1.12009

PËR MARRJEN E MASAVE EMERGJENTE, PËR PËRMIRËSIMIN E SITUATËS SË SIGURISË DHE TË VEPRIMTARIVE NË INSTALIMET E IMPIANTET, QË SHËRBEJNË PËR DEPOZITIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE

Në mbështetje të neneve 59, pika 1 shkronja “d”, e 100, të Kushtetutës, të nenit 2 të ligjit nr.9322, datë 25.11.2004 “Për miratimin e strategjisë së sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë”, të neneve 1, 2 e 4 të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe të nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, dhe të nenit 7 të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Krijimin e grupit të punës për marrjen e masave emergjente, për përmirësimin e situatës së sigurisë, në impiantet dhe instalimet, që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe të nënprodukteve të tyre, i cili të drejtohet, bashkërisht, nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, e ku të bëjnë pjesë zëvendësministrat e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministrisë së Brendshme, si dhe drejtuesit e Inspektoratit Qendror Teknik (IQT), Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), agjencive rajonale të mjedisit (ARM) dhe drejtorive për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin (PMNZSH).
2. Grupi i punës ka për detyrë të realizojë:
a) Kontrollin dhe verifikimin e respektimit të kushteve teknike të ndërtimit dhe funksionimit të të gjitha impianteve e instalimeve, ku kryhet veprimtaria e depozitimit, transportimit dhe tregtimit, me shumicë ose pakicë, të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, për të përcaktuar nivelin e sigurisë.
b) Brenda 2 (dy) muajve, listën e subjekteve, që kryejnë veprimtarinë e depozitimit, transportimit dhe tregtimit, me shumicë ose pakicë, të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, pa lejet përkatëse, ose listën e subjekteve, veprimtaria e të cilave paraqet rrezik për sigurinë e pronës, të jetës dhe të mjedisit, sepse ndodhen brenda territorit të zonave të banuara dhe t’ia paraqesë Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
c) Listën për subjektet e tjera, jashtë zonave të banuara, që e ushtrojnë veprimtarinë pa lejet përkatëse ose që veprimtaria e tyre paraqet rrezik për sigurinë e pronës, të jetës dhe të mjedisit dhe t’i paraqesë, brenda 3(tre) muajve, Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Afatet e përcaktuara në shkronjat “b” e “c” të pikës 1 të këtij vendimi fillojnë 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit.
3. Veprimtaritë e depozitimit, transportimit ose tregtimit, me shumicë ose pakicë, të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, në impiante dhe instalime të ndërtuara në rrugët dhe në mjedise urbane (brenda qyteteve ose zonave të banuara), të cilat zhvillohen edhe pa lejet përkatëse, dhënë sipas legjislacionit në fuqi, dhe paraqesin rrezikshmëri për sigurinë e pronës, të jetës dhe të mjedisit, sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij vendimi, të prishen ose të mbyllen nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik i bashkisë/komunës apo nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, në përputhje me ligjin nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Policisë së Shtetit.
4. Veprimtaritë e depozitimit, transportimit ose tregtimit, me shumicë ose pakicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, në impiantet dhe instalimet e ndërtuara jashtë qyteteve ose jashtë zonave të banuara, që zhvillohen pa lejet përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, por rezultojnë se plotësojnë kushtet teknike dhe të sigurisë, bllokohen nga IQT-ja, inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës apo Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Subjekti përkatës, brenda 3 muajve pas realizimit të kontrollit, sipas afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, duhet të bëjë plotësimin e dokumentacionit, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
5. Veprimtaritë e depozitimit, transportimit dhe tregtimit, me shumicë ose pakicë, të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, në impiante dhe instalime, të cilat ushtrohen nga subjekte të pajisura me lejet përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi, por që veprimtaria e tyre cilësohet se paraqet rrezikshmëri për sigurinë e pronës, të jetës dhe të mjedisit, sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij vendimi, të mbyllen ose të prishen nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar dhe Policia e Shtetit.
6. Shpenzimet për mbylljen ose prishjen fizike të impianteve dhe instalimeve, që shërbejnë për kryerjen e veprimtarive të depozitimit, transportimit ose tregtimit, me shumicë ose pakicë, të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, sipas pikave 2, 3 e 4 të këtij vendimi, bëhen me shpenzimet e vetë subjekteve.
7. Ndalohet futja nga importi, në formë skrapi, i bombolave, që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e gazit të lëngshëm të naftës (GLN).
Bombolat, që nuk plotësojnë standardet e sigurisë, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.8739, datë 12.2.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve nën presion”, konfiskohen nga IQT-ja.
8. Vërtetimi për kontrollin e objektit, për respektimin e kushteve teknike, i lëshuar nga IQT-ja, për marrjen e lejeve përkatëse për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, rinovohet çdo vit.
Tarifa për këtë shërbim përcaktohet me udhëzimin e përbashkët të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të Ministrit të Financave.
9. Ndalohet tregtimi i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre nga subjekte, që kryejnë veprimtarinë e depozitimit, transportimit ose tregtimit me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, për të gjitha subjektet që kryejnë veprimtari të depozitimit, transportimit ose tregtimit me pakicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, të cilat nuk janë pajisur me lejet apo autorizimin përkatës, në përputhje e kërkesat e legjislacionit në fuqi për ushtrimin e këtyre veprimtarive.
10. Në rast të mosrespektimit të kësaj kërkese, nga subjektet e tregtimit me shumicë, të përmendura më sipër, IQT-ja pezullon të drejtat e lejes së tregtimit dhe i propozon organit përkatës revokimin e lejes.
11. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha

L I G J
Nr. 9595, datë 27.7.2006

PËR KRIJIMIN E INSPEKTORATIT QENDROR TEKNIK

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1
Krijohet Inspektorati Qendror Teknik si institucion në varësi të ministrit përgjegjës për ekonominë.

Neni 2
Funksionet, kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për Inspektoratin Shtetëror të Kontrollit të Naftës dhe Gazit, Inspektoratin e Pajisjeve nën Presion dhe Inspektoratin e Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike, si dhe asetet, të drejtat dhe detyrimet e këtyre inspektorateve i kalojnë Inspektoratit Qendror Teknik.

Neni 3
Inspektorati Qendror Teknik drejtohet nga Kryeinspektori, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Struktura dhe organika e Inspektoratit Qendror Teknik miratohen nga Kryeministri, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë.
Inspektorati Qendror Teknik ka rregulloren e brendshme, e cila miratohet nga ministri përgjegjës për ekonominë.

Neni 4
Inspektorati Qendror Teknik është institucion publik buxhetor dhe siguron të ardhura edhe nga shërbimet, që kryhen në zbatim të legjislacionit në fuqi, të cilat derdhen 100 për qind në Buxhetin e Shtetit.
Buxheti i Inspektoratit Qendror Teknik është i veçantë dhe miratohet me buxhetin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë.

Neni 5
Në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, emërtimi “Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës dhe Gazit” zëvendësohet me emërtimin “Inspektorati Qendror Teknik”.
Në ligjin nr.8734, datë 1.2.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve dhe instalimeve elektrike”, emërtimi “Inspektorati i Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike” zëvendësohet me emërtimin “Inspektorati Qendror Teknik”.
Në ligjin nr.8739, datë 12.2.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve nën presion”, emërtimi “Inspektorati i Pajisjeve nën Presion” zëvendësohet me emërtimin “Inspektorati Qendror Teknik”.

Neni 6
Shkronja “c” e pikës 2 të nenit 23 të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, shfuqizohet.
Nenet 12 shkronja “a”, 13 e 15 të ligjit nr.8734, datë 1.2.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve dhe instalimeve elektrike”, shfuqizohen.
Nenet 12 shkronja “a”, 13 e 15 të ligjit nr.8739, datë 12.2.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve nën presion”, shfuqizohen.

Neni 7
Dispozita kalimtare
Buxheti i Inspektoratit Qendror Teknik për vitin 2006 do të jetë buxheti i miratuar për Inspektoratin Shtetëror të Kontrollit të Naftës dhe Gazit, Inspektoratin e Instalimeve dhe Pajisjeve Elektrike dhe Inspektoratin e Pajisjeve nën Presion.

Neni 8
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5015, datë 4.8.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

V E N D I M
Nr.72, datë 6.2.2003

PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË INSPEKTIMIT KARANTINOR FITOSANITAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 50 të ligjit nr.7662, datë 19.1.1993 “Për shërbimin e mbrojtjes së bimëve”, dhe me propozimin të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Rregullave të Inspektimit Karantinor Fitosanitar të cilat i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fetoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Fatos Nano

RREGULLA TË INSPEKTIMIT KARANTINOR FITOSANITAR

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi
Të parandalojë hyrjen dhe përhapjen e parazitëve karantinor në territorin e Republikës së Shqipërisë, për të siguruar një mbrojtje sa më të mirë të bimëve dhe produkteve bimore.

Neni 2
Detyra
Të përcaktojë dhe sigurojë kushtet teknike për zbatimin e ligjit nr.7662, datë 19.1.1993 “Për shërbimin e mbrojtjes së bimëve” dhe ligjit nr.8732, datë 24.1.2001 “Për materialin mbjellës bimor”.

Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtyre Rregullave:
1. “Bimë”, kuptohen bimë të gjalla ose pjesë të tyre po ashtu të gjalla, përfshirë farërat dhe germoplazmën.
2. “Certifikatë Fitosanitare”, kuptohet një dokument zyrtar që vërteton gjendjen fitosanitare të një ngarkese, e cila është subjekt i inspektimit fitosanitar.
3. “Hyrje” (ngarkesë), kupton kalimin përmes një pike doganore hyrjeje për në një zonë.
4. “Infektim” kupton praninë e parazitëve të gjallë në bimë, produkte bimore ose objekte të tjera.
5. “Inspektim” kupton ekzaminimin zyrtar vizual të bimëve, produkteve bimore ose objekteve të tjera, për të përcaktuar nëse ato janë të infektuar ose kontaminuar me parazitë dhe nëse ato janë në konformitet me këto Rregulla.
6. “Inspektor” kupton një person të autorizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit për të kryer funksione të caktuara në zbatim të këtyre Rregullave.
7. “Karantinë bimore” kupton një kompleks veprimesh që ka për qëllim të parandalojë hyrjen dhe/ose përhapjen e një paraziti karantinor ose të garantojë kontrollin zyrtar të këtij paraziti.
8. “Karantinë” kupton ndalimin dhe izolimin zyrtar të bimëve, produkteve bimore ose objekteve të tjera për t’u vrojtuar, ekzaminuar, për inspektime të mëtejshme, për prova dhe/ose trajtime.
9. “Kontaminim” kupton praninë e parazitëve ose objekteve të tjera në një ngarkesë, vend ruajtje ose mjet transporti.
10. “Ngarkesë” kupton një sasi bimësh, produktesh bimore dhe/ose objekte të tjera, të cilat lëvizin nga një shtet në tjetrin, dhe që përfaqësohen nga një Certifikatë Fitosanitare e vetme (një ngarkesë mund të jetë e përbërë nga një ose më shumë lote).
11. “Objekte të tjera” kupton çdo vend ruajtje, mjet transporti, kontainer, tokë, organizma të gjalla dhe çdo objekt tjetër ose material që është i përshtatshëm për strehimin ose përhapjen e parazitëve, veçanërisht në transportet ndërkombëtare.
12. “Parazit karantinor” kupton një parazit të rrezikshëm, me rëndësi ekonomike për vendin, që nuk është vërejtur ose është vërejtur, por nuk është i përhapur gjerësisht dhe luftohet në mënyrë aktive.
13. “Parazit” kupton dëmtuesit, sëmundjet ose barërat e këqija të dëmshme, ose potencialisht të dëmshme për bimët dhe produktet bimore.
14. “Pikë doganore hyrje” kupton aeroport, port detar ose pikë hyrje kufitare tokësore të përcaktuara zyrtarisht për hyrjen e bimëve, produkteve bimore ose objekteve të tjera subjekt i këtyre Rregullave.
15. “Produkt bimor” kupton material me origjinë bimore i papërpunuar (përfshirë edhe drithërat) si dhe ato të përpunuarat, të cilat për vetë natyrën e tyre ose mënyrën e përpunimit, mund të jenë rrezik për hyrjen dhe përhapjen e parazitëve.
16. “Provë” kupton ekzaminimin zyrtar, i ndryshëm nga ai vizual, për të përcaktuar një parazit ose për të vërtetuar praninë e tij në një ngarkesë.
17. “Rieksport”(ngarkesë e rieksportuar) kupton një ngarkesë e cila është importuar në një shtet, nga i cili pastaj eksportohet pa u ekspozuar ndaj infektimeve ose kontaminimeve nga parazitët edhe nëse ngarkesa ruhet, ndahet, kombinohet me ngarkesa të tjera ose i ndryshohet ambalazhi.
18. “Trajtim” kupton një procedurë zyrtare të autorizuar për ngordhjen, largimin ose bërjen infertil të parazitëve.
19. “Vend origjina” (për objekte të tjera) kupton vendin ku këto objekte janë ekspozuar për herë të parë ndaj parazitëve dhe janë infektuar ose kontaminuar prej tyre.
20. “Vend origjina”(për bimët) kupton vendin ku bimët janë kultivuar.
21. “Vend origjina”(për produkte bimore) kupton vendin ku janë kultivuar bimët prej të cilave janë përftuar produktet bimore.
22. “Zonë e mbrojtur” kupton një zonë të cilën Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit e ka përcaktuar si zonën më të vogël për të realizuar një mbrojtje efektive ndaj një paraziti karantinor. Ky term nuk ka të bëjë me termin “Zonë e mbrojtur” të përcaktuar në ligjin nr.8906, datë 6.6.2002 “Për Zonat e mbrojtura”.
23. “Zonë” kupton shtetin ose territorin a pjesë e shtetit, e cila është e emërtuar zyrtarisht (fshat, komunë, rreth etj.).

KREU II
KONTROLLI KARANTINOR

Neni 4
Ndalohet:
1. hyrja dhe përhapja në territorin e Republikës së Shqipërisë e parazitëve të përmendur në aneksin i;
2. hyrja dhe përhapja në territorin e Republikës së Shqipërisë e bimëve dhe produkteve bimore të përmendura në aneksin II, kur pas inspektimit fitosanitar ato rezultojnë të infektuara ose të kontaminuara nga parazitë të specifikuara në këtë aneks.

Neni 5
Ndalohet importimi në Republikën e Shqipërisë i bimëve ose produkteve bimore të përmendura në aneksin III, kur ato kanë origjinë prej shteteve të përmendura në këtë aneks.

Neni 6
Ndalesat e parashikuara sipas neneve 4 dhe 5, nuk aplikohen në kushte të veçanta të cilat përcaktohen nga ministri, në rastet e infeksioneve ose kontaminimeve të lehta me parazitë të përmendur në aneksin 1 dhe aneksin 2 të bimëve ose produkteve bimore, të cilat nuk janë të destinuara për t’u përdorur si material shumëzues.

Neni 7
Ministri mund të ndalojë:
1. hyrjen dhe përhapjen në territorin e Shqipërisë të parazitëve të cilët nuk janë përmendur në aneksin I dhe II;
2. hyrjen dhe përhapjen në territorin e Shqipërisë të parazitëve të përmendur në aneksin II, por të ndodhur në bimë e produkte bimore të papërmendura në këtë aneks.

Neni 8
Ministri mund të lejojë futjen e parazitëve të përmendur në anekset I dhe II, kur ato nevojiten për të kryer punime shkencore, studime të rezistencës varietore etj.

Neni 9
Hyrja në territorin e Shqipërisë e bimëve, produkteve bimore ose objekteve të tjera të përcaktuara në aneksin IV, seksioni 1, është e lejuar vetëm pasi ato i janë nënshtruar inspektimit fitosanitar dhe janë plotësuar kërkesat e veçanta të përcaktuara në këtë seksion.

Neni 10
Sasira të vogla bimësh e produktesh bimore, të cilat parashikohen të përdoren nga zotëruesi i tyre ose pritësi për qëllime joindustriale e jotregtare, i nënshtrohen inspektimit fitosanitar dhe janë subjekt i ndalimeve ose kufizimeve, kur janë të infektuara apo të kontaminuara me parazitë të përmendur në anekset 1 dhe 2.

Neni 11
1. Hyrja në territorin e Shqipërisë e bimëve, produkteve bimore ose objekteve të tjerë të përcaktuara në aneksin V, pjesa B, ose të pa përcaktuar në aneksin V, pjesa B, por të pajisura me Certifikatë Fitosanitare, lejohen vetëm nëse ato, ambalazhet dhe mjetet e transportit të tyre, janë inspektuar në tërësi ose nëpërmjet mostrës përfaqësuese dhe është gjykuar se:
a) bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera të përcaktuara në aneksin V, pjesa B, nuk janë të infektuara ose të kontaminuara nga parazitë të përcaktuar në aneksin I;
b) bimët ose produktet bimore të përcaktuara në aneksin II nuk janë të infektuara ose të kontaminuara me parazitë të përmendur në këtë aneks.
c) bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera të përcaktuara në aneksin IV, seksioni 1, plotësojnë kërkesat specifike të parashikuara në këtë aneks.
2. Në rastet kur inspektori gjykon se duhet të merret një mostër përfaqësimi e partisë së bimëve, produkteve bimore ose objekteve të tjera të përcaktuara në aneksin V, pjesa B, këto mostra dërgohen për analizë në Institutin e Mbrojtjes së Bimëve për t’u analizuar, kundrejt pagesës prej zotëruesit të mallit.

Neni 12
1. Bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera të përcaktuara në aneksin V, pjesa B, kur importohen, duhet të jenë të shoqëruara me Certifikatë Fitosanitare të lëshuar prej autoritetit zyrtar fitosanitar të vendit të origjinës.
2. Në rastet kur për bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera ka kërkesa të veçanta të përcaktuara në aneksin IV, seksioni 1, Certifikata Fitosanitare duhet të jetë e lëshuar nga autoriteti zyrtar fitosanitar i vendit të origjinës me përjashtim:
a) të drurit, i cili mund të shoqërohet me Certifikatë Fitosanitare të lëshuar nga autoriteti zyrtar fitosanitar i ndryshëm nga vendi i origjinës, në qoftë se sipas kërkesave të veçanta të parashikuara në aneksin IV, seksioni 1, ai (druri) është përpunuar (zhveshur lëvorja) në këtë vend;
b) të rasteve të tjera të veçanta të parashikuara në aneksin IV, seksioni 1, kur ngarkesa shoqërohet me Certifikatë Fitosanitare të lëshuar nga autoriteti zyrtar fitosanitar i ndryshëm nga vendi i origjinës.
3. Në qoftë se pjesë nga një ngarkesë bimësh ose produktesh bimore është ndarë, vënë në magazinim ose i është ndërruar ambalazhimi në një vend të ndryshëm nga vendi i origjinës, ajo duhet të shoqërohet nga një Certifikatë Fitosanitare, të lëshuar nga autoriteti zyrtar fitosanitar i vendit rieksportues, ose nga një Certifikatë Fitosanitare Rieksporti, së bashku me Certifikatën Fitosanitare të lëshuar nga autoriteti zyrtar i vendit të origjinës.
4. Certifikata Fitosanitare ose Certifikata Fitosanitare e Rieksportit duhet të përmbajnë informacionin sipas modelit të Konventës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Bimëve dhe duhet të jetë e lëshuar prej autoritetit zyrtar të vendit eksportues/rieksportues. Certifikata duhet të jetë modeluar në të paktën në njërën prej gjuhëve zyrtare të Komunitetit Europian. Emri botanik i bimës/bimëve duhet të jetë në gjuhën latine.
5. Korrigjimet ose ndryshimet e bëjnë të pavlefshme një Certifikatë Fitosanitare. Origjinali dhe kopja e një Certifikate Fitosanitare dallohen nga fjalët “original” ose “copy” (“Duplicate”) të stampuara në të.
6. Certifikata Fitosanitare ose Certifikata Fitosanitare e Rieksportit duhet të jetë lëshuar prej vendit të origjinës ose vendit rieksportues jo më përpara se 14 ditë nga momenti kur bimët, produkte bimore ose objektet e tjera i nënshtrohen inspektimit fitosanitar në pikat doganore të hyrjes.

Neni 13
Kushtet e parashikuara në nenin 5 dhe nenin 11, pika (1) nuk aplikohen për bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera që kalojnë transit në territorin e Shqipërisë, të cilat, pasi i nënshtrohen inspektimit fitosanitar, rezulton se ambalazhimi i tyre është bërë në kushte të tilla sigurie, që garanton mospërhapjen e parazitëve karantinor.

Neni 14
Ministri, nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe, mund të kërkojë që inspektimet fitosanitare të cilat lidhen me nenin 11, pika (1) të kryhen në shtetin eksportues, në bashkëpunim me autoritetet fitosanitare të këtij shteti.

Neni 15
Në rast se bimët ose produktet bimore janë të destinuara për një Zonë të Mbrojtur, kushtet e përcaktuara në nenin 11, pika (1) do të aplikohen në përputhje me kërkesat e veçanta në fuqi për këtë Zonë.

Neni 16
1. Importuesit e bimëve, produkteve bimore ose objekteve të tjera, duhet të regjistrohen sipas nenit 27.
2. Importuesit e bimëve, produkteve bimore ose objekteve të tjera, janë të detyruar të informojnë 48 orë para mbërritjes së ngarkesës në pikën doganore të hyrjes, Drejtorinë e Bujqësisë dhe Ushqimit (DBU) të rrethit nga do të bëhet hyrja e ngarkesës për: vendin e origjinës, llojin, qëllimin e përdorimit, destinacionin dhe specifikime të tjera që mund t’i kërkohen.

Neni 17
1. Kur pas inspektimit fitosanitar rezulton se kushtet e përcaktuara nga neni 11, pika (1) nuk plotësohen atëherë sipas rastit merren këto masa :
a) bëhet trajtimi fitosanitar me metoda, të cilat garantojnë dezinfektimin e ngarkesës;
b) ndarja e pjesëve të infektuara ose të kontaminuara të ngarkesës dhe asgjësimi i tyre me metoda, të cilat garantojnë shkatërrimin e plotë të parazitit dhe mundësinë e përhapjes së tij në territorin e vendit;
c) vendosja e mallit në regjim karantinor deri sa të dalin rezultatet zyrtare të analizave;
d) lejimi i transportit nën kontrollin e inspektorëve në vendin e përpunimit industrial, kur përpunimi garanton shkatërrimin e plotë të parazitit dhe mundësinë e përhapjes së tij në territorin e vendit;
e) kthimin mbrapsht të ngarkesës;
f) asgjësimin e ngarkesës me metoda, të cilat garantojnë shkatërrimin e plotë të parazitit dhe mundësinë e përhapjes së tij në territorin e vendit.
2. Të gjitha shpenzimet që lidhen me masat e përmendura në pikën (1), të këtij neni përballohen nga zotëruesi i ngarkesës.
3. Në rastet kur importuesi refuzon të ndërmerren masat e parashikuara në pikën (1) të këtij neni, inspektori vendos në Certifikatën Fitosanitare vulën trekëndore me ngjyrë të kuqe me mbishkrimin “Certificate Cancelled” me emrin e inspektorit dhe datën e refuzimit.

Neni 18
Kur inspektimi sipas nenit 11, pika (1) është përfunduar, inspektori i pikës doganore të hyrjes i paraqet autoriteteve doganore një raport sipas modelit të paraqitur në aneksin VI mbi inspektimin fitosanitar të ngarkesës.

Neni 19
1. Bimët, produktet bimore dhe objekte të tjera, për të cilat shteti importues parashikon kërkesa të veçanta, duhet të jenë të shoqëruara me dokumentet e mëposhtme:
a) “Certifikatë Fitosanitare”, për ngarkesat me origjinë nga Shqipëria.
b) “Certifikatë Fitosanitare Rieksporti” dhe “Certifikatë Fitosanitare” të vendit të origjinës, për ngarkesat jo me origjinë nga Shqipëria kur malli është ndarë në disa destinacione, është magazinuar ose është riambalazhuar:
2. Certifikata Fitosanitare dhe Certifikata Fitosanitare e Rieksportit lëshohet pas inspektimit kur gjykohet nga inspektori se ngarkesa plotëson të gjitha kërkesat e veçanta të përcaktuara prej shtetit importues.
3. Eksportuesit e bimëve, produkteve bimore, ose objekteve të tjera janë të detyruar të njoftojnë 48 orë para nisjes së ngarkesës për eksport DBU-në e rrethit nga është origjina e ngarkesës, për llojin, prodhuesin, destinacionin dhe specifikime të tjera, që mund t’i kërkohen për kryerjen e inspektimit dhe pajisjen me Certifikatë Fitosanitare.
4. Kushtet e parashikuara në nenin 12, pika (4), (6) janë të vlefshme edhe për Certifikatat Fitosanitare të Eksportit dhe Rieksportit, modeli i të cilave jepet në aneksin VII dhe aneksin VIII.

KREU III
Masat Fitosanitare lidhur me lëvizjen e bimëve e produkteve bimore të prodhuara në Shqipëri si dhe objekteve të tjera

Neni 20
Lëvizja brenda territorit të Shqipërisë e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, të prodhuara në Shqipëri dhe të përmendura në aneksin V, pjesa A, lejohet vetëm nëse ato, ambalazhet e tyre, dhe nëse është e nevojshme edhe mjeti i transportit, i janë nënshtruar inspektimit fitosanitar.

Neni 21
Inspektimi fitosanitar i përmendur në nenin 20, kryhet prej inspektorëve të mbrojtjes së bimëve të rrethit prej nga kanë origjinën bimët dhe produktet bimore. Inspektimi mund të kryhet me vrojtim të përgjithshëm ose me marrje mostre.
Në vartësi të objektit që inspektohet, ekzaminimet e nevojshme mund të kryhen edhe gjatë vegjetacionit në parcelën e kultivimit ose gjatë magazinimit.

Neni 22
Bimët, produktet bimore të prodhuara në Shqipëri dhe objektet e tjera të përmendura në aneksin V, pjesa A, pajisen me Certifikatë Fitosanitare të Brendshme sipas aneksit IX, nëse pas inspektimit të kryer sipas nenit 21 rezulton se:
a) janë të painfektuara ose të kontaminuara me parazitë të përmendur në aneksin I, seksioni 2;
b) bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera të përmendura në aneksin II, seksioni 2 nuk janë të infektuara ose të kontaminuara me parazitë të përmendur në këtë seksion të këtij aneksi;
c) bimët, produktet bimore dhe objekte të tjera që trajtohen në aneksin IV, seksioni 2, plotësojnë kushtet e veçanta që kërkohen sipas këtij aneksi dhe seksioni.

Neni 23
1. Kur pas inspektimit fitosanitar të bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera rezulton se kushtet e përcaktuara nga neni 22 nuk plotësohen atëherë, sipas rastit, merren këto masa:
a) bëhet trajtimi fitosanitar me metoda, të cilat garantojnë dezinfektimin e tyre dhe pajisen me Certifikatë Fitosanitare të Brendshme;
b) largohen pjesët e infektuara dhe bëhet asgjësimi i tyre me metoda, të cilat garantojnë shkatërrimin e plotë të parazitëve dhe bëjnë të pamundur përhapjen e tyre në territorin e vendit dhe më pas pajisen me Certifikatë Fitosanitare të Brendëshme;
c) lejohen të transportohen nën kontrollin e inspektorëve në zona që nuk paraqesin rrezik të mëtejshëm ose në vende ku do të bëhet përpunimi industrial, kur ky përpunim garanton shkatërrimin e plotë të parazitëve dhe bëjnë të pamundur përhapjen e tyre në territorin e vendit;

d) asgjësimi i plotë me metoda, të cilat garantojnë shkatërrimin e plotë të parazitëve dhe bëjnë të pamundur përhapjen e tyre në territorin e vendit.
2. Të gjitha shpenzimet që lidhen me masat e përmendura në pikën (1) të këtij neni bëhen me shpenzimet e zotëruesit të mallit.

Neni 24
Kushtet e parashikuara në nenet 20, 21, 22 dhe 23 nuk aplikohen në rastet e sasirave të vogla të bimëve ose produkteve bimore të përmendura në aneksin V, pjesa A, kur ato janë të destinuara për konsum vetjak dhe kur gjykohet se ato nuk mund të jenë ose nuk mund të bëhen burim i përhapjes së parazitëve të përmendur në aneksin I dhe II.

Neni 25
Certifikata Fitosanitare, Certifikata Fitosanitare e Rieksportit dhe Certifikata Fitosanitare e Brendshme përgatiten dhe shpërndahen nga Drejtoria e Mbrojtjes së Bimëve.

Neni 26
Inspektorët e mbrojtjes së bimëve, në zbatim të këtyre Rregullave, kanë të drejtë të kryejnë inspektime në bimë, produkte bimore dhe objekte të tjera, në çdo vend ku ato mbillen, kultivohen, prodhohen, magazinohen, ofrohen për shitje e blerje.

KREU IV
Regjistrimi i importuesve, eksportuesve, prodhuesve, qendrave të grumbullimit dhe shitjes me shumicë

Neni 27
1. Personat fizikë dhe juridikë që merren me importimin, eksportimin, prodhimin, grumbullimin dhe shitjen me shumicë të bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, ndaj të cilëve kërkohet të kryhen inspektime fitosanitare, sipas nenit 20, duhet të regjistrohen në DBU-në e rrethit (sektorin e mbrojtjes së bimëve) ku, pasi plotësojnë formularin sipas aneksit X, pajisen me një numur identifikimi.
2. Duhet të regjistrohen sipas pikës (1) të këtij neni këto aktivitete:
a) prodhim dhe ruajtje në fidanishte ose magazinë e bimëve ose pjesëve bimore të destinuara për mbjellje;
b) shitje me shumicë e bimëve ose pjesëve bimore të destinuara për mbjellje;
c) importuesit e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera që trajtohen në aneksin 5, pjesa B;
d) eksportuesit e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera që trajtohen në këto Rregulla dhe që kërkojnë të pajisen me Certifikatë Fitosanitare;
e) qendrat e grumbullimit dhe ato të shitjes me shumicë të bimëve ose produkteve bimore.
3. Personat fizikë dhe juridikë të përmendur në pikën (1) të këtij neni, janë subjekt i këtyre rregullave dhe detyrimeve të veçanta që rrjedhin nga nenet 20, 21, 22, 23, 24, 25 dhe 26.
4. Ministri mund të kërkojë regjistrimin e përmendur në paragrafin 1 të këtij neni dhe inspektimin fitosanitar të përmendur në nenet 20, 21, 22, 23, 24, 25 dhe 26, edhe ndaj prodhuesve të bimëve të tjera të cilët nuk përmenden në aneksin 5, pjesa A.
5. Regjistrimi i përmendur në paragrafin 1 të këtij neni, nuk është i detyrueshëm për prodhues ose përpunues të vegjël, kur gjykohet se ata nuk paraqesin ndonjë rrezik për shumëzimin dhe përhapjen e parazitëve të përmendur në aneksin I dhe II dhe kur bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera janë të destinuara për përdorim vetjak dhe prodhohen apo përpunohen prej personave të cilët nuk janë profesionalisht të angazhuar me prodhimin e madh bimor.
6. Personat fizikë dhe juridikë të regjistruar duhet të informojnë me shkrim DBU-në kur:
ndërpresin aktivitetin për të cilin janë regjistruar;
ndryshojnë pronësinë;
ndryshojnë emrin ose adresën;
zgjerojnë aktivitetin në fusha të cilat janë të padeklaruara më parë.

KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 28
1. Në rastet e shfaqjes në territorin e Shqipërisë të parazitëve të përmendur në aneksin I, seksioni 1 ose në aneksin II, seksioni 1, Drejtoria e Mbrojtjes së Bimëve njofton menjëherë organizmat ndërkombëtare dhe shtetet kufitare, duke marrë njëkohësisht të gjitha masat për ndalimin e përhapjes së mëtejshme dhe çrrënjosjen e tyre.
2. Në rastet e shfaqjes në territorin e Shqipërisë të parazitëve karantinorë të papërmendur në aneksin I, seksioni 1 ose në aneksin II, seksioni 1, Drejtoria e Mbrojtjes së Bimëve njofton menjëherë organizmat ndërkombëtarë dhe shtetet kufitare, duke marrë njëkohësisht të gjitha masat për ndalimin e përhapjes së mëtejshme dhe çrrënjosjen e tyre.

Neni 29
Anekset janë pjesë përbërëse të këtyre Rregullave. Ndryshimet në të bëhen me urdhër të ministrit në vartësi të ndryshimit të statusit të parazitëve, bimëve dhe produkteve bimore.

V E N D I M
Nr. 37, datë 28.1.2002

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E REPARTIT TË INSPEKTIM – SHPËTIMIT NË MINIERA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës të nenit 14 të ligjit nr.8741, datë 15.2.2001 “Për sigurinë në punë në veprimtarinë minerare”, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999 “Për kompetencat e caktimit të pagave të punës” dhe të nenit 7 të ligjit 8847, datë 19.12.2001 “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2002”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Reparti i Inspektim-Shpëtimit në Miniera (RISHM) është person juridik, publik, buxhetor në varësi të Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, i specializuar për mbikëqyrjen dhe zbatimin e rregullave, për një rregjim normal të punës së personave, juridikë dhe fizikë, në veprimtaritë minerare.
2. RISHM-i drejtohet nga kryeinspektori, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit. Kryeinspektori dhe inspektorët e qendrës përbëjnë nivelin qendror të organizimit, ndërsa inspektorët e zonave përbëjnë nivelin vendor të organizimit dhe varen administrativisht nga kryeinspektori.
3. Inspektorë zone të jenë 8 veta, të vendosur në Tiranë, Durrës, Dibër, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan dhe Vlorë. Ndarja në zona përfshin gjithë territorin e vendit, sipas organizimit të bërë nga RISHM-i, në përputhje me numrin e subjekteve, private dhe shtetërore, që kryejnë veprimtari minerare.
4. RISHM-i e ka qendrën në Tiranë. Inspektorati në qendër plotësohet me mjedise nga Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, ndërsa inspektorët e zonave plotësohen me mjedise pune, sipas propozimeve të prefekturave që mbulojnë zonat përkatëse.
5. Të drejtën e ushtrimit të kontrollit e kanë të gjithë inspektorët e RISHM-it, të cilët pajisen me dokument identifikimi nga sektori i shërbimit teknik të ministrisë.
RISHM-i funksionon sipas rregullores së brendshme, të miratuar nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit.
6. Kontrolli kryhet brenda orarit të veprimtarisë së subjekteve, por mund të kryhet edhe jashtë orarit të punës, vetëm me urdhër me shkrim të kryeinspektorit. Gjithsesi, gjithmonë në prani të një përfqaqësuesi të shoqërisë apo të personit fizik, i cili zotëron ose përdor minierën apo karrierën.
7. Rezultatet e kontrollit pasqyrohen në procesverbal, i cili nënshkruhet nga inspektori që ushtron kontroll dhe nga përfaqësuesi i subjektit. Ky i fundit ka të drejtën e shënimit të vërejtjeve, nëse ka, në procesverbal. Në rastin kur përfaqësuesi i subjektit nuk pranon të marrë pjesë në procesin e kontrollit apo të nënshkruajë sipas kushteve të përcaktuara më sipër, atëherë inspektori vendos shënimin “nuk pranon të nënshkruajë”, duke e bërë kështu procesverbalin të vlefshëm.
Në rastin kur kërkohet heqja e lejes, një kopje e procesverbalit i dërgohet organit që e ka lëshuar atë.
8. Për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, kryeinspektori mbledh “Komisionin e shqyrtimit të gjobave të RISHM-it”. Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen nga RISHM-i dhe miratohen nga Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit. Rregullat e funksionimit të komisionit përcaktohen me rregullore të brendshme të RISHM-it.
9. Ndaj masave të marra nga inspektorët bëhet ankim me shkrim në komisionin e shqyrtimit të gjobave të RISHM-it, brenda 5 ditëve nga data e mbajtjes së procesverbalit. Vendimi i këtij të fundit duhet të jepet brenda një afati 10 ditor nga data e mbërritjes së ankesës.
10. Në vendimin nr.75, datë 15.2.2001 të Këshillit të Ministrave “Për numrin e punonjësve të institucioneve buxhetore për vitin 2001” të parashikohet shtesa e numrit të punonjësve prej 4 vetësh. Struktura organizative e RISHM-it është sipas pasqyrës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Në vendimin nr.726, datë 21.12.2000 të Këshillit të Ministrave “Për pagat e punonjësve të institucioneve buxhetore”, në lidhjen II-25 “Niveli i pagave të punonjësve të RISHM-it” të bëhen ndryshimet sipas pasqyrës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Efektet financiare që rrjedhin nga pika 1 e këtij vendimi të përballohen nga fondet buxhetore të vitit 2002, miratuar për RISHM-in.
13. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit për zbatimin e këtij vendimi.
14. Vendimi nr.157, datë 8.6.1961 i Këshillit të Ministrave, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Ilir Meta

Pasqyra nr.1
Struktura organizative e RISHM-it

Nr. Emërtimi Profesioni Numri
1 Komandant (Kryeinspektor) i RISHM Ing.miniere 1
II Grupi i inspektimit 17
1 Zv/komandant dhe përgjegjës i grupit të inspektimit Ing.miniere 1
2 Inspektor në qendër Ing.miniere, elektrik, mekanik, kimist 6
3 Inspektor zonal Ing.miniere 8
4 Laborant Teknik i mesëm 1
5 Shofer Shofer 1

III Grupi i shpëtimit 22
1 Komandant grupi Ing.miniere 1
2 Komandant skuadre Ing.miniere 2
3 Shpëtues Specialist miniere 10
4 Mekanik i pajisjeve të shpëtimit Elektromekanik 2
5 Mekanik i riparimit të pajisjeve të shpëtimit Elektromekanik 1
6 Instruktor i përgatitjes të shpëtuesve Ing.miniere 1
7 Mjek i gupit të shpëtimit Mjek 1
8 Operator gatishmërie Teknik 1
9 Shoferë të automjeteve të gatishmërisë Shofer 3

IV Dega ekonomike, sektori ndihmës 12
1 Kryetar dege Ekonomist i lartë 1
2 Ekonomist furnizimi Ekonomist i lartë 1
3 Arkivist, arkëtar Ekonomist i mesëm 1
4 Magazinier Ekonomist i mesëm 1
5 Mekanik, kolaudator automjetesh Mekanik 2
6 Shofer Shofer 1
7 Pastruese Punëtore 1
6 Roje Punëtor 4

Pasqyra nr.2 (Lidhja II-25)
Niveli i pagave të punonjësve të RISHM-Tiranë

Nr. Emërtimi Klasifikimi
1 Komandanti (kryeinspektor) i RISHM B3
2 Zv/komandant i RISHM dhe përgjegjës i grupit të inspektimit B5
3 Inspektor i RISHM, komandant i grupit të shpëtimit C1

Nr. Emërtimi i punonjësit Klasa Shtesë për funksion (grupi)
1 Kryetar i degës ekonomike X 3
2 Komandant skuadre shpëtimi VIII-IX 3
3 Instruktor i përgatitjes së shpëtuesve, mjek i grupit të shpëtimit, shpëtuesve, mekanik i pajisjeve të shpëtimit VIII-IX
4 Ekonomist furnizimi, mekanik i riparimit të pajisjeve të shpëtimit, mekanik kualadator i automjeteve, shofer i automjeteve të gatishmërisë VI-VII
5 Laborant i provave të litarëve të çelikut, shofer V-VI
6 Operator gadishmërie, arkivist, magazinier III-IV
7 Roje objekti, pastruese, punëtor I-III

V E N D I M
Nr.77, datë 6.2.2003

PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të kushtetutës dhe të pikës 4 të nenit 2 të ligjit nr.8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin”, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Struktura e PMNZSH-së të jetë sipas skemës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Organika e PMNZSH-së të jetë sipas skemës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Numri limit i punonjësve në organikën e PMNZSH-së të jetë 743 veta.
4. Ngarkohen Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit dhe, prefektët e qarqeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Fatos Nano

LIDHJA 2

LIMITI ORGANIK I PMNZSH – DREJTORIA E PMNZSH

Drejtor i Drejtorisë së PMNZSH-së oficer1
Shef sek. i logjistikës e koordinimit stac.zjarrëf oficer1
Specialist oficer2
Sektori i inspektimit dhe parandalimit, (Inspektor) oficer2
Shef i qendrës kombëtare të trajnimit oficer1
Instruktor për ndërhyrjen, pajisjet dhe shpëtimin oficer1
Specialist (ekonomist) oficer1
Mekanik polic1
Shofer polic1
Sekretarë+magazinierë polic1

I. PREFEKTURA E QARKUT TIRANË

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit të Qarkut, oficer1
Stacioni PMNZSH-së, Tiranë 1 ( rajoni “21 Dhjetori”)
2. Shefi i PMNZSH-së rajonit nr.1+ Kom. Stacioni oficer1
3. Zv/kom. stacioni+kujdestar (ekonomist i mesëm) polic1
4. Inspektor profilaksie oficer 1+ polic 12
5. Mekanik-shofer polic1
6. Përgjegjës shërbimi 24-orësh polic4
7. Punonjes informacioni polic4
8. Shofere zjarrfikës, shpëtues polic8
10.Policë zjarrfikës, shpëtues polic12
11.Pastruese civil1______________
funksione 34
Stacioni PMNZSH-së, Tiranë 2 (rajoni “Kombinat”)
1.Shef i PMNZSH-së, rajonit +Komand.stacionioficer1
2.Inspektor profilaksiepolic1
3.Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
4.Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic4
5.Policë zjarrfikës, shpëtues polic8
funksione 14
Stacioni PMNZSH-së, Tiranë 3 (rajoni “Kinostudio”)
1.Shef i PMNZSH-së rajonit + Komand.stac.oficer1
2.Inspektor profilaksiepolic1
3.Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
4.Shoferë zjarrfikës,shpëtuespolic4
5.Policë zjarrfikës, shpëtuespolic4
funksione 18
Stacioni PMNZSH-së, Tirane 4 (rajoni “kthesa e Kamzës”)
1.Shefi i PMNZSH-së rajonit + Komand.stacionioficer1
2.Inspektor profilaksiepolic1
3.Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
Shoferë zjarrfikës,shpëtuespolic4
Policë zjarrfikës, shpetuespolic4
funksione 14
Stacioni i PMNZSH-së, Kavajë
Shefi i PMNZSH-së, rrethit + Komand.stacionioficer1
Inspektor profilaksiepolic1
Përgjegjës sherbimi 24 orëshpolic4
Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 22

Totali funksione 102

II. PREFEKTURA E QARKUT DURRËS

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit të Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, Durrës 1
2. Shefi i PMNZSH-së rrethit+Komand. stacionioficer1
3. Zv/kom.stacioni, kujdestar (ekonomist i mesëm)polic1
4. Inspektor profilaksiepolic2
5. Shofer+mekanikpolic1
6. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
7. Punonjës informacionipolic4
8. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
9. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic 12
funksione 33
Stacioni i PMNZSH-së, Durrës 2 (rajoni “Plazh”)
1. Shefi i PMNZSH-së rajonit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
3. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic4
4. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic4
funksione 13

Stacioni i PMNZSH-së, Krujë
1. Shefi i PMNZSH-së Rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimi 24-oreshpolic4
3. Shofere zjarrfikës, shpëtuespolic4
4. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 17

Totali funksione 63

III. PREFEKTURA E QARKUT, FIER

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit tëQarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, Fier 1
2. Shefi i PMNZSH-së rrethit+ Komand. stacionioficer1
3. Zv/kom.stacioni, kujdestar (ekonomist i mesëm)polic1
4. Inspektor profilaksiepolic2
5. Mekanik +shofer zjarrfikëspolic1
6. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
7. Punonjës informacionipolic4
8. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
9. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic 12
funksione 33
Stacioni i PMNZSH-së Fier 2 (rajoni “Azotik”)
1. Komandant stacionipolic1
2. Shofer zjarrfikëspolic4
3. Polic zjarrfikespolic4______________
funksione9

Stacioni PMNZSH-së, Fier 3 (rajoni Patos)
Komandanti stacionitpolic1
Shoferë zjarrfikëspolic4
Police zjarrfikëspolic4
funksione 9
Stacioni PMNZSH-së, Ballsh
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit+ Komand.stac.oficer1
2. Shoferë zjarrfikëspolic4
3. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 13

Stacioni i PMNZSH-së, Lushnjë
Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stac.oficer1
Përgjegjës shërbimi 24 orëshpolic4
Shoferë zjarrfikëspolic8
Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 21
Totali funksione 85

IV. PREFEKTURA E QARKUT BERAT

1. Shefi i sektorit te PMNZSH Prefektit te Qarkutoficer1
Stacioni i PMNZSH-së, Berat 1
2. Shefi i PMNZSH-së rrethit+Komand. stacionioficer1
3. Zv/kom.stacioni + kujdestar (ekonomist i mesëm)polic1
4. Inspektor profilaksiepolic1
5. Mekanik, shofer zjarrfikëspolic1
6. Përgjegjës shërbimi 24-oreshpolic4
7. Punonjës informacionipolic4
8. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
9. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 28
Stacioni i PMNZSH-së, Berat 2 (rajonit “Kombinat”)
1. Komandant stacionipolic1
2. Shofer zjarrfikëspolic4
3. Polic zjarrfikëspolic4______________
funksione 9
Stacioni i PMNZSH-së, Kuçovë
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimipolic4
3. Shoferë zjarrfikëspolic4
4. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 17

Stacioni i PMNZSH-së, SKRAPAR
Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
Shoferë zjarrfikëspolic4
Policë zjarrfikëspolic8
funksione 13

Totali funksione 67

V. PREFEKTURA E QARKUT, VLORË

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit të Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, Vlorë 1
2. Shefi i PMNZSH-së rrethit +Komand stacionioficer1
3. Zv/kom.stacioni+ kujdestar, (ekonomist i mesëm)polic1
4. Inspektor profilaksiepolic1
5. Mekanik-shofer zjarrfikëspolic1
6. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
7. Punonjës informacionipolic4
8. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
9. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic 8_____________
funksione 30

1.Shefi i PMNZSH-së, Nënprefektit, rrethit Delvinëoficer1
2.Polic, shofer zjarrfikës.polic4
Stacioni i PMNZSH-së, Sarandë
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit+Komand.stacioni oficer1
2. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
3. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic4
4. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 17
Totali funksione 51

VI. PREFEKTURA E QARKUT, GJIROKASTËR

1. Shefi i sektorit te PMNZSH Prefektit të Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, Gjirokastër
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit+Komand. stacionioficer1
2. Zv/kom.stacioni +kujdestar (ekonomist i mesëm)polic1
3. Inspektor profilaksiepolic1
4. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
5. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
6. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 23
Stacioni i PMNZSH-së, Përmet
Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand. stacionioficer1
Shofer zjarrfikëspolic4
Police zjarrfikëspolic8
funksione 13
Stacioni i PMNZSH-së, Tepelenë
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Shoferë zjarrfikëspolic4
3. Policë zjarrfikëspolic8
funksione 13

Totali funksione 50

VII. PREFEKTURA E QARKUT, KORÇË

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit të Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, Korçë
2. Shefi i PMNZSH-së, rrethit+Komand.stacionioficer1
3. Zv/kom.stacioni+kujdestar (ekonomist i mesëm)polic1
4. Inspektor profilaksiepolic2
5. Mekanik-shofer zjarrfikëspolic1
6. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
7. Punonjës informacionipolic4
8. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
9. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic 8

funksione 29

1. Shefi i PMNZSH-së, Nënprefektit, rrethit Devoll.oficer1
2. Polic, shofer zjarrfikës.polic4
Stacioni i PMNZSH-së, Ersekë
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacioni oficer1
2. Shoferë zjarrfikëspolic4
3. Policë zjarrfikëspolic8
funksione 13
Stacioni i PMNZSH-së, Pogradec
Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
Shoferë zjarrfikëspolic8
Policë zjarrfikëspolic8
funksione 17
Totali funksione 63

VIII. PREFEKTURA E QARKUT, ELBASAN

1. Shefi i sektorit të PMNZSH Prefektit të Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH Elbasan
2. Shefi i PMNZSH-së, rrethit + Komand. stacionioficer1
3. Inspektor profilaksiepolic2
4. Zv/kom.stacioni, kujdestar (ekonomist i mesëm)polic1
5. Mekanik+shofer zjarrfikëspolic1
6. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
7. Punonjës informacionipolic4
8. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
9. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic 12
funksione 34

1.Shefi i PMNZSH-së, nënprefektit, rrethit, Peqin.oficer1
2.Polic, shofer zjarrfikëspolic4
Stacioni i PMNZSH-së, Gramsh
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand. Stacionioficer1
2. Shoferë zjarrfikëspolic4
3. Policë zjarrfikëspolic8
funksione 13

Stacioni i PMNZSH-së, Librazhd
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit oficer1
2. Shoferë zjarrfikëspolic4
3. Policë zjarrfikëspolic8
funksione 13

Totali funksione 64

IX. PREFEKTURA E QARKUT, LEZHË

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit të Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, LEZHË
2. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
3. Inspektor profilaksiepolic1
4. Përgjegjës shërbimi 24 orëshpolic4
5. Policë zjarrfikës, shofer, shpëtuespolic 18________
funksione 24

Stacioni i PMNZSH-së, Mirditë
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimi 24- orëshpolic4
3. Shoferë zjarrfikëspolic4
4. Policë zjarrfikëspolic4______________
funksione13
Stacioni i PMNZSH-së, Laç
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimi 24 orëshpolic4
3. Shoferë zjarrfikëspolic4
4. Policë zjarrfikëspolic4
funksione13
Totalifunksione50

X. PREFEKTURA E QARKUT, SHKODËR

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit te Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, Shkodër
2. Shefi i PMNZSH-së, rrethit + Komand.stacionioficer1
3. Zv.komand+kujdestar-magazinier(ekonomist)polic1
4. Inspektor profilaksiepolic2
5. Mekanik +shoferë zjarrfiksepolic1
6. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
7. Punonjës informacionipolic4
8. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic8
9. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic 12
funksione 34

Stacioni i PMNZSH-së, Koplik
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimipolic4
3. Shoferë zjarrfikëspolic4
4. Polic zjarrfikëspolic4
funksione 13
Stacioni i PMNZSH-së, Pukë
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimipolic4
3. Shoferë zjarrfikëspolic4
4. Policë zjarrfikëspolic4______________
funksione 13

Totalifunksione 60

XI. PREFEKTURA E QARKUT, KUKËS

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit të Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, Kukës
2. Komand.stacioni+ kujdestarpolic1
3. Inspektor profilaksiepolic1
4. Përgjegjës shërbimi 24-orëshpolic4
5. Shoferë zjarrfikës, shpëtuespolic4
6. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 18

Shefi i PMNZSH-së, Nënprefektit, rrethit, Hasoficer1
Stacioni i PMNZSH-së, B.Curri
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit+komand. stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimipolic4
3. Shoferë zjarrfikespolic4
4. Policë zjarrfikëspolic6
funksione 15
Totali funksione 33

XII. PREFEKTURA E QARKUT, DIBËR

1. Shefi i sektorit të PMNZSH-së Prefektit te Qarkutoficer1
Stacioni PMNZSH-së, Peshkopi
2. Komand.stacioni+ kujdestarpolic1
3. Inspektor profilaksiepolic1
4. Përgjegjës shërbimipolic4
5. Shoferë zjarrfikëspolic4
6. Policë zjarrfikës, shpëtuespolic8
funksione 18

Stacioni i PMNZSH-së, Burrel
1. Shefi i PMNZSH-së rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimipolic4
3. Shoferë zjarrfikëspolic4
4. Policë zjarrfikëspolic4
funksione 13

Stacioni i PMNZSH, Bulqizë
1. Shefi i PMNZSH rrethit + Komand.stacionioficer1
2. Përgjegjës shërbimipolic4
3. Shoferë zjarrfikëspolic4
4. Policë zjarrfikëspolic4
funksione 13
Totali funksione 44

VENDIM
Nr. 288, datë 27.6.2002

PËR PËRCAKTIMIN DHE MARRJEN E MASAVE KUNDËR ZJARRIT DHE SHPËTIMIN NË OBJEKTET ME RËNDËSI EKONOMIKE DHE SHTETËRORE

Në mbështetje të pikës 2 të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 6 të nenit 4, të neneve 6 dhe 41 të ligjit nr.8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin”, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Këshilli i Ministrave,

VENDOSI:

1. Përcaktimin si vepra me rëndësi ekonomike në shkallë vendi, të objekteve, sipas listës në lidhjen nr.1, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendosjen dhe krijimin e stacioneve të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit, të gatishmërisë së përhershme, në këto objekte të cilat të jenë në përbërje e limit organik të institucioneve, që i administrojnë ose i kanë në pronësi.
3. Shpenzimet financiare për ngritjen dhe funksionimin e këtyre stacioneve zjarrfikëse, ku përfshihen shpenzimet për investime, shpenzimet administrative, fondi i pagave, pajisja materialo-teknike, sipas normave teknike, blerja e automjeteve zjarrfikëse, të përballohen nga të ardhurat që realizojnë subjektet, të cilat kanë në pronësi këto objekte.
4. Institucionet me rëndësi shtetërore, sipas listës në lidhjen nr.2, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi, të plotësojnë objektet e tyre me teknikë e pajisje, me sisteme sinjalizimi, sisteme stacionare të parandalimit, mbrojtjes dhe shuarjes së zjarrit, me hidrante zjarrfikëse dhe me mjete e pajisje të tjera shpëtimi, brenda tremujorit të tretë të vitit 2002.
5. Në këto institucione të vendoset inspektor profilaksie, i cili të jetë përgjegjës për të gjitha masat profilaktike kundër zjarrit, për njohjen dhe përdorimin e pajisjeve zjarrfikëse dhe të mbajë në gatishmëri të gjithë teknikën dhe pajisjet zjarrfikëse që gjenden në objekt.
6. Subjektet që kanë në administrim objektet sipas lidhjes nr.3, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi, të marrin masa parandaluese dhe ndërhyrëse kundër zjarrit, duke i pajisur ato me teknikë e pajisje, me sisteme sinjalizimi, sisteme stacionare të parandalimit, mbrojtjes dhe shuarjes së zjarrit, me hidrante zjarrfikëse dhe me mjetet e pajisjet e tjera të shpëtimit.
7. Drejtimi metodik dhe kualifikimi profesional i personelit të stacioneve zjarrfikëse të objekteve me rëndësi ekonomike, të kryhet nga Drejtoria e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe shefat e qarqeve ku ato janë të vendosur.
8. Trajnimi dhe certifikimi i inspektorëve të profilaksisë në objektet me rëndësi shtetërore të kryhet nga shefat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe prefektët e qarqeve, sipas një programi të miratuar nga drejtoria e lartpërmendur.
9. Ngarkohen Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, prefektët, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, subjektet me rëndësi shtetërore dhe ekonomike, private apo shtetërore, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, të marrin masat e nevojshme për zbatimin dhe ngritjen e strukturave të PMNZSH-së.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Pandeli Majko

LIDHJA NR.1
LISTA E OBJEKTEVE ME RËNDËSI EKONOMIKE

1. Porti detar, Vlorë
2. Porti detar, Durrës
3. Porti detar, Shëngjin
4. Porti detar, Sarandë
5. Aeroporti Ndërkombëtar, Rinas
6. KPTHN, Ballsh
7. Uzina e Plehrave Azotike, Fier
8. TEC-Rrafineri, Fier
9. Rezervat e Shtetit, ku ndodhen mbi 4 (katër) depo masive
10. Depot e ruajtjes dhe të shpërndarjes së naftës dhe nënprodukteve të saj me shumicë mbi 3000 m3
11. Stacionet e ruajtjes dhe mbushjes së gazit të lëngshëm me mbi 200 m3 gaz të lëngshëm
12. Hidrocentrali i Komanit
13. Hidrocentrali i Fierzës
14. Hidrocentrali i Banjës
15. Hidrocentrali i Vaut të Dejës
16. Hidrocentrali “Bistrica 2”
18. Hidrocentrali i Ulzës
19. Hidrocentrali i Shkopetit
20. Hidrocentrali i Lanabregasit, Tiranë
21. Hidrocentrali i Bogovës, Berat
22. Hidrocentrali i Gjançit, Korçë
23. Superstrada
24. Parku Kombëtar i Tiranës
25. Paraqet Kombëtare, me masive pyjore, si Dajti, Lura, Llogaraja, Divjaka etj.

LIDHJA NR.2
LISTA E OBJEKTEVE ME RËNDËSI SHTETËRORE

1. Godina e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
2. Godina e Presidencës
3. Godina e Kryeministrisë
4. Godinat e ministrive
5. Godinat e gjykatave të të gjitha niveleve
6. Godinat e prokurorive të të gjitha niveleve
7. Godina e SHIK-ut
8. Godina e Radio-Televizionit Shqiptar
9. Godina e Bankës së Shqipërisë dhe degët e saj
10. Godina e Arkivit Qendror
11. Godina e ATSH-së
12. Godina e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme
13. Godina e Pallatit të Kongresve
14. Teatri Kombëtar
15. Godina e Teatrit të Operas dhe Baletit
16. Godina e Bibliotekës Kombëtare dhe degët e saj
17. Godina e Muzeut Historik Kombëtar
18. Godina e Bankës së Kursimeve dhe degët e saj
19. Godinat e bankave të tjera, të huaja, që zhvillojnë veprimtari në vendin tonë
20. Godina e Arkivit të Filmit
21. Qytetet dhe lagjet muze
22. Spitalet
23. Fabrikat e miellit
24. Fabrikat e prodhimeve të kimikateve
25. Të gjitha objektet që kanë në shfrytëzim persona juridikë për prodhime dhe magazinime

LIDHJA NR.3
OBJEKTET SOCIAL-KULTURORE DHE OBJEKTE ME RËNDËSI EKONOMIKE

1. Kinematë dhe objektet kulturore masive
2. Hotelet
3. Magazinat e të gjitha kategorive
4. Pikat e shitjes me pakicë të karburanteve
5. Pikat e shitjes me pakicë të gazit të lëngshëm
6. Magazinat e të gjitha kategorive
7. Fabrikat dhe linjat e prodhimit të të gjitha kategorive

V E N D I M
Nr. 708, datë 21.12.2000

PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.206, DATË 26.3.1998, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E PJESËMARRJES SË SHTETIT NË PËRBALLIMIN E DËMEVE, NË RASTE FATKEQËSISH”

Në mbështetje të neneve 100 dhe 108 të Kushtetutës dhe të nenit 75 të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Pushtetit Lokal, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.206, datë 26.3.1998, të Këshillit të Ministrave, të bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në paragrafet e parë dhe të dhjetë të pikës 3, fjalët “këshilli i rrethit”, zëvendësohen me “këshilli i qarkut”.
2. Në pikën 8.4 dhe në pikën 9, fjala “rreth” zëvendësohet me fjalën “qark”.
3. Në paragrafin e katërt të pikës 3, në paragrafin e parë të pikës 6 dhe në pikat 8.4 dhe 9, fjalët “Sekretariat shtetëtor për pushtetin lokal” zëvendësohen me fjalët “Ministria e Pushtetit Lokal”.
4. Në paragrafin e parë të pikës 6 dhe në pikën 9, pas fjalëve “Ministria e Punëve Publike…” hiqen fjalët “… dhe Transporteve”.
5. Në paragrafin e pestë të pikës 6.b, pas fjalëve “…brenda zonës së zhvillimit me plan rregullues…” hiqen fjalët “…të miratuar nga KRRT-ja e rrethit” dhe shtohen fjalët “…nga organet përgjegjëse”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Ilir Meta

V E N D I M
Nr. 206, datë 26.3.1998

PËR KRITERET PËR PJESËMARRJEN E SHTETIT NË PËRBALLIMIN E DËMEVE NË RAST FATKEQËSISH

Me propozimin e Sekretarit Shtetëror për Pushtetin Lokal, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kur në zonat urbane dhe rurale ndodh dëmtim apo shkatërrim i banesave në pronësi të shtetasve , shteti mund të marrë pjesë me ndihmë financiare të pjesshme ose të plotë, për lehtësimin e dëmit të krijuar, mbi bazën e kritereve të përcaktuara në këtë vendim. Shteti ndërhyn kur pasojat janë me rrezik për jetën e njerëzve dhe në këto raste merr masa për lehtësimin e gjendjes dhe mënjanimin e rrezikut për jetën e shtetasve.
2. Këshilli i Ministrave merr pjesë me ndihmë financiare në rastet e dëmtimit të banesave, si pasojë e këtyre faktorëve:
– dëmtime nga tërmetet;
– dëmtime nga rrëshqitjet masive të trojeve;
– dëmtime nga përmbytjet masive;
– dëmtime nga zjarret ose për shkaqe të tjera të forcave madhore.
3. Procedura e hartimit të dokumentacionit
Bashkia ose komuna, kur ka raste të dëmtimit të ndërtesave të përmendura në pikën 2 të këtij vendimi krijon menjëherë një komision për hartimin e procesverbaleve të konstatimit të gjendjes. Këshilli i rrethit krijon një komision ekspertësh, të cilët, brenda 10 ditëve nga dita e ngjarjes, bëjnë vlerësimet e mëposhtme:
a) dëmet në anën ndërtimore;
b) dëmet në orendi dhe pajisje, në rast se ka.
Këshilli i bashkisë a komunës, pasi shqyrton procesverbalet për konstatimin e gjendjes dhe ato të komisionit të ekspertëve të këshillit të rrethit, merr vendimin për dhënien e ndihmës financiare. Ky vendim i paraqitet SSHPL-së, pas konfirmimit të tij nga prefekti, së bashku me dokumentacionin vijues:
– procesverbalet e konstatimit të gjendjes;
– preventivat (nga ana ndërtimore, orendi e pajisje);
– aktekspertizë nga MNZ-ja për rastet e dëmtimit nga zjarri;
– raporti gjeologjik për rastet e rrëshqitjeve masive të trojeve;
– lista emërore e familjeve të dëmtuara, përbërja familjare në momentin e ngjarjes, e vërtetuar me certifikatë të gjendjes civile; Kjo listë të firmoset nga nëpunësi i gjendjes civile dhe kryetari i bashkisë a komunës.
– vendimi i këshillit të rrethit me propozimet përkatëse, në rastet kur dëmi do të përballohet nga ky organ.
4. Masat e ndihmës për rastet që do të trajtohen me këtë vendim
4.1. Për rastet e shkatërrimit të banesave, masa e ndihmës falas të jetë 40-50% e vlerës së banesës së re. Vlera e banesës së re do të llogaritet mbi bazën e kostos së ndërtimit të banesave nga EKB-ja, për vitin përkatës kur do të llogaritet masa e ndihmës falas. Për rastet kur vlera e tregut të lirë të banesave është më e ulët se vlera e banesës e llogaritur mbi bazën e kostos së ndërtimit të banesave nga EKB-ja, merret për bazë vlera e tregut të lirë të rrethit përkatës. Në të gjitha rastet, sipërfaqja e banesës së re do të jetë e njëjtë me sipërfaqen e asaj ekzistuese. Bëjnë përjashtim rastet, kur sipërfaqja e banimit të banesës së vjetër është mbi normativat e strehimit; në këtë rast sipërfaqja e banesës së re do të llogaritet mbi bazën e përbërjes familjare.
– Në rastet kur është e mundur të përdoren materialet e banesës ekzistuese, ndihma falas do të jepet në masën 40 për qind të vlerës së dëmit..
Për rastet e dëmtimit të mesëm e të lehtë ndihma falas të jetë në masën 50 për qind të vlerës së dëmit.
Për rastet kur ka viktima në njerëz, jepet një ndihmë e menjëhershme falas në masën 50 000 lekë, për çdo viktimë.
Në të gjitha rastet kur ka dëmtime në pajisje dhe orendi, pas vlerësimit real të dëmit, jepet ndihma falas deri në 20 000 lekë për frymë, por jo më shumë se 100 000 lekë për familje. Për rastet kur vlera e dëmit është më e vogël se masa e përfitimit falas për frymë, ndihma falas do të jetë e barabartë me vlerën e dëmit.
Në rastet kur zhvendosja e banesave kërkon zgjidhje të problemit me ndërtime masive, atëhere zbatohet ligji nr. 7848, datë 25.7.1994 “Shpronësimet për interes publik”. Vlera e zhdëmtimit në lekë përballohet nga shteti.
Në rastet kur banesat janë bërë të pabanueshme, sipas vlerësimit nga komisioni i posaçëm, prefekti paraqet kërkesën në Këshillin e Ministrave (Rezervat e Shtetit apo Ministrinë e Mbrojtjes) për pajisjen me çadra për sistemim të përkohshëm, që vihen në dispozicion sipas gjendjes.
5. Dëmtimet nga tërmetet
Për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet, ngrihen komisione ekspertësh në shkallë bashkie, komune a rrethi, të cilat, brenda 10 ditëve nga dita e rënies së tërmetit, hartojnë procesverbalet përkatëse të shoqëruara me preventiva. Dokumentacioni i plotë i përgatitur nga komisionet, pas konfirmimit në prefekturë, i dërgohet Sekretariatit Shtetëror për Pushtetin Lokal, i cili, në varësi nga shtrirja gjeografike dhe përmasat e dëmit, kërkon pranë Këshillit të Ministrave ngritjen e komisionit të posaçëm qeveritar, në përbërje të të cilit të jenë specialistë të fushave përkatëse nga ministritë dhe institucionet qendrore për verifikimin dhe vlerësimin e gjendjes në vend.
Për dëmtime të rënda, në raste të veçanta, me arsye të motivuar, Këshilli i Ministrave ndihmon në përballimin e dëmit, në bazë të propozimit të bërë nga komisioni i posaçëm qeveritar.
6. Dëmtimet nga rrëshqitja masive e truallit
Në rastet e dëmtimeve nga rrëshqitjet masive të truallit, të kryhet studimi gjeologjik nga institucionet e specializuara të autorizuara për këtë qëllim nga Sekretariari Shtetëror për Pushtetin Lokal dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Me anë të këtij studimi të përcaktohet paqëndrueshmëria e truallit, shtrirja që lë rrëshqitja, zhvendosjet e domosdoshme të banesave, sipas shkallës së rrezikshmërisë:
a) Banesa me rrezikshmëri të lartë, ku përfshihen banesat brenda trupit rrëshqitës.
b) Banesa me rrezikshmëri të ulët, ku përfshihen banesat jashtë trupit rrëshqitës.
Për secilin rast, ndërhyrjet e shtetit të jenë të diferencuara.
Për pikën “a”, masa e ndihmës të jetë sipas pikës 4.1.
Për pikën “b”, masa e ndihmës të jetë sipas pikës 4.2.
Përcaktimi i zhvendosjes së banesave bëhet brenda zonës së zhvillimit me plan rregullues të miratuar nga KRRT-ja e rrethit.
7. Dëmtimet nga përmbytjet masive, zjarret dhe shpërthimet me lëndë plasëse
– Procedura që ndiqet për këto raste do të jetë sipas pikës 3 të këtij vendimi.
Masa e ndihmës falas të jetë sipas pikës 4 të këtij vendimi.
Në rastet kur shkaku i djegies ose i shpërthimit nuk përcaktohet menjëherë, vetë pronari i ndërtesës duhet të paraqesë kërkesë për ekspertim në organet kompetente. Raporti i ekspertëve duhet t’i bashkëngjitet dokumentave të tjera.
8. Burimet financiare të përballimit të dëmeve
8.1. Organi i pushtetit lokal përkatës (bashkia ose komuna) ka të drejtë të përdorë për qëllimet që parashtron ky vendim, fondin rezervë të miratuar, të ardhurat, si dhe sponsorizimet dhe donacionet që mund t’i vihen në dispozicion nga donatorë të ndryshëm. Përdorimi i këtyre fondeve bëhet me vendim të Këshillit të bashkisë a komunës.
8.2. Në të gjitha rastet fondet që jep organi i pushtetit lokal ose Këshilli i Ministrave sipas këtij vendimi, administrohen nga organi i pushtetit lokal (bashkia ose komuna) përkatës. Ky organ ka detyrën e kontrollit të përdorimit të fondit vetëm qëllimin e dhënies së tij. Për këtë mund të aplikojë dhënien me këste të fondit të akorduar, duke kërkuar në vazhdimësi nga përfituesit dokumente që vërtetojnë përdorimin e këtij fondi për qëllimin e dhënies së tij.
8.3. Titullarët e organeve të pushtetit lokal, komisionet ose institucionet e tjera mbajnë përgjegjësi për zbatimin e procedurave të përmendura në këtë vendim.
8.4. Nëse organet e kontrollit në komunë, bashki, rreth, prefekturë, Sekretariatin Shtetëror për Pushtetit Lokal apo organe të tjera konstatojnë abuzime në vlerësimin e dëmeve nga komisionet, shkaktarët vihen përpara përgjegjësisë materiale dhe çështja dërgohet për ndjekje penale.
9. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave, Sekretariati Shtetëror për Pushtetin Lokal, si dhe komunat, bashkitë, rrethet e prefekturat.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYEMINISTRI
Fatos Nano

V E N D I M
Nr. 663, datë 18.12.2002

PËR PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN DHE PËRGJEGJËSITË E KOMISIONIT TEKNIK KËSHILLIMOR TË SPECIALISTËVE PËR EMERGJENCAT CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4 të nenit 10 të ligjit nr. 8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile”, me propozimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Komisioni Teknik Këshillimor të ketë në përbërje përfaqësues si më poshtë vijon:
A. Nga Këshilli i Ministrave:1
B. Nga ministritë:
– Ministria e Mbrojtjes 2
– Ministria e Shëndetësisë 2
– Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit 2
– Ministria e Rregullimit të Territorit dhe e Turizmit 2
– Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit 2
– Ministria e Arsimit dhe e Shkencës 1
– Ministria e Industrisë dhe e Energjetikës 1
– Ministria e Mjedisit 1
– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 1
– Ministria e Financave 1
– Ministria e Drejtësisë 1
– Ministria e Ekonomisë 1
– Ministria e Punëve të Jashtme 1
– Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale 1
– Ministria e Rendit Publik 1
C. Nga institucione shkencore dhe monitoruese:
– Akademia e Shkencave 1
– Sekretariati Shtetëror i Digave të Larta 1
– Universiteti Politeknik i Tiranës 3
– Instituti i Sizmiologjisë 1
– Instituti i Hidrometeorologjisë 1
– Instituti i Fizikës Bërthamore 1
– Instituti i Shëndetit Publik 1
– Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë 1
– Instituti i Kërkimeve Veterinare 1
– Instituti i Kërkimeve Ushqimore 1
– Instituti i Pyjeve dhe Kullotave 1
– Instituti i Studimeve për Transportin 1
– Instituti i Studimeve të Teknologjisë së Ndërtimit 1
– Qendra e Studimeve Gjeografike 1
– Shërbimi Gjeologjik Shqiptar 1
– KESH 1
Ç. Nga Kryqi i Kuq, OJF-të dhe agjencitë e OKB-së:
– Kryqi i Kuq Shqiptar1
– Koordinatori rezident i OKB-së në Shqipëri1
– Organizatat jofitimprurëse1
2. Mënyra e funksionimit të Komisionit Teknik Këshillimor
a. Komisioni Teknik Këshillimor thërritet dhe drejtohet nga drejtori i Departamentit të Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, sa herë që ai e gjykon të nevojshme, por jo më pak se një herë në tre muaj.
b. Anëtarët e komisionit, përveç takimeve të rregullta, duhet të jenë të gatshëm për të marrë pjesë dhe të angazhohen në detyra të veçanta individuale dhe në grupe, që kërkohen nga komisioni teknik.
c. Përfaqësuesit e përmendur në shkronjën “A” janë anëtarë të përhershëm të komisionit, përfaqësuesit e përmendur në shkronjën “B”, përjashtuar atë të Akademisë së Shkencave, ftohen në varësi të nevojave, ndërsa përfaqësuesit e përmendur në shkronjën “C” janë vëzhgues të përhershëm.
ç. Për përfaqësuesit e përmendur në shkronjën “A”, niveli i përfaqësimit të jetë nënkryetar i komisionit të emergjencave civile, në nivel drejtor drejtorie ose të barazuar me ta, ndërsa për përfaqësuesit e përmendur në shkronjat “B” dhe “C” drejtues institucioni, agjencie OSE shoqate.
d. Drejtori i Departamentit të Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile përgjigjet për përgatitjen e materialeve dhe për njoftimin për mbledhjen e radhës së komisionit, duke ia dërguar, çdo anëtari, jo më vonë se 10 ditë përpara datës së mbledhjes.
dh. Pranë Komitetit Teknik Këshillimor funksionon sekretaria teknike, me punonjës të Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit.
e. Drejtori i Departamentit të Planizimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile, për probleme të veçanta të Planit Kombëtar të Emergjencave Civile, i propozon Ministrit të Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, ngritjen e grupeve të përkohshme të punës, me objekt dhe afate të përcaktuara, me punonjës të brendshëm ose nga jashtë ministrisë.
ë. Ministri, me propozimin e drejtorit të departamentit, në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore, në fuqi, përcakton mënyrën dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të komisionit dhe të sekretarisë për punën e kryer shtesë, jashtë detyrave të tyre.
3. Komisioni Teknik Këshillimor ka përgjegjësi:
a. të përgatisë strategjinë, politikat dhe programet në fushën e mbrojtjes civile, shëndetin publik, pasurinë, vlerave kulturore dhe mjedisit rrethues nga ndikimet e emergjencave civile;
b. të përgatisë dhe të zhvillojë programe edukimi për strukturat e emergjencave dhe publikun e gjerë në fushën e mbrojtjes civile;
c. të zhvillojë, të parashikojë dhe të përditësojë materialin e rreziqeve, si dhe të vlerësojë mundësitë për përballimin e tyre;
ç. të përpunojë planet për përballimin e emergjencave civile, të përgatitura nga institucionet shtetërore e jo shtetërore, dhe t’i përfshijë ato në Planin Kombëtar të Përballimit të Emergjencave Civile;
d. të mbikëqyrë dhe të ndihmojë në ngritjen e sistemit kombëtar të Emergjencave Civile, si dhe në vënien në eficencë të plotë të tyre;
dh. të përgatisë modele dhe skenare për stërvitjen e trupave operacionale të shërbimit të emergjencave civile dhe për nivele të ndryshme të qeverisjes, vendore e qendrore;
e. të ofrojë rrugët e zgjidhjes për masat parandaluese dhe të rehabilitimit për lloje të ndryshme fatkeqësish natyrore ose të shkaktuara nga njeriu, para, gjatë dhe pas situatave emergjente;
ë. të ndërmarrë nisma dhe studime për pakësimin e dëmit dhe të efekteve të tjera negative, që mund të vijnë si rezultat i emergjencave civile;
f. të përgatisë dhe të zhvillojë projektin e integruar të komunikimit me sinjal 112, në të gjithë sistemin e emergjencave civile.
4. Efektet financiare të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit.
5. Ngarkohet Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Fatos Nano